E marte, 19.03.2024, 07:24 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm (9-12)

E marte, 14.08.2018, 06:19 PM


Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 9

Gërmimet në hijen e luftës

Nuk e prisnim që dikush të anashkalonte Shkodrën për Lezhën. Për herë të parë dëgjohej kjo gjë. Superiori ynë nuk ndërhyri, ne të tjerët vetëm dëgjonim. Me gjithë përpjekjet e të parit tonë të mësonte diçka më shumë, kur nisi parashtrimi i pjesës praktike, toger Hansi nuk e thoshte se ku do të përfundonin objektet e gjetura: në Shkodër, Lezhë apo në Vjenë. Vazhdimisht e thoshte se do të hapnin një muze, vendin e muzeut e ngatërronte. Herë e përmendte Lezhën, herë Shkodrën, përnjëherësh bënte aluzione për Muzeun perandorak në Vjenë.

-Gjetjet arkeologjike nga Lezha do të zënë vend të denjë në Muze, - e vinte në pah, thuajse me këtë na bënte nder. Për ta davaritur atmosferën e pakëndshme me përgjigjet e munguara, ai fliste me entuziazëm.

-Më kanë mrekulluar armët e mbretit tuaj- na thoshte, duke e ndjekur reagimin tonë.

- I kam shikuar shumë herë dhe i kam studiuar me interesim të veçantë.

Superiori ynë e ndiqte në heshtje. Ushtaraku austriak përpiqej të na bindte në përkushtimin ndaj Skënderbeut. Dikur superiori ynë nisi të tregohej më i matur e më fjalëpakë. I tha që unë shërbeja në famullinë e qytetit, në kufi me katundet përreth, ku do të kthehesha pas disa ditësh, kështu që sa herë të haste në ndonjë vështirësi apo paqartësi mund të më konsultonte.

-Ne nuk përziheshim në punët politike e as në ato ushtarake, - i tha përgjegjësi ynë.

Mbase të bënte përshtypje, a të fitonte simpatinë tonë, e tha se ishte pinjoll i një familjeje të njohur vjeneze, si të donte të thoshte se edhe ai rridhte nga një familje në zë, duke e njohur psikologjinë tonë të familjeve të fisme, që po pakësoheshin gjithnjë e më shumë.

Togerit austriak i tregova se në Lezhë hulumtuan edhe më parë ushtri e aventurierë nga Perëndimi e Lindja. Nuk e dinim çfarë kërkonin e çka gjetën. Asnjëherë nuk u dhamë zemër, as nuk patëm mundësi t'i zbythnin. Prandaj, nuk e dinim çka zbuluan e çka mbetën pa zbuluar, përderisa kërkonin me ngulm.

Dita po jepte shpirt. E ftuam në darkë pas mbrëmësores, por togeri na tha se nxitonte të sistemohej. Nesër në mëngjes do të shihte terrenin e gërmimeve. Ne iu kthyem obligimeve tona, ai u nis me nxitim.

Hapat nëpër kalldrëmin e vjetër paralajmëronin një rregull të ri, të paparë deri atëherë. Arkeologu ushtarak do të hapte barkun e qytetit të vjetër të Lezhës, do të nxirrte nga toka e nuk do të fuste asgjë në të, ashtu sikurse bënin zakonisht ushtritë në kohë lufte. Ai do të fillonte nga varret antike.

Lajmi për çeljen e varreve të vjetra u përhap si rrufe në qytet. Të mësuar me zhvarrime e hapje varresh nga ushtritë që vinin e shkonin, prapë qyteti gumëzhinte. Sikur u mbetej hatri në austriakët, sepse ishte e pritshme një gjë e tillë nga ushtarët turq apo serbë, bie fjala.

“Qytetit do t’ia nxjerrin rropullitë”, se kush e tha me sarkazëm që u dogji të gjithëve.

-Çka duen?- pyesnin lezhjanët.

-Çka tjetër, pos arit e gjanave me vleftë të gjyshave tanë, - ia priste një i tretë, i ardhur nga katundi, sepse nuk kishte asgjë alla franga në trup. Tirqit, plisi e xhamadani e shquanin, opingat me toja i rrinin shtrëngueshëm në këmbët e mëdha.

Grumbullit të kureshtarëve e bjerrakohësve u fliste një i ri:

-Dojnë të stolisin muzetë e tyne me veprat tona, - u tha ai.

I riu studionte në Romë, ndërsa shquhej me veshjen karakteristike që dallohej nga veshja e vendësve. Unë përpiqesha t’i qetësoja që të shihnin punën e tyre, sepse s’mund të ndryshonin asgjë.

-Pader, nuk e thotë Zoti që të vijnë nga anë e anës e ta marrin mallin tand, - më tha një plak.

- Atë që nuk e thotë Zoti, e ban robi, - i thashë i dëshpëruar.

Plaku iku rrugës së vet, por të tjerët mbetën në grumbull. I druaja ndonjë rrëmuje, sepse austriakët për padëgjueshmëri ndëshkonin rreptë.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 10

Lezha e Shkodra shquheshin për qytetërimin antik e mesjetar

Qytetarët i moliste skamja, për ç’gjë më qaheshin sa herë më takonin. Pastaj ankoheshin për pasigurinë e plaçkitjet që nuk reshtën me gjithë masat e rrepta të forcave austriake, kur ja u doli një brengë tjetër. Ata ua dinin për nder austriakëve për rendin e disiplinën, për pakësimin e refugjatëve, sepse e dëbuan ushtrinë serbe që bënte masakra. Ndërtimi i xhadeve të reja disa zonave u hapi punë. Qyteti e vazhdonte jetën e njëtrajtshme, në ankth të vazhdueshëm. Ç’e ngryste nata, nuk e gdhinte dita.

Ekipi i hulumtimeve në krye me toger Hansin kishte nisur gërmimet. Hapën dy sonda: njërën në Kështjellë, tjetrën brenda qytetit. Kalova pa u dhënë të njohur, megjithëse me gërmime nuk bënin asgjë të keqe, kishin gërmuar ekipe arkeologësh e aventurierësh para tyre, do të gërmonin edhe pas tyre. Lezha, Shkodra e qytetet e tjera shquheshin për qytetërimin antik e mesjetar të vrullshëm. Por popullata sikur irritohej sa herë fillonin gërmimet. Gjithnjë druanin se po u merrej diçka e çmuar.

Të tjerëve u ndizej fantazia për flori, margaritarë apo gjëra që s’mund të mateshin me para.

“Një viç i artë është nën themelet e kështjellës”, u përhap thashethemnaja. Qyteti nisi ta besonte, gumëzhinte.

“Prandaj erdhën austriakët të përgatitur me të gjitha pajimet si askush tjetër”, thoshte tjetri më zë të ulët, që të mos e merrte mërinë e austriakut të sertë.

“Sigurisht ka edhe gjana të tjera për të cilat s’të shkon mendja, madje nuk i sheh as në ëndërr ”, ia priste i dyti.

“Gjithnjë asht fol për një thesar që s’e gjetën turqit, kur hynë në Lezhje”, vazhdonte lezhjani me imagjinatë të pasur. Tjetri e shikonte dhe hapte sytë me habi.

Vapa nuk e përfillte thashethemnajën e qytetit, as pakënaqësinë e qytetarëve, shtrëngonte me tërë zjarrminë e vet.

#

Vapa e mbërthente qytetin deri pas mesit të natës. Mejhanet mbusheshin plot qejfli. Sipër çative shpërndahej zëri melankolik i këngëtarit, një zë që nuk shquhej a ishte i burrit a i gruas. Të rinjtë i shtrëngonte diçka në gjoks nga malli e melankolia, të vjetrit nuk gjenin qetësi, ngase tërë pasditen e kaluan në dremitje. Nata i turbullonte, ua hapte horizontet e imagjinatës e të lektisjes. Djersinin nga vapa, por djersinin edhe nga ngarkesa e mishit, që u bëhej makth i padurueshëm. Mishi pastaj i nxiste në pije, shpërthime dhune e lapërdhari.

Flitej se ushtarakët austriakë sollën qejfet e tyret, kurse gjetën mejhanet turke, të cilat në pjesën e prapme gjithnjë patën gra që pasi rrotulloheshin me valle barkore, u shërbenin klientëve nëpër dhoma të ngushta, ku të zihej fryma.

Ditën vapa e gushtit e mbyste toger Hansin, derisa përpiqej të kapte hijen e fikut të vjetër. Bezja nën kapelën ushtarake nuk e mbronte nga vapa si një vit më parë në Afrikë, ku mezi e shpëtoi kokën. Lagështia e ajrit ia zinte frymën.

Argatët punonin me ngathtësi me kazmat në dheun me gur e mbeturina të shtresuara. Ai shihte i shpërqendruar, punëtorët gërmonin e shikonin diellin që u binte sipër si saç prushi. Gushti i zuri në pikun e punës. Gërmonin në një territor të gjerë të qytetit e të kështjellës. Punonin në dy terrene jo shumë afër njëri-tjetrit. Çdo gjë e bënin me nxitim të ethshëm. Megjithatë sondat nuk zgjeroheshin shpejt si puset e ujit, apo guroreve.

Nisa ta vizitoja kohë pas kohe për kureshtje, por edhe për informacion. Të gjithë flisnin për këto gërmime, duke i komentuar në mënyra të ndryshme. Ne edhe pse kishim ca dyshime, superiori i pati premtuar se do ta gëzonte mbështetjen tonë morale. Togeri ishte i këndshëm në bisedë, i shtruar në debate. Asnjëherë nuk e ngrinte zërin kundër vartësve të vet, apo kundër punëtorëve, të cilët punonin të shkalafitur nga dielli.

- Gërmimet nuk janë si puna e xhadesë. Pse nxitoni? - e pyesja i habitur.

- Koha e mirë nuk do të zgjasë deri në pakufi. Është luftë kudo, - ma kthente si i zënë në faje.

-Në situata të tilla mund të dëmtosh sende me vlerë.

-Por në nxitim gjithashtu mund tët gjesh gjëra me vlerë, - ma kthente i entuziazmuar që e gjeti mënyrën të më kundërvihej.

Pastaj u ktheheshim çështjeve të tjera. Asnjëherë nuk u iknim temave kryesore: luftës, gërmimeve dhe fatit të ushtarëve. Ai ofshante. Më tregonte se e ndiente veten mirë që e larguan nga Afrika, ku çdo gjë ishte ndryshe: njerëzit, vapa, dunat e shkretëtirës, fatamorgana dhe vdekja e papritur që të vinte në mënyrë banale, nga një akrep, nga një rreze dielli që të binte në kokë, nga plumbi i vendasve.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 11

Qetësia në Lezhë ishte e kundërt me skëterrën në pjesët e tjera të Evropës

Vera ishte e padurueshme edhe në Lezhë. Ushtarët që kujdeseshin për rendin në qytet, endeshin të shkalafitur nga vapa, në marshimin nga kazerma e kështjellës deri te hyrja kryesore. Qyteti i vjetër kotej përgjumshëm. Pas mesit të ditës pakkush endej rrugëve, ndonjë katundar që e zinte dita në qytet, ndonjë çirak që nxitonte diku, plaku që i tërhiqte këmbët zvarrë. Ndërkaq, gjinkallat të shurdhonin me këngën e tyre të njëtrajtshme.

Nga hija arkeologu i ri me uniformën e ushtrisë austro-hungareze, shihte terrenin e hulumtimeve, maste me sy horizontin e turbulluar nga pamjet si shajnitë në shkretëtirë, duke fshirë djersët me bezen që e nxori nga kapela ushtarake. Ndërsa u akomoduam në dy karrige portative, ai nisi të më shpjegonte për pritjet dhe ato që kishte gjetur.

-Fillimi i hulumtimeve premtonte. Gurët mbi varre edhe pse herë-herë të thyer e të dëmtuar, nxirrnin në pah varre princore, kisha të vjetra e grumbuj mbishkrimesh të familjeve aristokratike, - m’i shpjegonte sukseset.

Me ato që gjente mrekullohej, atë që nuk e thoshte, e merrja me mend. Emblemat e disa familjeve në zë, në muret kishtare, vetëm sa nuk i thoshin: ja këtu është edhe kryevarri. Por, unë e dija se për asnjë çmim nuk do të ma pranonte synimin përfundimtar. Më tregoi se një herë kur ranë në gjurmë të stemës familjare të Kastriotëve, ndihmësi i tij, tetari Stipe, u entuziazmua tej mase. Togeri mbahej më mirë, prandaj kërkonte vetëpërmbajtje edhe nga vartësi i tij. Tetari hidhej në gropën katrore, të hapur dy ditë më parë, ku dilte në pah skeleti i një kishe paleokristiane. Niste të m’i shpjegonte pozicionet e brendësisë. Kur shpaloseshin gjëra të këtilla, tetari fshinte terrenin me dorëza e daltë, duke i larguar argatët që ende mbanin kazmat në duar, thuajse do t'ia rrëmbenin gjënë e çmuar.

Oficeri austriak sa i afrohej gropës katrore, jepte këshilla, e rrotullonte në dorë një copë qeramike të gjetur e vazhdonte tutje. Më shumë sesa vapa e brengoste ngadalësia e hulumtimeve. Gërmimet pushonin vetëm të dielave. Muret e kalldrëmet e qytetit të rindërtuar, flinin mbi gërmadhat e qytetit të vjetër. Ajo që e kërkonin sesi u ikte, nuk e kishte të qartë as toger Hansi, as tetar Stipe. Nuk ma thoshin, por e kapja nga pritjet e shpresat e vazhdueshme.

Qetësia në Lezhë ishte e kundërt me skëterrën në pjesët e tjera të Evropës. Ishte viti i tretë i betejave me të përgjakshme. Në Perëndim të kontinentit bëhej kërdia. Në Galici ushtarët vriteshin si mizat. Të dy ushtritë e armiqësuara qenë mbërthyer nëpër llogore pa bërë asnjë hap para as mbrapa. Ushtarët e mobilizuar i mbyste lluca, gazi e granatat, pa e shkrepur plumb. Në Shqipëri luftë nuk kishte. Ushtrisë austro-hungareze askush nuk i rezistoi në Gadishullin Ilirik. Për t’iu shmangur bisedave për fronin e Lindjes, toger Hansi me rrëfeu për hyrjen e tij në vendin tonë:

-Kur i kaluan Alpet shqiptare, nuk ndeshën askund qëndrim armiqësor të vendësve.

– Viteve të fundit këtu u zhvilluan luftime të rrepta. Njerëzit u lodhën nga lufta. Ushtritë ndërroheshin shpesh. Futej një ushtri, bënte kërdinë, e pastaj tërhiqej. Vinte ushtria tjetër po aq e egër, mësynte armikun imagjinarë, që tashmë ia kishte mbathur, ndërsa digjte katundet e vriste popullatën civile, -ia sqaroja gjendjen në mënyrë telegrafike.

- Dikur se nga shkonin ushtarët, askush nuk e dinte, si t’i lëshonte toka. Kur s’kishte ushtarë të huaj, mbinin nga toka rreckamanë e bashibozukë vendës, që u binin në qafë katundarëve.

Pa dashje ia pranova se me ardhjen e austriakëve sikur u qetësua gjendja, me gjithë vjedhjet e hajdutëritë.

Ato ditë i bëja shoqëri kur me dilte kohë. Uleshim skaj gropave të gërmuara, në cepin e ndonjë varri. Në fillim të njohjes, kur ia pata thënë emrin tim, ai më pa me habi.

- E paske emrin e njëjtë me mbretin tuaj.

-Të parët e mi ishin ushtarë të Gjergj Kastriotit, prandaj më pagëzuan që ta përtërinin kujtimin për bëmat e tij, - ia thashë i qetë. - Por unë iu kushtova Zotit.

-Ti zgjodhe paqen në vend të luftës, - më tha.

-Unë zgjodha misionin t'ua ndriçoja mendjen e shpirtin bashkëkombësve të mi.

- Sigurisht, sigurisht, ishte vendimi juaj. Kam lexuar që ju françeskanët e mbajtët gjallë emrin e heroit tuaj. Të gjitha kronikat më të vlefshme janë shkruar nga skota juaj.

-Emrin e kujtimin për të e mbajtën gjallë shqiptarët. Priftërinjtë i shënuan bëmat e biografinë e tij, i plotësuan, duke iu kundërvënë atyre që synonin ta përvetësonin, ta përdhosnin me shpifje e përbaltje, -ia ktheva, më duket me patetikë e paksa i zemëruar, thuajse edhe ai ishte njëri nga përvetësuesit e kombësisë së mbretit tonë.

Më pa me habi. Një buzëqeshje e lehtë iu përvijua në buzë. Unë me të njëjtin zë vazhdova:

- Ishte detyra jonë para Zotit e para popullit ta freskonim kujtimin për të është heroi ynë më i madh.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 12

Hartat e arkivave të Petrogradit

M’u duk sikur prapë e thashë me rrahagjoks. Flisnim gjermanisht. Ai me bënte lajka për shqiptim të mirë të gjuhës së tij. Nuk isha i sigurt e bënte nga mirësjellja, apo e kishte me gjithë mend. Shërbeva disa vjet në tokat perandorake nga Dalmacia deri në Bosnjë. Predikoja herë në një dialekt sllav, herë në një tjetër. Gjermanishten e mësova në kolegjin e Propagandës Fide. Ndonjëherë i flisja për vendet ku shërbeva, për klimën e butë mesdhetare.

Me tetarin kroat, Stipe, po ashtu bënin biseda në gjuhën e tij. Ai ishte besimtar më i devotshëm sesa togeri. Vinte shpesh në kishë. Meshën shqip nuk e kuptonte, por lutej në gjuhën e tij. Një herë më tha me entuziazëm:

- E dini padër, një fazë të veprimtarisë sonë patriotike e atdhetare e patëm quajtur Lëvizje Ilire. Patëm tendenca ta përvetësonim edhe heroin tuaj Gjergj Kastrioti.

-Për lëvizjen ilire diç kam dëgjuar, por për përpjekjet e përvetësimit nuk ishit të vetmit. E di se Frang Bardhi ynë i qe kundërvënë një prifti tuaj nga Bosnja. Ju më duket nuk këmbëngulët shumë në pronësinë mbi mbretin tonë. Të tjerët u bënë shumë më agresivë. Vetëm se u digjte kur mësonin se Skënderbeu e ndëshkoi popullin që synonte ta përvetësonte, sepse bashkëpunuan me osmanët.

Qeshëm. Unë bëra mirë që nuk u rrëmbeva të lavdëroja si vëllezërit e mi që përgënjeshtruan aq herë dhe aq shpesh përvetësuesit e heroit tonë.

Në bisedat, të cilat rrëshqisnin edhe në politikë, u tregoja për mizoritë e ushtrive serbe e malazeze.

-Ata i përdhosën varret tona. Prishën e dëmtuan monumente të vjetra, punonin pa asnjë sistem gërmimesh. Në vend të daltave përdornin qysqitë, thuajse thyenin gurë për xhadenë, - i thashë tetarit Stipe, por më dëgjonte edhe togeri.

Nuk i thashë se ekipi i austriakut këmbëngulës ishte ndryshe. Por, nëpër mendje më sillej sikur edhe ai qëllimin final e kishte të njëjtë. Përpiqesha ta fusja në ndonjërën nga kategoritë e atyre që rrëmuan nëpër këto varre.

Togeri aristokrat nuk ishte plaçkitës, nuk mund t’i thuhej as aventurist. Plaçkitësit e varreve kërkonin thesare, arkeologët ushtarakë kërkonin gjëra të rralla, donin të përfitonin nga madhështia e personaliteteve të huaja, duke ia shtuar kurorës së tyre edhe një margaritar, ashtu sikurse mbreti i fuqishëm kërkon gurët më të çmuar për kurorën e vet. Të dyja palët kërkonin me babëzi, njëra natën, tjetra ditën, pa u kujdesur se mos i dëmtonin shtresat e caktuara, të cilat nuk qenë në pikëvështrimin e tyre, ose se mos po ua rrëmbenin thesarin të pushtuarve.

Më dilte parasysh pamja kur ushtarët rreckamanë të Serbisë mbanin në dorë një hartë ushtarake, ndërkaq prifti i tyre seç u tregonte dhe, ata me kazma e qysqi, copëtonin varret si gurët për trase rrugësh. Nuk e fshihnin që kërkonin varr të veçantë. Nuk e thoshin të kujt.

Arkeologu ushtarak e shtrëngoi buzën me dhëmbë, ndërsa i tregoja mizorinë e dëmtimit të qytetit të vjetër.

Oficeri i ushtarëve rrjepacakë, një vit më parë, tregonin lezhjanët, u thoshte vendësve se ata punojnë sipas ca hartave të arkivave të Petrogradit. Pse nxitonin askush nuk e merrte vesh. Zbulonin e mbulonin katakombe dhe nxirrnin në sipërfaqe çka do që u dilte para. Banorët betoheshin se morën shumë thesare kur ia mbathën. Ishim po ashtu të sigurt se nuk e gjetën atë që e kërkonin. Pastaj koha nuk u dha mundësi të prishnin varre edhe më. Ikën me kazma e me pushkë mbi supe, duke bartur në shpinë trasta të mëdha si të lypsarëve. Morën me vete vjetërsirat që i nxorën nga katakombet, nga kishat apo plaçkat që ua merrnin vendësve, kur futeshin nëpër shtëpi.

I mësuar me vdekjen, prapë pikëllohesha kur i rrëfeja për vuajtjet e vendësve. Pastaj kohë të gjatë rrinim pa biseduar. Herë-herë i ktheheshim lashtësisë.

-Në shkollën tuaj nuk i keni mësuar këto gjëra apo jo?

-Leximi i kronikave të vjetra të mëson shumë gjëra. Më rrëmbente periudha e bëmat e mbretërve ilirë, apo princave të Arbërisë, - i thashë për t’ia plotësuar informacionin, sepse studentët e fakulteteve laike kishin paragjykime për studimet tona fetare. Ishin të sigurt se ne, pos librit të shenjtë, nuk studionim asgjë tjetër.

Kur i flisja për luftërat e Gjergj Kastriotit, ai nuk bëzante, vetëm më shikonte. Austriaku dinte për këto beteja. Legjendat lokale e mrekullonin. Jo rrallë më thoshte se i mbante shënim të gjitha ato që i dëgjonte nga unë, apo nga ndonjë plak që ulej dhe i rrëfente me nge, duke e shikuar me dyshim: është yni apo i tyre!

Togerit i interesonte mesjeta. Mendja ia thoshte se të gjitha fshehtësitë e kësaj periudhe ishin në arkivat e Vjenës a të Vatikanit. Kryevarri nuk përmendej asnjëherë, as në fjalitë me dy kuptime. Kryevarri qëndronte në mes nesh gjatë gjithë kohës.

Kur binte fjala për qytetin e Kuvendit të Arbrit, ai më thoshte se nuk i ngjasonte qytetit të kohës së Skënderbeu, ashtu si e kishte imagjinuar. Me të shkelur nëpër kalldrëmet e vjetra, ushtaraku austriak më tha se ndjeu diçka të trishtë, sikur e patën harruar e braktisur këtë vend kohë të gjatë. Përnjëherësh mësyjnë nga të gjitha anët me kazma e lopata për t’ia nxjerrë rropullitë. Diçka e shtrëngoi në gjoks, ndryshe e mendoi e ndryshe i doli.

-Qindra vjet e gërryen nga të gjitha anët, qindra vjet e përdhosën qytetin e princave, ndërsa qyteti befas zgjohet nga përgjumja, banorët lëviznin ngathët, sikur të këndelleshin nga narkoza. E ke hetuar se njerëzit që bredhin rrugëve sikur nuk janë ata të dikurshmit, shtatgjatë e kryelartë, ashtu i imagjinoja gjithnjë, - më fliste, ndërsa në fakt sikur i fliste zëshëm vetes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora