E marte, 08.10.2024, 04:23 PM (GMT+1)

Mendime

Gjekë Gjonaj: Jo emërtime sllave me idologji komuniste

E enjte, 01.02.2018, 08:14 PM


Shkollat shqipe duhet të mbajnë emra të figurave shqiptare e jo  emërtime  sllave me idologji komuniste

Nga Gjekë Gjonaj

Institucionet shkollore  me mësim në gjuhën shqipe në Malin e Zi ,  ende vazhdojnë të mbajnë emërtime sllave nga periudha e komunizmit. Kjo bëhej në bazë të kritereve ideologjike dhe kornizave partiake e shtetërore të pushtetit, të cilin, veç tjerash, e karakterizonte antishqiptarizmi i skajshëm Sa për ilustrim po përmendim   Shkollën Fillore “ Jedinstvo”  në fshatin Skorraq, në vendlindjen e kreut të shquar të fisit të Hotit  Dedë Gjo Lulit, mbase figurës më me zulmë të të gjithë luftëtarëve të Malësisë. Gjimnazin “ 25 Maji “ në Tuz”. Shkollën Fillore “ Mareshali Tito”  dhe Shkollën e Mesme “ Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin. Nuk janë këto raste të vetme që nuk  përfaqësojnë as vullnetin dhe as kulturën e popullit shqiptar në këtë republikë..

Drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe  këshillat e prindërve nuk  kanë fuqi , guxim apo janë të paaftë të bëjnë diçka në rishikimin me përgjegjësi të emërtimeve sllave antishqiptare  me ideologji komuniste  dhe zëvendësimin e tyre me personalitete të mëdha historike nga radhët e shqiptarëve.

Këto dhe të gjitha institucionet e kulturës në përgjithësi, duhet të mbajnë emra të denjë, atdhetarë të  shquar, njerëz të dijes, të artit e kulturës shqiptare për të cilët tashmë koha e ka thënë fjalën e vet dhe ato figura  janë bërë ndërgjegjja kolektive e popullit shqiptar. Emërtimi  i shkollave me emra të rinj  është imperativ i kohës.  Për këtë problem nuk duhet të heshtim më. Kemi heshtur mjaft. Patjetër duhet të ndryshojmë këtë mentalitet përulësie kohësisht i skalitur thellë në shprehi.   Drejtuesit  e shkollave shqipe  në marrëveshje me mësimdhënësit dhe këshillat e prindërve duhet të kërkojnë zyrtarisht nga Ministria e  Arsimit  ndërrimin e emrave aktual.  Vallë, pse mos ta bëjmë këtë ne shqiptarët ( autoritetet  e shkollës) , në kohën kur edhe Mali i Zi  në shumë raste i ka ndryshuar  emërtimet sllave të periudhës komuniste dhe emrat e partizanëve e heronjve serbo-malazez ? Mangësitë dhe gabimet  e tilla, mund dhe duhet të korrigjohen. Përndryshe, pranimi me indiferencë i një dukurie të tillë, mund të konsiderohet si nëpërkëmbje dhe përbuzje e vlerave të mirëfillta historike dhe kulturore kombëtare.

Edhe një shkollë fillore  në Berlin mbanë  emrin e një  heroi të heshtur shqiptar,  Refik Veselit, i  njohur si njëri ndër shqiptarët jo të pakët që i kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Në këtë mënyrë   do t’u kthejmë shkollave tona identitetin dhe fytyrën e vet bujare si tempuj të dijes të shqiptarëve në një shtet  që ka zgjedhur rrugën  drejt Europës së bashkuar.

Ne kemi personalitete të mëdha historike dhe nuk kemi nevojë të huazojmë emra figurash joshqiptare. Me këtë do të nderojmë emrat e personaliteteve të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare.  Emërtimet e këtilla kanë për qëllim që ne dhe gjeneratat pas nesh , t’i  përkujtojmë  dhe të afirmojmë  personalitetet  historike dhe kulturore të kombit tonë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora