Mendime
Henri Çili: Nexhmija dhe gazetat, prapë me biografitë!
E enjte, 02.10.2008, 05:21 PM
Nexhmija dhe gazetat, prapë me biografitë!
Henri Çili
Nga Henri Çili
Intervista e vejushës së diktatorit Enver Hoxha, u ndoq me shumë interes. Të gjitha gazetat e botuan të nesërmen, thuajse të plotë. Intervista me Enverin vetë, do të ishte ndjekur edhe me më shumë interes! Në kuptimin e audiencës, një operacion perfekt i koleges Rudina Xhunga. E tentuar ndoshta nga modeli i idhulles së saj Oriana Fallaci, e cila nuk la diktator, kriminel a terrorist pa intervistuar, duke ndihmuar vërtet historinë me dëshmitë e mbledhura, fut në një ekran të madh, në një emision të kalibrit serioz ...një dëshmitare kyç të diktaturës me pretendimin e një rrëfimi. Deri këtu ambicia profesionale gazetareske e pranon logjikën, edhe pse intervistuesja mund të kishte qenë pak me tepër “Oriana Fallaci” gjatë intervistës. Këtu Xhunga del nga skena dhe aty futet intervista vetë dhe mënyra sesi e përktheu shtypi i shkruar këtë intervistë. As dëmshmi, as rrëfim, as refleksion, asgjë në një intervistë, nga një personazh i errët i historisë sonë shqiptare të re, i cili të paktën të kishte një vlerë për historianët a studiuesit. Sikur kjo të mos mjaftonte, vejusha e diktatorit na bën prapë biografi në këtë vend. Pothuaj të gjitha gazetat kishin potencuar momentin e intervistës, kur ajo flet për kryeministrin Berisha dhe atë fabul të vjetër e të tjerrë kaq shumë e kaq gjatë në këtë tranzicion “pse nuk u pranua kardiologu Sali Berisha në grupin e mjekëve të Enver Hoxhës”. Cilësitë e personit që flet, cilësitë kontekstuale të personit, për të cilin flitet a mund t’i japin vlerë kësaj fabule? Apriori jo!
Nexhmije Hoxha është sot në agoninë e jetës së saj biologjike, të cilën me siguri e shtyn me makthet e krimeve të së shkuarës, të cilat ose i ka bërë vetë, ose ka marrë pjesë, ose është dëshmitare, me ngërçin e pakapërdishëm të rënies nga vakti etj., si këto.
Sali Berisha është, ishte kryetari i opozitës demokratike, që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri. Kjo ka vlerë kundrejt gjithçkaje tjetër, çdo detaji apo rrethane të qenë apo të paqenë, lidhur me vjehrrën e tij, lidhur me sjelljen e tij anëtar i organizatës bazë të Partisë së Punës dikur, e të tjera e të tjera. Berisha është sot më 2008, kryeministri i zgjedhur nga shqiptarët me zgjedhje të lira në vitin 2005 .
Për zonjën Hoxha ai është anti-simboli i jetës së saj dhe veprës së saj. Ndaj që në këtë moment çdo “biografi”, që na bën zonjë Hoxha nuk ka asnjë vlerë! Është për t’u refuzuar profesionalisht dhe etikisht.
Ndaj është befasuese që thuajse në mënyrë unanime, duke filluar nga gazeta më e madhe në vend, “Panorama”, e deri tek gazeta më e fundit, e kishin potencuar pikërisht këtë dhe vetëm këtë moment të intervistës, me tituj, nëntituj, nënvizime etj., etj. Shtypi është në lirinë e tij të bëjë diçka dhe të mos bëjë diçka tjetër dhe në këtë kuptim ndonjë prej të gazetave, edhe mund të ishte ndalur tek ky moment. Por “konsensusi” me të cilin thuajse të gjitha gazetat kishte “konspektuar” intervistën e vejushës së diktatorit shqiptar është veçanërisht shqetësues, për të paktën dy arsye. Së pari, sepse pozita asimetrike e denoncueses dhe e të denoncuarit e zhvlerësojnë krejtësisht përmbajtjen e denoncimit, së dyti, sepse përgjegjësia sociale e publike e medias shqiptare në vitin 2008, duhet të arrijë të paktën deri në nivelin e asaj, që të mos lejojë “shoqen Nexhmije” të na bëjë biografitë sërish në vitin 2008. Duke u bërë padashur instrument i saj për ta shumëfishuar e nënvizuar biografitë që vijon të bëjë “një vrasëse”, siç e ka emërtuar publikisht në mënyrën më emblematike shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare.