E diele, 28.04.2024, 03:50 PM (GMT+1)

Mendime

Frashër Demaj: Matoshi shkon më larg se historiografia serbe

E hene, 29.09.2008, 08:11 PM


MATOSHI SHKON MË LARG SE HISTORIOGRAFIA SERBE

 

Nga Mr. sc. Frashër Demaj

 

Reagim ndaj shkrimeve të zotit Halil Matoshi në të përditshmen Express të datës 11 shtator 2008 me titull “Shteti i dështuar” dhe të datës 14 shtator 2008 me titull “Patriotë-Injorantë”

 

Sipas Matoshit ilirët s’ paskan ekzistuar, s’ka pasur kurrë shtet ilir, arbrit-shqiptarët nuk qenkan pasardhës të ilirëve, Milosh Kopiliqi, sipas Matoshit dhe historiografisë serbe, ka qenë gjithçka tjetër përveç shqiptar…Gjergj Kastrioti s’po na del shqiptar, sipas Matoshit. Ai nuk po e ditka se termi Shqipëri është term gjeografik, pavarësisht se shteti shqiptar është shpallur më 1912. Për Halil Matoshin Lidhja Shqiptare e Prizrenit na qenka organizatë islamike e jo kombëtare dhe as që paska pasur synim të krijojë shtetin kombëtar!... Matoshi e mohon edhe periudhën e Lëvizjes Kombëtarë në Kosovë 1990-1998 ( qe i ka plas barku duke mundua me marrë poste). Matoshi (me guxua) do ta mohonte edhe periudhën e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mozomëkeq për ato gra e burra trima e atdhetarë që dhanë jetën në luftën e UÇK e  që janë flijuar për sojin e Halil Matoshit… 

 

Të merresh me njerëzit që nuk kanë njohje elementare në një profesion të caktuar, është punë e kotë. Të merresh me njerëz mohues të vetes dhe historisë se vet kombëtare, është punë edhe më e kotë. Të merresh me Halil Matoshin, i cili çohet në mëngjes këqyret në pasqyrë dhe thotë: “a jam unë Halili a s’jam unë Halili”, është  punë shumë e kotë. Por meqë është e diel edhe për hir të opinionit lexues, më duhet reaguar ndaj pallavrave të këtij “menaloku” që është “zanatli i fortë” në çdo zanat. Të paktën, kështu i duket vetja këtij filozofi, i cili mëton se ka njohje të thellë në çdo fushë dhe mundohet t’ia mbush mendjen miletit duke përmendur emra të autorëve të huaj në shkrimet e tij. Halili nuk është asgjë tjetër pos një komentator i dobët i të arriturave të të tjerëve, i cili nuk zgjedh mjete as metoda (qëllimi arsyeton mjetin, e ky tipi është komunist, pavarësisht se mundohet të shtiret si evropian i shekullit XXI), për të përmbushur normën e tij për ta marrë ndonjë metelik. Me këtë reagim dua t’i tregoj opinionit të respektuar lexues në Kosovë, se ata që e kanë zgjedhur-paguar Matoshin për t’i atakuar njerëzit që kanë një bagazh dhe kontribut, qoftë edhe modest, në profesionin e tyre, kanë bërë zgjedhjen e gabuar.

 

  1. Z. Matoshi nuk dyshoj se ka lexuar histori, por si e ka lexuar dhe pse e ka lexuar, vështirë t’i bihet n’fije. Fundja, ndryshe është të lexosh e ndryshe të studiosh. Nuk mundet ky zotëri t’i shërojë komplekset dhe paaftësinë e tij profesionale, duke i futur hundët ku të sheh zgavra. Sipas qëndrimeve të tij, duket ta ketë lexuar më së shumti “Manifestin e Partisë Komuniste”, “Titistët”... të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyera në mentalitetin e tij që nuk e kalon mendësinë e lagjes. Matoshi Evropën dhe perëndimin e njeh si koncept dhe si term gjeografik, por s’ka lidhje me mendësinë evropiane, sepse është “i kuq si bostoni”. Krejt përpjekjet e tij për denigrim të profesionistëve dhe të historisë kombëtare, mund të cilësohen si përpjekje në tentativë të qarqeve antishqiptare.
  2. Matoshi i shkretë që kritikon “nivelin e shkrimit” të historisë për klasën e pestë nuk di asgjë për mësimdhënien dhe mësimnxënien, aq më pak për metodologjitë moderne të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Ky zotëria nuk e ka as minimumin e njohjes se Programeve të Historisë, e aq më pak është i përgatitur që të vlerësojë dhe të gjykojë pse fjalitë në Historinë e kl. 5 duhet të jenë të formuluara thjesht, të jenë të qarta dhe shumë të shkurta … natyrisht se ka të drejtë si qytetar i Kosovës të japë një mendim në mënyrë të kulturuar, por jo të turret në momentin kur dikush “e ndërsen” për pak para, për qëllime të caktuara, për të bërë fushatë kundër historisë, institucioneve që merren me histori dhe bartësve të tyre. Le ta rishikoje Matoshi emisionin “Konfront” ku ishte mysafir i KTV-së, le ta dëgjojë veten e tij duke thënë “unë nuk jam historian, por…” kurse në shkrimin e tij në Exspress po na del si “studiues i thellë” i të gjitha periudhave historike. Turp i botës një njeri që i thotë vetes intelektual e gazetar, shet rrena në gazetën Ekspress.
  3. Matoshit dhe atij profesorit të vjetër, siç e quan ky atë “marksist-leninist-komunistin” (atdhetarin me bateria) bashkëbisedues në emision, që gati është të dalë në pension, dhe gjatë gjithë jetës së tij vetëm i ka interpretuar të arriturat e të tjerëve dhe ka “kritikuar”, jua pranoj dhe i falënderoj publikisht për një gabim që e kanë gjetur në tekst e që është lëshuar pa dashje “pas epokës sonë” duhet në fakt të jetë “epokës sonë”. Kurse sa për burimet materiale dhe të shkruara është fare e qartë edhe në tekst dhe nxënësit e dinë dhe e kuptojnë fare mirë se çka është dokumenti i shkruar në letër e çka është shkrimi në dru e në gurë dhe ku ruhen ato. E dijnë edhe mësimdhënësit e nderuar të cilët punojnë me nxënës prej vitesh, pa anashkaluar këtu edhe kuadrot e reja, të cilët e kanë shkollimin përkatës. Ata shprehin respekt për librin në fjalë e që sipas tyre “s’ka pasur libër më të qartë e më të kuptueshëm asnjëherë” (shih dhe bej krahasime). Matoshi, kur flet për librat e shkruara, para se të zbulohet dhe përpunohet kjo letër siç është sot, mendon që librat gjithmonë e jetë e kanë pasur këtë formë, pra kanë qenë kështu siç janë sot... Matoshi tmerrohet kur dëgjon se ilirët kanë pasur gjuhën e tyre, e kanë folur atë, ka fjalë të ngjashme me shqipen e sotme dhe që kanë shkruar (libra jo të formës sikur sot).  I preferoj H. Matoshit të lexojë pak më shumë, pasi që po mëton të merret me kritikë historiografike, sepse me paushallëkun e tij i ngjan një papagalli e jo një analisti, siç pretendon ai për veten e tij. Ose, nëse nuk i pëlqen të jetë shqiptar, nëse nuk i pëlqen e vërteta historike, le ta ndërrojë nacionalitetin se nuk humb gjë shqiptaria.

4.      Për habinë time, qëndrimi i Matoshit ndaj historiografisë shqiptare është i njëllojti me atë të historiografisë dhe publicistikës serbe. Bile në disa raste Matoshi shkon edhe më larg se ata. Sipas Matoshit ilirët s’paskan ekzistuar, s’ka pasur kurrë shtet ilir, arbërit-shqiptarët nuk qenkan pasardhës të ilirëve, shqiptarët po del se janë ardhacakë, dhe atë sipas Matoshit, paskan zbrit nga hëna. Milosh Kopiliqi sipas Matoshit dhe historiografisë serbe ka qenë gjithçka tjetër përveç shqiptar…Gjergj Kastrioti nuk është  shqiptar, sipas Matoshit. Ai nuk e di  se termi Shqipëri është term gjeografik, pavarësisht se pavarësia e shtetit shqiptar është shpallur më 1912. Për Halil Matoshin, qe s’e ka lexuar e as që e njeh periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Lidhja na qenka organizatë islamike e jo kombëtare, e as që paska pasur synim të krijojë shtetin kombëtar!.

Mozomëkeq për ata burra trima e atdhetarë myslimanë, katolikë, e ortodoksë shqiptarë, që janë flijuar në kohën e Lidhjes për sojin e Halil Matoshit.  Matoshi e mohon edhe periudhën e Lëvizjes Kombëtarë në Kosovë 1990-1998 (e i ka plas barku duke mundur me marrë poste). Matoshi (me guxua) do ta mohonte edhe periudhën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mozomëkeq për ato gra e burra trima e atdhetarë që dhanë jetën në luftën e UÇK, që janë flijuar për sojin e Halil Matoshit…

Halil Matoshi të gjitha këto “përralla moderne” që po i thotë në gazetën Express, nuk pati kurajon t’i thotë në emisionin “Konfront” në KTV, sepse aty kishte historianë dhe do ta merrte përgjigjen e merituar, siç e mori kur tha se “ilirët s’kanë ekzistuar”… Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizatë islamike”. Ia kujtoj këtij zotëriu se edhe fjala e lirë ka një kufi, kurse për fyerjet dhe gënjeshtrat qe i bën Matoshi, në emër të fjalës së lirë, në vendet normale demokratike ku funksionon drejtësia, thirret në përgjegjësi. 

  1. Për Noel Malkolmin kam thënë se deri më sot është autori (i huaj) me korrekt nga gjithë të tjerët, por në trajtimin e disa ngjarjeve të caktuara, sidomos kur i referohet burimeve dhe literaturës serbe, bie në  lajthitje. Prandaj ka edhe gabime në studimin e tij për Kosovën. Sipas propagandës dhe literaturës serbe me të cilën pajtohet edhe Matoshi, ilirët nuk kanë ekzistuar fare, as nuk kanë pasur shtetet e tyre, Kosova është kolonizuar me shqiptarë se ka qenë tokë serbe, Kosova është djepi i Serbisë, Beteja e Kosovës është betejë serbo-osmane...Serbia ka luftuar kundër terroristëve shqiptarë, UÇK ishte organizatë terroriste etj. Pra sipas logjikës së Matoshit shqiptarët janë endacakë pa histori, pa kulturë, pa trashëgimi, pa shtet gjatë gjithë historisë, me heronj të imagjinuar në histori etj., etj. Pra Halil Matoshi mendon se gjithë historia e shqiptarëve është gënjeshtër. Ai nga nostalgjia është shumë i indinjuar që i paskemi dhënë fare pak hapësirë periudhës së komunizmit këndej dhe andej kufirit, ku thotë se Enver Hoxha në Shqipëri ka qeverisur gati 60 vjet. Ky Halil ziu as matematikën nuk e di, sepse Enveri nuk ka qeverisur as 60 e as rreth 60 vjet, por rrafsh 40 vjet.
  2. Z. Matoshi në shkrimin e tij shfaq brengosjen e thellë që fëmijët e tij e mësojnë këtë “histori nacionaliste”, “me shumë gabime dhe të pavërteta”, heronj të paqenë”… Unë do t’i sugjeroja Matoshit që, si qytetar i lirë i Republikës së Kosovës, mund t’i dërgojë fëmijët e tij ku të dojë në shkollë, vetëm në Shqipëri jo, sepse edhe ata e kanë kështu “histori nacionaliste” “me shumë gabime dhe të pavërteta me “heronj të paqenë”… por mund ta zgjedh p.sh. Graçanicën sepse aty mësohet historia sipas koncepteve të Matoshit.
  3. Unë vërtet çmoj çdo mendim të avancuar e modern, sepse as unë nuk jam tip konservativ, por sipas “teorisë” se z. Matoshi, fëmijët duhet bërë internacionalistë, duhet zhveshur nga ndjenjat kombëtare, s’duhet tua mësojmë historinë, se mos po dukemi primitivë, “histori me gabime” etj. Z. Matoshi, si duket, nuk e ditka se edhe në SHBA, Angli, Francë, Gjermani dhe në vende tjera më të zhvilluara të globit, mësohet historia dhe mësohet nga Historia. Edhe këta popuj të zhvilluar i kanë heronjtë e vet, të cilëve iu përkulen me respektin më të madh, pa e mohuar këtu edhe doza të glorifikimit të ngjarjeve dhe personaliteteve. Popujt e mëdhenj dhe të kulturuar, krijojnë nacionalistë modern e jo primitivë, siç mëtojnë disa “atdhetarë folklorikë” apo “qytetarë të Evropës pa identitet” siç mëton z. Matoshi. Le të shkojë Matoshi dhe bashkëmendimtarët e tij le t’i cenojnë interesat kombëtare amerikane, angleze, gjermane etj., dhe le ta kuptojë se si reagojnë ata. Matoshi dhe matoshistët duhet ta dinë se Kosova dhe shqiptarët do të bëhen dhe duhet të behën të njohur në botë me histori, albanologji, kulturë, sport etj., sepse me analistë e pallavraxhinj alla Halil Matoshi, ne s’mund të shkojmë më larg se deri në Hajvali. 
  4. Dhe fare në fund, më duhet të konstatoj se Halil Matoshin e paskan kalitur dhe përgatitur për të bërë fushatë kundër historianëve dhe Historisë së Popullit Shqiptar, por s’duhet harruar se ka pas edhe do të ketë edhe më tej halilë, por historia jonë do të ketë gjithmonë ilirë, “shtete ilire”, “heronj”, Lidhje Shqiptare të Prizrenit” “dëshmorë të Kosovës” e kështu me radhë. Prandaj “halilizmi” si frymë antishqiptare në emër të modernitetit do të mbetet gjithmonë si një përpjekje në tentativë.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora