Intervista
Vahit Nasufi: Intervistë ekskluzive me doajenin e këngës polifonike kërçovare, z. Vebi Azirin
E shtune, 06.07.2019, 05:22 PM
I VETMUAR NË FËMIJËRI,
I VETMUAR NË PLEQËRI
Intervistë ekskluzive me doajenin e këngës
polifonike kërçovare, z. Vebi Azirin
Nga Vahit
Nasufi
Kërçova, e cila ka një pozitë gjeografike të
rrafshët, përveç vlerave tjera origjinale, që i japin spikatje popullit tonë, është edhe kënga vendase
polifonike. Kjo këngë, më e bukur se e vjetër, buron nga gegërishtja dhe
toskërishtja. Kërçova e sotme, (Uskana e
lashtë), është e vetmja trevë që e ka kombinuar këndimin polifonik. Kjo
këngë këndohet në grup prej tre - katër vetësh, njëri është zëri që i prin
këngës, kurse tjerit janë iso, apo bartës të zërit të parë, që në fund të çdo
strofe bën dridhjet valë - valë, që dëgjuesve ua shton kënaqsinë. Polifonia autentike
kërçovare, ka tipare të polifonisë antike, dhe ajo që e bën karakteristike
polifoninë kërçovare, është se zërat janë të individualizuar, dhe kanë
përcaktimet e tyre kuptimplota, për rolet që kryejnë. Vlen të theksohet, se
këto këngë në trevën kërçovare i këndojnë vetëm burrat.
Kjo këngë, që s`ka moshë, as afat, është
pjesë e identitetit tonë, që na bën të jemi krenarë, ishte pjesë e pandashme e
atyre, që e krijuan. Viteve të fundit, me
ndryshimin e fushave jetike, si lëvizjet demografike, shpërnguljet e shumta në mërgim, është hetuar
luhatja e qëndrueshmërisë, që nuk e ka forcën e dikurshme. Treva kërçovare, ka
një thesar shumë të pasur me vlera të larta
artistike. Hambari i saj kulturo – artistik, është i stërmbushur me
këngë polifonike, por, jo vetëm, aty ruhen dhe kultivohen edhe këngët
popullore, këngët burimore folklorike,
ato të dasmave të grave, vallet, humori etj.
Ky qytet modern, me një pamje mahnitse, është edhe një kafaz kanarinash dhe bilbiliash. Njëri prej atyre është edhe interpretuesi i këngës polifonike këçovare, këngëtari i mirënjohur Vebi Aziri, i cili këngën kurrë nuk e ka nda nga goja gjatë udhëtimit jetësor, por, ka evoluar bashkë me të. Ky sylynjar, nga i cili kënga rrodhi ashtu si e ka trashëguar, e ka ruajt të pa prekur origjinalitetin e saj. Gjithashtu këngëtarëve pasardhës ua mëson mënyrën e këndimit, duke mos i lënë të devijojnë, por, të ndjekin gjurmët e paraardhësve tyre. Për këtë arsye kësaj rradhe për të biseduar për jetën e tij private, artistike dhe sportive, zgjodhëm doajenin e këngës polifonike kërçovare, i cili me shumë kënaqësi pranoi ftesën tonë.
VAHIT NASUFI: Z. Aziri,
kërkojmë ndjesë që ua prishëm qetsinë, por, ai që na shtyri ta bëjmë këtë, është kontributi juaj i gjithëanshëm që
e keni bërë për tre çerekë shekulli. Edhe pse në shtëpinë tuaj shumë faleminderit,
që pranuat të jeni musafiri ynë, gëzohemi që me shëndet jeni
shumë mirë.
VEBI AZIRI: Mirë se keni ardhë në shtëpinë e
familjes Aziri këtu në Kërçovë, vizita juaj është kënaqësi e vërtetë. Unë ju
përgëzoj për angazhimin tuaj që jeni duke bërë dhe keni zgjedhur pikërisht një
lëndë nga sfera e kulturës kombëtare, siç është folklori burimor kërçovar. Ju
dëshiroj disponim si në shtëpinë tuaj.
VN: Faleminderit shumë për
këto fjalë të bukura. Në fillim, për lexuesit e
gazetës elektronike "Zemra Shqiptare", do të
bëni një prezentim të shkurtër?
VA: Unë kam lindur në vitin 1935, në fshatin kodrinor, revolucionar Prapadisht,
një fshat me shumë histori, i cili shtrihet në anën veriore të Kërçovës. Ciklin
e parë të shkollës fillore, deri në
klasën e katërt i kam
kryer në fshatin Jagoll Dolencë, kurse ciklin e dytë
të shtatëvjeçares së atëhershme, i kam kryer në fshatin Sërbicë. Shkollën
industriale, me ndihmën e shtetit në gjuhën maqedone e kam kryer nër Shkup. Në
vitin 1953, pasi rrethanat ishin të tilla, shkova në Smederevë - Sërbi, dhe u
punsova si puntor. Krahas punës, aty kreva edhe shkollën e mesme teknike. Pas
ca vitesh, pasi u këtheva në vendlindje, kreva edhe fakultetin teknik në
Manastir. Jam baba i dy djemve dhe dy vajzave, jam edhe gjysh.
VN: Edhe pse ka kaluar shumë kohë, sigurisht se
ju nuk e keni harruar fëmirijnë tuaj, si i kaluat vitet e para të jetës suaj?
VA: Fëmirijnë time kurrë nuk e harroj. Unë
jam rritur jetim, pa prindër. Nëna ime kur ka ndërruar jetë, unë i kam pasë
vetëm dy vjet. Në vitin 1944, aradhat partizane, kanë masakruar shumë burra, në
fshatin tim të lindjes, si dhe në fshatrat tjerë të komunës së Kërçovës, dhe
njëri ndër viktimat pa asnjë gjykim ka qenë edhe babai im, pra, pa i mbushur
akoma nëntë vjet, mbeta edhe pa baba, të cilin mizorisht e kanë vra në burgun e
kazermave të Kërçovës, kur ai ka qenë dyzetvjeçar. Pastaj për rritjen, edukimin
dhe shkolimin tim, janë kujdesur: xha Beqiri, Dajja Hatem dhe gati krejt fshati
Prapadisht. Ndërgjegja nuk më lejon pa mos i përmendur edhe dajtë e babait tim,
familjen Krotka nga fshati Shitovë, dhe u jam mirnjohës deri në frymën e
fundit.
VN: Ju me profesion jeni inxhinier, gjatë jetës keni punuar vetëm në profesionin tuaj, apo keni bërë edhe punë tjera?
VA: Atëherë, Sa isha duke punuar në Smederevë,
pa u shkëputur nga puna, kreva shkollën e mesme teknike, dhe menjëherë m`u
besua posti i ri, si si udhëheqës i repartit teknik të prodhimit, por malli për
vendlindjen, dita ditës shtohe. Në vitin 1961, u këtheva në Kërçovë, dhe me
ndihmën e shumë të respektuarit z. Abidin Zenku, u punësova si mësimdhënës në
shkollën industriale të qytetit. Në vitin 1964, u inkuadrova në fabrikën e
vidave si udhëheqës i byros tekniko - teknologjike. Me kalimin e kohës,
vazhdova studimet me korrespondencë në fakultetin teknik në Manastir, të cilin
e kreva në vitin 1974. Në të njejtën fabrikë, menjëherë pasi diplomova, më
emëruan inxhinier kryesor.
Në vitin 1978, me mandat katërvjeçar, u
zgjodha nënkryetar i Kuvendit të Komunës së Kërçovës. Pas kalimit të mandatit,
në vitin 1982, më zgjodhën deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në
Shkup. Pasi u tërhoqa nga politika,
në vitin 1986, pa asnjë arsye, më larguan edhe nga puna profesionale, që ishte diferencim, me
pretekst se isha tepricë teknologjike dhe më çuan në pension dhjetë vjet para
kohe?!Sigurisht se unë nuk ngela duarkryq, por, hapa byron teknike private për
projektim teknik dhe ndërtim objektesh.
