Mendime
Gjekë Gjonaj: Shqiptarët në Malin e Zi në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut
E merkure, 24.01.2018, 09:11 PM
Shqiptarët në Malin e Zi në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut
Kremtim në lartësinë e merituar apo thjesht shënim i një përvejtori të padenjë
Nga Gjekë Gjonaj
Shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve të tyre kanë një simbol të përbashkët. Dhe ai është Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Ky hero kryesor i yni jeton brez pas brezi në shpirtin dhe zemrat tona më se pesë shekuj e gjysmë. Figura e tij, edhe për ne shqiptarët në Malin e Zi, është e përjetshme. E pavdekshme. E admirueshme. E pa kontetueshme. Inspirim. Frymëzim. Motivim. Reflektim. Krenari. Mësim. Përvojë. Guxim…
Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut kërkon nga ne, edhe pse jemi pakicë e vogël për nga numri, të organizojmë një përvjetor të denjë në raport me madhështinë e tij të lavdishme.Ky vit duhet të zgjojë energji të reja te të gjithë ne. Jo për të fituar dikush kapital, por për të shlyer një detyrim kombëtar ndaj kësaj figure të civilizimit të përbashkët të familjes evropiane, të mbarë botës së civilizuar dhe ndaj këtij simboli të civilizimit evropian të kombit shqiptar.
Të parët që e kuptuan këtë fakt, pikërisht datën e vdekjes së Skënderbeut, 17 janarin, datë e cila është edhe arsyeja pse 2018 është shpalluar vit i tij, ishin drejtuesit dhe anëtarët e Ansamblit “ Shqiponja”, të cilët në Qendrën Kulturore” Malësia” në Tuz organizuan një manifestim të bukur kulturoro-artistik shumë domethënës, ku morën pjesë edhe grupe të tjera folklorike nga Malësia dhe Ulqini, sikurse edhe mysafirë nga qyteti i Shkodrës.
Po ashtu për nder të ditës kryesore të Vitit të Skënderbeut në Kalanë e Ulqinit u organizua një performancë interesante. Bashkëqytetarët e mi zgjodhën një mënyrë të veçantë për të kujtuar Princin e Arbërit nëpërmjet ndriçmit të Qytetit të Vjetër, i cili bashkë me pamjet e flamurit shqiptar dhe birit më të shquar të kombit tonë, dukej më magjepës, më mbresëlënës, më i bukur dhe më madhështor se asnjëherë më parë në historinë e tij mijëvjeçare.
Këto dy aktivitete për shqiptarët në Malin e Zi janë një fillim i mbarë i kremtimit të Vitit të Skënderbeut. Janë një porosi për të gjithë shqiptarët, drejtues të institucioneve, historianë, studiues, poetë, shkrimtarë, gazetarë, artistë, klerikë, politikanë, këshilltarë, deputetë, ministra, diplomatë, mësimdhënës, nxënës, e shtresa të tjera të shoqërisë shqiptare amatorë e profesioistë që me mundësitë e veta modeste gjatë këtij viti të kryejnë detyrën e vet, të përkujtojnë figurën madhështore të Skënderbeut. Me një fjalë të gjtha trevat shqiptare në Mal të Zi duhet të shndërrohen në qendra që nderojnë këtë figure historike , e cila si asnjë tjetër në botën shqiptare nuk mund të shërbejë si shembull i frymëzimit dhe i bashkimit të shqiptarëve.
Në këtë jubile kjo vlerë mbarënjerëzore dhe europiane do të ishte mirë të nderohet dhe të vlerësohet institucionalisht, por edhe në mënyë individuale e kolektive, duke i ngritur ( ndërtuar ) një monument, shtatore, bust apo përmendore në ndonjërën prej trevave me shumicë shqiptare në Mal të Zi, në radhë të parë në Tuz e Ulqin. Edhe në këto dy qendra do të duhej të lartësohen monumentet - përmendoret e Skënderbeut, si në Tiranë e Krujë, Prshtinë, Gjilan , Shkup etj. dhe në qendra evropiane e botërore, sikur në Gjenevë, Londër, Bruksel, Romë, Vjenë, Budapest , Michigan etj.
Ky do të ishte një sukses i madh për shqiptarët në Mal të Zi, të cilët deri më tani kanë arritur që emri i Skënderbeut të jetë i pranishëm vetëm në dy shkolla fillore, në Triesh - Malësi dhe në Ostros – Krajë dhe në një rrugë në Ulqin.
Fundmja aty ku nuk ka vend Skënderbeu nuk kanë vend shqiptarët. Për të gjithë ata që nënës i thonë nënë dhe babait baba, për ata që atdheut i thonë atdhe, ujit ujë e bukës bukë, Skënderbeu është heroi i heronjve të popullit shqiptar. Ata që e urrejnë Skënderbeun e urrejnë vetveten dhe historinë tonë kombëtare. Identiteti i kombit shqiptar lidhet ngusht me emrin e tij. Pa figurën emblematike të Skënderbeut s’ ka shqiptar as shqiptari.