E marte, 19.03.2024, 02:13 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm (17-20)

E premte, 17.08.2018, 07:26 PM


Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 17

Galipoli (Çanakala) ishte varri më i madh i ushtarëve shqiptarë të rekrutuar me dhunë

Një ditë iu kujtua zyrtari turk që e takoi në legatën austriake. Turqia vlonte nga kaosi. Dikur administratorët e kronistët e tyre mbanin shënime të sakta për Gadishullin. Çdo ekspeditë e sulltanit dhe e gjeneralëve të Portës, merrte me vete kronistë që të përjetësonin luftën. Prandaj, ia kërkoi atasheu turk ndonjë të dhënë të kohës. Nuk vonoi kur erdhi me një libër nën sqetull. Duke u drejtuar nga vendi i gërmimeve, ecte në majë të gishtërinjve. Pas përshëndetjes paksa të pazakonshme, togeri mori dhuratën e turkut me veshje alla franga. Ilustrimet miniaturale e provokuan që t’ia niste shfletimit në prani të atasheut. Por u kujtua ku ishte, mbylli kopertinat, duke falënderuar atasheun, i ofroi kafe terreni, por mysafiri e refuzoi me kujdes, sepse, siç tha, nxitonte. Arriti ta përgëzonte me një –“Mashallah, mashallah! Paskëshit bërë goxha punë!”

Iku ashtu si erdhi, si hije me një përkulje të thellë. Nuk i folëm asnjëherë njëri-tjetrit, madje as u përshëndetëm.

-Aleatët i keni të shkalafitur si këta punëtorë e molisur nga vapa,- ia thashë me ironi, duke menduar tek atasheu që u largua me temena.

-Ka perënduar koha e tyre, - ma ktheu me përbuzje, - nuk janë të zotët për asgjë. Në tërë operacionet, ata duhej të mbanin pikat strategjike të Grykës së Dardaneleve. Dhe megjithatë ua dorëzuan anglezëve, ashtu sikurse e dorëzuan Kostandinopojën. Pastaj, u tërhoqën nga lufta, sikur lufta të qe ballo, ku futesh e del si të vijë për mbarë.

- Ishin mizorë kur e kishin pushtetin, - nuk u përmbajta. - Për tmerr vjet masakruan mbi një milion armenë,- i fola me pëshpërimë. Ai heshtte. Pastaj i fola për Galipolin -varrin e shqiptarëve.

- Galipoli (Çanakala) ishte varri më i madh i ushtarëve shqiptarë të rekrutuar me dhunë e mashtrime në Luftën e Madhe, - ia nisa më pikëllim. Zëri nisi të më dridhej. Shikimi i tij më thoshte të vazhdoja, ndërsa unë përpiqesha të isha më i përmbajtur.

- Nuk e dija që edhe ushtarët tuaj morën pjesë në luftën e Galipolit, - më tha po aq i befasuar. - Domethënë ata ishin në anën tonë?

–Morën pjesë dhe u vranë nga i pari tek i fundit, - ia përsërita si i përhumbur, – por nuk ishin në anën e askujt, ishin mish për top. - Zëri më vinte si nga fundi i detit, atje ku i hodhën ushtarët e vrarë shqiptarë.

-Si u futën në luftë atëherë, sepse ju nuk u deklaruat për asnjërën aleancë.

- Refugjatë shqiptarë që i braktisën vatrat e tyre nga masakrat serbe, kalonin javët e muajt nën qiellin e hapur, në djerrinat e Edrenesë. Autoritetet ushtarake turke nuk e patën vështirë t’i mobilizojnë. U thanë: serbët e rusët ia bëhen para Grykës së Dardaneleve, i frikësuan se do t’ua përdhunonin nënat e motrat para syve, po nuk e mbrojtën Çanakalanë. Burrave të frikësuar u dhanë armë e municion, pak ushqime dhe i futën në llogore. Asnjëri nuk doli gjallë. Vala tjetër e ushtarëve shqiptarë, që e plotësoi kontingjentin e shuar, erdhën nga shkretëtirat arabe. Ata nuk e kishin idenë për ngjarjet në atdheun e tyre, nuk e dinin se Turqia po shpartallohej, prandaj i futën në luftë pa u dhënë mundësi tjetër. Dhe u grinë nga plumbat e mortajat pa e marrë vesh as kundër kujt luftuan as pse luftuan. Turqia në aleancë me boshtin e krishterë (Austro-Hungari, Gjermani), luftonte kundër anglo-francezëve, po ashtu të krishterë, ndërsa turqve e popujve të tjerë që i kishin nën sundim, u thoshin se bëjnë luftë të shenjtë për islamin. Shqiptarët e mi luftuan e vdiqën kot, - i thashë me zemërplasje togerit austriak, pa qenë i sigurt nëse më kuptonte apo jo.

Nuk ia thashë se turqit kishin mëri të vjetra me shqiptarët. Asnjëherë nuk e harruan fyerjen që ua bëri Skënderbeu, as rezistencën e vazhdueshme kryeneçe gati deri në shfarosje të shqiptarëve. Prandaj, “shehidet” e Çanakalasë qenë të mirëseardhur: në njërën anë u bënë mish për top, në anën tjetër u merrej haku për turqit e vrarë në Shqipëri.

- Interesante qenka kjo betejë, - më tha togeri,- ushtria e Mbretërisë Britanike angazhoi ushtarët australianë, të cilët u vranë deri në një.

Instinktivisht nisa të shfletoja librin, që ma dha togeri, të qetësohesha nga pamjet e ushtarëve shqiptarë në Galipol. Më dhimbseshin edhe ushtarët australianë që ranë gërxheve. Druaja se do të rrëmbehesha ende me pësimet tona.

Kur nisa ta shfletoja librin, duart ende më dridheshin nga emocionet. Që në fillim më ra në sy periudha e nënvizuar. Ta ketë bërë për togerin, apo e dinte se libri do të më binte në dorë?

"Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë.... Arsyeja e kësaj në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca. ...Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit... Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, - fap-fap – i ekzekutonin.... Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tri mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe".

"Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra...”

Kështu shkruante kronisti turk. Ishte trimëri të ekzekutoheshin robërit e lidhur me zinxhir? Një raport i tillë më pështiroste. Dy herë u mata ta fërfëlloja librin, ta bëja copë e grimë, por prapë e përmbaja vetën. Pesëqind vjet na ndante nga kjo masakër. Vazhdova ta shfletoja për arsyen që më interesonte, por kronisti i sulltanit nuk shkruante për asnjë zhvarrim. Ai fliste për qytetin e djegur, për banorët që e braktisën qytetin në tym e flakë. Tri ditët e ushtarëve krijuan rrëmujë. Qyteti vazhdonte të digjej. Kronisti nuk e thoshte nëse u bë ndonjë dhunim varri. Megjithatë jashtë kësaj kronike, varri i Gjergj Kastriotit thuhet se qe dhunuar, eshtrat e tij u përhapën, aty ku shkuan ushtarët në pushtime e plaçkitje.

Shkëputesha nga tmerri i qytetit që digjej, me klithmën e grave e fëmijëve, që e mbushnin ajrin me lemeri. I kthehesha kronikës së Barletit me bëmat e lavdishme, por me fundin e pikëlluar. Sikur t’ua mbushte mendjen kronika e Barletit, osmanët nuk do ta nisnin një ekspeditë zhvarrimi. Athua patën informacione të fshehta, ose shpresonin se varri nuk ishte prekur. Ishte varri më i rëndësishëm e më i ruajturi në mbretërinë e arbërorëve. Mund të besohet që ushtarët e leckosur ta kenë gjetur me të parën? Doja ta besoja se ata më parë se varrin duhet të kenë kërkuar flori, argjend e plaçka të tjera me vlerë.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 18

Kronika e vitit 1478 pas Krishtit

“Turqit hapën treqind varre në qytetin e vjetër. Hapën varre në kështjellë. Ranë edhe në shtratin e lumit. Askund asnjë shenjë të kryevarrit. Disa nga hafijet turke u shpërndanë nëpër katunde, të veshur me rroba vendase: tirq e xhamadan, me qeleshe të bardhë në kokë. Ngjyra ezmere e fytyrës së tyre binte edhe më shumë në pah me kontrastin e bardhësisë së qeleshes. Me një arbërishte të shqepët, hafijet pyesnin e mbanin në mend. Ata gjithë kohën pyesnin për një varr, interesoheshin për ditën e varrimit. Pati kufomë apo nuk pati në sarkofagun e bukëshkalit. Shpërndanë flori, lajkatuan, premtuan, në fund kërcënuan. Nuk dihej të kenë vjelë ndonjë informacion për të qenë...”, shkruante prifti françeskan,atë Ndou.

“ Komisioni i zhvarrimit, ardhur enkas nga Kostandinopoja, nuk hoqi dorë nga kërkimi i mëtutjeshëm, as kur u shemb një pjesë e dheut përskaj katakombit. Befas doli zgori i madh i errët që dukej si gojë përbindëshi. Njerëzit mbetëm pa fjalë, gojëhapur, ushtarët turq murmuritën: "allah shpëtona!, "po shembet toka!" Por toka nuk u shemb, as u fundos. Njerëzit të zbehtë, meitë, morën veten. Turma e larmishme u largua e lemerisur. Në krye të komisionit të zhvarrimit qe caktuar pashai, i cili e udhëhoqi luftën për pushtimin e kështjellës. Edhe pas shembjes ushtarët e trembur nisën të punojnë si thneglat. Dikush me kazma, dikush me thika nga nxitimi. Kur i afruan kandilat, panë se gropa ishte e thellë. Dritat e kandilave përpëliteshin në të shuar, gjë që u dha shenja se gropa kishte metan.

Mermeri i bardhë në ngjyrë të hirtë ua lëbyri sytë. Disa u tërhoqën prapa.

” Zot na shpëto nga qoftëlargu!” se kush tha në gjuhën e vendasve. Të tjerët nisën lutje. Dikush urdhëroi të thirren xhenieret. Një grremç i fortë u vu si pykë në mes të kapakut e arkës së mortit për ta lëvizur. Kapaku lëvizte me gërvimë, një gërvimë rrëqethëse që të ngrinte gjakun. Njerëzit druanin se posa të hapej kapaku, nga brenda do të dilnin dyzet djaj. Këtë frikë e pikasi komandanti osman, prandaj urdhëroi me britmë: “Askush të mos zbythet, do t'ua heq kokën po u tërhoqët prapa”. Të gjithë shtangën.

"Ju vazhdoni punën!" u tha xhenierëve, duart e të cilëve dridheshin si atëherë kur nuk lëviznin, si atëherë kur përpiqeshin ta vinin në lëvizje kapakun e sarkofagut..

“Varri i zbrazët është shenjë e keqe”, mendonte komandanti. E kishte parasysh një raport të fshehtë që i erdhi kohë më parë. Të tjerët shihnin e lemeriseshin. Kishin dëgjuar për një varr të zbrazët, që u fut në legjendë. Askush deri tash nuk kishte parë varrë të zbrazët. Zhvarrosën e hapën dhjetëra varre nëpër gjithë territoret e pushtuara, gjithnjë i gjenin eshtrat e tharë, të bërë pluhur, por jo varr të zbrazët. Dikush lëshoi zë të thekshëm, klithmë të pakontrolluar. Ata që shihnin nga lart panë varrin e zbrazët.

“Largohuni!” urdhëroi komandanti. “Ma afroni bishtukun!” iu drejtua një xhenieri aty pranë. Përnjëherë disa drita ia ndriçuan hapësirën që ai kërkonte ta shihte. Varri i zbrazët i madh dukej edhe më i frikshëm.

“Allah!” thirri komandanti, “nuk është e mundur!” Nuk donte t’u besonte syve, ndërkaq para vetes kishte zbrazësi të madhe, të frikshme, zgor si në grykë të Ferrit.

“Vetëm një njeri i kaurit kishte dalë nga varri. Dhe atë qafirët e bënë Zot”, mendonte komandanti, pa ia thënë askujt asnjë fjalë nga këto që i shkonin nëpër mendje. Urdhëroi ta mbyllnin varrin dhe iku si i luajtur.”

Në fusnotën e librit, të cilin ma dha toger Hansi, shkruante se kjo pjesë për zhvarrimin e varrin e zbrazët nuk qe botuar kurrë. Para disa vjetësh e kishte gjetur një arkivist francez në Stamboll. Në fusnota tregohej se komandanti e mbaroi karrierën me këtë zhvarrim. Ku e gjeti fundi, nuk dihet. Flitej për një litar në qafë me arrëzën e qafës të thyer. Të tjerët thoshin se e gjeten me thikë në shpinë, jashtë fushëbetejës.

