E shtune, 27.04.2024, 03:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Viron Kona: Ibrahimi

E merkure, 13.06.2018, 08:06 PM


Ibrahimi

(Skicë, kushtuar mësuesit dhe publicistit Ibrahim Hajdarmataj)

Shkruan Viron Kona

Me Ibrahimin, dikur na lidhte botimi i gazetës “Mësuesi”, ku edhe unë pata fatin të punoja si redaktor, kurse ai ndër bashkëpunëtorët e afërt të saj. Ibrahimi ka një CV të pasur, ku spikatin detyra dhe veprimtari me vlerë në shërbim të arsimit, kulturës dhe gazetarisë. Për 54 vjet ai punoi mësues dhe drejtor gjimnazi, kryeredaktor i gazetës lokale “Ylberi i Zogajve”, ndërkohë që ka kontribute shkrimore dhe referate në seminare dhe simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare. Pas daljes në pension, ai është fermer në fshatin e tij, Zogaj të Tropojës, ku merret me blegtori, por edhe me bletë.

Tani që edhe ne, disa miq të Ibrahimit, jemi në pension, na pëlqen të pimë kafe sa herë që ai “zbret” nga fshati Zogaj dhe vjen në Tiranë. Na merr në telefon sapo niset me autobus dhe na lajmëron për orën e mbërritjes, pastaj na thotë nëse ne, domethënë: Murati, Sejdoja, Bardhyli, unë dhe ndonjë tjetër mund ta pimë nga një kafe diku te stacioni i trenit...E presim me kënaqësi njoftimin  tij. E cili nga ne do të guxonte t`ia prishte Ibrahimit! I kemi, si  i kemi hallet, ora 18.00 do të jemi atje te kafja që ka caktuar Ibrahimi. Dhe, kur takohemi e këmbejmë informacionet e ditëve që nuk jemi takuar, dëgjojmë me gaz e kënaqësi Ibrahimin, që me gjallërinë e fjalës, me çiltërsi e sinqeritet të plotë na tregon për punët e fshatit, për miqtë dhe shokët që ai ka takuar në Kukës e në Tropojë, në Gjakovë e Prizren, ku ai shkon shpesh herë, na sjell ndonjë gazetë si “Bota sot” e Prishtinës, apo revistë si “Gjakova Press” e Gjakovës, ku shohim ndonjë nga artikujt apo krijimet tona letrare të botuara...

Temat e bisedave tona me Ibrahimin janë të shumëllojshme, por në këtë skicë të thjeshtë po i ofrojë lexuesit disa fragmente që lidhen me jetën e tij si fermer apo atë baritore në fshatin Zogaj të Tropojës, sigurisht edhe ndonjë “çështje ndërkombëtare”.

1.

-Bagëtitë, - nisi bisedën Ibrahimi, - kanë nevojë të trajtohen mirë, të ushqehen dhe të respektohen. Sigurisht që edhe ato kanë huqet dhe zakonet e tyre, por, ama, janë të urta dhe të bindura: edhe lopët, edhe delet... Ja, për shembull, lopët i nxjerrim nga hauri në mëngjes dhe i lëmë të lira të nisen vetë për kullotë. Ato ngjiten rëndë – rëndë në shtigje të shpateve e kodrave dhe luginave, duke tundur kumbonat për qejf dhe duke nuhatur erërat e holla, që i tërheqin në pllajat dhe lëndinat më të pasura me bar. Arrijnë pa zhurmë atje ku duan dhe nisin të kullosin të qeta...

-Nuk ka ujqër andej nga ju?-e pyet dikush nga ne.

-Ujqër? Po mor, ka. Ndonjëherë, nga uria, ata vijnë edhe afër  fshatit. Ka ndodhur që janë futur brenda në fshat dhe u kanë ardhur rrotull stallave të gjësë së gjallë, por na ka ndihmuar Zoti që nuk kanë arritur deri te tufa e lopëve dhe e dhënëve...

-Vet kthehen në fshat lopët, apo shkoni ju dhe i merrni?

-Kur afrohet mbrëmja ato kthehen vetë në shtëpi...

-Po bën shaka Ibrahim. Mos përfito që ca nga ne s`kanë haber fare nga punët dhe jeta në fshat,-i them unë.

-Nuk e luan topi këtë që po të them, ato janë edhe më korrekte nga ne njerëzit. Fiks në të njëjtin orar ato ndodhen pranë stallave të tyre. Ngrenë kokën dhe lëshojnë një muuuu!, ndërsa nga vatha u përgjigjen viçat, edhe ata me të njëjtën gjuhë: muuuu! Atëherë tufa e lopëve të ngopura, me gjinjtë plotë me qumësht futen në vath. Aty bëhet e ç`bëhet! Viçat u turren secili nënës së vetë dhe nisin e pinë me etje qumështin e ngrohtë, teksa, nënat, i shohin me dashuri të madhe duke i përkëdhelur e lëpirë...Si çmallen me të vegjlit e tyre, lopët ngrenë kokat dhe hedhin herë - herë vështrime nga porta e stallës: presin t`u vijë darka që u japim ne, një kovë me hime apo ndonjë deng me bar. Himet i kanë shumë qejf, e konsiderojnë ushqim të preferuar, madje, mua më duket se ato  e përfytyrojnë kovën me hime edhe atje ku janë duke u ushqyer në lëndinë. Ndonjëherë, them me vete se për  atë kovë me hime ato kthehen  më shpejt...

-Mbase, më shumë sesa për himet, ato kthehen në stallën e tyre sepse duan të takojnë dhe të ushqejnë viçat, - i thotë dikush nga ne.

-Sigurisht, kryesorë janë viçat, qenia e tyre në stallë, na siguron se tufa  e lopëve do të kthehet doemos dhe në orar, - thotë Ibrahimi.

-Po me delet, si ia bëni?

-Njëlloj si edhe me lopët. Ndodh që, kur ato nisen drejt lëndinave me bar për të kullotur, papritmas një qengj shkëputet dhe vrapon diku mes shkurreve, diçka e  tërheq, i vogël është. Atëherë, delja nënë shkëputet nga tufa dhe shkon me të katra dhe e shqetësuar drejt vendit ku është futur qengji. E thërret në gjuhën e saj duke blegëritur dhe duke i ardhur rrotull ferrave ku i vogli është ngatërruar.  Edhe qengji ia kthen me një blegërimë të lehtë dhe, duke u shkëputur me vështirësi nga shkurret ku ka ngecur, i afrohet vrap s`ëmës. Nëna, duke i blegëritur, i tërheq vërejtjen, e qorton, duke bërë be, beeee, beeee !, që ai çamarrok të mos largohet më pa lejë, të mos ndahet nga tufa, se  ...e ha ujku. Apo nuk i shkon sytë e shqyer dhe të uritur të ujkut, që po përgjon dhe po mpreh dhembët atje prapa ferrës?!

Duhet ta dish, se kur nëna kërkon qengjin, tufa e deleve ndalen dhe e presin me ankth nënën dele dhe fëmijën e saj…Kanë  shpirt e zemër edhe ato, ndaj dhe, veçanërisht besimtarët, e quajnë delen “meleq” (engjëll). Mua më  duket, se janë  edhe më    mira nga ne, tregohen më të  dashura, më solidare dhe  më të dhembshura, i dalin në mbrojtje  dhe e ndihmojnë njëra - tjetrën...

-Ndodh që tufat e lopëve dhe dhënëve të sulmohen nga ujqërit?

-Po, ka ndodhur. Me lopët ujqërit nuk e kanë të lehtë, sepse ato kur ndjejnë rrezikun e afrimit të grabitqarit, mblidhen bashkë dhe, si një trup i vetëm, ia arrijnë të mbrohen me kokë dhe me shkelma. Veçanërisht kur janë  me të vegjlit e tyre, ato lopë aq të qeta dhe të urta, shndërrohen  në luanesha...Kurse, delet eh, e kanë vështirë përballjen me ujkun. Po gjeti rastin, ai s`mbahet por bën çfarë të dojë me to. Delet, pa bari e pa qenë, nuk mbrohen dot nga ujku, edhe sikur ai të jetë një dhe ato të jenë mijëra...

Disa çaste heshtim. Përfytyrojmë fshatin Zogaj ku banon Ibrahimi si dhe gjallërinë  e tij, banorët, fëmijët që luajnë, nxënësit e shkollave, mësuesit, por edhe bukurinë e pllajave, lëndinave, qendrës së bleruar të fshatit...

-E dini, - ndërpret mendimet tona zëri i Ibrahimit, - unë kam edhe dy vica mëza`t. Ata i mbaj për ethë (mbarësuar) lopët, por ndodh që viçi i afrohet edhe nënës së vet. Lopa e largon dhe luan me të si t`i thotë se “unë jam nëna jote dhe ti duhet të shkosh me të tjera”. Edhe viçi, dhe lopa që janë kafshë e dinë se me kë duhet të shkojnë...ehe...!

2.

Pak çaste më pas, Ibrahimi, ai na sheh miqësisht në sy dhe e shpie bisedën në temë tjetër:

-Do vijë koha, - thotë Ibrahimi, - që, ashtu si SHBA, do të bashkohet e gjithë bota.

-Dale, prit, të bëhet një herë Europa e Bashkuar, - se kush i thotë, - pastaj e gjithë e bota...

-Dëgjomë mua, i ndjej dhe i nuhasë unë gjërat, - thotë Ibrahimi me zjarr, -Ne do të jemi të gjithë qytetarë të botës së bashkuar, do bëhemi njësh të gjithë. Do të kemi një gjuhë të përgjithshme, por do ruajmë edhe gjuhët e secilit. Edhe besimet do t`i ruajmë dhe do ta respektojmë më shumë besimin e njëri-tjetrit. Edhe kulturat dhe traditat e secilit komb do të respektohen. Kështu nuk do të ketë më luftëra, kështu do të kemi qëllime të përbashkëta dhe do të punojmë e përpiqemi të gjithë për ta bërë jetën më të mirë. Ja, faktet tregojnë se ne po shkojmë drejt kësaj rruge... A nuk thoshte Vikor Hygoi se: “Do të vijë një ditë, kur plumbat dhe bombat do të zëvendësohen me vota, me votim të përgjithshëm të popujve, duke  ngritur një senat të madh sovran, i cili do të mbrojë interesat e kontinentit...” Kështu po përpiqet të veprojë tani Evropa. Ajo i ka kthyer sytë drejt së ardhmes. Do të lërë pas grindjet, mosmarrëveshjet dhe luftërat. Se dy luftërat e mëdha Botërore të shekullit të kaluar në Europë u bënë, prandaj ajo ka nxjerrë mësime. Si thotë populli: “Po s`u dogje, nuk nxjerr mësim!” Dhe, mësimi është i madh, i jashtëzakonshëm, tronditës, i tmerrshëm: 60 milionë njerëz të vrarë pati vetëm Lufta e Dytë Botërore...Kështu që, duke qenë një vend pa luftë, Shtetet e Bashkuara të Europës(Ose Europa e bashkuar) do të zhvillojnë ekonominë  dhe do të çojnë më përpara demokracinë dhe mirëqenien, popujt do të lidhen edhe më shumë me njëri - tjetrin si në një familje të madhe. Ja,-m`u kthye ai mua,- ti vetë më ke treguar që Suedia, e cila ka mbi 200 vjet pa luftë, ka ngritur një shoqëri shumë të zhvilluar, me ekonomi dhe demokraci që kush nuk ia ka zili! A nuk më ke treguar ti se, atje, kur një fëmijë goditi me gur një lepur që kishte dalë “pa lejë” nga kopshti zoologjik, ky akt i fëmijës u bë problem i madh deri edhe në  gazeta  televizione? Apo kur treni shtypi aksidentalisht një dre, u ndërpre për disa orë trafiku hekurudhor...?Imagjino tani se çfarë kujdesi të madh ka atje për njerëzit...!

-Po mor Ibrahim, po, ty të lumtë goja, por atje në Siri po vriten njerëzit përditë, madje edhe qindra fëmijë, po shkatërrohet dhe po bëhet shkrumb e hi gjithçka...

Ibrahimi hesht një çast, pastaj thotë i menduar:

-Edhe këto që ndodhin në Siri, apo ato që ndodhin për shkak të sulmeve terroriste, janë arsye më shumë për të vendosur paqen e plotë dhe bashkimin e botës në një familje të vetme...Duke u bërë kështu, do ta duam më shumë njëri - tjetrin, do ta zhvillojmë vendin...Edhe Shqipëria do të zhvillohet, nuk do të na shohin sytë skena të ngjashme me ato që bëjnë qentë dhe ujqërit e uritur kur i sulen copës së mishit...

3.

Dhe, teksa ne mendonim rreth fjalëve të tij të çiltra dhe disi romantike për një të moshuar, Ibrahimi na sheh në sy dhe na pyet:

-Si mendoni ju, nuk ju duket e bukur ideja e Evropës dhe  e Botës së bashkuar?

-Na duket shumë e bukur, por, ja, Anglia sikur po i largohet Bashkimit europian, ti, e di këtë, apo jo?

-E di, e di si s`e di. Unë kam pasur fatin të shkojë në Angli, kam takuar atje shumë miq të mi, midis tyre edhe intelektualë, njerëz të letrave. Kam takuar dhe kam pirë kafe edhe me Fatmir Terziun, mikun tonë të madh dhe të përbashkët. I kam çuar atij edhe të falat tuaja. Ai ka pyetur dhe është treguar i interesuar për ju dhe shoqërinë tonë.

Por, le ti kthehemi bisedës: Gjërat, nuk bëhen me frymën e shenjtë. Gjatë kohës që shtetet dhe popujt e botës ecin, në rrugë e sipër, ka edhe nga ata që ndahen përkohësisht nga tufa. Çfarë të tregova pak përpara me tufën e lopëve dhe të deleve. “Delen që ndahet nga tufa e ha ujku!” Por, këto ndarje si puna  e Anglisë, janë të përkohshme, sepse, duke qenë të ndarë, ata do të kuptojnë edhe vështirësitë që lindin, të cilat, pak më parë i zgjidhnin bashkërisht! “Kur ke dimrin përpara, atëherë kujton vatrën e zjarrit!” Ndarjet nuk sjellin asgjë të mirë. Paraardhës të anglezëve dhe të disa shteteve të tjerë të Europës,  ishin që na ndanë ne copa - copa në vitin 1913, por ama ishin anglezët e kohës së sotme dhe, sidomos amerikanët, të parët që luftuan më shumë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, e mbështetën  luftën e UCK-së dhe po e mbështetin edhe tani në rrugën drejt Europës.

Por ne kemi edhe atë “eksperiencën” tonë të hidhur të kohës kur “hanim bar!” Premë damarët me botën, u mbyllëm brenda vetes dhe, nga “liqen” me ujë të rrjedhshëm dhe të kaltër, u kthyem në “kënetë”...Ju e dini se çfarë ndodh dhe çfarë rriten në “kënetë”... Pastaj, gjërat nuk bëhen përnjëherësh, or miqtë e mi, ka dhe nga ata që ikin, por ta dini se përsëri në tufë do  të kthehen. Sa më shpejt të kthehen, aq më mirë do të jetë për vetë ata, por edhe për të tjerët...

-Po dëgjojmë se Europa sikur është bërë pishman që ka lëshuar kaq shumë pasaporta biometrike...

-Kush nuk e meriton, doemos ndaj tij do të ketë edhe masa shtrënguese e ndëshkuese, por, kjo s`ka të bëj me ne, sepse ne jemi popull që e duam me shpirt të mirën dhe të bukurën, jemi popull që jo vetëm s`kemi bërë luftëra pushtuese, por i jemi gjendur pranë popujve të pushtuar, u kemi dhënë ndihmën tonë, u jemi gjendur në vështirësitë që ata kanë pasur...Kështu që, duan apo nuk duan disa, Europa po shkon drejt bashkimit e, bashkë me të, edhe populli ynë i ndarë dhe i sakatuar padrejtësisht... Ka plot njerëz të mirë dhe të mençur, të cilët do të dinë të parandalojnë lindjen e konflikteve të reja...Por, edhe ne, sado të vegjël që jemi si komb, përsëri kemi kontributin tonë në rrugën e bashkimit...Skënderbeu e pati këtë ide dhe  realizoi që në vitin 1444. Nënë Tereza i afroji popujt edhe më shumë drejt dashurisë, paqes dhe mirësisë...

Ja, edhe kohët e fundit, tre këngëtarë shqiptarë konkurruan suksesshëm, madje ishin pretendues, në finalen e Festivalit Evropian të Këngës 2018 në Lisbonë, duke përfaqësuar tre shtete: Shqipërinë (Eugent Bushpepa), Italinë (Ermal Meta - fitues në Sanremo) dhe Qipron (Eleni Foureria). Kurse, në hapjen e Kampionatit Botëror të Futbollit, bashkë me dy amerikanë,  do të këndojë edhe Era Istrefi, këngëtare e famshme shqiptare...

-Ibrahim, duket se edhe në çështje ndërkombëtare paske shumë gjëra për të na thënë, - e ngacmon dikush nga ne, - por, kur të takohemi herën tjetër, për çfarë mendon  të bisedojmë?

-Ne pensionistë jemi, sikur na detyron dikush të bëjmë plan temash e bisedash të veçanta. Gjithsesi, ne herën tjetër mund të bisedojmë për bletët. Unë jam edhe bletërritës dhe, ju e dini që bleta është insekti i vetëm i zbutur nga njeriu, kështu që ia vlen t`i kushtojmë një bisedë, apo jo? Mund të flasim edhe për dobinë e bimëve mjekësore, që rriten shumë andej nga ne. Edhe për turizmin në Tropojë dhe veçanërisht në Valbonë...Por mund të bashkëbisedojmë edhe për aktivitete të përbashkëta me bibliotekën e Gjakovës, ku unë shkoj shpesh herë. Kemi dhe aktivitetin në Deçan, më 13 qershor, ku do të përurojmë  librin e Bajram Halil Gashit, kushtuar legjendës së folklorit shqiptar Dervish Shaqja, Demush Neziri dhe grupit kosovar..Kemi për të folur edhe për jehonën e 140-Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit... Kemi plot gjëra për të biseduar, s`janë vetëm temat politike të gazetave...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora