Kulturë
Namik Selmani, Neki Lulaj: Florinë, moj!
E merkure, 13.06.2018, 06:50 PM
Florinë,
moj!
Namik Selmani, Neki Lulaj
1.
Florinë, moj,
Hape sërish syrin e bukur Prizrenit të bukur dritësor
Nxrirna, bre
Një shtizë të vetme për të parë një dritare të pahapur.
Me këmbkën e vogël
Shkeli prapë gurët si flutur deri në ajrin mbrëmësor
E sërish
Hidhe hapin e zgjati duart një lule drejt teje zgjatur.
2.
Florinë moj,
Thuaja të gjitha sërish ëndrrat pasqyrës, çarçafëve, heronjve
Eja të rithurësh
në agim ca gjerdanë me xixëllonja.
Veç prit pak
Në duar të parfumuara një farë të ëmbël shkronje
Për të thënë këngën
Që nuk e ke thënë ende kur gazi të mbushë oda.
3.
Florinë, moj
Krehe me fllad Sharri floknajën e argjendë mbi supe!
E skuqi ditët
Me njat skuqje ëmbëltore të dashurisë së parë
Agimet e Lumëbardhit
Le të të ulen në gjunjë e të të falin vetëm zambakë dhe lule.
E ti
Të thurësh vjersha në parajsë gatuar në zemrën ëmbëltore.
4.
Florinë, moj
Na e thuaj se si lind dielli në atë log Kosove
Me hënën drapërore
Mos na lër në këtë kukamë të përvajshme Ajkune!
Zanë qofsh,
Zanë e Lumëbardhit a sorkadhe gjoksbukur mes shqote
E zjarr lisnajash u bëfsh
Të na ngrohësh përjetë trishtimin e fjalës së lume!
5.
Florinë moj,
Je bërë drenushë e një kulle, e ëndrrës sonë pëllumbeshë
Kafaz me hekura
Askurrë pafshim për dorën tënde, për pëllëmba.
Në ekranin e bardhë
Lodro si thëllëza që përkëdhelet qoftë dhe me sqepin e vet
Mes qiellnajës kaltërore
hidhe tej sherrnajën e flatro bukurisht fjalët e pathëna.
6.
Florinë, moj,
na le një ninananë të re në rrathër e djepit të loçkave.
Vështro kah qiejt
e ruaj një bistak luleje për fëmijët e bukur mes livadheve
Vajatore mos qofsh,
Po portë ku dora e nuses bajrakreshë mjaltoset
E këngë majekrahu u bëfsh
Për të bashkuar ylberet, rudinat dhe zjarret!
7
Florinë,,.... moj!