E enjte, 25.04.2024, 08:53 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm (36-40)

E shtune, 10.11.2018, 06:44 PM


Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 36

Priftin që e tundoi kurmi

“Shpëtomë, o atë! Jam në hall”. Nisa t’i rrëfehem priftit të dioqezës, duke bërë një ditë rrugë nga kisha, ku kryeja obligimet e mia shërbestare, në qytetin e Prizrendit.

“Ku e ke hallin biri im?”, ma hapi rrugën e rrëfimit frati, ndërsa unë i tronditur vazhdova: “Çdo gjë nisi në mënyrë të padjallëzuar, por nuk përfundoi kështu. U bëja lavde sibilave, i këndoja himne bukurisë, kënaqesha me natyrën e katundeve, u shërbeja Zotit e besimtarëve. Befas një Zanë mali nisi të më fanitej natën, më tundonte ditën, më linte pezull as në tokë, as në re. Qëndroja mbi humnerë. Më ndalej fryma. Pastaj e dija se Ferri më priste, s’kishte si të ishte ndryshe.

Nga libri i vjetër i gjuhës sonë, që e lexoja me ëndje, me dilte një sibilë e gjallë, më buzëqeshte tundueshëm. Nga buzëqeshja e saj me dridheshin leqet e këmbëve.

Zana e malit, që më shitoi, Tringë e quanin. E bardhë, e brishtë e hollake, kalonte çdo ditë, ia hidhte një shikim kishës, bënte kryqin, vazhdonte tutje si ta ndiente shikimin tim të turbullt. Sa herë e shihja farfuritjen e këmishës së saj të hollë që ia mbulonte shtatin, ndërsa pështjellaku vajzëror e shtrëngonte në bel, trallisesha fare.

Rrallë i afrohej kishës vetëm. Asnjëherë nuk erdhi të rrëfehej, asnjëherë nuk e pashë të vetme në meshë. Vinte me nënën, ose më të vëllain, ndonjëherë me një shoqe, por Zot më shpëto nga mëkati e më ruaj nga tundimi, sikur të vinte vetëm, do të humbisja, mbase do të bëja ndonjë marrëzi, sepse një shikim i saj që më dukej se më dërgonte sinjale të fshehta, ma dridhte zemrën e më linte pa gjumë.

Këngët e Solomonit më kalonin tërë kohën nëpër kokë, sibilat s’më hiqeshin nga mendja, as Kënga e këngëve. Bardhokja Tringë më bënte të vuaja dyfish: një herë sepse po mëkatoja në mendime, e në shtëpinë e Zotit, po e humbisja dashurinë në Krishtin dhe, herën e dytë, sepse unë kisha dhënë një betim.

“Kërko mëshirë, biri im, lutu për ne mëkatarët!” - më drejtohej prifti.

“Më shpëto atë nga mëkati, më bëj ta përballoj këtë djallush që më del ëndërr, më afrohet edhe zhgjëndërr, më bën të vuaj, të humbas kokën dhe ta harroj dashurinë ndaj Krishtit”, lutesha në gjunjë para fratit, ndërsa lotët më shkon faqeve.

“Më shpëto Zot nga tundimi, më jep forcë të dal nga hutimi, më bëj ta përballoj dobësinë e mishit, me jep kurajë të zhdavariti fanitjet”, i lutesha në gjunjë Zotit.

“Kush është ajo, biri im, është vajzë a djall?” - më drejtohet prifti.

“Është vajzë, o atë, më mirë të them është engjëll, sepse kur ecën më bëhet se fluturon, aq të lehtë e ka hapin, aq të zhdërvjelltë e ka shtatin. Kjo vajzë më del çdo mbrëmje në ëndërr, ndonjëherë më futet në shtrat, unë djersij, luftoj me të si me djallin, dikur më bëhet se e fitoj betejën, atëherë ajo del e dëshpëruar nga qela ime asketike, kurse unë rri i pikëlluar, duke shikuar në zbrazësi. Por ndodh që ajo e fiton betejën, prishem në ëndërr, kap kokën me duar, zgjohem me shijen e hidhur të një tundimi që i kaloi kufijtë, u bëra mëkatar.

“Po biri im, djalli atë punë ka, të të tundojë, të të fusë në mëkat. Ti bëhu i fortë, munde djallin në trupin tënd, ndrydhe tundimin, flake mëkatin e mishit, sfidoje Adamin, mos bjer pre e joshjes së Evës”, - më këshillonte prifti, sivëllai im, - kur i rrëfehesha me afshe e përdëllime.

“Lutu e pendohu, kërkoje dashurinë e Zotit, hiç dorë nga mëkatet, kërkoje e gjakoje amshimin”, vazhdonte prifti i pikëlluar.

“Dy herë u mata t’ia pranoja mëkatin, por dy herë hoqa dorë nga sinqeriteti, sepse atëherë duhej të hiqja dorë nga thirrja ime, të flakja veladonin e t’i kthehesha jetës së përditshme të vdektarëve mëkatarë. Por unë doja t’i kushtohesha Zotit. Kisha mëkatuar me bardhoken Tringë, vuaja nga ky mëkat...”

Athua ishin ndikime të sibilave apo gjëra të përjetuara? Prapë nuk kishte autor. Anonimi i Dardanisë shpaloste vuajtjet e mishit, tundimet e vetminë.

Shënime të tilla intime ma ngushtonin zemrën, ma kujtonin jetën askete e vetmitare të sivëllezërve, që i kushtoheshin një misioni të shenjtë, vuanin e pikëlloheshin, tundoheshin e binin në mëkat, ndërsa vuajtjet e privimet e tyre nuk i kuptonte askush. Rrëfime të tilla, kur rrëmoja gjeja jo pak, më vinte keq për sivëllezërit që e ndienin veten aq të braktisur.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 37

Populli mbeti pa kokë, pa identitet dhe pa busull

Iu ktheva jetës së përditshme. Shërbeja në Kuvendin e Françeskanëve. Qyteti nuk u qetësua as me tërheqjen e ushtrisë austro-hungareze. Prapa kësaj ushtrie mbetën varre të hapura, xhade të shtruara me nguti e kazerma të braktisura. Rrëmuja e përcolli kohë të gjatë Shqipërinë. Vinte një qeveri në krye të vendit për t’ia lëshuar pushtetin qeverisë tjetër, që rekrutonte me pagesë më shumë ushtarë nën armë. Futeshin e tërhiqeshin ushtritë e huaja në pjesët kufitare pa pyetur askënd.

Lajmet nga përtej detit vinin edhe më të trazuara. Qeveritë përgatiteshin për një luftë tjetër, edhe më të egër, edhe më rrënimtare. U shpikën armë të frikshme që do të zhduknin miliona njerëz.

Në kulmin e acarimeve ndërkombëtare, kur shtetet rrënoheshin si në lojëra shahu, sërish hyri ushtria e huaj, rrahagjokse e arrogante. Populli mbeti pa kokë, pa identitet dhe pa busull. Turmat po kalonin krizë identiteti. Ecnin nëpër rrugën e dëshpërimit sikur të munduarit me këmbë të zbathura nëpër gaca prushi. Ecja u dukej më e rëndë, pas euforisë së shpresës, kur besonin se mollët e parajsës do t’i gjenin në çdo skutë, mjaftonte ta afronin dorën e t’i vilnin. Por sa i mbërthente shpresa euforike për shpërblimin e vuajtjeve, me po atë shpejtësi më të mençurit, i mbërthente dëshpërimi, sepse humbën kohë të gjatë duke u shkuar prapa njerëzve të gabuar, që vetëm sa nuk i hodhën në humnerë, ndërsa i sollën buzë humnerës. Çuditërisht prapë kërkonin prijës, sepse kopeja nuk bënte pa bari. Frikësoheshin nga ujku, pa e ditur se bariu qe vetë ujku. Kur nuk e gjenin, e kërkonin shpëtimtarin në faltore të reja e të vjetra. Prijësi i mirë është si meteori: të mrekullon e të verbon me shkëlqimin e vet. Kur shuhet shkëlqimi i meteorit, errësira bëhet më e thellë.

Kohës që po vinte ia kisha edhe më shumë frikën. Në cepin tjetër të tokave etnike që u bënë gati tërësi, euforia e ringjalljes pas pushtimit të egër, më entuziazmonte, por më frikësonte në të njëjtën kohë. Gëzimi i beftë do t’i fuste në dëshpërim të paskajshëm. Diku prapë po bëhej plani për ri qepjen e Shqipërisë. Shteti xhuxh u shkonte për shtati më shumë sesa shteti natyral. Kërkesat ndryshe do të ndëshkoheshin. Qysh tash kishte paralajmërime për hakmarrje.

Ndërkohë i kopjova pjesën më të madhe të kronikave. Të gjitha raportet e sivëllezërve të mi i lexova. Sesi i ngjanin njëra- tjetrës, megjithëse fretërit shkruanin për periudha të ndryshme, nga famulli të ndryshme me shtrirje nga Nishi në Sape. Bëja ndonjë rilexim, përpiqesha të zbërtheja ndonjë fshehtësi, të cilën nuk e kapa as me leximin e parë, as me leximin e dytë. Por secili prej kronistëve shtronte mëdyshje. Sesi i linin fjalitë në gjysmë, kur duhej të na thoshin diçka më të qartë, sesa ca paralajmërime të mjegullta. Sikur fshihnin diçka, sikur frikësoheshin t’i thoshin gjërat deri në fund. Athua çka fshihnin, dhe kujt i druheshin?

Lufta e Dytë ia bëhu me egërsi. Secili luftonte kundër secilit si në Luftën e Parë. Viktimat dyfishoheshin. Aleancat ndryshuan fare pak. Sikur nuk mjaftuan dy ushtritë më të forta të kontinentit të vjetër, që një herë i ndanë territoret në mes vete, pastaj ushtria më e fortë e dëboi ushtrinë tjetër që nisi të tregonte shenja dobësie. Ia mori territoret, ia pushkatonte ushtarët me akuzën për tradhti e dezertim.

Dorëshkrimet e vjetra sërish do t’i fusnim në katakombe, të mbështjella më peshtaf e lëkurë bualli të regjur. Aventurierët e antikës qarkullonin në vend si hienat në shkretëtirë. Erdhën ekipe të tëra, mblidhnin vlera artistike e arkeologjike dhe iknin. Italianët u shtrinë në tërë territorin tonë, gërmonin si thneglat. Ata ishin më të zellshëm edhe në mes të dy luftërave. Gjermanët, që sikur donin ta plotësonin mungesën e gjatë, nisën të kërkonin me babëzi.

Më thanë se togeri Hans, i cili qenka graduar në major, kërkonte gjithandej vepra antike. Më nuk gërmonte, kërkonte gjërat tashmë të zbuluara. U rrëqetha kur e dëgjova lajmin për të. Herët a vonë do të më kërkonte, por i shmangesha si djallit. Me ushtrinë e re, uniformën e së cilës e mbante, nuk bëhej shaka: të pushkatonin për një fjalë goje.

Askush nuk e thoshte se ushtria gjermane e kërkonte varrin e mbretit tonë, mirëpo unë e dija se miku im i vjetër nuk do të hiqte dorë nga kërkimet.

Lufta në dukje nuk ishte e pazakonshme, i ngjante asaj të mëparshmes. Më e pazakonshmja ishte paraqitja e një sekti të ri, të pastrehësh e parazitësh që jetonin në kurrizin e të tjerëve. Ata dolën në sipërfaqe me dhunë e propagandë të zëshme si asnjëherë më parë. Armikun e shpallën mik, mikun e vunë në dyshim, dikur nisën ta luftojnë egërsisht. Bënë aleanca që s’t’i kapte mendja. Me futjen e trupave pushtuese italiane morën zemër. Kështu, në muzgun e parë, në pusi vrisnin njerëz pa mëshirë, ata e caktonin kush është patriot e kush tradhtar, tradhtinë e patriotizmin i matnin me kutin e tyre. Ndonjë minutë para se t’ua shkrepnin breshërinë e plumbave viktimave, prapa shpinës, ua recitonin frazën në formë rituali: “në emër të popullit...” si dikur sektet mistike që flijonin njerëz në emër të zotave. Ata e shpallën Zot popullin, në emër të të cilit bënin veprime ngjethëse, pa e pyetur për asgjë. Populli për ta ishte kope delesh.

Grupet e reja predikonin botën e terrorit, një botë edhe më të egër sesa ajo e nazistëve. Njeriu i ri-komunist po i ngjante Frankeshtajnit, me qepje të shumta e tredhje truri. Luciferi do t’ia kishte lakmi.

Shteti i ri, i qepur në plagët e vjetra, ende të pambyllura, dhe frankeshtajnët e rinj, do ta tmerrojnë botën.

Egërsia naziste i mbufaste grupet vrastare. Po provohej një sajesë e re. Eksperimentet sërish po nisnin në Gadishullin Ilirik. Kjo ma kujtonte raportin e fratit françeskan, i cili seç fliste për eksperimente me ca qen, pastaj me refugjatë që i sillnin nga Azia, pastaj me asqerë të tredhur që nuk e dinin as nga vinin, as kush ishin.

Për ta ngushëlluar veten lexoja kronikën e vjetër.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 38

Lëngaraqët e zvjerdhur –qentë e Anadollit

(Viti 1789 pas Krishtit)

“Një lukuni qensh i dërguan në Anadoll. Prapë i kthyen në Arbëri. Askush nuk e mori vesh pse i morën dhe pse i kthyen. Por, ajo që ra në sy, ishte sjellja e çuditshme e qenve. Nga qentë e sertë të bjeshkëve u bënë ca përdredhaçë –çakej, të cilët kur duhej të lehnin hungërinin e të ngjethnin. Sulmonin egërsisht vendësit e pafuqishëm, ulnin bishtin para atyre me shkop në dorë. U bënë qen rrugësh. Lehjes së tyre i druanin të gjithë, vajtimi i qenve sjell kob, thoshin pleqtë.

Nuk e zbërtheja çfarë eksperimentonin, kur më erdhi thashethemnaja tjetër. Flitej për kurbatka, për gra të paburra që endeshin nëpër Arbëri, qisnin fall, parashikonin të ardhmen, por më shumë shkreptinin xixa nga sytë, epshi u shpërthente nga çdo pore e trupit.

Tundimi i mishit do t’i zvetënonte banorët e Arbërisë. Më të luhatshmit e lapërdharët nuk u bënin ballë. Nuk vonoi kur nëpër rrugë të qytetit nisën të ecnin këmbëzbathur fëmijë ezmerë që flisnin gjuhën tonë, ndërsa shërbenin nëpër shtëpi të kamurish. Disa prej tyre i lyenin buzët me të kuq grash, ecnin si femra, megjithëse djem ishin. Disa burra u martuan me kurbatkat për tmerrin e familjeve që ua bënë gjëmën në të gjallë. Nëpër mejhane këndoheshin këngë të trishta e të zvargura nga burrat-gra. Deledash.

“Çfarë u duhen këto gra, azere, kirgize, armene, turkmene, kurde, të cilave osmanët ua kishin vrarë burrat, ua kishin djegur vatrat? ”, pyesnin burrat që shihnin zvetënim. Një ditë do t’u duhen, dyshonte tjetri. Ai kishte punuar një kohë të gjatë prapa hijeve, ku e ka vështirë të depërtojë njeriu i vdekshëm.

Dikush tha se në viset e grave fatkeqe qe përhapur murtaja, prandaj gratë me fëmijë ia mbathën kah sytë këmbët. Të tjerët e kundërshtuan. Në atdheun e tyre shpërtheu një kryengritje e madhe kundër sulltanit. Luftën e humbën. Ata që mbetën gjallë ua mësynë tokave të Arbërisë. Dalëngadalë nisën ta mësojnë gjuhën tonë, madje nisën ta harrojnë gjuhën e vet. Por një theks i rëndë me nyjat që i kapërdinin u bë e folmja e tyre karakteristike.

Kthimi i nizamëve i tmerroi fare. Nga ushtarë të sertë, dikur, dukeshin lëngaraqë të zvjerdhur. Flisnin jerm, pëshpëritnin vazhdimisht. Flisnin gjuhë të ngatërruar, me lutje arabe që mbizotëronte në fjalorin e tyre. Por kur u flisje arbërisht, ata ta kthenin arbërisht, madje me një dhimbje e mall të papërshkruar. Atëherë njerëzit donin t’i tfillonin, t’ua tregonin rrugën, prandaj më parë i pyesnin: nga jeni? Ku shkoni? Ata u përgjigjeshin nga Erzerumi, Adanaja e më larg Alepi, Meka, Medina. Ata e ngatërronin vendlindjen me vendet ku luftuan. Hijet e vdekjes e të vdekurve i ndiqnin prapa. Pamja e nizamëve i tradhtonte me flokët e zbërdhulura. Prandaj askush nuk u besonte se vinin nga dy shkretëtirat: Anadolli e Sahara. Pastaj sesi ecnin këmbëhapur. “I paskan tredhur”, tha dikush.

“Jo, i paskan tredhur në tru”, ia priti tjetri. Dikur nizamët e tredhur në tru e në mes këmbëve, nuk të flisnin fare arbërisht, nisnin e mbanin fjalime në gjuhë orientale, mallkonin, kërcënonin me gishtin që e mbanin pingul si të donin të ta ngulnin në sy. Dikujt ia jepnin munxën. Bëheshin të dhunshëm, asnjë fjalë nuk ua merrje vesh, pos “kaur”,” xhahil”,” qafir”. Luteshin duke u luhatur poshtë-lart si ta kishin sëmundjen e tokës. Nga fundi nisnin e shkumëzonin si qentë e çartur. Gishtin tregues, të cilin s’dije se ku do ta fusnin, e mbanin kërcënueshëm.

Sa herë i kujtoja këto pamje të dhimbshme në tokat e pushtuara më mbërthente angështia. Gjumi i pushtimit ishte gjumë i frikshëm, gjumë i vdekjes, të mbërthente e nuk të lëshonte. Është si tymi i hashashit, të futë në ëndërr me sy hapur, ndërkohë të ka hëngër djalli, ke marrë rrokullimën. Shumë popuj të robëruar mësoheshin me robërinë sikur i sëmuri me sëmundjen, nuk ndërmerrnin asgjë dhe një ditë shuheshin, vdisnin pa e kuptuar.

Shumë popuj vdiqën nën sundim. Kombe të tjera u njëjtësuan me pushtuesin, jetonin e vdisnin për lavdinë e tij, bëmat e pushtuesit bëheshin bëmat e tyre. Dikur nisnin e mburreshin për pushtimet e mujsharit, mburreshin që janë pjellë e përdhunimit, e martesave të dhunshme, e krushqive të kushtëzuara me jetë a vdekje. Silleshin e flisnin si ata, imitonin me servilizëm zotërinë e tyre, e mbronin me zjarr krimin e pushtuesve, flisnin në emër e për llogari të tyre.

Zot na ruaj nga kjo mynxyrë!, lutesha pa pushim. Mos na shuaj me kaq lemeri!”

Atë Sopi pastaj shkruante për një goditje në periferinë e Shqipërisë nga ushtria turke. Ende nuk dihej numri i të vrarëve. Lajmet vinin të turbullta, të pasigurta e të ngatërruara.

Kafkat e kufomave po i murosnin në një kullë të tmerrit, raportonte i lemerisur frati françeskan. Më duhej të hulumtoja për këtë masakër, sigurisht frati e kishte vazhdimin e raportit...

P.S.

Këtu përfundonin shënimet e fratit françeskan, atë Gjergjit, pa asnjë porosi, sikur të qe ndërprerë nga një forcë apo sikur ta ndiente një rrezik.

E lashë notesin e shënimeve mbi komodinë, i palosa dokumentet ashtu si kishin qenë dhe rashë në gjumë të thellë si të fundosesha në një greminë të pafund, por pa frikë e pa dhimbje. Më duket se nisi të zbardhej, derisa mua ma regjistroi syri refleksionin e dritës që depërtonte në frëngjinë e ngushtë të qelës.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 39

Takimi në burg

-Unë e zotëroja fshehtësinë e leximit të buzëve, i kuptoja edhe shprehjet e syve. Për aftësitë e mia askush nuk e dinte. Çdo shprehje e syve, apo e buzëve, nëse më drejtohej mua, apo ndonjë tjetri në praninë time, dallohej me gjuhën e rrjedhshme e të kuptueshme si të fliste me zë të lartë, - nisi rrëfimin e tij Zefi. Plaku u mbush frymë dhe vazhdoi të tregonte pjesën tjetër të historisë që ia premtoi arkeologut.

- Fati a fatkeqësia më solli dëshmitar të çasteve të fundit të atë Gjergjit. Në qytet flitej se e ndiqnin të gjithë. E kërkonin italianët, u shpëtoi gjermanëve, flitej sikur partizanët do ta merrnin në pyetje. E kërkonin për një varr a për një monument varri, askush nuk e dinte me saktësi. Më habiti kur e pashë të lidhur në pranga e të mbërthyer në një karrige, në burgun e Shkodrës.

Me fytyrë të ënjtur mezi shihte me njërin sy. Dy inspektorët partizanë e pyesnin, ai herë fliste më zë të ulët, herë nuk fliste fare. E dëgjoja dëshminë e tij dhe e shënoja me një makinë shkrimi të kohës së mbretërisë shqiptare. Isha ndër daktilografistët e paktë të qytetit dhe të ish – mbretërisë shqiptare. Pata punuar në zyrën e Bashkisë, prandaj më morën dy partizanë të armatosur pa më treguar se ku më çonin. Më erdhi shpirti në vend, kur e pashë se nuk po më arrestonin, por do të më angazhonin në punën time të paraluftës. Ashtu më thanë, por më tmerroi kur me urdhëruan të shkoja pas tyre në dhomën e hetuesisë, ku do të mbaja shënime.

Nuk ishte vështirë të mbaja shënime në këtë proces, sepse ai fliste aq pak dhe aq shpesh i përsëriste të njëjtat përgjigje. Të njëjtat pyetje i bënte edhe hetuesi, e folmja e të cilit nuk merrej vesh, i ngatërronte trajtat. Shkodran as lezhjan nuk ishte. Ndonjëherë më bëhej se nuk ishte fare shqiptar, shqipen e bleu, sikurse i themi ne, kur nuk e flet në familje, por e ka mësuar në shkollë a në rrugë.

Ndërkaq, françeskani herë i përgjigjej në të folmen e Dukagjinit, herë në të folmen e Rugovës me diftongun -ua, që i çorodiste hetuesit, të cilët seancat e hetimeve i bënin të dhunshme. Frati i drobitur, i gjymtuar, mezi merrte frymë. Gjaku i mpiksur ia bëri fytyrën hartë gjeografike. Pak më tutje e shikonin dy inspektorët e policisë, secili në mënyrën e vet. Kur mërziteshin duke e shikuar, që më shumë ishte luftë psikologjike, atëherë nisnin sërish pyetjet e hetuesit shqiptar:

-Kur e ke takuar për herë të parë majorin gjerman? Çfarë detyre të dha?

-Asnjëherë nuk e takova, nuk më dha asnjë detyrë,- përgjigjej ai me zë të shuar, që mezi dëgjohej.

Hetuesit e shihnin me cinizëm prej së lartit, u dukej si mizë që mund ta shtypnin kur të donin. Njëri nga hetuesit, i ardhur para disa ditësh nga Jugosllavia, mbante xhaketë lëkure të puthitur për trup, ishte shtatmesatar paksa i majmur, me flokë të zinj e lëkurë ezmere. Fliste një shqipe të shqepët ashtu si e flasin sllavët, me theks të rëndë. Inspektori vendës ishte shtatshkurtër e rrondokop, me kokë të madhe e sy pa qerpik. Binte në sy me bluzën ushtarake, ku shquhej naganti në brez.

Tërë natën të dy inspektorët qëndruan mbi të, por asnjëri nuk nxori fjalë nga prifti.

E pyesnin për një varr të gërmuar nga austriakët para tridhjetë vjetësh. Prifti ua përsëriste të njëjtën frazë: “Nuk di gja”. Ndërkaq, atyre nuk u mjaftonte përgjigjja, vazhdonin seancën më me tërbim. Njeriu me bluzë ushtarake e godiste, kurse tjetri ia afronte veshin që të dëgjonte fjalinë shpëtimtare për të dhe për ta, sikurse i thoshte me pëshpërimë. Dikur filluan prapë ta pyesnin për oficerin gjerman, major Hansin. Ai rrudhte supet. Përpiqej t’u tregonte se nuk takoi asnjë njeri me emrin Hans. I kujtohej toger Hansi para shumë vjetësh, kur gërmonte në Lezhë. Ata e shihnin me dyshim.

-Major Hansi e thotë të kundërtën, - i pëshpëriste në vesh hetuesi rrondokop.

Prifti nuk fliste, s’kishte ç’të shtonte, ua përsëriste të njëjtat përgjigje si refren, sa herë i drejtoheshin.

Rrondokopi vazhdonte: - E takove në Kuvendin e Françeskanëve. E ndihmove në zhvarrimin e eshtrave. Ke pirë verë të ftohtë në famullinë tënde.

Prifti përpiqej të fliste diçka, por ende pa e hapur gojën mirë, e priste goditja e zdapit shqiptar, i cili përpiqej t'ia bënte qejfin hetuesit jugosllav. Ezmeri gjithnjë e më shumë tregonte shenja mosdurimi. Qendra e tij priste t’u raportonte, ia tha më se një herë inspektorit tonë, kurse ky rrudhte supet, i pafuqishëm para prifti kryeneç. Pastaj përpiqeshin ta vinin në kurth:

-Pse na mundon kur këto gjëra na i tregoi majori gjerman.

Atyre u interesonte pse majori e kërkoi nëpër tërë Shqipërinë.

- Ai e di, pse më kërkoi? Unë nuk desha ta mësoja pse-në , - i përgjigjej prifti i dërmuar me një zë të grykor, gjuhë të trashur e sy të perënduar.

-Gënjen, maskara, gënjen!, -shkumëzonte hetuesi shqiptar. Prifti nuk fliste më. Me kokën e anuar sikur flinte. Nga letargjia e zgjonte grushti i rrondokopit me bluzë ushtarake.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 40

Çfarë kërkonin gjermanët në Kuvendin e fretërve?

Gjysma e qytetit e dinin se oficeri gjerman, a austriak, nuk merrej vesh, e kërkoi disa herë në Kuvendin e Françeskanëve fratin që dergjej në karrigen e torturave në një birucë të Shkodrës. Dhe ata ia përsërisnin raportin sesi trupat e motorizuar gjermane u futën në Shkodër nga Mali i Zi. I thanë që e dinin kur një oficer me dy ushtarë me trerrotëshin gjerman u ndalën para dyerve të rrethojës së Kuvendit.

-Çfarë kërkonin gjermanët në Kuvendin e fretërve? - Prifti rrudhte supet.

- Majori e kërkoi edhe të nesërmen, por ai u zhduk.

Hetuesi e dinte se tri herë e kërkoi majori gjerman, tri herë mori përgjigje të njëjtë: padër Gjergji nuk ishte kthyer, me t’u kthyer do t’ia jepnin porosinë. Heshtja ishte torturuese.

“Takimi i dytë, do të qe fatal”, thoshin nëpër qytet, pa e kuptuar arsyen e kësaj që e thoshin, ashtu sikurse nuk e kuptonin pse e kërkonte majori me aq këmbëngulje.

Prifti s’dinte ç’të shtonte për majorin që nuk e takoi. S’dinte në fakt as ç’kërkonin hetuesit nga ai. Një herë ia përmendnin gërmimet e një varri në Lezhë, pastaj flisnin për një përbetim të priftërinjve. Ata qeshnin me cinizëm, kur ai e mohonte takimin me majorin. Gjymtyrët i dridheshin. Me buzët e çara e zërin që nuk i vinte deri në grykë, e pati të vështirë të fliste edhe sikur të donte.

Turbullt e mbante në mend togerin e Luftës së Parë që gërmoi disa muaj në Lezhë. Dëgjoi nga të tjerët se në luftën e fundit ish-togeri, i avancuar në major, nuk bëri ekspedita arkeologjike, më shumë bridhte në kërkim të veprave antike, natyrisht kryevarrin nuk e harroi asnjëherë. Pyeste rreth e rrotull. Gërmoi përgjatë bregdetit.

Atë Gjergjit i vinte keq që austriaku nga arkeologu i pasionuar u shndërrua në aventurier vjetërsirash. Këto vlerësime për austriakun me uniformë gjermani i tha në hetuesi që në fillim, por ata nuk u kënaqën, kërkonin diçka tjetër, donin më shumë: takime, letërkëmbime, materiale të bartura në Vatikan, darka të fshehta, kërkonin Juden, ndërsa nuk dinin ta thoshin në këtë mënyrë, megjithëse ashtu e kishin menduar në projektin e tyre të përbetimit.

Ata u fiksuan në komplote. Propaganda partizane vlonte nga komplotet. Dikur nisën t’ia përmendnin kapiten Stipen, kroatin, që ai e kishte njohur në të njëjtën kohë me ushtarakun austriak. E mohoi ta ketë parë më, nuk dinte ku ishte e çfarë kishte bërë gjatë luftës së fundit. E kujtonte me dashamirësi këtë djalosh të qetë e të bëshëm, besimtar të devotshëm, tetar Stipen.

Frati përmendej nga këto imazhe vetëm kur i ndiente goditjet e grushtit. Inspektori i ardhur enkas nga Beogradi sillej vërdallë me hidhërim e i acaruar. Ezmeri i majmur shpresoi se do të mbaronte punë shpejt e do të kthehej në kryeqytetin e tij. Në Shkodër e mbyste vapa. Shikimet bridhnin sa te njëri te tjetri: prifti me sy gati të shuar, ai i paduruar.

Fratit i bëhej se edhe këtë inspektor e pa para disa vjetësh: në Pejë, Gjakovë a Shkodër, nuk e gjente dot. Një përftim i sinjalizoi se e pa në fillim të luftës. I kujtohej nëpër mjegull kur e kapën rugovasit, duke kaluar në Mal të Zi. Një ezmer ishte qenie e rrallë në Rugovë, binte në sy me të parën. Frati ia shpëtoi jetën. I thanë është hafije, por frati nuk e pranonte vetëgjyqësinë as linçin si metodë. Rugovasit e lanë të ikte në Andrijevicë të Malit të Zi. Partizani dikur i fshehur prapa veshjes rugovase ishte plotësuar. Po ajo fytyrë me flokë të yndyrshëm të zinj, po ai zë paksa i çjerrë. Ai e dinte për serb a malazez, inspektori shqiptar i drejtohej me “shoku jugosllav”.

Pastaj vazhdonte seanca e pafundme me pyetjet e njëjta: çka dinte ai për varrin e Skënderbeut? “Çka i tregoi oficerit gjerman? Ku i fshehën austriakët eshtrat e tij? Një kohë të gjatë gërmuan në Lezhë, apo jo?”, pyeste hetuesi rrondokop pa e pritur përgjigjen.

-Gjermanët u panë përgjatë mureve të kështjellës së Krujës, -vazhdonte ai, thuajse prifti duhej të jepte përgjegjësi për ta. Frati përpiqej t’u tregonte se nuk dinte çka gjetën. Ata nuk i tregonin askujt.

Nisnin nga pyetjet tjera. -Çka i lidhte me majorin gjerman?

“Asgjë, pos bisedave për antikën e mesjetën, për gjetjet arkeologjike dhe për historinë e shqiptarëve”.

Por këto nuk ua thoshte, buzët nuk i lëviznin. Kjo njohje i takonte kohës së Luftës së Madhe.

Kur ia vunë përballë majorin gjerman, frati nuk arriti të shprehte habi. I mungonte forca për çfarëdo emocioni. Major Hansit të lodhur e të torturuar s’i kishte mbetur asgjë nga djaloshi i dikurshëm kokorosh. Ishte thinjur në tëmtha, ishte rënduar në lëvizje, kishte mbetur kockë e lëkurë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora