Kulturë
Sejdi Berisha: E putha gurin e varrit tim dhe qesha me hidhërim...!
E hene, 13.05.2019, 08:58 PM
Fragment
nga proza “PARADOKSI” I LUFTËTARIT...!
Sejdi BERISHA:
E
PUTHA GURIN E VARRIT TIM DHE QESHA ME HIDHËRIM...!
(Biri im, pashë gjirin që ta kam dhënë,
kurrë mos u nis kokulur dhe as mos u kthe me shikim të rrëzuar!...)
Ndoshta,
sot nuk duket se ka rëndësi dhe as nuk është interesante, por, megjithatë, kjo
ngjarje bizare por e rrallë, apo e para e këtij lloji, e cila edhe tronditë,
bezdisë edhe trishton, por, edhe për shumëçka sikur shndërrohet në ilaç
mendjeje, shpirti, apo, nëse jo kështu, atëherë edhe çmend, sjellë nebulozë!
Por, të kuptohemi, këtë ngjarje po e shtroj me arsyen e hidhërimit, me peshën
kuptimit të jetës, nganjëherë si dukuri të rrallë...
* *
*
...U
ndala dhe shikova kalendarin, orën dhe ditën. Të gjitha i shikova, vetëm sa për
ta nisur ditarin me këtë ditë. Nuk më kujtohet, a ishte e hënë apo e martë.
Por, e di se nëna më përcolli deri tek dera e oborrit, dhe më kishte thënë:
-Biri
im, pashë gjirin që ta kam dhënë, kurrë mos u nis kokulur dhe as mos u kthe me
shikim të rrëzuar!...
E
putha në të dy faqet, sepse, vetëm në njërën m’u duk pak, ngase, kush e di,...
ndoshta kurrë më nuk do të takohem me te. Nuk e di se si, vetëm dora ime e dora
e saj ishin bërë ujë të shtrënguara njëra me tjetrën, si të ishin zhytur në
lëngë djathi, me të cilin ajo na begatonte sofrën në kohën e mëngjesit. Dhe,
nuk dua t’u them vetëm që tani, por përgjithmonë,... deri në fund më ngeli
gjelbësimi i nënës në dorën time... Ndoshta ishte gjelbësim i dy palë lotëve...
Dhe,... jo, jo! Nuk u pamë kurrë më...
Gjaku,
sikur ma kishte sjellë atë fuqinë e krahëve të shqiponjës, dhe fluturoja nëpër
mal, në beteja, prita e sulme. Nuk kishte asnjë forcë që e njihja. Kjo ishte
rinia e trimëria ime prej luftëtari. Shkurt, do t’ju rrëfej, sepse, në të
kundërtën, kjo është histori e gjatë; kam kaluar fusha e male, bjeshkë e
lumenj, dhe me mijëra herë atyre ua kam dhënë lamtumirën. Mirëpo, sa herë që
kthehesha atypari, dashuria më dalldiste për tokën e atdheun. Thjeshtë,
çartesha nga dashuria e malli. Por, e pranoj, druaja se edhe nga frika nuk do
ta realizoja ëndrrën deri në fund.
Por,
edhe kjo, atëherë ishte krejt normale. Dhe se, kudo që më përgjakej xhaketa e
lëkura e trupit në beteja e prita, më kujtohej amaneti i nënës: ... mos u kthe
me shikim të rrëzuar! Kjo ma ushqente shpirtin, m’i rriste krahët,... vetja më
dukej si drangua, edhe pse me shtat isha i shkurt, xhuxh... Dhe, një ditë...
Mbajeni në mend. Një ditë, diçka nga larg shkrepi dhe të dy shpatullat m’i
shqeu, m’i përplasi, kurse gjaku i shkapërderdhur në tokë më vlonte si qumështi
në gji të nënës. Edhe në këtë moment më është kujtuar amaneti i nënës, toka e
përvuajtur dhe, edhe njëherë kam brofur në këmbë,... i kam bashkuar shpatullat
si krahë shqiponje,... Edhe gjakun e mblodha nga toka, kurse, asaj shkreptime,
asaj ushtime, ia shqeva xhamadanin, ia plasa zemrën, që tani në te nuk kishte
as fije gjaku! Pastaj, u ula,... sërish e kujtova amanetin e nënës: ngrita
kokën lartë, shikimin edhe më lartë, dhe sikur u bashkova me një dritë të
çuditshme...
Ika
përgjithmonë! Nuk më kishte takuar kush, më. Por,...edhe në këtë gjendje isha
shumë i kalltë për liri,... Prandaj, u shndërrova në shqiponjë të padukshme dhe
shëtitja cep më cep të atdheut. I shikoja edhe njerëzit, edhe popullin, edhe
luftëtarët e mi,... edhe dëshmorët e martirët! Mirëpo,... disi, sikur dhembja
gjithnjë e më shumë bëhej mik imi bashkë edhe me hidhërimin dhe pezmatimin.
Sepse, njeriu kur zhgënjehet, është diçka e tmerrshme, dhe se këto tri
elemente, aq fuqishëm puqen mes vete, si vëllezër bëhen. Kështu kam thënë
përherë,... dhe, kështu është!
Mendojnë
që nuk e di. Hero më kishin shpall,... më kishin varrosur me peshën e atdheut
dhe të dhembjes. Edhe lapidarin ma kishin ngritur,... edhe varrin me mermer
stolisur. Të gjithë flitnin,... flasin edhe tash për trimërinë time. Në fillim,
edhe përvjetori i rënies kishte bërë jehonë respekti e dhembjeje. Por, ata nuk
e dinë se edhe atëherë isha në mesin e tyre, dhe, tek secili tash e matja
dhembjen dhe respektin. Po, po. Por, për këtë tash mos t’u lodhi... Dhe, para
se ta vazhdoni leximin tutje, nëse nuk jeni mërzitur apo lodhur, relaksohuni
pak me kujtimet, apo me ndonjë përrallë, nëse nuk u janë shpenzuar edhe të
parat edhe të dytat, ngase, edhe ato nëse nuk shkruhen, harrohen dhe shlyhen
nga mendja, zhduken pa shenjë pa dokë!...
Tash,
unë po iki diku tjetër. Tash e shihni...!]
Fshehurazi
jam përbiruar nën dyert e oborrit, dhe tash hyra brenda në shtëpinë time. Vetëm
hëna dhe rrezet e saj e përlanin çdo pjesë të oborrit, duke filluar nga bari e
hithrat, që kishin zënë shtat mbi dy metra lartësi dhe ishin tharë. Mullarët me
sanë, që për fat nuk ishin djegur, kishin marrë ngjyrë të murrme e të pamjes së
mykut. Shtëpia nuk ishte më. Vetëm disa pjesë të murit, themelet dhe era e
shkrumbit kishin ngelur. Si zagar u solla rreth e rrotull oborrit, i cili me
ardhjen time mblodhi forcën e frymës dhe të jetës. Në fshat, aty-këtu ishin disa
fletë morti me emrat e atyre të cilëve, të gjithëve ua njihja dhe ua dija edhe
frymëmarrjen edhe ngjyrën e flokut dhe të zërit. Prapë u ktheva në oborrin e
shtëpisë duke “shtirë” rruaza në pe. E kalova një natë aty. Në mëngjes u zgjova
me tmerrin e ëndrrave e me zhgënjimin tim. Nuk doja të përmendja asnjë emër të
anëtarëve të familjes,... as të nënës, as të gruas, as të fëmijëve. E
ngushëllova vetveten:
-Këtu,
diku janë gjurmët e tyre. Kaq mjafton!
Pas
mëngjesit, iku edhe dita,... edhe orët e para të natës. Dhe, çfarë bëra? U nisa
për në varreza, të shoh se çfarë ka dhe çfarë ka ndodhur atje. Mëzi u përbirova
nga therrat, manat e bari i gjatë, bar gomari i thonë. Shumë pak dallohej se
aty kishte varre. Tash, e kërkoja edhe varrin tim, dhe e gjeta. Mirë ishte,...
nuk ishte keq. Ishte i mbështjellë me mermer të zi, e në te ishin thelluar e
gravuar shkronjat e emrit tim, edhe numrat e vitit të lindjes dhe të vdekjes,
më falni, të vrasjes. E shikova gjatë e gjatë, dhe çfarë nuk më sillej në
mendje për familjen time, për popullin tim, për atdheun... bari-kërrupnajë i
kishte hipur sipër këtij varri, kurse eshtrat e mi brenda tij...!
E
pastrova. E bëra si bilur,... vezullonte. Shkëlqente si ëndrra ime dikur...
Dhe, besoni. E putha gurin e varrit tim dhe qesha me hidhërim e ironi...
Atëherë, ia ktheva shpinën dhe ika në dreq të mallkuar. Rrugës për në qytet,
hasa në një pllakë përkujtimore. Ishte buzë rruge. Edhe aty, mëzi depërtova,
dhe ia hoqa shtresën e pluhurit pllakës ku ishin shënuar emrat e tre shokëve të
mi... Për anash, në një shtizë, valonte flamuri kuq e zi e me shqiponjë në
mes,... i tëri i “djegur” nga dielli e i shqyer nga rrezet e forta,... Po, po!
Nga rrezet e forta të diellit...!
Tash,
trimëria ime,... heroizmi im, thjeshtë dridheshin... Edhe aty barishtet dhe
hithrat e kishin rrethakuar këtë “shenjë” dhe sikur i bënin roje... U përvodha
edhe nga aty, dhe, pasi shëtita gjithkah nëpër dheun tim, vendosa të kthehem në
atë vendin ku kisha rënë dëshmor, martir a hero, nuk e di, dhe as nuk është me
rëndësi. Posa arrita aty, nuk kisha harruar për bombën e fundit, të cilën e
hodha në drejtim të armikut, por që më kishte tradhtuar, sepse, nuk ishte
aktivizuar. Tani e kërkoja. Nëse ka mbetur diku, e t’i “hakmerrem”. Ta bëj copë
e grimë. Por, dua ta pranoj edhe këtë. Se, kur arrita në këtë vend, i tërë
trupi m’u rrëqeth. Hoqa bukur shumë derisa e gjeta. Nuk e kishte gjetur gjë.
Por, edhe atë e kishte kapluar “harresa”, e kishin kapluar barishtet, plehu e
bërlloku!
E
mora dhe bëra histori nga ajo; herë duke e ledhatuar, herë duke e qitur në
njërën e herë në tjetrën dorë,... Dhe, çfarë të bëja me te, që më kishte
tradhtuar.. E hodha diku larg-larg. Në drejtim të armikut... Nuk di as vetë se
kah, dhe posa kishte prekur tokën, plasja e saj kishte dridhur fusha e male,
bjeshkë e shkëmbinj, kishte dridhur njerëzit, i kishte trembur edhe shpezët...
Kështu që, ende flitet për krismën e kësaj bombe për të cilën thuren legjenda
trishtuese e të kota...
E,
unë... Me shpatullat dhe trupin tim, sërish ktheva tek varri. I mora eshtrat e
mi dhe gjithçka çka kishte në varr. Tash, nuk e di as vetë se ku jam, unë biri
i nënës, i tokës,... Po, po,... unë, vetë unë! Kurse, të gjithë mendojnë se
eshtrat e mi pushojnë aty,... në varrin tim... Dhe, ndonjëherë, kalimtarët e
rastit kthejnë kokën andej... Ndoshta, aty kanë të varrosur ndonjë familjar apo
të afërm, apo, ndoshta, vetëm me shikimin e tyre thurin legjenda mbase përralla
për varrin, trimërinë dhe për heroizmin e luftëtarit... Ku ta di!
-
Por, Ti nëna ime, kudo që je, unë kokën e mbaj lartë dhe shikimin e kam drejtë
e thekshëm kudo që jam, e nuk di se ku gjendem!
E
po,... ç’është ky paradoks njeriu,... Ose jo,... ky “paradoks” i luftëtarit?! E
tërë kjo, ndoshta nuk është e vërtetë...! Jo, de! E, si thoni, Ju?!..