VN: Ju, këndoni shumë
këngë, që i keni trashëguar, dhe disa këngë që autor i teksteve jeni ju, mund
të na thoni sa është numri i tyre?
VA: Unë jam munduar të shkruaj më të mirën,
aq sa kam kapacitetin tim. Tekstet që i kam shkruar unë janë realitet i trojeve
kërçovare, të cilat janë pëlqyer nga kolegët e mi, besoj se edhe dëgjuesit
ndajnë të njejtin mendim. Numrin e saktë të tyre nuk e di, pasi disa këngëve të
kënduara nga populli, unë i kam shkruar edhe si verzion i dytë, përafërsisht
duhet të jenë reth 200 këngë!
VN: Ju, keni merita të
mëdha që e keni kultivuar melosin origjinal të zamanit, me cilët këngëtarë keni
kënduar më së shumti?
VA: Unë, në mënyrë solidare kam kënduar me
shumë këngëtarë kërçovarë të plejadës legjendare dhe jam shumë i lumtur, që
pata fatin, herë si udhëheqës, herë si ndihmës, të këndoj me yjet e famshëm të
estradës kërçovare siç janë: Daja im Hatemi, Sulejman dhe Sabri Arifi, Lati
Kaleshe, Ferat dhe Sulejman Abdiu, Remzi Arsllani, Rexhep Zenku, Rahit dhe
Afmet Spahiu, Mersim Cupi. Mersim Xhambazi, Halit Afmeti, Esat Hajroja,
Vëllezërit Nasuf dhe Shefki Jusufi, Xhevit Sadiku, Murat Murati, Vëllezërit
Dervishi dhe me shumë të tjerë. Vlen të ceket se te kënga polifonke kërçovare,
meritat nuk janë individuale, por, grupore.
VN: Ju këngës i keni dhënë
më të mirën, por, çka u dha kënga juve?
VA: Shumëçka. M`ka dhënë famë, autoritet, respekt që ka popullata
e kësaj ane ndaj meje, pastaj kam formuar shoqëri të ndershme etj. Për hirë të
së vërtetës, nuk di pse mos e them, se ne interpretuesit e polifonisë
kërçovare, kurrë nuk kemi kënduar për përfitime materiale, kudo që kemi shkuar,
edhe pse kemi qenë të ftuar, ne kemi kënduar falas, për dëshirën e atyre që
kanë pas gëzim familjarë, ndonjë manifestim, festë komëtare dhe kështu me
rradhë.
VN: Nuk diskutohet fare se
treva kërçovare ka pasë dhe ka shumë yje që ndriçojnë në fushën artistike, deri
sa mund të shkojë numri i tyre?
VA: Sinqerisht ua them se, më erdh shumë mirë
që ma parashtruat këtë pyetje shumë delikate dhe cilsore, pasi ata meritojnë
falenderime pa fund, sepse në mënyrë solidare kanë dhënë një kontribut të madh,
për çështjen e kauzës kombëtare, duke filluar nga i famshmi, Kamerr Bllaca e
deri te gjeneratat e sotme. Numri i artistëve
kërçovarë, qofshin ata; këngëtarë, aktorë, valltarë, humoristë, apo
instrumentalistë, kalon dukshëm mbi 200. Për t`i kujtuar të gjithë ata, në shej
respekti, më lindi ideja, që të thurë një rapsodi, të cilën e kam botuar edhe
në librin tim, botimi i tretë, ku përfshihen mbi 250 artistë.
VN: Z. Aziri, a nuk u duket
edhe juve se intenziteti i folklorit burimorë, paralel edhe me interpretuesit,
nuk janë në nivelin e dikurshëm?
VA: Keni të drejtë, por, shkaqet janë
objektive, sepse censura në kohën e diktaturës ishte shumë e rreptë me dënime,
kinse nëpërmjet këngëve nxitej nacionalizmi shqiptar. Vitet e fundit nuk ka
censurë dhe se shkaqet janë në mungesen e investimit financiar dhe organizativ.
VN: Si mendoni ju, është
situata shqetësuese?
VA: Normalisht se kjo na shqetëson pak, por
nuk mund të themi se është alarmante. Megjithëate, unë jam optimist se
mjeshtrit e këngës që vijnë pas, në superlativë do të shkëlqejnë në zenitin e
folklorit kombëtar, dhe do ta mbajnë aty ku e ka vendin.
VN: Aty ku ju dhe grupi
keni kënduar, sigurisht se ndonjë herë ka pas edhe grup tjetër që ka kënduar, a
ka pasë xhelozi, rivalitet, apo ndonjë lloj gare mes këngëtarëve, apo grupeve?
VA: Shiqoni, është normale që secili donë të
jetë më i miri apo të dali i pari, në çdo aspekt, kjo ndodh nëpër festivale,
pasi aty synohet vendi i parë. Unë prej secilit shahir kam mësuar diçka, ua
them sinqerisht se unë personalisht, ndaj secilit kam pasur simpati dhe kurrë
nuk kam xheleozuar, kam pasur respekt dhe jo urrejtje, bashkëpunim dhe jo
rivalitet, ky i fundit kurrë te unë nuk ka ekzistuar, as që kam garuar
ndonjëherë me dikë, por, jam munduar që arti të ketë sa më shumë vlerë, dhe
shikuesit apo dëgjuesit t`i argëtojmë me këngë sa më të mira, sepse prioritet
kishte respekti dhe jo përfitimet materiale.
VN: A keni qenë të kërkuar
edhe jashtë Kërçovës, z. Aziri?
VA: Po. Kemi qenë shumë të kërkuar edhe
jashtë Këçovës, me të vërtetë shumë, si në Gostivar, Tetovë, Dibër, Prilep etj.
Ua them të drejtën, jashtë kërçovës kur prezentohej melosi magjik kërçovarë,
atëherë xhelozia ishte kulminante. Si shembull do të veçoj një rast kur në
vitin 1976, në fshatin Veijcë të Tetovës, ishim të ftuar si grup
polifonik, por, si miq, në një dasëm të madhe
ku kishte edhe grupe tjerë të paguar, por, publiku, me shumë ovacione na
duartrokiti dhe nuk lejonte që ne të ndalemi dhe të fillojnë tjerit!
VN: Dikur nëpër odat e
famshme, apo konaqet e dasmave, ku jehonte kënga deri në agim, të cilat sot i
ka mbuluar pluhuri i harresës, shumica e këngëtarve kur pushonin së kënduari,
tregojshin ndonjë ngjarje komike, me një fjalë bëjshin humor. Ju, z. Aziri, e
keni bërë këtë?
VA: (Qesh)
Konakut përveç këngës i nevoitej edhe humori, por, nga të pranishmit më shumë
kërkoheshin emitimet e politikanëve të pas luftës, dhe ne si këngëtarë
tregojshim ngjarje qesharake, por, kënaqsi atraktive ishte prezenca e yjeve të
humorit kërçovarë, si Aliu, Rushiti, Habibi Duli, Fariu etj. Roli ynë ishte që
t`i nxisim humoristët për tregime komike, dhe nga e qeshura shpeshëher
shpërthenin edhe lotët, dhe kështu herë këngë, her humor, na zbardhte drita.
VN: Ju shpeshherë keni
kënduar deri në orët e hershme të mëngjesit, dhe atë jo vetëm një natë por, një
javë ose më shumë pa ndërprerje, si qëndronit aq gjatë ulur këmbëkryq?
VA: Kur je në mesin e atyre që të adhurojnë,
që të duan, që të shiqojnë ndër sy, që mezi marrin frymë për të mos prishur
qetësinë, as që të shkon mendja te lodhja, ose të mendosh se vajti shumë vonë,
por, mundohesh që të pranishmit të ndahaen sa më të kënaqur dhe sa më të
disponuar, dhe kur i shihja se ndaheshin të tillë, edhe kënaqësia ime ishte
shumë e madhe, ky është realiteti, sepse respekti ishte reciprok.
VN: Këtu para nesh është
një vitrinë me shumë libra, lirisht mund t`i themi një bibliotekë e vogël, ku
përveç librave tjera, hasëm edhe në ca libra, autor i të cilave jeni ju, a mund
të na thoni shkurtimisht pëmbajtjen e tyre?
VA: Që brezat e ardhshëm, të kenë një pasqyrë
për të shiquar në fushën artistike vendase, e pashë të arsyeshme të bëj një
përmbëledhje të melosit burimor këçovar, të shkruaj këngët e kësaj treve. Që të
mos harrohen legjendat e këngëve burimore kërçovare, që kanë dhënë një
kontribut të madh, jam munduar të përfshijë emrat e paraardhësve si dhe të
bashkëkohasve të mi, që e kanë kënduar dhe e kanë ruajtur, dhe që e ruajnë
akoma origjinalitetin e saj, për kah mënyra e këndimit të shekullit XX dhe XI.
Kam shkruar edhe për ngjarjet historike të
vendlindjes sime, masakrat që janë bërë popullit shqiptarë, në Kërçovë dhe
rrethinë, gjatë luftës së dytë botërore. Kam shkruar edhe për kreshnikët e
kësaj ane që me idealet e tyre për liri, ranë heroikisht në log të burrërisë,
për çlirimin e Atdheut. Duke çfletuar librat, lexuesit do të hasin edhe në tema
të ndryshme, nga politika, nga plaga e rëndë e kurbetit, që nuk është duke u
shëruar dot, për zhvillimin ekonomik dhe arsimor, me një fjalë ka shumë
material që ia vlen të lexohet pa dyshim.
VN: Në të njejtën vitrinë,
përveç librave shohim edhe fotografitë e nipërve dhe mbesave tuaja, edhe sa na
duhet të presim për të dëgjuar, solistin, apo solisten, ose duetin, pse jo dhe
trion, Aziri?
VA: Vuajtjet e kurbetit, më kanë detyruarqë
nga zemra me shumë emocionetë shpreh dhimbjen e popullit tim, dhe për 20
antarët e familjes sime, plot 37 vite me sy të përlotur. Pyetjes sjuaj ideo -
strategjike, më duhet t`i përgjigjem negativisht. Në tërë familjen time,
edukata ka qenë me plot idologji kombëtare, jam i vetëdijshëm se me manifestin
e teksteve të këngës ruhen traditat kombëtare, që regjimi i diktaturës i
kontrollonte, pasi dihej se kënga zavendësonte faqet e historisë, që gjithmonë
është mohuar, kështuqë në fillim djali im Sadiku, me shumë dashuri shkonte
gjurmëve të traditës familjare, si interpret i
i këngës dhe mjeshtër i çiftelisë. Kurse vajza ime Nevzija,
jashtëzakonisht e talentuar për bukurinë e folklorit, dhe si prezentuese e
shumë koncerteve dhe festivaleve, ishte ndër të parat që doli në skenë, por,
zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm ua ndërpreu kurbeti famkeq!
VN: A mund të na tregoni
çdo të thotë lidhja e ngushtë e folklorit kërçovar me historinë kombëtare?
VA: Kjo pyetje strategjike për çështjen
kombëtare, më kujton shumëçka, sidomos kur dihet se trojet tona shekuj me radhë
kanë qenë nën regjimet okupuese. Pra, në mungesë të historisë kombëtare, dhe që
të mos ndodhi asimilimi i kurdisur, folklori, që e kemi dhuratë nga të parët
tanë, ka luajt një rol ideal për zavendësimin e historisë. Këngët burimore, që ishin
krijesë nga mençuria e popullit, dhe zërat e shahirave që dëgjoheshin nëpër
konaqe, dasma, festa, etj, ishin potencial i fuqishëm për ruajtjen e
identitetit, gjuhës dhe vlerave tjera kombëtare të shekullit XX, që me ëndje i
dëgjojmë nëpër inçizimet që i ruajmë në rekuizitat tona muzikore.
VN: Ju keni kënduar këngë
të ndryshme, madje i keni botuar, edhe nëpër libra, kemi përshtypjen se këngët
kreshnike më shumë u flejnë në shpirt, pse?
VA: Sepse dashuria ndaj këngëve të melosit
tonë, dhe respekti ndaj këngëtarëve, në familjen Aziri, ka qenë si traditë që e
kemi trashëguar brez pas brezi, sidomos këngët me përmbajtje patriotike,
historike, tradhëtie si dhe ato të kurbetit. Këngët kreshnike i duam diç më
tepër, duke kujtuar viktimat e familjes sime, që janë masakruar pa asnjë faj,
dhe për t`i kujtuar heronjt kërçovarë, që në fronte të ndryshëm ranë heroikusht
për çlirimin e Atdheut. Paramendoni po të mos i këndonim, Sulltanës së Qafës,
Sadin Selmanit, Kalosh Danit, Sefer Zajazit, Osman Xhinit si dhe shumë e shumë
të tjerëve, gjakderdhja e trimave kërçovarë do të ishte harruar! Unë nga zemra
i falenderoj edhe përkrahësit e mi: Prof. Dr. Hamit Xhaferrin, Mr. Abidin
Zenkun, Dr. Ramadan Bogdanin, Dr. Agron Xhagollin, si dhe të gjithë këngëtarët
kërçovarë.
VN: Z. Aziri, ju njiheni si
një përkrahës apo mbështetës i këngëtarve apo grupeve të shpresës, na thoni
cila është këshilla juaj për ata?
VA: Sigurisht se çdo individ ka qëllimet e
veta, dhe askush nuk ka të drejtë ta pengojë që të mos i realizojë ata.
Këshilla, por, edhe porosia ime për këngëtarët pasardhës është; që përveç
këngëve të zhanreve të ndryshëm, këngën polifonike kërçovare ta kultivojnë dhe
ta këndojnë ashtu siç kanë vepruar paraardhësit e tyre, pasi sot kushtet ua
mundësojnë këtë. Jam i bindur se kuadrot e talentuar do të jenë garda e
fuqishme në zhvillimin e melosit kërçovar, që në konkurencën gjithëshqiptare
është diçka e shenjtë.
VN: Për pjesën dërrmuese të
popullatës, edhe sporti është një element i rëndësishëm, në jetën e tyre, është
edhe për ju z. Aziri?
VA: Po. Edhe sporti është pjesë e jetës sime,
sidomos ai më i popullarizuari. Unë kam qenë sportist aktiv në rininë time. Kam
luajt fudboll për disa skuadra të Sërbisë dhe të Maqedonisë, por, që nuk kanë
qenë, të elitave më të forta. Një kohë të gjatë kam veshur fanellën që mbante
Ëmblemën e "KF Napredok" të Kërçovës, i cili garonte në ligën e parë
të Maqedonisë, por, atëherë kjo e fundit ishte pjesë përbërse e Republikës së
ish Jugosllavisë. Pasi mbarova karrierën aktive, kam qenë i angazhuar si kryetrainer
në disa skuadra fudbollistike të nivelit komunal. Jam njëri ndër themeluesit të
"KF Bashkimi" nga fshati Cërvicë, si dhe "KF Vëllazërimi"
nga Kërçova.
VN: Nuk ka pse të jetë
sekrete, cila është skuadra juaj e preferuar?
VA: Aktualisht diçka të tillë nuk kam.
Skuadra ime që e kam dashur me shpirtë e zemër, është "KF Prishtina",
kur ishte antare e ligës së parë të Ish Jugosllavisë. Armata e atëhershme
fudbollistike, në fushë e udhëhequr nga legjenda e fudbollit shqiptar, Fadil
Vokrri, i cili vitin e kaluar papritmas ndërroi jetë për të mos vdekur kurrë.
Unë Prishtinën e atëhershme e kam dashur shumë, dhe më besoni se kur ajo
ndonjëherë humbiste padrejtësisht, mua më shpërthenin lotët.
VN: Përveç aktiviteteve
muzikore dhe atyre sportive, jeni marrë edhe me ndonjë aktivitet tjetër?
VA: Po. Unë kam marrë pjesë në disa
aktivitete, por, ai që vlen të përmendet është ai i pajtimit të gjaqeve, në
Kërçovë, por, edhe në ca komuna tjera fqinje. Me iniciatëvën e këshillit
pajtimtar, i cili nuk ka qenë gjithmonë i njejti, por, formohej me njerëz të
caktuar, arritëm kulmin e suksesit, duke bindur shumë familje të falin gjakun e
tyre, dhe kemi pajtuar shumë familje tjera që ishin në hasmëri njëra me
tjetrën, dhe për këtë ndihem shumë krenar!
VN: Një kontribut shumë i
madh dhe i gjithëanshëm, sigurisht se nuk ka ngel pa ndonjë lëvdatë, mirënjohje
apo ndonjë çmim publik?!
VA: Keni shumë të drejtë. Unë gjatë karrierës
sime kam marrë nga të gjitha këto që ju i përmendët, por,unë do të veçoj disa
nga ato. Si themelues dhe kryetrainer i "KF Bashkimi" kam marrë tri
mirënjohje, pastaj si themelues i SHKA " SHKËNDIA", që të dyja nga
fshati Cërvicë. Në vitin 2010, për botimin e librit me përmbëledhje këngësh të
melosit burimor kërçovarë, nga Ministria e Kulturës u shpërbleva me vendin e
parë, dhe me një shumë të konsiderueshme të hollash. Në edicionin e parë të
spektaklit "KËRCOVA PËR KËRCOVARËT" që u transmetua në TV 21 M, vitin
e kaluar, si këngëtar dhe gjurmues, jam shpërblyer me çmimin e lartë i shkruar
në gjuhën angleze "GRAND PRIX", Ua them sinqerisht që këtë çmim, po
ta kishin marrë edhe ca këngëtarë tjerë, që pa dyshim e kanë merituar, do të
isha edhe më i lumtur. Por, vlersimet më të vlefshëm për mua kanë qenë
konsiderata dhe duartrokitjet e popullit të gjakut tim.
VN: Folëm për veprimtarinë
tuaj artistike, që pa dyshim meriton shumë respekt, a do t`na tregoni
shkurtimisht për përballjet me dallgat e jetës suaj private, si qytetar dhe
pensionist?
VA: Përgjigjja e kësaj pyetje është pak sa e
mjerueshme. Pse? Sepse çfarë
kuptimi ka pasë jeta ime, që pjesën më të madhe të saj e kam kaluar në vetmi!
Si në fëmijëri ashtu edhe tash në pleqëri. Plot 35 vite pa prezencën e 20
antarëve më të dashur të familjes sime, që jetojnë në mëshirën e lotëve të
kurbetit. E vetmja që më ka shoqëruar, ishte bashkëshortja ime, e cila në vitin
2007, në moshën 72 vjeçare shkoi
në botën e amshimit. Nëse i llogarisim edhe vitet e fëmirijsë jetimore, i bie
një jetë gati gjysëmshekullore i vetmuar.
Me shumë keqardhje, por, për hirë të së
vërtetës më duhet ta cek procesin e montuar apo kurdisur, në vitin 2013, kur më
shpallën si zavends ministër i sigurimit në regjimin komunist. Por, në korrik
të vitit 2015, në mungesë të fakteve, Gjyqi i Lartë zbardhi të vërtetën, dhe
fitues dola unë. Drejtsinë e vulosi edhe kongresi i tretë i Lidhjes Shqiptare,
i datës 21. 10. 2018, kur pata nderin të marr pjesë - delegat i kongresit, ndaj
kauzës kombëtare, dhe gjakun e katër viktimave të familjes Aziri. Dihet se çdo
e keqe ka edhe të mirën e saj, edhe jetës sime nuk i ka munguar lumturia. Dua të them se kam pasë fatin që e tërë
familja me shumë respekt dhe dashuri reciproke, ma shtojnë moralin e jetës në
pension, dhe për këtë unë i falenderoj nga zemra. Mbi faktet gjyqsore, qëndron
drejtësia e Zotit dhe gjyqi i popullit që pasqyrën e së vërtetës Vebi Aziri, e ka nën kujtesën që nga viti
1961. Krenohem që kam qenë në shërbimin strategjik ndaj kombit liridashës, si
në: art, sport, punsime, shkollime, ndërtime, dhe kam qenë prezent në çdo gëzim
dhe pikllim.
Gjithsesi edhe respekti reciprok ndaj meje,
kurrë s`ka munguar, dhe në shumë familje kërçovare është pirë kafja dhe është
ngrënë buka, shfrytëzoj rastin, që publikisht t`ì falenderoj nga zemra, sidomos
shokët dhe miqt e mi besnik në vendlindje dhe në diasporë, që gjithmonë e kam
pasë përkrahjen e tyre për realizimin e ëndrrave për bashkim kombëtarë.
VN: Për veprat tuaja të
mëdha, që në vete bartin shumë vlera të çmueshme artistike, dhe për karrierën
tënde aristike gati shtatëdhjetëvjeçare, shumë të suksesshme, kjo intervistë
është sa një gotë ujë të derdhësh në lum. Për më shumë ndoshta ndonjë herë
tjetër, por, si do që të jetë, unë u falenderoj nga zemra, që na e mundësuat të
realizojmë këtë intervistë, e cila për shumë dashamirë të këngës, sidomos
brezave më të rinj, do t`ju shërbejë për identifikimin tuaj, si qytetar,
sportist, veprimtar, por, më shumë në cilsinë e këngëtarit. Ishte kënaqësi e papërshkrueshme të bisedosh me
kolosin e këngës polifonike kërçovare, një burim i pa shtershëm i këngës në
fjalë, siç jeni ju. Urojmë të keni shëndet, dhe u dëshirojmë më të mirat në të
ardhmen.
VA: Faleminderit shumë edhe prej jush, që
keni vlersuar veprat e mia, dhe keni shprehur dëshirë, nëpërmjet kësaj
interviste mbi faqet e gazetës elektronike, Zemra Shqiptare, t`ua shpalosni
dashamirëve të artit, prandaj edhe ndihem shumë i privilegjuar. Me të vërtetë
kënaqësi pa fund ishte edhe për mua. Por, para se ta përfundojmë këtë
intervistë, më lejoni që përzemërsisht të falenderoj dhe të përshëndes, stafin
realizues të Zemrës Shqiptare, lexuesit dhe bashkëpuntorët e saj, të gjithë
adhuruesit e mi, që më kanë dhënë krah e zemër, gjatë lundrimit nëpër ujrat e
pastra të këngës, të cilët rrjedhin edhe sot e kësaj dite si dhe të gjithë
bashkëkombasit e mi kudo që ndodhen ata.
VN: Dhe për fund, qershia
mbi tortë, i shoqëruar nga bilbili i këngës kërçovare, Nasuf Jusufi dhe nga
rapsodi Afmet Spahiu, na nderuan me dy këngë shumë të bukura polifonike
kërçovare, faleminderit shumë.
Kërçovë, qershor 2019