Kerko: a
Alma Lama: Pse duhet të shqetësohet Prishtina nga takimi i Vuçiçit me Papën
E enjte, 12.09.2019, 08:15 PM
Pse duhet të shqetësohet Prishtina nga takimi i Vuçiçit me Papën
Shkruan Alma
Lama
Po
prisja të lexoj diçka më shumë rreth vizitës së presidentit të Serbisë
Aleksandër Vuçiç në Selinë e Shenjtë, përtej citimit të deklaratave të tij
rreth mosnjohjes së Kosovës, që janë më shumë për konsum politik. Dhe e gjeta
në tekstin e shkruar në mënyrë mjeshtërore nga gazetarja e Ora News në Romë
Alba Kepi: “Papa Françesko i ka dhuruar letrat e tij enciklike me mesazhin e
paqes si dhe një dokument mbi vëllazërinë njerëzore firmosur nga Ati i Shenjtë
së bashku me Imamin Al -Azhar.”
Gjuha
e simboleve dhe gjuha e detajeve në diplomaci ka vlerë të madhe. Në takimin e
tij me presidentin serb, pavarësisht të gjitha gjërave që janë folur, Papa
Francesku, nëpërmjet dhuratës, i ka shprehur Vucicit qëndrimin e Selisë së
Shenjtë: ne kërkojmë nga ju që të ndërtoni paqen me ata që nuk e keni, sidomos
me Kosovën. Nuk e shoh të rastësishme as dhënien si dhuratë të dokumentit të
firmosur me 4 në shkurt të këtij viti në Abu Dhabi, mbi “vëllazërinë njerëzore”
me imamin e madh Al- Azhar, që në radhë të parë është një thirrje për
bashkëjetesë fetare mes të krishterëve dhe muslimanëve.
Sadoqë
konflikti shqiptaro-serb është etnik dhe identitar, shteti dhe Kisha serbe janë
përpjekur vazhdimisht t’i japin një dimension fetar. E në këto kushte një
dhuratë për “vëllazërinë humane” është një simbol domethenës.
Qëndrimi
i Vatikanit, nuk e përjashton aspak qëllimin e kreut të Serbisë që ta bindë
Papa Franceskun për të mos e njohur shtetin e Kosovës. Kjo është pjesë e
lobimit të fuqishëm që ata po bëjnë në të gjithë botën, madje edhe me shtetet
njohëse, që ato të ndërrojnë qëndrim.
Presidenti
serb Vuçiç, nuk mund të luajë ndonjë rol në ndryshimin e qëndrimit të Selisë së
Shenjtë ndaj Kosovës, pasi interesat që mbajnë peng njohjen, e tejkalojnë
dimensionin e marëdhënieve shqiptaro-serbe dhe paqen e dëshiruar në Ballkan.
Papa
Francesku, si një reformator i Kishës katolike dhe lider me tipare humane, po
përpiqet të ndryshojë në mënyrë të dukshme edhe fytyrën e konflikteve
shekullore ndërmjet dy degëve kryesore të krishtërimit. Përmirësimi i raportit
me ortodoksizmin, që ka qenë mission i përhershëm i të gjithë papëve, nën
udhëheqjne e Papa Franceskut, ka kaluar një nivel tjetër, sidomos pas takimit
historik në Havana në vitin 2016 me Patriarkun Rus Kirill dhe deklaratës së
përbashkët të lëshuar kundër persekutimit të kristianëve.
Megjithatë
Patriarku i Kishës Ortodokse Ruse Kirill që bashkëpunon ngushtë me shtetin dhe
presidentin aktual të Rusisë Putin, ende refuzon një takim me Papën në Moskë.
Një
qëndrim të ngjashëm ka edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Irinej, i cili
madje shkatoi zemërim në Beograd për shkak të refuzimit të një vizite të Papës
në Serbi.
Është
e qartë se Selisë së Shenjtë i intereson dhe kultivon marëdhënie të mira si
Serbinë ashtu edhe me Kosovën, por pa u pozicionuar politikisht, ndërkohë që në
rastin e Kroacisë katolike, mori qëndrimin për ta njohur.
Në
këtë kuadër, një vizitë më shumë apo më pak e presidentit serb në Selinë e
Shenjtë, nuk çon shumë peshë në raport me njohjen apo mosnjohejn e Kosovës.
Ajo
çfarë është e rëndësishme për Kosovën dhe politikën e saj të jashtme është
raporti i saj me Selinë e Shenjtë, lloji i marëdhënieve që ka ndërtuar dhe
serioziteti i treguar. Kulmi i raporteve në aspektin fetar, u shënua me
shenjtërimin në vitin 2016 të Nënë Tereza e lindur nga dy prindër shqiptarë të
Kosovës.
Në
aspektin politik, Selia e Shenjtë, megjithëse nuk e ka njohur zyrtarisht
shtetin e Kosovës, ka një qasje mjaft positive dhe ka qenë mikëpritëse e
delegacioneve më të larta shtetërore, përfshirë organizmin e takimeve me Papën.
Kjo nuk është meritë e ndonjë personi apo individi i cili takimin e papën e
sheh vetëm si mundësi për tu fotografuar me të, por e raporteve historike dhe
shpirtërore që ne se shqiptarë kemi me shtetin e Vatikanit. Kur them shqiptarë,
e kam fjalën edhe për shtetin shqiptar, por nuk duhet harruar se gurëthemelin e
këtyre raporteve e vuri presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, me
takimet dhe vizionin e tij propërendimor.
Problemi
është se përtej fotografimeve me Atin e Shenjtë, përfaqësuesit aktualë të
shtetit të Kosovës nuk i kanë trajtuar me seriozitet raportet me Selinë e
Shenjtë. Natyrisht, njohjen e këtij shteti e dëshirojnë të gjithë, për shkak të
simbolikës dhe peshës së padiskutueshme, por angazhimi për të bindur
autoritetet e këtij shteti, ka qenë në variantin më të mirë, amatoresk.
Ofendimi
më i madh qe i është bërë këtyre raporteve, është dekreti i emërimit të një
“ambasadoreje” në Selinë e Shenjtë nga ana a presidentit të Kosovës në vitin
2016, një vendim i ndërmarrë për interesa klanore, por me pasoja në raportet
diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Akti
i emërimit të një ambasadori pa pasur njohje dhe marëdhënie diplomatike, është
në kundërshtim të plotë me Konventën e Vienës për Marëdhëniet Diplomatike
(1961) sipas së cilës vendosja e marëdhënieve diplomatike mes shteteve dhe
misioneve të përhershme diplomatike bëhet me pëlqim të ndërsjelltë (neni 2). Në
rrethana të tilla, kjo ishte një tallje me Selinë e Shenjtë.
Po
kështu, sjellje jo serioze kanë qenë edhe emërimet e bëra ne emër të qeverisë,
të njerëzve jokompetentë, dhe në kundërshtim me atë mundësi që ka ofruar Selia
e Shenjte për raportet diplomatike me Kosovën. Pa dashur të hyj në detaje,
MPJ-ja është dashur të caktojë një diplomat me nivel intelektual, njohës i
Vatikanit, Kishës dhe diplomacisë, me kulturë të përgjithshme dhe i aftë për të
komunikuar me nivelet me të larta.
Zyrtarisht
Kosovën e mbulon nunsi apostolik në Slloveni ndërsa Kosova për shkak të
ambicjeve të brendshme klanore, nuk ka caktuar një diplomat të rangut të lartë
në Romë, që do të fokusohej në raportet me Selinë e Shenjtë.
Eksperimentet
me njerëz të pakualifikuar, që për shkak të rrethanave konjukturale, mbërrijnë
të marrin një emërim të përkohshëm, janë të dëmshme, shkaktojnë konfuzion dhe
perceptohen si joserioze.
Është
pikërisht kjo që ka ndodhur, qasja joserioze nga ana e përfaqësuesve të shtetit
të Kosovës, një nga arsyet e mosnjohjes nga ana e Selisë së Shenjtë. Padyshim,
siç kemi shpjeguar më sipër , kjo nuk është arsyeja e vetme. E këtu ka vend për
tu shqetësuar në raport me vizitën e sotme të Vuçiçit në Vatikan.
Një
qasje e tij më serioze se ajo e shtetit të Kosovës, veçanërisht e shoqëruar me
diskursin e ekzagjerimit të rrezikut për trashëgiminë ortodokse serbë në
Kosovë, nuk mund të kalojë pa ndikim.Viktimizimi në lidhje me rrezikun që
paraqesin shqiptarët e Kosovës për trashëgiminë fetare serbe, është diskurs
zyrtar i Serbisë, të cilin e kam ndeshur edhe në punën e ambasadorit serb në
Itali, i cili kërkonte lart e poshtë ndihma për restaurimin e objekteve
religjoze në Kosovë. Natyrisht, edhe unë si ambasadore në Itali, jam marrë me
këtë çështje për ta përgenjeshtruar, si dhe duke dhënë argumentet se Kosova ka
treguar gadishmëri për financimin e restaurimeve, por është Kisha Ortodokse
Serbe ajo që nuk ka pranuar.
Pra
rreziku është që përtej deklaratave politike si ato të Vuçiçit pas vizitës së
sotme, Serbia do të vazhdojë me diplomacinë perfide për të fituar terren edhe
në raport me Selinë e Shenjtë, ndërsa Kosova do të vazhdojë të mos kuptojë
rëndësinë e qasjes institucionale dhe shtetërore në raport me këtë shtet.