E shtune, 27.04.2024, 09:04 PM (GMT+1)

Mendime

Ramiz Lushaj: Lura, 'Nderi i Kombit'

E shtune, 30.12.2017, 12:02 PM


LURËS, TITULLIN “NDERI I KOMBIT”, DO IA JEPTE DHE ISMAIL QEMALI E FAN NOLI

Nga Ramiz LUSHAJ

Aty, në atë 17 maj 2017, në një veprimtari elitare, solemne e festive, ku ishin krejt “Paria” e sotme e Dibrës, titullarë të Qarkut, Prefekturës e Bashkisë, e lëshova një mendim për ata që kanë zemër për mirë e firmë për mbarë për me e propozue për dekorim Lurën e historisë, kulturës e turizmit shqiptar, me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, kryesisht dhe për bashkëjetesën e harmoninë e saj fetare. Sikurse, u nderua këtë vit (2017) dhe krahina e shquar e Nikaj-Mërturit në vendlindjen time, Tropojë.

Po, unë nuk kam fjalë për me hupë udhës, veçmas në këso rastesh për mirë, për Lurën... Ndaj, si shpesh herë, më duhet të jem dalëzotës i fjalës time. Të paktën ta kryej misionin tim si gazetar. Kur shkruaja në gazetën lokale “Shkëlzeni” të Tropojës e në të përditshmet e periodiket e Tiranës, e kisha “Lura” mbiemrin e pseudonimit tim letrar. Kjo prej njohjes e nderimit për miqtë e mi lurjanë që ishin në Fierzën e dritës dhe prej dritërimeve historike, kulturore e turistike të vet Lurës. Pra, emri im e ka për detyrë morale me folë, me e mbrojt e me e nderue mbiemrin e vet. E çka po lypim me tepri. Kurrgja, veç asaj që nuk duhet të na mungojë kurrë e kurrkujt: Mirënjohja. Nderimi. E, këto, lypset të jepen: Shqiptarisht. Edhe Shtetërisht.

“Nëse nuk ia mbrrinë koha ta dekorojnë Lurën Presidenti i sotëm Bujar Nishani, patjetër do ta bajnë Presidenti i ri, i ardhshëm, Ilir Meta. Kjo, qoftë dhe për një arsye të vetme, se prejce nga Shpallja e Pavarësisë dy kryeministra ishin në Lurë: Mehmet Shehu dhe Ilir Meta...”. Kështu fola atë ditë të 17 majit 2017. Fola aty, atë ditë, sikur “të isha dibran”. Fola për elitën zyrtare të Dibres. Këtu më duhet të shtoj faktin se asnjë President nuk e ka vizitue Lurën, përveçse dibranit Haxhi Lleshi, ndaj Presidenti Ilir Meta do të ishte i dyti në histori dhe i pari në një çerek shekulli demokraci që shkon në Lurë.

Patjetër, nënvizova atë ditë të 17 majit 2017, këtë akt të lartë do ta bante dhe Ismail Qemali, “Baba i Pavarësisë”, kryetari i parë i Shtetit Shqiptar, i cili e kishte krah të djathtë Dom Nikollë Kaçorrin e Lurës, nënkryetari i Qeverisë së parë Shqiptare të pas Shpalljes së Pavarësisë, që vinte nga një familje me babën katolik, Vokërr Kaçorri e nanën muslimane, Hana Kaçorri.

Ma herët, Kapedani i shquar i Mirditës, Bibë Dodë Pasha, i besimit katolik, u martua me Hiden e Hasan Ajazit të Lurës, e besimit mysliman, e cila u konvertua në katolike me emrin e ri Margjela dhe pas vdekjes të të shoqit, teksa rriste djalin e saj, Prengën, luajti një rol të madh në atë kohë si “Princesha e Mirditës”. Nga Dera Princërore e Gjonmarkagjonëve të Mirditës, një bijë e tyre, katolike, Prena Gjomarkaj (Prena Mirdita) u martua me muslimanin Kros Mena i Derës së Bajraktarit të Lurës.

Dera e Doçit, Derë e Parë e Lurës, me histori personalitetesh ndër shekuj, siç thonë albanologë të huaj e studiues shqiptarë, janë të ndarë në katolikë e në muslimanë. Kësisoj dhe Familja e Morisenëve (Koçeku) të Lurës, katër vllazën me babë e nanë të përbashkët, ishin të ndarë në dy fetë: Gjon Deda (ish drejtues i lartë partie e pushteti në Dibër e Mirditë) me dy vllaznit e tij, Kola e Biba - ishin katolikë, ndërsa Daliu i besimit musliman. Shembuj të tillë të bashkëjetesës harmonike me dy fe gjenden në shekujt e fundit dhe në familjet e mëdha lurjane:  Vladi, Rajta, etj.

Edhe Fan Noli, kryeministër i 1924-tës, do ta vlerësonte Lurën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Kështu thashë në Dibër, në atë ditë të 17 majit 2017, pasi kisha parasysh dhe ato çka thotë në parathënien e librit tim dorëshkrimor mbi 400 faqe “Lura dhe lurjanët”, “Mësuesi i Popullit”, prof. dr. Shefqet Hoxha: “Më 1919 një dashakeq i shqiptarëve kish pasë deklaruar në Konferencën e Paqes në Gjenevë, log zanash për kombin tonë, se shqiptarët nuk qenkan të zotët të bëjnë shtet, sepse nuk mund të merren vesh e të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Kësaj akuze ndjellakeqe i qenka përgjigjur me zgjuarsinë dhe elokuencën që e karakterizonte aty për aty Emzot Fan Noli. Ia plasi në sy: "Dëshiroj që zotëria Juaj të më tregojë një vend tjetër në Evropë apo gjetkë ku të gjallojnë bashkë më së miri në një shtëpi familjarë dy besimesh, të krishterë e myslimanë. Kurse kjo ndodh në dy krahina të vendit tim, në Lurë e në Nikaj-Mërtur””.

E, tashti, në përmbyllje, po theksoj: në koft se Presidenti Meta e dekoron Lurën me “Nderi i Kombit” nuk ka kohë ma të mirë për me e krye këtë akt se sa Maji i 2018-tës, sepse është Dita e Shën Kollit (24 Maji tradicional, ose e diela: 27 Maji), të cilën lurjanët e festojnë me miqë, bashkarisht, edhe të krishterët, edhe muslimanët... Kjo ditë ka shenjtërinë e vet, ku Presidenti Meta do të lëshonte mesazhe madhore aktuale e perspektive, kombëtare e globale për bashkëjetesën e harmoninë fetare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora