Kerko: a
Enver Bytyçi: Pse Albin Kurti takoi Rexhep Qosjen në prag fushate?!
E shtune, 21.09.2019, 08:29 PM
Pse Albin Kurti takoi Rexhep Qosjen në prag fushate?!
Nga
Enver Bytyçi
Para
dy ditësh Albin Kurti u shfaq në krah të akademikut që vetëm rrogën e merr si i
tillë, Rexhep Qosjen. Ishte një lajm surprizë në një kohë kur qytetarët e
Kosovës kishin harruar faktin se kreu i Vetëvendosjes kishte si mentor të tij
Qosjen. Por ishte gjithashtu një veprim jo i zgjuar i liderit opozitar, që
synon karrigen e kryeministrit të Kosovës.
Askush,
në asnjë rrethanë nuk mund t’i kërkojë zotit Kurti të heq dorë nga takimet dhe
respekti për profesorët e miqtë e tij. Askush dhe në asnjë kohë nuk do të ishte
e moralshme t’i kërkojë atij të heqë dorë nga kontaktet me Rexhep Qosjen. Por
ajo që ndodhi pati sfond politik, u shfaq me ngjyrat e miqësisë politike të
kreut të Vetëvendosjes me ish-kreun e një partie, i cili në vitin 2000 mori aq
vota sa i takonin udhëtarëve të një autobusi. E takoi Qosjen në ditë fushate
elektorale i shoqëruar nga eksponentë të partisë së tij. Pra, gjithçka u shfaq
me ngjyrat e politikës, edhe mesazhet qenë të tilla.
Atëherë
çfarë e shtyn zotin Kurti të ndërmarrë akte politike në shoqërinë e akademikut
Qosja?! Përgjigja është shumë e thjeshtë, ai ndjehet nxënës i tij në politikë,
ai nuk e respekton Qosjen thjesht si profesor, as si mik familjeje, madje as si
shok shkolle, universiteti, burgu apo ushtrie! E takoi dhe e respekton si
mentor politik, si ideolog të lëvizjes së tij, si udhëheqës i tij. Ky është
problemi që unë dalloj në paraqitjen e fundit të Albin Kurtit me Rexhep Qosjen.
Megjithatë dikush do të më pyesë: Çfarë të keqe ka kjo që thashë më lart?
Le
të shpjegohem:
1.
Rexhep Qosja është politikan i dështuar. U përpoq që me qëndrime anti-Rugovë ta
sfidonte atë. U krekos edhe në Rambuje si babai i kombit, me prezencë sfide për
këtë rol tashmë të konfirmuar të Ibrahim Rugovës. Ndërtoi platformën e
zhvillimit të Kosovës bazuar në armiqësitë e tij për kundërshtarët politikë, në
radhë të parë bazuar në armiqësinë e tij ndaj presidentit historik të Kosovës.
Kësisoj dështoi, madje turpshëm përballë tij. Sepse Kosova nuk kishte nevojë
për alternativa armiqësish të brendshme. Përkundrazi, kishte nevojë për
alternativën e zhvillimit bazuar në urtësinë dhe mençurinë e brezave. Këtë lloj
sentimenti dhe karakteri i barti vetëm Rugova. Kam frikë se Albin Kurti e ka të
injektuar këtë lloj ndjesie anti-Rugovë nga mentori i tij Rexhep Qosja. Këtë
lloj armiqësie Qosja ia injektoi edhe Edi Ramës.
2.
Idetë dhe qëllimet e Qosjes janë të ndryshme nga atë që proklamon Albin Kurti.
Atëherë akti simbolik politik i takimit të tij në prag fushate do të shtojë
dozat e mosbesimit ndaj programit që ai ka shpallur. Kjo do të thotë se kreu i
vetëvendosjes, nëse presupozojmë se merr mendët dhe veset e Rexhep Qosjes, nuk
thotë të vërtetën kur flet për bashkim kombëtar. Sepse Qosja është një titist
jugosllavist i dëshmuar. Kjo do të thotë se me veset e Qosjes dhe këshillat e
tij nuk mundet dikush, as zoti Kurti, ta luftojë korrupsionin, sepse nuk ka
korrupsion më të madh se ta marrësh pagën e akademikut pa shkuar asnjë ditë në
akademi. Nëse Qosja duket se është prish me Thaçin, kjo ka ndodh se ky i fundit
ia ndali qindra-mijë eurot që ia jepte gjoja për veprat e tij. Nuk rron dot
Rexhep Qosja pa e ngjye gishtin në pasurinë e qytetarëve të Kosovës. Po zotin
Kurti çfarë e lidh me këtë filozofi?!
3.
Së treti Rexhep Qosja është i pari shqiptar i Kosovës, i pari prej njerëzve të
letrave dhe të penës, që ka elaboruar idenë e shkëmbimit të territoreve, duke
sjellë në mendimin akademik dhe opinionin e Kosovës programin politik të kreut
të Aakademisë serbe të Shkencave, Dobrica Qosiq. Me idetë e Qosjes u frymëzua
sa i përket kufijve të Kosovës fillimisht Edi Rama, u frymëzua dhe entusiazmua
Baton Haxhiu dhe u marros Hashim Thaçi.
Po
Albin Kurti, i cili është shprehur gjithnjë kundër ndryshimit të kufijve dhe
ndarjes së Kosovës, çfarë merr në këtë aspekt prej Rexhep Qosjes?! Prandaj
rritet dyshimi te Albin Kurti.
4.
Dhe së fundi, idetë e akademikut Qosja janë ide titiste që kanë evoluar deri te
idetë enveriste. Që do të thotë se mendimi i tij politik është një përzierje e
komunizmit liberal të Titos dhe bolshevizmit stalinist. A mund t’i jepet
Kosovës sot në shekullin e XXI modeli ideologjik titist, enverist ose
stalinist?! Nëse jo! Pse Albin Kurti e takoi publikisht majtistin
titisto-stalinist Rexhep Qosja? Edhe këtu vihet në dyshim programi politik i
zotit Kurti. Një qeverisje me idetë dhe vlerat që mbron Qosja do të ishte
katastrofë për Kosovën. Nëse Kurti mban si mentor Qosjen, atëherë do të vinte
në krye të shtetit të Kosovës një kopje e keqe e Hahim Thaçit!
Tiranë,
më 20.09.2019