E marte, 19.03.2024, 10:03 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm (7-8)

E marte, 07.08.2018, 07:19 PM


Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 7

Shpata e Skënderbeut

-Secili e ka riskun e vet, nuk mund të bësh asgjë kundër kësaj,- më kthehej ai, sikur donte të më ngushëllonte. Pastaj heshtnim, sepse nuk gjenim fjalë ngushëlluese.

Ngashërimi më mbërthente, kur i shihja se si rropateshin njerëzit. Zgjoheshin me të aguar, bridhnin gjithë ditën poshtë e lart nëpër qytet, merrnin e jepnin, ndërsa në mbrëmje ktheheshin të dërmuar në shtëpitë me çati të ulëta e dritare të ngushta të errëta.

Të tjerët rrinin me vesh në krah, në përgjim të krismave e të lëvizjeve të ushtrisë. Ndonjëri rrëmbente dyfekun e vjetër, merrte strajcën me ushqime dhe ia mësynte malit. Ata që silleshin nëpër qytet, kur i takoja në rrugë a në kishë, përpiqesha t’ua ngrija moralin, e megjithatë ata po i humbnin shpresat edhe në botën e përtejme, sepse nga kjo botë s’prisnin asgjë. Ndonjëherë, larg nga të tjerët, më mbërthente dëshpërimi.

-Zoti është tepër larg e nuk na dëgjon. Asnjëherë nuk na ka dëgjuar, - ia thosha ndonjë blasfemi çapraze atë Rrokut. Me të mbaruam kolegjin në Romë, disa vjet më parë.

-Nuk e dimë cila është vullnesa e Zotit, mos blasfemo, - më tha ai më përdëllim.

Atë Rroku ishte më i përkorë, mbase në këtë mënyrë përpiqej të ngushëllonte veten, sepse më drejtohej në një mënyrë sikur të fliste me besimtarët, të cilët zakonisht e kërkonin mbështetjen tonë. Këto biseda ishin të rralla, mbylleshin ende pa u shpalosur mirë, sepse binin ndesh me përkushtimin tonë. Më vinte të qaja kur i shihja në këtë gjendje burrat e gratë.

Ngjarjet zhvilloheshin në mënyrë dramatike, ato e shkelnin njëra-tjetrën, ashtu sikurse i binte sipër një ushtri tjetrës.

Hyrja e trupave perandorake të Austro-Hungarisë nuk dukej e papritur. E papritur qe hyrja paqësore e një ushtrie në Shkodër. Ata nuk e bombarduan qytetin me artileri të rëndë, nuk e munduan me uri popullatën pas një rrethimi të gjatë, nuk kërkuan pengje as nuk dhanë ultimatume: u futën në qytet si të qe gjëja më e zakonshme në rruzullin tokësor, sikur këtë gjë ta kishin pritur të gjithë. Banorët mërziteshin nga ushtritë që futeshin e ia mbathnin duke lënë gjurmë me tymin e blozën, me të vrarë e të plagosur.

Me t’u futur trupat e Franc Jozefit, legatat e shumta e përshpejtuan aktivitetin spiunor. Me vesh të mprehur ndiqnin çdo lëvizje të kundërshtarit: austriakët përgjonin rusët, rusët ndiqnin lëvizjet e francezëve, francezët kapsallitnin sytë në përgjim të gjermanëve e austriakëve, kurse turqit shihnin seri e pëshpëritnin të përgjumur “allah-allah!” Ata po humbnin çdo gjë në këtë qytet, pos shpresave të vakëta se një ditë do të ktheheshin triumfalisht, me zjarr e me hekur. Përderisa të tjerët po i forconin pozitat në Shkodër e në Shqipëri, nipërit e osmanëve po e shkëpusnin çdo lidhje më ish të pushtuarit, pos ndonjë hafije të paguar, që bridhte nëpër Shqipëri, me shpresën se prapë ndonjë grup rrënimtarë do të përvëlonte vendin dhe do të kërkonin babën.

Kur e shikoja këtë rrëmujë nga frëngjitë e Kuvendit Françeskan, më bëhej sikur një saç të madh na e vunë sipër e na piqnin, kurse ne herë kërcenim të përcëlluar si zorra në prush, herë lëviznim me ngathtësi sikur të kishim mbaruar. Askujt nuk i bëhej vonë për vuajtjet e popullatës. Të varfrit bëheshin edhe më të varfër, nëse kishte kufi të varfërisë, një grusht pasunarësh mbufateshin me tregti e spekulime. Nuk u bëhej vonë kush futej e kush ia mbathte, ata i mbushnin depot e fshehta me drithë, duke i shitur me çmime të larta, kur e mbërthente uria qytetin.

Armata e refugjatëve nga Kosova e nga periferia e tokave shqiptare shtohej çdo ditë. Sikur nuk mjaftonte kjo rrëmujë e ky mal intrigash, në Pazarin e Vjetër të Shkodrës, në vend të mallrave të munguara, shiteshin stoli antike, gur të vjetër me mbishkrime mbi varrëzore në latinishte e ilirishte. Tregu i Shkodrës u bë tregu më i madh i antikave në Evropë.

Në rrugicat e errëta u farkua një shpatë e shkurtër, për të cilën u hap fjala sikur ishte shpata e Skënderbeut. Zyrtarët e legatave të huaja u alarmuan jo për vërtetësinë e shpatës, por nga frika se rivali do t’ua rrëmbente para sysh. Prandaj, secili donte një ekzemplar, megjithëse dyshonin në origjinalitetin e shpatës së farkuar. Secili që e blinte, e merrte garancinë se kjo qe e vetmja në botë.

Legata turke hapi fjalë: shpata që ekspozohej në Vjenë ishte e rreme. Po cila qe shpata e vërtetë? pyesnin diplomatët e skandalizuar. Thashethemnaja turke përmes hafijeve thoshte se të gjitha shpatat e armët e bukëshkalit i morën në kryeqytetin osman për t’i bërë skrap për gjyle topash.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 8

Në Kuvendin e Françeskanëve

“S’mbeti asgjë nga ai”, pëshpëritnin rrugicave të ngushta të qytetit nostalgjikët e Baba Dovletit. Për herë të parë thoshin, me pëshpërimë, se edhe varrin e Gjergjit të arnautëve e bartën në kryeqytetin e tyre. Megjithatë, këto pëshpërima u morën me rezerva. Por blerësit e antikave, ranë pre e mashtruesve të rryer vendës. Shpata e farkuar ato ditë u shit sa çel e mbyll sytë si simitet e nxehta në furrë.

Fshehtas vazhdonin hyrje-daljet nga dyert anësore të legatave. Korrierë a spiunë shkonin e vinin nëpër Shqipëri: blinin e rrëmbenin gjëra të çmuara, i fusnin brenda godinës së tyre, pastaj i nxirrnin me vulën e legatës. Rropullitë e Shqipërisë nxirreshin në ankand, ashtu sikurse nxirreshin gjymtyrët. Dikush shkëpuste një copë mëlçi, tjetri nxitonte të merrte copën e një veshke. Në këto zyra larg syve e veshëve të opinionit bëheshin marrëveshjet për shitjen e blerjen e territoreve, këmbeheshin e huazoheshin spiunë, skicoheshin plane për sulme e mbrojtje.

Nëpër kuluaret diplomatike thuhej se turqit e shitën rrjetin e spiunëve në Gadishull, duke ua dorëzuar solemnisht serbëve, ashtu sikurse ua dorëzonin me solemnitet territoret. Dhe për kompensim morën garanci: Serbia do t'u dërgonte kontingjente të popullatës shqiptare sa herë t'u duhej turqve mish për top; Serbia merrte obligim të shpërngulte shqiptarë kur lypej popullatë e re për t’i plotësuar shkretëtirat e Anadollit. Shqiptarët e shpërngulur i vendosnin në mes të turqve e kurdëve.

#

Me gjithë lëvizjet në ethe të legatave, rrjetit të spiunëve e grupeve për organizimin e turbullirave, që nga mëngjesi pritej hyrja e trupave të freskëta të ushtrisë austro-hungareze. Edhe sa ushtri do të futeshin e do t’ia mbathnin? Lusja Zotin që kjo të ishte ushtria e fundit. Por Zoti bënte punën e vet, na ndëshkonte për mëkatet që nuk i dinim, më mbushej mendja se na ndëshkonte pa të drejtë. Sa herë e mendoja këtë blasfemi bëja kryqin dhe i kërkoja të falur Hyut.

Trupat u futën në Shkodër nga Ulqini, duke vazhduar tutje drejtë Jugut. Parakalonin nëpër kalldrëmin e vjetër, në formacion solemn me ushtarë, armatim, kuaj e mushka. Zejtarë e çirakë i prisnin para dyqaneve, si t'i kishte urdhëruar dikush. Kalimtarët e rastit ngjisheshin për muret e ulëta që t'ua lëshonin rrugën.

Ushtarët e kapardisur e shtatgjatë nuk e shikonin askënd. Ndryshe nga ushtritë e shumta që parakaluan viteve të fundit, secila më rrjepacake se tjetra, austriakët dukeshin të ushqyer e të mbajtur mirë. Lodhja e pluhuri ua mbulonte fytyrat e ashpra, të ashpërsuara edhe më nga dielli e era.

Ndërkaq, në qytetin buzë liqenit lodhja nga lufta ndihej kudo: në fytyrat e hutuara të shkodranëve, në rrugicat e kalldrëmit të ciflosur nga gjylet e topit, në magazinat e ringritura, ku prapë nuk hiqej bloza e djegieve e zbrazësia e depove të plaçkitura. Ushtrinë që u fut në qytet e udhëhiqte majori me mustaqet spicë e fytyrë të rreptë, i zymtë e i zemëruar, sikur donte të grindej me retë që notonin të holluara në qiell.

Për habinë e të gjithëve një grup ushtarësh u shkëput nga kolona dhe u drejtua nga Kuvendi i Françeskanëve. Më vonë mora vesh se ushtaraku quhej Hans Valdhajm, toger. Tetari që e shoqëronte, kur m’u prezantua ma tha emrin Stipe Kramariq, vinte nga Kroacia. Nga biseda e përzemërt, sepse nuk ishim mësuar që ushtarakët të silleshin me korrektësi ndaj nesh, kuptuam se ai erdhi me një mision të veçantë, të shenjtë sikurse thoshte: do të bënte hulumtime arkeologjike. Donte të nxirrte në sipërfaqe të kaluarën e lavdishme të shqiptarëve nga antika deri në mesjetë, vazhdonte të parashtronte misionin e tij.

Ai fliste i entuziazmuar e me pasion, gjë që na bëri përshtypje, sepse dukej e pazakonshme që ushtarakët të na flisnin për arkeologji.

Nuk kishte shumë kohë që nëpër Shkodër e Lezhë kaluan dy arkeologët e njohur austro-hungarezë, të cilët bënë hulumtime në një terren të gjerë, duke nisur nga Mali i Zi, Kosova e Shqipëria Nga informacionet që kishim, hulumtimet e tyre u përqendruan në antikën ilire, pa e paragjykuar vetëm një qytet. Megjithatë, dy arkeologët hulumtuan e nxorën objekte të shumta antike në Lezhë, pastaj kaluan në Durrës, duke u kthyer rrugës së vjetër në Prizren, Pejë e Istog.

Oficeri austriak ndryshonte nga ta. E shquante oratoria, fjalori paksa i ngarkuar me zhargonin ushtarak, por nuk i mungonin njohuritë e thelluara për Shqipërinë e shqiptarët.

Superiori ynë e shihte me interesim gjatë tërë kohës, ndonjëherë ia tumirte fjalët, kur duhej ia plotësonte informacionin. Togeri austriak ndiente simpati për shqiptarët, e njihte jetën e bëmat e heroit tonë, Gjergj Kastrioti, si pakkush tjetër. Kjo na e përkëdhelte sedrën, na bënte të ndienim simpati ndaj tij. Por, kur e përmendi Lezhën, mbetëm gojëhapur. Shikuam njëri-tjetrin: e tha vërtet se gërmimet do t’i niste në Lezhë apo e dëgjuam gabim? Ai si për të na e hequr çdo dyshim e përsëriti edhe një herë: qytetin Lisus. Mbetëm gojëhapur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora