Kulturë
Alfred Papuçiu: Kujtim nga takimi me Beila Kohen, bashkëshorten e Albert Kohenit
E shtune, 18.05.2019, 08:57 AM
Kujtim nga takimi me Beila Kohen, bashkëshorten e Albert Kohenit
Nga
Alfred Papuçiu
Nuk
ka shumë kohë që shtëpia botuese “Toena” ka botuar librin e Albert Cohen
(Kohen) “Libri i nënës sime”. Botuesja e
“Toena” , Irena Toçi më njofton se kanë botuar edhe librin tjetër të tij me
titull “E bukura e të zotit”.
Të them të drejtën m’u bë qejfi dhe kujtova takimet me bashkëshorten e tij fisnike, Beila Cohen. E njoftova dhe shkrimtaren Marie-Luce Dayer për këto dy botime në shqip dhe kujtuam përsëri çastet e bukura të takimeve me bashkëshorten e urtë dhe erudite të shkrimtarit të madh. Beila Cohen u nda nga kjo jetë, në moshën 82 vjeçare. Beila ishtë një grua tepër e thjeshtë dhe mbi te gjitha të bënte për vete me tregimet e saj për jetën e Albert Kohenit, këtij shkrimtari të madh dhe te mrekullueshëm, si dhe punën e tij të gjatë në Byronë Ndërkombëtare të Punës (BIT). Ishte një punonjës i zellshëm, por me një karakter të veçantë. Gjithçka e donte të përkryer. Ai kishte lindur në Korfuz, por u vendos në Gjenevë në moshën 17 vjeçare. Po në Gjenevë përfundoi fakultetin e drejtësisë, si dhe fakultetin e letërsisë. Në 1930, Kohen shkruan romanin e tij të shquar “Soral” dhe në 1938 “Mangeclous”. Ai vazhdon të shkruajë intensivisht. Në 1943, takon në Londër bashkëshorten e tij të tretë, Bella (Beila) Berkowich. Ajo ka vetëm 24 vjeç. Ai dyfishin e saj. Ata nuk do të ndahen më. Për t’i bërë të njohur nënën e tij, Albert Kohen shkruan “Libri i nënës sime”. Me të ai shkruan “E bukura e të zotit”. Vepër që u shkrua gjatë dhjetë viteve pune intensive. Ai shkruan gjatë ditës, ndërsa ajo sapo kthehet nga puna në BIT, e shtyp dorëshkrimin. Beila më thoshte se diskutonin shumë sëbashku. Kishte punuar shumë por ishte e kënaqur se i kishte nxjerrë të gjitha të vërtetat për bashkëshortin e saj. Vite të tëra nuk kishin shkuar as me pushime, vetëm e vetëm që Alberti të botonte veprën e tij madhore. “E bukura e të zotit” merr çmimin e madh të romanit të Akademisë Franceze.
Në
1944, Albert Koheni u emërua këshilltar juridik në Komitetin Ndërqeveritar për
refugjatët. Ai ngarkohet me hartimin e marrëveshjes ndërkombëtare të 15 tetorit
1946 që ka lidhje me statusin dhe mbrojtjen e refugjatëve. Kjo marrëveshje do
t’u shërbejë më vonë dhe mijra refugjatëve nga Kosova. Në 1947, Kohen emërohet
si drejtor i një prej institucioneve të specializuara të Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë karriera e tij letrare merr hov.
Në
1970, Albert Kohen merr titullin Kalorës i Legjionit të Nderit. Në një kohë që
ai është në majë të lavdisë së tij, bie
viktimë e nje depresioni nervor dhe i shpëton për pak vdekjes nga një anoreksi
në 1978. Ndërkaq ai ndryshon rrënjësisht jetën e tij dhe vepron ashtu si kishte
bërë gjithë jetën miku i tij , shkrimtari i shquar Marsel Pagnol: promovon
veprën e tij. Në këtë drejtim e ndihmon në mënyrë të veçantë Beila. Ajo Beila
fisnike që na ka rezatuar vetëm mirësi e dashuri sa ishte gjallë.
Folëm
gjatë me Beilën atë mbrëmje, ku na kishte ftuar shkrimtarja zvicerane,
Marie-Luce Dayer. Beila kishte punuar, si edhe unë, në Byronë Ndërkombëtare të
Punës dhe e njihte shumë mirë punën dhe njerëzit e këtij organizmi të madh ndërkombëtar,
ashtu si edhe unë që punova në gjirin e tij, në shërbimin e edukimit punëtor
dhe atë të botimeve, për më tepër se katër vjet.
Disa
ditë pas takimit tonë, në kutinë time të postës, gjeta një zarf me emrin tim,
bashkë me një shënim të vogël të Beila Kohenit, e cila banonte në një
apartament pranë rrugës Eugene-Pittard. E hapa. Brenda ishte libri i Albert
Kohenit, shkruar me dashuri për të jëmën, një himn për nënat. Me një frymë
shfletova faqet e para… Nuk ka dashuri më të madhe se për nënën, shkruan Koheni
në veprën e tij të shquar. Dhe vazhdon : “ Se kam më nënën për të qëndruar
pranë meje deri sa të fle. Në darkë, kur shtrihem, vendos disa herë një karrige
pranë shtratit tim, për të më bërë shoqëri. Meqënëse nëna nuk është, duhet të
kënaqesh me karrigen ”.
Bashkë
me librin ishte dhe shënimi i Bela Kohenit, ku ndër të tjera më vinte në dukje
: “ Ja botimi i “ Librit të nënës sime ” për të cilën ju fola. Dosja
pedagogjike e Michel Bigot përbën, për mendimin tim, një hyrje të mirë jo vetëm
për këtë libër, por gjithashtu për tërë veprën e Albert Kohenit. Isha e lumtur
që ju takova dhe që fola me ju. Me shumë përzemërsi. Beila Kohen”…Dhe unë lexoj
herë pas here „Librin e nënës sime“.
Ishim sëbashku në mbrëmjen e organizuar për shkrimtaren Marie-Luce Dayer, diku jashtë Gjenevës, në Konfinjon, në një sallë të madhe, ku ishin ekspozuar pikturat dhe vizatimet e bëra me subjektet e përrallave dhe tregimeve të Marie-Luce Dayer. Beila - e shoqja e Albert Kohenit, një grua tashmë e moshuar, por që kishte tipare shumë të rregullta e duhet të kishte qënë e bukur në rininë e saj, ishte me mua dhe Marie-Luce në “ Volvon ” e kësaj të fundit. Ishte shumë e thjeshtë. Për një kohë vazhduam bisedën për veprën e të shoqit, për të cilin fliste me pasion të veçantë. Megjithatë ishte shumë e matur në fjalë dhe të jepte përshtypjen e një njeriu erudit. Kuptova edhe nga fjalët e Marie-Luce Dayer se Beila kishte ndikuar në veprat e Albertit dhe kishte marrë pjesë në botimin e tyre. Dhe ruante me pasion çdo relike të tij, çdo botim të tij, megjithëse pa i bërë reklamë vetes, si gruaja e një autori të madh, me famë botërore, që kishte dhënë edhe ajo ndihmesën e saj në ecurinë e shkrimeve të tij. Shkrimtari i ka diktuar versionin përfundimtar të librit „E bukura e Zotit“, kryevepra e tij që në 1968 mori çmimin e madh të romanit të Akademisë Franceze. Beila botoi tek Gallimard „Rreth Albert Kohenit“, një libër që përmban portrete të hollësishme të grave që kanë jetuar me të. Ajo asnjëherë nuk e quajti veten si frymëzuese të Arianës tek „E bukura e Zotit“…
Kohë
pas kohe e shihja Belën të kalojë në rrugën Eugène-Pittard, të qetë dhe ajo më
përshëndeste me buzëqeshjen e saj të ëmbël, të një njeriu të mirë, të ditur, të
edukuar.
Beila
më fliste ashtu e qetë dhe tepër e thjeshtë, me modesti se kishte lënë edhe ajo
një kujtim për bashkëshortin e saj. E kishte fjalën për librin e saj: „Albert
Cohen, mithi dhe realiteti„. Në fakt, para këtij botimi ajo ka sjellë për
lexuesin: „ Mbi Albert Cohenin„. Beila Cohen mbledh shumë dokumenta: letra, dëshmi
personale, tekste arshivash të çdo lloji. Ajo i përdor në mënyrë logjike, të
qartë, duke i analizuar dhe duke i argumentuar me shumë kujdes. Pas vdekjes të
të shoqit, ajo merr pjesë aktivisht në botimin e veprave të tij në Plejadë.Toni
i saj është i qartë. Bashkëshortja e Albert Cohen, e caktuar nga shkrimtari si
trashëgimtare dhe kujdestare e tij, kështu e cilësonte ai në disa vepra të tij,
u largua nga kjo jetë duke lënë kujtimet më të bukura të një gruaje të fortë që
i shërbeu gjithë jetën e saj, veprës të të madhit Albert Cohen, pa kërkuar
asnjëherë lavdi dhe dafina.
Dhe
unë mendoj për „Librin e nënës sime“ e cila është një vepër monumentale për çdo
qënie njerëzore që ka lindur në këtë botë. Asnjeri nuk ka nënshkruar ndonjë
kontratë kur ka lëshuar thirrjen e parë dhe asnjëri nuk do të nënshkruajë
kontratë kur të ikë nga kjo botë. Megjithatë, deri në vdekje, atij do t’i
kujtohet nëna e vet...Dhe unë në çaste të veçanta, kur jam vetëm, kujtoj me
mallëngjim fytyrën e nënës sime të dashur, fjalët e saja të mira për birin e
saj. Me kalimin e moshës, ajo ishte bërë edhe më e urtë, më fjalëpakë.
Megjithatë, ajo kishte një kujtesë të jashtëzakonshme dhe dinte të tregonte me
saktësi histori të familjes sonë, me një dhunti të veçantë prej aktoreje teatri
që e ka pasur qysh në moshë të re, kur vazhdonte gjimnazin e Tiranës, si dhe më
vonë në ushtrimin e profesionit të saj fisnik, si edukatore kopshti.