Editorial » Entela
Entela Binjaku: Përurohet në Bukuresht „24 marsi. Kronika e ferrit kosovar”
E diele, 01.12.2019, 04:43 PM
Përurohet në Bukuresht „24 marsi. Kronika e ferrit kosovar”
Nga
Entela Binjaku
Në Panairin Kombëtar të
librit „Gaudeamus” të çelur javën e kaluar në Bukuresht u përurua edhe libri i
autorit kosovar Fehmi Ajvazi me titull: 24 marsi. Kronika e ferrit kosovar”.
Autori, një emër i ri në
tregun e botimeve rumune ka lindur në Gjilan të Kosovës. Ai është shkrimtar, gazetar, analist politik dhe
autor i disa studimeve që kanë në qendër historinë e shqiptarëve kosovarë në
dekadat e fundit të shekullit të kaluar.
Libri me titull ”24 mars.
Kronika e ferrit kosovar” u botua fillimisht në Prishtinë në vitin 2003.
Në një format të ri
botimi, mjaft më cilësor, ky libër erdhi për lexuesit rumunë falë
përkthimit në rumanisht të përkthyesit të njohur Marius Dobresku.
Ceremonia përuruese u mbajt
në datën 21 nëntor në stendën e shtëpisë botuese „Corint Books”. Shtëpia e
mirënjohur e përfshiu këtë libër në kolanën e botimeve të saj të paraqitura në
panair, me rastin edhe të 20 vjetorit të
ngjarjeve të tmerrshme të kësaj pjese të Evropës.
Libri që është një
ndërthurje kujtimesh, meditimesh dhe dokumentesh, risjell në kujtesën e
lexuesit rumun fakte historike të ndodhura në pranverën e vitit 1999. Këto
fakte kanë nxitur polemika dhe kundërshti të shumta edhe në Bukuresht në atë
kohë.
Në aktivitetin e organizuar
në Panair morën pjesë miq dhe simpatizantë të shumtë të Shqipërisë dhe
shqiptarëve, si dhe lexues e të interesuar për këtë pavijon të ekspozitës.
Morën fjalën Arlinda
Morava, atashe kulturore në kuadër të Ambasadës Shqiptare në Bukuresht, prof. univ. Daniela Bu??, kërkuese shkencore
në fushën e historisë së Ballkanit dhe përkthyesi i vëllimit, gazetari,
shkrimtari dhe eseist i njohur Marius Dobresku. Në intervistën e dhënë
disa javë më parë për lexuesit shqiptarë përkthyesi Dobresku kishte përmendur
edhe ardhjen në jetë në rumanisht të këtij libri.
Në pamundësi për të marrë
pjesë në aktivitet shkrimtari Ajvazi ju drejtua të pranishmëve me një mesazh
nga ku veçojmë: ”Jam thellësisht i nderuar nga fakti se libri im është
përkthyer në gjuhën rumune... Ndjehem i nderuar që ky libër, tragjik,
nga kreu deri në mbyllje siç edhe historia e Kosovës ka qenë ndodhet në
duart e lexuesve rumunë.
Ju falënderoj të gjithëve nga zemra dhe ju dëshiroj të mbani gjithmonë ndezur në zemrat tuaja flakën e kulturës dhe të dëshirën për liri”.
Një artikull për këtë
përurim do të botohet edhe në revistën „Drita”, revistë kulturore e
minoritetit shqiptar në Rumani, që financohet nga shteti rumun.
Z. Dobresku drejton redaksinë e saj prej shume
vitesh. Ai njihet më së shumti si përkthyes i prozave të Kadaresë, por ka
përkthyer në gjuhën rumune vepra edhe nga shkrimtarë të tjerë shqiptarë si:
Ramiz Gjini, Ermir Nika Teodor Laço, Gjekë Marinaj, Arbër Ahmetaj, Fahri
Balliu, Rita Petro etj., Kësaj liste të gjatë autorësh i shtohet tashmë edhe
emri i autorit kosovar Fehmi Ajvazi.