E merkure, 11.12.2024, 06:03 PM (GMT)

Mendime

Ilir Sefaj: Kodi etik i medias dhe dhuna ndaj gazetarëve

E enjte, 26.10.2017, 06:33 PM


Kodi etik i medias dhe dhuna ndaj gazetarëve

Nga Ilir Sefaj

“Gazetat sot në botë janë një tregti: shesin kartë të shtypur, si bakalli që shet djathë të kripur”, shkruante qysh më 1924 Mit’hat Frashëri.

Eseja “Gazëtarëvet” nga libri eseistik “Plagët tona” të Mit’hat Frashërit të botuar më 1924, mund të konsiderohet edhe si ‘Kodi i parë etik i medias shqiptare’.

Sot, në kohën tonë moderne a postmoderne së bashku me fjalën e shkruar, ka evoluar edhe mënyra e plasimit të saj në publik. Përderisa në të kaluarën është nevojitur kohë derisa publiku ta marr informacionin për të cilin ka mundur të shfaqë interesim, sot në kohën e avancimit të teknologjisë informative nevojiten pak sekonda, madje jo rrallë edhe në kohë reale të arrihet te informacioni i dëshiruar.

Mirëpo, pa dashur të thellohemi shumë në gjëra të cilat do të mund të konsiderohen teknike, in medias res të kësaj përqasjeje është ‘kodi etik i medias në Kosovë dhe dhuna ndaj gazetarëve’.

Media luan rol të pakontestueshëm në një shoqëri të caktuar, dhe kjo nuk do shumë diskutim. Të vetëdijshëm për këtë fakt, ajo (pra media), jo rrallë është ‘përvetësuar’ nga individë të caktuar dhe nga grupe të ndryshme të interesit.

Liria e fjalës, liria e informacionit dhe e kritikës janë elemente bazë të demokracisë, mirëpo janë disa rregulla sipas të cilave duhet vepruar një medium, redaktor, gazetar profesionist.

Në realitetin tonë të brishtë politik, cak i sulmeve fizike jo rrallë kanë qenë edhe gazetarët, dhe në një shoqëri demokratike akte të tilla janë të papranueshme dhe njëkohësisht të dënueshme, gjithsesi.

Nëse pajtohemi se dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme, sigurisht se para kësaj duhet të kërkojmë që informacioni i plasuar për publikun duhet të jetë profesional dhe i paanshëm.

Ekzistojnë dhjetëra rregulla të shkruara dhe ‘të pashkruara’ sipas të cilave plasohet një informacion i caktuar. Fatkeqësisht në kaosin mediak i cili mbretëron sot në Kosovë, është tejet i vështirë ‘menaxhimi’ i këtyre rregullave, ngase siç do të shprehej Umberto Eco: “Interneti u ka dhënë të drejtën e fjalës budallenjëve”, por kjo nuk na liron nga përgjegjësia, do të shtonim ne.

Siç jemi në dijeni, në mediat në përgjithësi e në veçanti ato të cilat veprimtarinë e tyre e zhvillojnë  në platformën ‘online’, jo rrallë janë publikuar lajme e informacione që bien ndesh me kodin etik të gazetarisë. Pra, këto mediume kanë publikuar informacione mbi jetën private të figurave publike anipse ato nuk përbëjnë asnjë interes për publikun.

Kujto këtu deputetin e NISMA-s, Haxhi Shalën, i cili u bë toplajm në mediat online për lidhjen e tij me një femër. Në fakt ky lajm nuk paraqet asnjë interes për opinionin publik, ngase lidhja e deputetit në fjalë është krejtësisht jashtë veprimtarisë së tij politike dhe funksioneve shtetërore që ka.

Janë pastaj me dhjetëra artikuj të publikuar në veçanti në mediumet online, ku një të akuzuar për një krim të mundshëm, gazetarët e përshkruajnë subjektin e caktuar si kriminel ende pa pasur një vendim të formës së prerë nga gjykata. Kjo në fakt përben shkelje të drejtpërdrejt të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Sidoqoftë, ata që vetën e konsiderojnë gazetar profesionist duhet që me fanatizëm t’i përmbahen kodit etik të medias, ngase ikja prej rregullave që sugjeron kodi etik, sigurisht që shpie në dezinformatë, keqinformim dhe njëkohësisht në amatorizëm. Ndërkaq, fenomeni i dhunës është i papranueshëm në të gjitha rrethanat, në veçanti për një shoqëri e cila aspiron demokracinë dhe barazinë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora