Mendime
Shahin Ibrahimi: Mugëtirë
E diele, 14.01.2018, 12:33 PM
Mugëtirë
Nga Shahin Ibrahimi
Eh Shqipëri vëndlindja ime. Tek të shoh në hartë kaq të vogël, dëshiroj të të puth me kënaqësi çdo pjesë tënden dhe përsëri nuk kënaqem. Puth bregun e detit ku kam lindur, dhe jetoj dhe tani, që është perlë, perlë e vërtetë, dëshiroj të puth edhe fushat e tua të pafund të begata e pjellore. Puth malet që të rrinë si kurorë të mbushur plot me pyje të gjelbërta, puth lumenjtë e tu që janë të pa shtershëm edhe në verë. Puth nëntokën tënde aq të pasur me minerale, dhe së fundmi, të puth ty o tokë e dashur, që më ke dhënë emrin Shqiptar, dhe që të gjithë bijtë e tu sot thonë:
== Jemi krenar që jam shqiptar në anë e mbarë botën, se janë krijesat e tua të vërtetë në gen dhe në shpirt. Kam kaq dëshira dhe energjira që si përmbaj dot. Ndaj dua të të puth ty o tokë e bekuar që ke rritur ata burra, që me emrin tënd e kanë ngritur në qiell emrin e tyre, dhe kanë dhënë jetën dhe pasurinë e tyre vetëm të të shikonin ty, si një “ zonjë të rëndë “, siç ju a dëshironte zemra e tyre dhe, që me djersë dhe gjak të bënë kjo që je. Ti që tret eshtrat e tyre që të nderuan dhe bënë të valëvitet krenar flamuri ynë, që unë me brezin tim t`ju a lëmë amanet brezave që vijnë, atyre që të kanë për zemër, amanetet dhe dëshirat e tyre për ty.
Të shoh që vuan ti dhe bashkë me ty dhe ne. Kur të shoh si të kanë coptuar, e të ka bërë kurban politika në disa pjesë, ndërsa ne na kanë sakatosur, s`ngopim dot as barkun me bukë, se nuk ka punë, kur ndjej si na janë varfëruar zemrat, sa kemi cmirë çdo njeri që është më mirë ekonomiksht se ne, qoftë dhe vëllain që jemi rritur në të njëjtin thes, dhe jemi ushqyer nga i njëjti hambar, më bëhet një turbullirë në shpirt.
Thellësitë e fshehta të jetës janë të llahtarshme, për një popull që vuan dhe përpëlitet të mbijetojë. Edhe pse mundohet të kapet mbas fijeve të jetës për të mbijetuar, ai është duke u zhgënjyer çdo ditë e më shumë, nga bijt e saj që merren me politikë. Oh tokë e dashur po të drejtohem ty, të më thuash si nëna të birit, mos vallë kemi bërë krim, që po ju qëndrojmë besnik dhe të përkunjur verbërisht atyre që flasin në emrin tënd, dhe ne ju kemi besuar të na udhëheqin, por për çdo ditë ndjejmë zhgënjim nga ta. Çfarë më sugjeron, që për besnikërinë që tregojmë, ata na hedhin vetëm ndonjë kockë që ta lëpimë, por që dhe ajo bëhet mollë sherrri mes nesh, sepse ne, nuk i bëjmë pjesë as për të lepirë njëri tjetrit, jo sikur jemi njerëz por kafshë të pyjeve trpikale. Prandaj jam kaq i mërzitur nënë, aqsa nuk po vazhdoj më të të them se kush jemi ne sot, se ti do mendosh që nuk jam nipi yt, por një i huaj. Por më beso nënë, se unë jam biri yt. Ndoshta ti e shikon veten tënde, se me ç`farë plehrash po të plehërosin. Po edhe ato plehra që të hedhin ty duhet të jenë të skaduara, apo jua kanë falur të tjerët, pasi unë nuk shoh askënd në këtë vend, që të investojë për hapjen e ndonjë kombinati, apo ndërmarje që të punësojë këta të pa punë që rrinë gjithë ditën rrugëve. Të gjorët presin nga kotësia ndonjë dhuratë, ashtu sikundër një papagall që i thotë një xhirafeje ëndrrimtare:
Më je katandisur si një shtatanik trutharë që ecën në mes të një shkretëtire, siç ecën një fuçi birre e mbushur plot në mes të bulevardit Dëshmorët e kombit. Dikush duhet të na ketë mallëkuar nënë.
Në fillim dëgjuam zërin e ndërgjegjes të atyre njerëzve që dolën në sipërfaqe si heronj dhe morën mbi supe barrën e rëndë për ndryshime politike, por prej tyre morëm vetëm zhgënjim. Se ata çdo gjë e kishin demagogji dhe abuzim, vetëm për tu pasuruar për vete, dhe kështu u krijua një klasë e re me kërkesa dhe mënyra më bindëse për mashtrim. Populli vetëm ngeli si peshku pa ujë, në një hauz të tharë, ku sheh çdo ditë zgjidhje për të jetuar vetëm emigrimin. Më vjen turp të të shoh në këtë situatë. Dëshiroj me shpirt që psherëtima ime të jetë një mesazh mirkuptimi për një jetë më të mirë. Të shtojë dhe të afrojë dashuri midis njerëzve, për mirkuptim. Të ndalet dhuna dhe dora vrastare. Të bëhemi të zotët e vetes, pasi edhe në këtë botë edhe ne jemi dikushi. Jemi nga fiset më të lashta të Europës, dhe jemi katandisur si ciganët. Pasiguria na ndjek kudo që shkojmë, bile dhe në pragun e shtëpisë. Dhe më të frikshme na e bëjnë jetën lajmet që dëgjojmë. Vrasje, vrasje dhe rrëmbime. Jemi të frikësuar për fëmijët tanë, se e nesërmja s`është e sigurtë as për ta. Ndaj çdo ditë po e ndjejmë më thellë zemrën që rënkon. Lumi i lotëve po del jashtë shtratit tim shpirtëror. Më vjen keq që ta hedh në lëndinat e tua oh tokë e bekuar, se kam frikë mos të prish blerimin, prandaj i mbaj brënda meje. Sot, dhe në veçanti në dimër kur uji përmbyt çdo gjë, në rubinetat e shtëpive tona ka ditë që nuk vjen, pasi matrapazët e veshur me pushtet duan që ta blejmë dhe atë. Ah nënë po dëgjoj klithmën tënde nga gropat e mëdha që hapin fshatarët tanë për të groposur prodhimet e tyre, që sua blen kurkush, si mollët, gështënjat, patatet dhe qepët, kurse qeveria bën qejf o qejf. Çdo vit dhe më pak po të mbjellim o nënë, sepse ka shumë arsye. Nafta dhe të gjitha karburantet , makineritë, plehrat janë shumë shtrenjt. Na mbyt konkurenca e mallrave kuntrabandë që hyn pa doganë nga fqinjët. Malli ynë kalbet dhe ne blejmë mallra që rriten me koncentrate dhe gjëlpëra. Po plakem nga dita në ditë ndaj, dhe tani e kam të vështirë dhe të ëndërroj, se s`mendoj më për të ardhmen. Punë nuk ka, ndihma sociale nuk na del as të shlyejmëh energjinë elektrike.
Realiteti është i hidhur, dhe po të guxoj dhe të dal rrugëve të vëndit tim, për ti mbledhur mjeranët për protestë, do më quajnë të marrë. Dhe kush thua ti o nënë do më quajnë të tillë. Pikërisht ata, më shumë vëllezrit e mi mjeranë. Ata që e kanë barkun bosh, ata që s`kanë me se të ndrrohen, ata që e kanë mall një gotë qumësht, a një copë mish. Ata që kanë të shkruar emrin nëpër listst e gjata të dyqaneve ushqimore dhe psherëtijnë. Ata militantët e këtyre partive, shokët e vuajtjeve të mia që vetam diellin e kanë pa doganë. Eh nënë, nënë.
Të dish ti se ndoshta ta mbajnë të fshehur, se çmimi i ujit, energjisë elektrike, telefonave, karburanteve dhe së fundmi biletat e qarkullimeve me urban, ne si vënd i kemi më të shtrënjta në Europë, në një kohë kur ne si popull jemi më të varfërit e Europës së kamur. Pse vallë të ndodhë kjo , kur nëntoka jonë është shumë e pasur, kur zotërojmë këtë bregdet të bukur dhe këtë rivierë që e kanë zili të gjithë. Me burime të pa shterëshme uji e nafte, hekuri e kromi. Mos vallë kjo shtresë politikanësh nuk dinë të vlerësojë këto të mira mëteriale që na ka falur natyra ty o nënë, apo i mbajnë për vete. Për çfarë krenarie kanë folë të parët tanë si Skënderbeu, Hoxha Thasimi, vëllezrit Frashëri etj. Atëherë në kohën e largët para demokracisë ne kishim shtet të varfër, ama punonim si skllevër dhe hanim bukë thatë, ja vinin fajin diktaturës atëhere. Ndërsa sot jemi të tkurrur detyrohemi të marrim arratinë për skllavëri të re nëpër dyert e Europës. Cila diktaturë e ka fajin?. Shkatërruam çdo gjë gjer dhe ullinjtë, serat, kumbullat se ishin të monizmit dhe nuk mund të hanim në demokraci prodhimet e tyre komuniste.
Gjepora nënë gjepora. Djersa jonë sot shkon për sfilata mode, për reklama në gazetat prestigjioze të Europës, për darka e dreka madhështore që bëjnë pushtetarët tanë. Vë veshin mbi sipërfaqen tënde nënë të dëgjoj tek po rënkon, dhe më pikon shpirti. Të më falësh për këto që të thashë, se të lëndova, por përsëri hambarët e zemrës sime nuk janë çliruar akoma. Brënda tyre mbretëron ankthi dhe mërzia. Ajo qëndron atje ngrirë në vite, dhe nuk shkrin kaq shpejt. Ne të dy e kemi firmosur paktin e heshtjes dhe të ruajtjes së të fshehtave, se po të marrin vesh mjekësia, që jam i sëmurë apo drejtësia që po ti thom këto, e kam punën shumë keq. Dikush më lë në pritje deri sa të vdes, në se unë sja mbush xhepin, ndërsa pushtetarët tanë çajnë tribunat duke gënjyer, se gjoja mjeksia jonë është falas. Për të pushuar mosha e tretë ka veçse bordurat e trotuarëve sepse parqet na u bënë pallate, dhe për argëtim ata numërojnë makinat që lëvizin, ndërsa fëmijët e vegjël, kanë për shëtitje kurrizin e të moshuarve apo të prindërve për argëtim, se rrugët janë me ujë. Sot ky popull po vuan për bukën e gojës dhe nuk ngrihet e të shpërthej si vullkan për një të ardhme më të mirë. Dikujt flokët i zbardhen si dëborë me preteksin, se mbi kokat e tyre varet fati i kombit, dhe për ta ndryshuar atë, ata lëvizin tre katër herë në muaj jashtë shtetit me aeroplan. Nuk kanë lënë plash dhe kazino të botës pa provuar, dhe kur vjen prej andej, i rrudhur, i verdhë për të qarë hallin se helbete, ka vuajtur nga pagjumësia. Shpesh herë më rritet tensioni, kur dëgjoj debatet televizive se si i komentojnë ata hallet e popullit. Djersë ju pikon shpirti, dhe e vënë veten në siklet, ndërsa ne ju besojmë që e kanë seriozisht. Hë nënë ai ke parë dhe ti, të janë dukur fodull apo jo?. A është e vërtetë kjo që them unë. Statuja e lirisë ju dhurua popullit Amerikan nga populli Francez në vitin 1886.
Po ne këtyre që na mbushin zëmrën me vuajtje dhe dhimbje çfarë duhet tju dhurojmë tani në shekullin e njëzet e një, mallëkim apo shuplaka. Sot Bilbili, Kumria dhe Bretkoca këndojnë njëlloj, për veshët tanë. Më beso o nënë, se nuk të gënjej, pasi kënga e tyre ka të njëjtën tekst dhe melodi, edhe kur dalin për në skenë dalin nga e njëjta parukeri. Tek disa njerëz të fuqishëm nuk zë vënd shprehja, që Elefanti i cili kërcënohet nga një milingonë e ka jetën në rrezik. E di që dikush mund të qeshë me këtë fjali të urtë dhe të vjetër Afrikane, por unë mendoj se kjo shprehje është me shumë vënd. Sa me fat janë pushtetarët tanë se të gjithë origjinën e tyre e kanë nga bregdeti. Dikush në Ksamil dhe pak më poshtë, ndërsa tjetri në rrethinat e Velipojës, Golemit apo në Gjirin e Lalzit. Nuk kanë lënë metër dhe pëllëmbë, pa e përvetësuar dhe bërë të tyren. Pashallarë hesapi. Këto goxha vila që fëmijët tanë do i shohin me zili, sot e në vazhdim duhet të jenë prova akuze, në vitet e ardhme sepse brezat, do ju kërkojnë llogari per ekzistencën e tyre në vëndin e gabuar, nëpërmjet abuzimeve dhe mashtrimeve. Një ditë këmbanat do të gjëmojnë edhe për ta. Nënë ka kohë që mua smë lë të qetë pyetja legjitime. Pse mos të jemi edhe ne krenar për këtë pasuri që po mban ti mbi lëkurë. Pse sillen si bij bejlerësh duke zënë Lagunat, detin dhe ajrin. Shikoje bregdetin që po klith nga betonimi dhe telat ndarës, nga pronarat e rinj. Rëra vuan nën peshën e thundrave të shezlongjeve dhe militantëve. Të bisedoish me të thotë shpesh, më ka marrë malli për pak djersë njeriu, ta lëpi atë, siç bëja në të kaluarën. Ndërsa unë me shokë shtërngoj fort kuletën, dhe ruhem se mos më grabisin ditën që marr përkrahjen Sociale prej 3800 lekësh në muaj, edhe ato të shkreta, sepse këtu hajdutët të rrëmbejnë edhe sytë. Kur fëmijtë e tyre me makina të mira të kohëve të fundit, dalin duke xhiruar gomat dhe fshinë djersën me qindra euro dhe dollarë. Shtetet nuk janë institucione të perëndisë ato krijohen nga forcat natyrore të jetës, për tu shërbyer shtetasve, dhe jo një grushti njezish të cilët kanë krijuar një elitë. Bashkjetesa e shoqërisë është e nevojshme për të ruajtur njeriun dhe kulturën. Pushteti shtetëror është i nevojshëm që njeriu mos të hajë njeriun si në xhungël, por lidhe atë me njëri tjetrin, pasi ne jemi të liq nga natyra. Fuqia që e bën shtetin është tek uniteti, që ka brënda në strukturat e tij, me popullin e tij dhe nga përkushtimi, për tju vërë në dispozicion të popullit me ligje të punojë, dhe të mirat materiale ti gëzojnë bashkë. Por këtu tek ne nuk ndodh më kështu o nënë, sepse secili mendon për vete. Një ministër i ndrron makinat si mbreti gratë, ata fryhen dhe pasurohen, dhe fati ynë ka rënë në duart e tyre. Kujt ti flasësh e kujt ti kërkojsh ndihmë. Mugëtirë vetëm mugëtirë. Në këtë gjëndje jemi katandisur sot ne o nënë. Dhe prap kur na thërrasin nëpër fushata dhe mitingje, disa nga ne dhe të pa ngrënë shkojmë me të shpejtë, të alarmuar dhe me lepe e peqe, se ndoshta ju ngel hatri delenxhinjëve. Turp e shkuar turpit. Tragjedi e shkuar tragjedisë. Deri kur do të duroj ky popull kështu i përulur, kur do të mendojë, se ku është katandisur, dhe ku po e çojnë vëndin këta që sot i kemi në krye të kokave tona. Pse si lëmë ti bëjnë vetë punët e tyre, por u bëhemi ne mashë, që ata të shtojnë pasurinë çdo ditë, dhe ne të na shtohen vuajtjet. Asnjë s`mund të të përgjigjet. Nuk kam parë asnjëherë të vetme ndonjë program televiziv për edukimin e brezit të ri, pa grindje partiake. Na çoroditën me thash e themet e tyre, gjoja për të mirën e këtij populli. Pse nuk ngrihemi dhe të tregojmë dhe ne forcën tonë si popull, por rrimë dhe vuajmë për bukën e gojës nga loja e politikës së tyre për pushtet. Mirë të vjetrit që s`kanë më forcë, që të shprehin pakënaqësitë e tyre. Po Rinia pse s`ngrihet në këmbë të kërkojë një jetë më të mirë këtu, dhe mos të hedhi sytë nga emigrimi. Pse atë djersë që do të hedhë nëpër botë, nuk e hedh këtu ku ka lindur, dhe të jetojë i qetë dhe krenar. Fati i njerzve dhe fati i kafshëve është i njëjtë, thotë një fjalë e urtë. Të dy pavarësisht se çfarë jete bëjnë, në fund të dy vdesin, veçse njeriu ka llogjikën dhe mundohet ta krijojë atë më mirë. Nuk është më i mirë njeriu se kafsha, sepse vetë jeta është qesharake. Eh nënë nënë, sa më shumë të ngacmoj këtë plagë aq më shumë po infektohem, dhe kam frikë se mund më bëhet gangrenë, dhe nuk do gjëj shërim. Më mirë po pres vdekjen i vrarë shpirtërisht në pritje se ndoshta brezat që vinë do të bëhen zot të vetes. Mallëkuar qoftë ai i cili e gabon të verbërin, dhe e çon në greminë apo qesh me pasigurinë e tij të lindur apo të kultivuar. Mallkuar qofshin demagogët, që bëjnë karierë me ëndrrat tona. Rëntë mbi ta zëmërimi i zotave, dhe i yti nënë, sepse po të mallëkoi nëna, asnjëherë nuk e merr veten. Amin.