E hene, 14.06.2021, 06:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Albana Lifschin: Kostumi blu

E marte, 19.06.2018, 07:51 PM


KOSTUMI BLU

-Tregim-

Albana  M. Lifschin, NY, USA

Ai mbante zakonisht një kostum blu, këmishë  të kaltër dhe një kollare blu.Vinte nga nje qytet i vogël dhe kishte hyrë në mjediset e kryeqytetit me qëllimin e ftohtë për t’iu bashkuar  elitës .

***

Eva qëndronte ulur  në stolin e gurtë buzë detit. Dita qe në mbylljen e vet dhe ajo po shijonte momentin me të bukur të saj: kredhjen e Diellit në det.

Ai  qe ulur në stolin pranë saj, pasi kishte hapur më parë mbi të një shami të pastër, dhe kishte kohë që fliste. Duket kishte ruajtur zakonin e të folurit shumë, që nga fakulteti. Qenë bërë dhjetë vjet a më shumë, që s’ishin parë dhe  ajo s’e kishte ndërprerë. As kur  ai i kishte thënë që tek ajo e kishte sjellë letërsia. Nuk e kishte ditur që Eva shkruante. Madje një libër të saj e mbante në sirtarin e kabinetit, meçelës.

“Me çelës? Qe habitur ajo. S’kishte menduar kurrë që një gjë të tillë mund të  ndodhte tek një mashkull. I qe kujtuar adoleshenca e saj, kur librat e verdhë i fshihte nën jastek që të mos ia zbulonte  vëllai i madh.  I trembesh pyetjes “Ti, lexon libra me dashuri?!

Kohë të shkuara.

Ajo ktheu kokën nga ai. Zot, ç’kishte letërsia e saj për t’u mbyllur me çelës? Mos nuk donte t’ja shihte gruaja?

-Sinqeriteti, -tha ai, sinqeriteti është sekreti më i madh. Ai mbahet me çelës, kurse ti ia shfaq botës, falas. Pse e bën këtë? Kjo është e rrezikshme. A e di që njerëzit paguajnë detektivë për të ditur se ç’mendon tjetri? Kurse  ti, ti…ti nuk i di rregullat e lojës, Eva.

***

Me Mondin ishte njohur në fakultet tek korpusi qëndror. Qe një djalë që binte në sy,  simpatik, gjithnjë  i pastër, i rregullt, serioz. Vajzat e pëlqenin, por i qëndronin larg se ai mbahej si “i sërës” dhe kishin vënë re që i pëlqente shoqëria me ato të “bllokut”.  Ndryshe nga ato, Eva nuk kishte asnjë aspiratë për romancë me të, ndaj komunikonte lirisht. Veç kësaj, me shokët nuk binte dot  në dashuri. ‘Në dashuri biem me të panjohurit. Ata që i njohim, nuk i dashurojmë”.  Kështu kishte lexuar diku dhe i dukej sikur autori e kishte shkruar pikërisht për të. Pas fakultetit Mondi qe emëruar në një institucion qëndror dhe  kishte filluar të angazhohej në shtypin e kohës si opinionist. Kaq kishte ruajtur në kujtesë Eva pas pas ardhjes  nga Suedia për pushime. Kur  u ndesh ballë për ballë me të në bulevardin e madh, vuri  se ai kishte shtuar disi në peshë dhe thinjëzat e para në tëmbëla e bënin më  tërheqës . I qe përgjigjur me kënaqësi ftesës së tij për kafe në një nga lokalet luksoze të qytetit. Të dielën e asaj jave ai e kishte ftuar të hanin një drekë në Durrës. Kishte makinën e tij . Kishin ndaluar tek Torra, dhe ajo kishte ngjitur spiralen e ngushtë duke u mbajtur pas krahut te tij të fortë,  dhe kishin dalë në taracë prej nga dukej porti dhe deti. Pastaj zbritën e u ulën buzë bregut. Ai fliste dhe ajo dëgjonte. Mësoi shumë rreth karieres se tij të sukseshme, gjë që e priste, por u habit kur ai i tha nuk ishte martuar ende.

- Kam qenë një herë i fejuar,- iu përgjigj ai vështrimit të saj, -çdo lidhje tjetër ka qënë spontane, e përkohshme. Sot s’është problem lidhja me një femër. Boll të kesh para. Atëhere ishte ndryshe, por edhe atëhere…

Valët e detit kishin marrë  ngjyre të përflakur. Kjo qe pamja e fundit që po rregjistronte kujtesa e saj nga ajo mbremje dhe ajo donte ta merrte me vete.

- Nuk di nëse e ke ditur ti faktin që unë kam qënë i fejuar. Ajo ishte një vajzë e bukur, brune. Nuk  ka qenë në fakultetin tonë. Qe më e vogël në moshë . E ndihmoja me leksionet, me të holla, por pas disa muajsh takimet tona u bënë të vakta. Jo për fajin tim, natyrisht. Dyshoja që diçka kishte ndryshuar tek ajo. Atëherë i vura nje njeri që ta vëzhgonte. Ishte një nga shokët e saj të klasës, dhe ai më raportonte për të gjitha lëvizjet e të fejuarës sime. Një mbrëmje  më tha se ajo kishte filluar marrëdhëniet me një shok kursi. Kjo madje kishte filluar të binte në sy.

-Si të të besoj?- i thashë, ndërsa  shkulmi i zemërimit më kishte përfshirë të tërin.

-Eja në fakultet të mërkurave para dite. Dy orët e mesme kemi pushim dhe ajo shkon lart nga kodrat me atë mikun.

Ashtu bëra. I pashë tek ngjiteshin rrugës, njeri pas tjetrit, jo të dy bashkë.  Me siguri bashkoheshin  atje lart. E hëngra inatin me dhëmbë e vendosa të mos i bie në sy. Të nesërmen e mora në telefon dhe i thashë të më priste tek rruga e Elbasanit, pranë pishës sonë. Atje ku qemë takuar për herë të parë. Ajo me tha "mirë" dhe sikur donte të shtonte diçka. Po unë e mbylla telefonin, se s'doja të flisja më gjatë. Kisha frikë se mos më tradhtonte zemërimi.

Dielli tashme qe kredhur i tëri në det dhe Eva hoqi syzet . Kishte filluar të ndjente një të ftohtë të pakuptimtë.

-Shkuam atje tek vendi ynë, nën degët e pishës ku ishim puthur për herë të parë. Atëherë,asaj  i patën rënë disa hala në floke, dhe  dora ime përkëdhelisht ia kishte hequr nga koka. Ajo kishte qeshur: "Sikur këto gjilpera të ishin te vërteta, këtu , në këtë errësirë, mund të kryhej një krim në “emër’ të dashurisë, kishte thënë  dhe kish qeshur…Interesant! S’ia harrova kurrë këtë thënie. Magjisht më tërhiqte edhe atë natë.

“Si gjaku që tërheq bishën” plotësoi instiktivisht me vete Eva.I ftohti i hyri nën lëkurë.

-Ajo rrinte para meje si e trembur, pa asnjë fjalë,sikur  priste të ndodhte diçka. Me njerën dorë ia  mbërtheva të  dy kyçet fort, dhe e mbështeta forcërisht tek pema. Ajo lëshoi një klithje dhimbje. Ia ngjita buzët egërsisht,sa asaj iu mor fryma,dhe nuk kishte nga të më lëvizte dhe pastaj i futa  dorën në mes të…

-Të lutem mi kurse hollësitë!

Ndërhyrja e Evës  qe e menjëhehershme dhe ai vuri re që fytyra e saj qe prishur.

-      Po! E përdhunova! E përdhunova dhe ajo e kuptoi  që unë kisha marrë vesh gjithçka, dhe kjo ishte mënyra e hakmarrjes sime. E bëra se e meritonte.

Eva qe rrëngjethur. Pranë saj qe ulur një përdhunues me kostum. Ndoshta s'qe hera e parë që e  ai rrefente atë histori. Ajo kishte jetuar dhjetë vjet larg  këtij lloji koncepti dhe e gjeti kaq të freskët, sikur të qe larguar nga vendi i saj një ditë më parë... Papritur, në fraksion të sekondës  mendja  i kishte bërë një  montazh viziv.

Duhet të kish qenë në klasë të gjashtë  a të shtatë, kur vajzave sapo kishin filluar t’u dukeshin gjijtë e djemtë kishin filluar komentet  e ngacmimet. Disa nga vajzat, madje,  filluan flërtet , por ajo qëndronte larg. Një ditë, në mbarim të mësimit, tek po dilnin nga klasa, një nga djemtë i kishte vënë dorën në gjoks. Ajo ia kishte hequr me forcë dhe e kishte quajtur “rrugaç!” Pastaj kishte vrapuar në shtëpi me sytë me lot. Qe tronditur shumë. Të nesërmen nuk kishte shkuar në shkollë. Të pasnesërmen nuk e kuptonte pse shokët e klasës nuk i flisnin . Edhe shoqet e afërta i rrinin ftohtë. Në bankën e saj gjeti një copë letër të përthyer në katërsh. Në të qe shkruar: "Buke e bardhë e mykme". Nuk ishte në gjendje ta deshifronte domethënien e saj, por  e kuptoi se diçka e keqe ishte folur kundër saj. Ajo  pat vendosur  ta varroste në shpirt atë që i kishte ndodhur, kurse Ai për tu hakmarrur kushedi se ç'kishte thënë  për të, që  ta braktisnin.

‘Zot! Hakmarrje që në brishtësi”, tha me vete Eva duke dalë nga kujtimet . A thua kjo lloj hakmarrje lind bashkë me mashkullin? S’kish menduar kurrë për këtë.Së paku jo kaq ashpërsisht. Po pse ja kishte kujtuar ky takim me shokun e fakultetit?

-U martua ajo me atë tjetrin? pyeti duke hedhur në det një guralec.

-Po,- tha ai, u martua. Po unë s’e kuptova asnjëhere se si mund të më tradhëtonte mua!

Ai kishte lëshuar theksin në fjalën e fundit. Eva ktheu kokën nga ai. Bluza e kaltër i theksonte ngjyrën e syve. Ky  burrë i pashëm, dikur “djali  më simpatik i fakultetit”, që fërkonte brrylat me pecot  e që hiqej me lart se të tjerët, nuk kishte mbetur veçse një fshatar feudal.

- Je i sigurtë    ajo të ka dashur? pyeti ajo  në mënyrë të pamëshirshme.

Vuri re se si Mondit  iu rrëmbush fytyra me gjak, sikur dikush t'i kishte rënë me shuplakë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora