Kulturë
Kalosh Çeliku: Dera ime - oxhaku
E enjte, 26.04.2018, 07:29 PM
DERA IME - OXHAKU
NGA KALOSH ÇELIKU
(Protestë në Shtëpinë Publike)
Imzot, më diferencuan neokomunistët
Dashuri që bëjnë me Ebu Xhehlin
E, përhapin SIDËN në Shtëpinë Publike.
Përditë dezinfektohem nga Virusi
Verë të kuqe pi te Pazari Grave.
Ballë për ballë Ebu Xhehlit me ferexhe
Imam në mesin e kryehoxhallarëve.
Që, ngrenë dolli, dehen me lëngje
Shejtanin e vrasin me eshtra.
E heqin vallen më shpallin të marrë
Ngase: E shava dje Pushtetin
E shaj sot, do ta shaj edhe Nesër!
Pasmesnate, kthehem në shtëpi
Rrospitë e Ebu Xhehlit me ferexhe:
Dorë më dorë më hudhin mbi çatia
Pak para agimit më dhunojnë mes librave...
(Shtëpia e ndezur mesdite
me kashtë në Shkup)
Përpiqen, nateditë dudumët: Zjarrit. Flakës
Përsëdyti herë, në Shkup. Kryeqytet!
Mesdite, t’i hudhin kashtë. E, jo ujë.
Dudumët, që ma dogjën Shtëpinë
Përderisa, Unë isha në Prishtinë.
Përurimin e Librit Princi Letërsisë për fëmijë:
Gani Xhafolli. Poet, që nuk ndizte shtëpi.
Po, mes Prishtine ndizte poezi. Dashuri:
Me bretkosa guak-guuak. Dhe, Dy Breshka
Kryeneqe. Këmbëkryq, përpara Shtëpisë.
Gani Xhafolli, burrë pene nuk ndizte Shtëpi
Vetëmse: poezi. Dhe, Dashuri, në Prishtinë.
Verë e Dimër, me penë në Luftë për Liri…
(Ankand te Pazari Grave)
Vjen përderisa Unë rrokullisem lëmsh
me të Dashurën e Omar Khajamit:
Verën. E, shahem me librat horror.
Kot. Para s’kam të të huazoj për bukë
Palaçot nderohen me shpërblime.
Asgjë s’kam Mike. Vetëmse: Pagjumësi...
(Konferencë kombëtare)
Rastësisht të takova në rrugë
Të kishin dëbuar nga Partia.
Urdhëro: Nuk jam Uolt Uitmani Madh
As miku im, Mirko Gashi - bohem.
E, as Gani Xhafolli me 33 dashnore
Që, pas Lufte ia rrëmbeu UÇK –ja.
Unë jam Kalosh Çeliku - rebel
Dhe, me Ty Cucë do të pi verë!
Nëse, sot të ka përzënë Partia
Vogëlushe, Unë nuk të përzë...
(Vjellja e zorrëve)
Poetesha nuk ka cigare
ia piu Rrospia Mashkull.
Ministri me Ambasadorin
ulen të hanë drekën
që ua paguan spiuni.
Përshëndeti, më thotë Piktori
sytë s’ti heqin nga malli!
Kush ua shalon Nënën Parti
palaçove në mizanskenë
vetëm në një shfaqje?!
Unë jam gjithmonë në Teatër
publikisht u shpall dashuri.
Spiuni Kurvë lëpi buzët
Kukulla Femër ua mban gunat.
O Imzot, do t’i vjell zorrët...
(Dritaren lëre hapur)
Derës, natën vërja shulin
Shuaje dritën, Mike
E, struku nën jorgan!
Fshihi dardhat e buta
Mos i hanë derrat e egër!...
Derës, natën vërja shulin!
Dritaren lëre hapur:
Nata është e gjatë.
Ku ta di Unë, kaçak Mali
Pasmesnate, t’futem në shtrat...
(Azil politik)
Qentë, kur m’u ndërsyen pas shpine
Vetëm për një asht - shpërblim.
E, kulturofagët - këlyshë me zgjebe
Ditënatë të Nënës Parti pas shpine.
Unë Mike, ika nga Atdheu
Dhe, tek Ti kërkova azil politik...
(U ngopa me Liri)
Nuk u ngopa me Natë
nuk u ngopa me Ditë
nuk u ngopa me libra
nuk u ngopa me verë
nuk u ngopa me dashuri
që bëj ta këndell.
U ngopa me Liri
Aqsa, më vjen ta vjell...
Zonjën Vdekje do ta marr
për Grua
Gjumë ende s’ka. Unë, dihet jam i çmendur
Ndodhë, një ditë Vdekjen do ta marr për grua!
Gjithë jetën pata Gra besnike në shtrat
Tashti, dua ta rrëzoj edhe Zonjën Vdekje!
Pasi m’i mori të gjitha që pata në jetë: Pasurinë,
Gruan besnike. Dhe, Miket azgane mes poezive.
Falë të qofshin Zonjë, gjithë bërdhoqet politike!..
Tashti, Unë do të të rrëzoj Ty, oj kurtizane besnike
Shtëpinë e Babait ta mbush me fëmijë. Mëmëdheun.
Dhe, Atdheun. Flej rehat Kurvë në Shtëpinë Publike
Nesër, Unë do të ngrej dolli për Cucën Boheme.
Vërtetë, ishin gra të bukura aristokrate. Azgane
Vetëmse: edhe Zonja Vdekje, o miq të mi poetë:
Padyshim, është një Grua e bukur besnike...
(Dera ime – oxhaku)
Në jetë dikush
Hyn nga dera.
Derën ma mbyllën kulturofagët
Dritaren – Rrospitë Meshkuj.
E, ma hapën Oxhakun
Gratë e mia besnike.
Mua fisit të kaçakëve
Që, sot hyj nga oxhaku...