Ushtarët e xhenierët të pranishëm atë ditë të kobshme e morën me vete fshehtësinë e varrit të zbrazët, qysh natën e parë jashtë kazermës së qytetit. Kufomat e tyre lakuriqe dukeshin të frikshme në dritën e hënës. Fytyrën ua kishin shpërfytyruar, që të mos njiheshin.

Kronisti u gjet i vdekur disa ditë më vonë me dyshimin se bëri vetëvrasje, apo u rrëzua nga pezuli i dritares, nuk e mori vesh askush. Qafa e dredhur, nuk la shumë hamendje, por askush nuk e tha me zë. Fshehtësia e mbështolli zhvarrimin, kështu që askush nuk mori vesh, u gjet apo nuk u gjet i kërkuar në varr. Humbën gjurmët e kërkuesve, thuajse pse nuk e mbaruan detyrën , apo pse abuzuan me gjërat e çmuara për të cilat thuhej se ishin me bollëk në varrin e zbuluar. Mbase e tëra qe tullumbace për të fshehur diçka tjetër më të madhe”, supozonte përkthyesi i librit, duke e mbështjellë me mister edhe më të madh.

Pati hamendësime se ua drodhën qafën zhvarruesve, sepse i akuzuan për përdhosje të varreve e për plaçkitje, megjithëse askush asnjëherë nuk mbante në mend të jetë ndëshkuar ndonjë ushtar osman për plaçkitje e përdhosje të varreve të arnautëve.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 19

Testamenti

-Ata po e lypin vorrin e mbretit tonë, - se kush foli nga turma, ndërsa punëtorët bënin përpjekje të hiqnin kapakun e një varri të tipit të sarkofagut.

- Nuk asht e mundun, ata janë të kshtenë, s’duhet të çvarrosin të kshtenet,- psherëtiu një qytetar.

-Mos do t’i hedhin eshtrat në Dri si turqit, - fliste shoku i tij pranë.

- I shitoftë reja! - tha një tjetër.

Turma u acarua.

-Të tanë janë të njajtë, varrosin e çvarrosin në tokën tonë si t’ua kishte falë tata.

- Shët se togeri e kupton shqipen, - ia tërhoqi vërejtjen dikush, atij që mallkonte.

Rojat austriake bënë gardh rreth varrit të hapur. Punëtorët shtrënguan pajimet duke e futur dikush një hekur, dikush një qysqi në mes të kapakut e arkëmortit. Gërvima ua cingëriste nervat. Pos punëtorëve që dihatnin, ndërsa e shtynin kapakun, të tjerët shihnin të shtangur. Çfarë do t’u pillte nga ai varr i mistershëm.

Ashtu sikurse e paralajmëronte kronika e margjinave të librit, varri doli i zbrazët e i frikshëm. Pa asnjë kockë brenda tij, pllaka e lëmuar as pluhur nuk kishte. Punëtorët të skuqur nga vapa e fundgushtit e nga mundimi i hapjes së varrit me kapak të rëndë, mezi ngopeshin ajër. Zgori i varrit i këndelli befas, mund t’i përpinte. Ashtu i dukej Kolës, punëtorit më të ri që zbriti nga katundi për të punuar ca ditë. Ai pati marramendje. Sikur mos ta mbante shoku i tij pranë, do të binte në varrin e zbrazët. Prapa veshëve që i ushtonin dëgjoi klithmën e dikujt, kur i rrëshqiti këmba.

-Vorri i lëkundun lyp haraç! - tha dikush me zemërim.

Askush nuk u kthye të shihte kush foli. Togeri i largoi kureshtarët e punëtorët, duke u afruar buzë varrit. Gjysmën e trupit e futi brenda, shihte në zbrazësi dhe nuk donte të besonte se dy muaj punoi kot. Varri nuk e kishte askënd brenda. Ne të nuk ishte varrosur kurrë askush.

“Mos e hapa varrin mashtrues, ndërsa trupin e bartën gjetiu”, i shkrepi në kokë dyshimi që e brente kohën e fundit. Shikoi anash e lart, sikur kërkonte ndihmën e dikujt, kërkonte sqarime nga dikush, por nuk e dinte nga kush. Dikur më shkrepi. Togeri më kërkonte mua, ndërsa nuk më pikasi në turmë.

Më vonë kur e kujtoja këtë imazh, nuk më shqitej nga mendja fytyra e togerit në formë pikëpyetjeje.

“Testamenti? Ku është testamenti, nëse nuk është në varrin e tij? Kronikat në arkiva flisnin për një testament”, m’u duk se thoshin sytë e toger Hansit, ndërsa më shikonin për se kithi si ta kërkonte përgjigjen nga unë. Punëtorët e ndihmësi i tij vazhdonin të merreshin me varrin, ai shihte herë nga unë herë në zbrazësi.

Testamenti ishte fshehtësia tjetër e madhe që lidhej me Gjergj Kastriotin dhe varrimin e tij. Testamenti u bë objekt përflitesh, pëshpërimash, pikëpyetjesh, dyshimesh, në oborrin e mbretit nga bashkëpunëtorët e tij. Pikëpyetje enigmatike u bënë nga princat shqiptarë. Secili syresh priste testamentin dhe shpresonte ta merrte skeptrin, t’u printe shqiptarëve, por edhe të kurorëzohej mbret nga Papa.

Testamentin kërkonin ta dinin në Pallatin e Bosforit, donin ta dinin princërit e mbretërit evropianë. Me kë do të bënin aleanca e me kë do të përballeshin? Testamentin kërkonin ta dinin princat e vegjël të qyteteve italiane e Republika e Venedikut. Ata kishin zotërime në fqinjësi, druanin se më nuk do t’i kishin po u armiqësuan me arbërorët, sepse me turqit asnjëherë nuk ishin mirë, pavarësisht marrëdhënieve tregtare e mirësjelljes diplomatike. Asnjëra palë nuk e besonte tjetrën, ndërkaq letrat diplomatike i sheqerosnin me mjaltë e sherbet bakllavaje.

Po ta dinte përmbajtjen e testamentit Republika e Venedikut do të përcaktohej sesi të planifikonte a të bënte ujdi me turqit, duke i mbajtur afër arbërorët. Diplomacia e arbërorëve qe gjithnjë disi e prerë: ose me ne, ose me ata, meqë nuk kishin kohë për mëdyshje e diplomaci të pasigurta të dinakërisë venedikase.

Testamenti i Skënderbeut u fuqizua edhe më kur qytetet e Arbërisë nisën të binin nën pushtimin turk, njëri pas tjetrit. Çështja kush ishte trashëgimtar i organizimit të kryengritjes së përgjithshme - djali Gjergjit - Gjoni apo nipërit (Athua pati konflikte në mes të trashëgimtarëve të Skënderbeut se kush do të quhej zot i Shqipërisë?), cili oborr mbretëror e mbështeste njërin e cili tjetrin? Çfarë ofronte njëri princ e çfarë tjetri? Po Papa ku ishte në këtë piramidë?

Që në fillim i thashë togerit se testamenti më parë se në Vatikan s’mund të ishte askund tjetër. Mund të ishin ruajtur dy testamente të njëjta në vende të ndryshme. Testamenti nuk u bë mollë grindjeje për pjesën e Arbërisë që i rezistoi pushtuesit. Luftën e vazhdoi princi, Lekë Dukagjini, me zotërit e tjerë të Arbërisë. Testamenti mbetej tundim edhe për këtë arkeolog ushtarak, që zbriti në Lezhë për të gjetur varrin e heroit tonë, por e kërkonte edhe testamentin të cilin e vlerësonte po si ndonjë talisman të shenjtë që do t’i çpështillte shumë enigma historike e aktuale.

Shteti i tij qëndronte prapa pavarësisë sonë, madje qe faktori vendimtar. Kë duhej ta mbështeste Vjena? Kujt duhej t’ia kthente shpinën? Testamenti më dilte para sysh. Mbase edhe për Austro-Hungarinë testamenti qe me shumë rëndësi, sepse, meqë mori rol prijatar në themelimin e shtetit të ri shqiptar, donte të gjente një arsyetim të ri për ta fuqizuar tutelën dhe për të caktuar një mbret shqiptar. Elita politike nuk i përmbushte shpresat për udhëheqje të mirëfilltë. A mund t’u ndihmonte testamenti? Pse shpresonin se testamenti duhej të ishte në katakombe, sepse ata kërkonin me ngulm edhe në kalimet e fshehta të kishës.

Ndërsa mendoja për testamentin, të cilin oficeri i zhgënjyer austriak nuk e gjeti, megjithëse shpresonte se do ta haste së bashku me eshtrat e Skënderbeut, para sysh më dilnin pamje të natës kur u shpall vdekja e Skënderbeut, ashtu sikurse i lexova në pergamenën e Bibliotekës.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 20

17 janar 1468 vjet pas Krishtit

“E kujtoja ditën e zisë së pakufishme. Asnjëherë pikëllim më të thellë nuk e mbërtheu Arbërinë. Qyteti i Lezhjes e mbretëria e Arbërisë frymonin rëndë sikur po i vinte fundi botës. Shpërthyen vajet e gjëmat jo vetëm nga malësorët që zbritën në qytet, por edhe nga ata që ishin brenda kështjellës. Shtetrrethim. Ushtarët rrinin të ngrirë në të gjitha pikat e mbrojtjes. Lajmëtarët u dërguan në të katër anët me kumtin e zi, por edhe për të kërkuar ndihma. Armikun ia behu te dera. Zemërimi i tij kishte arritur në pikën e vlimit. Druanim për sabotime, ndërhyrje tinëzare. Lufta speciale së bashku me luftën në këmbë të bedenave nuk pushoi asnjëherë. Vegjëlia rrinin nëpër të gjitha rrugët e rrugicat, shihnin e nuk flisnin. Turma ishte shqetësuar.

Kolona e gjatë e dinjitarëve i shkonin prapa karrocës që e bartte trupin e mbretit. Anash ecnin kuajt e veshur me të zeza, me kalorësit e zymtë e të mbështjellë me pelerinë. Ata rrinin në gjendje gatishmërie si të prisnin goditjet e armikut. Qielli sa s’kishte rënë mbi qytet, aq shumë u afruan retë. Qielli paralajmëronte stuhi.

Në rendin e parë të dinjitarëve rrinte mbretëresha Donikë e trishtë dhe e shkëputur nga gumëzhima. Gjoni, princi i vogël, çapiste i përhumbur në këtë pështjellim të zi. Krah tyre princërit e dinjitarët e lartë të Arbërisë shtrëngonin nofullat, nuk bënin verë me gojë, ashtu të nxirë në fytyrë sikur të qe shkarkuar tërë qielli i murrëtyer e i zymtë i janarit mbi fytyrat e tyre. Të gjithë shikonin të pikëlluar e të frikësuar: kush do t’i mbronte? Kush do t’i udhëhiqte? Pyesnin pareshtur. Pamja e përhumbur ua thoshte atë që e ndienin. E ardhmja i frikësonte, e tashmja i zymtonte. Dëgjohej troku i kuajve dhe fërgëllima e tyre.

Gërvima e rrotave të karrocës që e bartte arkëmortin sikur i këndellte rreshtat e gjatë të kësolltarëve, përderisa ushtarët me qëndrim gatitu nderonin të vdekurin më të famshëm të Arbërisë. Kortezhi i zgjedhur hyri në katedrale, i zymtë. Disa ushtarë brenda rrinin të ngrirë në qëndrimin gatitu. Kortezhi bëri homazhe, duke u sjellë rreth kufomës së të vdekurit. Dolën nga katedralja edhe më të zymtë sesa kur u futën. Populli priste ndonjë fjalë, por askush s’bënte ballë t’u fliste, t’i ngushëllonte.

Varrim më të trishtë banorët e Lezhës e të Arbërisë nuk kishin parë. Qe më i trishti në historinë e arbërorëve. Ata po ktheheshin nga fushëbeteja pa mbretin e tyre...

Nga kufijtë vinin lajme shqetësuese. Lajmëtarët edhe në këtë zi shkonin e vinin të shqetësuar e të djersirë, kuajt u shkumëzonin, dërgonin e sillnin kumte. Lëvizjet e armikut vëreheshin në tërë vijën kufitare”.

17 janar, në mbrëmje

Hijet e rojave vijëzoheshin mureve të kështjellës së Lezhës. Muzgu e kishte pushtuar Arbërinë. Nata binte herët në janar. Qyteti dukej i vdekur. Dritë nuk shihej as në Pallat. Përtej kështjellës kalorësit shpejtonin të heshtur e të djersirë në terrin e natës. Pararoja u printe, i hapte rrugë kolonës më të ngadaltë që u vinte prapa. Një qerre me katër kuaj tërhiqte karrocën e mbuluar me mushama rrugës së vjetër, të rrahur nga kalorësit e këmbësorët që nga antika. Po të ngrihej mushamaja ushtarake do të shihej një arkëmort, për të cilën askush nuk dinte asgjë, por të gjithëve ua merrte mendja se kishte diçka të fshehtë, që më mirë të mos e dinin. U dhanë urdhër të ruanin karrocën me ngarkesën misterioze, ua caktuan vendin, ku do ta dorëzonin dhe u thanë me gjuhën ushtarake: mos pyesni as mos lypni sqarime të tjera! Kalorësit nuk e thanë asnjë fjalë, memecë u nisën, memec vazhdonin rrugëtimin. Memecëria i ndoqi gjatë gjithë rrugës. Karroca cijaste kur ndeshte në gurët e kalldrëmit. Kalorësit nuk ishin mësuar të ecnin kaq ngadalë, kuajt shpesh bëheshin të paduruar, por duhej të kalëronin ashtu sikurse i urdhëruan, në heshtje. Ishin përcjellje e pararojë e një ngarkese, do të luftonin deri në frymën e fundit po i sulmoi kush.

Françeskanët i shkonin arkëmortit prapa, të heshtur, të mbuluar kokë e këmbë me pelerinat e tyre të bruzta. Mbase vetëm ky grup më i heshtur se kurrë dinte diçka më shumë, a hamendësonte më shumë. Sa nga pesha e misterit, aq nga frika e së papriturës ecnin më të kërrusur e më të zymtë sesa të tjerët, që çanin terrin e natës për të kryer një urdhër. Fretërit shpejtonin hapin, në rresht dy nga dy pas karrocës, në heshtje luteshin pa pra për shpirtin e të parit të Arbërisë, mbretit të tyre, për natën e pasigurt të 17 janarit 1468 vjet pas Krishtit, dhe për Arbërinë, që lëkundej nga stuhitë e fuqishme të dimrit. Murrlani që frynte nga majat e alpeve i thante, herë-herë dridhmat ua përshkonin trupin. Pesha e misterit ishte sa pesha e arkëmortit, të cilin mezi e tërhiqnin katër kuaj të shëndoshë.

Asnjëri nga kalorësit nuk lodhej së menduari çfarë kishte në barrën që i prinin. Fretërve ua kishin bërë më dije se çka do që t’u thoshte mendja, duhej ta mbyllnin gojën, të mos ia tregonin të fshehtën e hamendësuar as varrit. Do t’i vinin dry gojës në këtë botë dhe në botën e përtejme, edhe nëse tundimi ishte i madh, sepse zjarri i Ferrit do t’i përvëlonte përjetë e mot.

Dridheshin kur e mendonin urdhrin e superiorit, hapnin sytë thuajse do t’u ndihmonte më shumë në këtë natë pa yje. Djalli mund t’i tundonte, t’ua kërkonte fshehtësinë. Hëna nuk i përshëndeti asnjëherë gjatë tërë rrugës. Hëna u tregua e pabesë gjatë gjithë kohës.

Kolona ecte e heshtur me arkëmortin më enigmatik dhe më të pazakonshëm që u rastisi ndonjëherë. Ndonjërit që i shkonte nëpër mend arsyeja e këtij rrugëtimi, e shtrydhte trurin që të kujtonte një ngjashmëri nga e kaluara. Nuk i kujtohej asgjë në kronikat kishtare, as në kronikat antike. Nuk u ndihmonte Dhiata e Re as Dhiata e Vjetër. Librat e shenjtë nuk flisnin për një arkëmort që e tërhiqnin katër kuaj, ndërsa një eskortë kalorësish u printe, në terrin e natës për të gjetur një varr të fshehtë, ku do të zbrazej fshehtësia tjetër.

Dy të fshehta do ta bënin misterin më të madh të shekullit e të shekujve në vijim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora