Mendime » Xharra
Fahri Xharra: Nuk jemi ardhacakë në tokat tona
E shtune, 21.12.2019, 05:59 PM
Nuk jemi ardhacakë në tokat tona
Përputhja
e trojeve që flisnin dikur, e që edhe sot flasin shqip me kufijtë etnikë të
ilirëve të jugut e të epirotëve të lashtë brenda e jashtë Shqipërisë, mund të
shpjegohet vetëm me autoktoninë e shqiptarëve në këto troje
Shkruan
Fahri Xharra
“Porse,
si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej
humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit
të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit,
shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas
mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave
pjellore dhe plot jetë, banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore.
Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë
thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë
njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtëzakonshme qëndrese, ende këta e
flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm
karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e
punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë”. “Ky
popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i
gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të
maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrnjeve të vjetra, ai
asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta. (Atë Gjergj Fishta
,1939).
“Zbulimi” i Popoviqit
për shqiptarët
Përputhja
e trojeve shqipfolëse të sotme me kufijtë etnikë të ilirëve dhe epirotëve të
lashtë brenda dhe jashtë Shqipërisë etnike mund të shpjegohet vetëm me
autoktoninë e shqiptarëve në këto troje. Në vitin 1958 njëfarë Ivan Popoviqi
(Slaven und Albaner in Albanien und Montenegro) e ”zbulon” se duke u mbështetur
kryesisht në ”argumentime” gjuhësore i paraqet shqiptarët si popullsi e ardhur
në trojet e sotme të tyre në një kohë të papërcaktuar në mesjetë, por, sipas
tij, gjithsesi pas sllavëve. Pse e gjithë kjo luftë, pse i gjithë ky ngulm gati
dyqindvjeçar i fqinjëve që të na “gjejnë kohën se kur kemi ardhur “këndej pari
dhe të “nderojnë“ edhe me vendin se nga “ishim”? Historia është shkencë ekzakte
dhe nuk duron “mrekulli” se e vërteta qëndron edhe nën tokë e edhe në ujë, asaj
ne duhet t´i japim gjuhën dhe të flasë. “Në malet, mbi zonën e banuar me sllavë
dhe protoromanë mbeti një popullsi blegtorale që mund të cilësohen si
protoshqiptarë”, thoshte Ivan Popoviqi. Objekti dhe qëllimi i pikëpamjeve që e
kundërshtojnë autoktoninë e shqiptarëve është i qartë (N. Çabej, Ilirët që
mbijetuan) të gjendet një vend nga dikur jo fort larg në histori, shqiptarët të
kenë ardhur. Por, kot. “Mrekullitë” nuk i duron shkenca e historisë. Por, ka
edhe nga ata që nuk i bishtnojnë fakteve dhe e thonë atë që duhet thënë se në
burimet historike nuk bëhet fjalë për ndonjë migrim të shqiptarëve. Andaj,
është e natyrshme që shqipja është folur, që nga kohët e lashta në ato vende ku
flitet edhe sot, pa i llogaritur vendet tjera ku iu kanë humbur
gjuhën..Gjuhëtari Radoslav Katiçiq: “Grupe shqipfolëse ka në Epir, në pjesën
perëndimore të Maqedonisë dhe në lindje të Malit të Zi. Në Kosovë popullsia
është kryesisht shqiptare. (Katiçiq, Ancien Lanuages of the Balkans) dhe
përfundon që kjo zonë e banuar me folës të shqipes gjendet thuajse tërësisht
brenda territorit të lashtë të ilirëve. Për këtë arsye, ai e sheh normale dhe
të natyrshme gjuhën shqipe si pasardhëse moderne të ilirishtes. Në një blog
serb lexova ku thuhet se shqiptarët e Kosovës nuk kanë aspak lidhshmëri me ne
dhe ata janë ashtu si e thoshte plaku shqiptar në një TV-intervistë: “Ne jemi
ilirë’, ky nuk është vendi i serbëve, ne gjithmonë kemi qenë këtu, kjo është
jona, kjo është jona...”
Shën Flori e Shën Lauri
nga Ulpiana
Por,
te shkojmë edhe më larg në histori: Më 18 gusht, Kisha katolike përkujtoi dy
shenjtorë, që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare: e kemi fjalën
për Shën Florin e Shën Laurin, nga qyteti i Ulpianës në tokën e Dardanisë,
Kosova e sotme. Shën Niketa, i njohur edhe me emrin “Shën Niketa i Dardanisë
“apo “Shën Niketa i Remessiana-s” ( tek sllavet: “sveti Nikita”, kompozoi
himnoren e mirënjohur “Te deum, laudeamus”-“ Ty Zot të lavdërojmë”. Të paktën
që nga fillimi i shekullit të kaluar, kur britaniku A. E. Burn botoi në
Cambridge (1905) monografinë “Niceta of Remessiana”, dihet botërisht se ky
shenjtor doli prej botes iliro-shqiptare. Vetë Shën Niketa shkruan me dorën e
tij: “Dardanus sum” jam dardan. Në vështrimin historik shfaqja e Nënë Terezës
si përfaqësuese e një misioni të shenjtë, në hapësirën dhe botën shqiptare jo
vetëm nuk ka asgjë të papritur, por vjen si përforcim i një tradite
dymijëvjeçare. Tradita e takimit të hapësirës shqiptare vazhdoi me shekuj. Në
veri Shën Sergji e Baku; në jug Shën Gjon Vladimiri, deri tek Shën Kozmai,
tregojnë se bota shqiptare jo vetëm nuk ishte e largët për misionaret e
shenjtë, por, madje, ofronte mjedis zhvillimi e lartësimi. Kjo nuk lidhet vetëm
me krishterimin, por me bashkësinë shqiptare në tërësi. Ruajtja e kodikëve të
Shqipërisë në ketë mjedis ku kanë kaluar rrebeshe kohësh dhe ku janë kryqëzuar
ndikime mospajtuese, shpreh edhe një here një vlerë prej vlerave etnodalluese
të popullit shqiptare, tolerancën ndërfetare të tij, një model tolerance edhe
për shqiptarinë e sotme.
Të
tilla dorëshkrime janë pjesë e identitetit kulturor të popullit, që i ka
ruajtur dhe i japin emër Shqipërisë në botë. Prandaj, ne përulemi me emocion
dhe nderim para tyre. Nuk jemi ardhacakë në tokat tona. Të kotë e keni ju,
turq, grekë e serbë.
Fahri Xharra
Gjakovë