Mendime
Adil Fetahu: Qëndrimi i shqiptarëve, serbëve dhe grekëve ndaj hebrenjëve
E marte, 24.10.2017, 07:12 PM
QËNDRIMI I SHQIPTARËVE, SERBËVE DHE GREKËVE NDAJ HEBREJVE
Nga Adil FETAHU, adil_fetahu@hotmail.com
Shqiptarët dhe Hebrejtë
Shqiptarët dhe Hebrejtë janë dy ndër popujt më të lashtë në historinë e njerëzimit. Dhe këta dy popuj të lashtë, kanë një histori të ngjajshme: qysh heret kishin shtetet e tyre të forta, por në ndërkohë u pushtuan dhe vuajtën për më se dymijë vjet nën pushtime të popujve e perandorive të ndryshme. Megjithatë, falë vitalitetit dhe veçantisë së tyre, me shume vuajtje e sakrifica ruajtën substancën, u ringjallën si feniksi, u organizuan dhe në shekullin e kaluar përsëri formuan shtetet e tyre. Shqiptarët humbën shumë njerëz e territore, por megjithëse të pushtuar, mbijetuan si autokton në një pjesë të territorit të vet. Ndërkaq, Hebrejtë ishin të shpërndarë nëpër botë, por të lidhur fort e të ndihmuar mes vete, punëtorë të zellshëm, formuan komunitete të forta, elita dhe individë që zunë majat e strukturave ekonomike, politike e diplomatike, dhe mbajtën gjallë idenë e kthimit dhe formimit të shtetit të tyre. Shqiptarët përjetuan përndjekjet, vrasjet, djegëjet, gjenocidin. Hebrejtë përjetuan antisemitizmin, inkvizicionin, përndjekjet dhe hollokaustin. Periudhën më të vështirë Hebrejtë e kishin prej vitit 1933, kur në Gjermani erdhi në pushtet regjimi nacist, e sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1944), kur ndodhi holokausti dhe zhdukja në masë e hebrejve, në mënyrën më mizore.
Ka të dhëna, se disa individë e familje Hebreje kanë ardhur në mesin e Shqiptarëve qysh nga koha e inkvizicionit dhe përndjekjes së tyre të madhe nga Spanja mesjetare. Në defteret turke të vitit 1526, është shënuar se në Novobërdë jetojnë gjashtë (6) familje hebreje. Novobërda asokohe ishte qendër e rëndësishme e zhvillimit të xehëtarisë. Hebrejtë e përndjekur nga Spanja e Portugalia (1492 e 1496), kanë ardhur e janë shpërndarë në Gadishullin Ilirik, më së tepërmi nëpër qytete të bregdetit Adriatik, prej Dalmacie deri në Durrës, Vlorë e Selanik, por edhe në brendësinë kontinentale (në Sarajevë e Vojvodinë). Në Shqipëri kanë ardhur hebrejë më së tepërmi në kohën e qeverisjes së Mbretit Ahmet Zogu, deri në vitin 1939. Aty nuk kishte antisemitizëm as urrejtje fetare. Përkudnrazi, regjimi kishte pranuar hebrejtë si komunitet fetar, bile ishte i gatshëm të pranonte edhe më shumë hebrejë. Ambasadori amerikan në Shqipëri (në vitet 1930-1933), Herman Brenstein, që vet ishte hebre, kishte biseduar me Mbretin Zog për vendosjen në Shqipëri të familjeve hebreje nga Austria e Gjermania. Hebrejtë që erdhën, u pritën mirë, iu dha leje qëndrimi e leje pune, madje edhe shtetësia shqiptare. Bile, mjeku i familjes mbretërore dhe fotografi zyrtar i Oborrit mbretëror ishin hebrejë (dr.Ourinovski, mjek dhe Wilhem Weitzman,fotograf). Shumë refugjatë hebrejë prej Shqipërie kanë emigruar në Italinë e Jugut dhe në Amerikë. Flitet, por nuk është dokumentuar, se edhe vet Albert Einsteini, në vitin 1930, kaloi nëpër Shqipëri, para se të largohej për në ShBA. Në vitin 1938, ishte lidhur marrëveshja midis Austrisë e Mbretërisë Shqiptare për heqjen e vizave midis këtyre dy shteteve, dhe kjo stimuloi ardhjen në Shqipëri të shumë familjeve hebreje të rrezikuara.
Është thënë e vërtetuar nga qarqe të ndryshme edhe hebreje, se Shqiptarët kanë pasur një qëndrim korrekt e tolerant ndaj hebrejve gjatë gjithë kohës, dhe se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë, prej nga në fund të Luftës së Dytë Botërore kanë dalë dhjetëfish më shumë hebrejë, se sa ishin në fillim të asaj lufte, edhe për shkakun se shumë hebrejë kishin ikur nga shtetet tjera dhe kishin gjetur strehim e mikpritje te shteti dhe populli shqiptar. Kur them Shqipëria, mendoj në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët si shumicë absolute, sepse gjatë periudhës 1941-1944, të gjitha trojet shqiptare ishin bashkuar, dhe ndonëse ishin të pushtuara nga Italia e Gjermania, kishin një administratë të veten shqiptare dhe një “sovranitet relativ”. Hebrejtë kryesisht ishin të strehuar nëpër familje. Një nënë shqiptare, Lime Balla, nga fshati Shëngjergj i Durrësit, tregon: Në muajin e Ramazanit të vitit 1943, në fshatin tonë erdhën nga Tirana 17 hebrejë, të cilët qëndruan aty 15 muaj. Ne i morëm në shtëpinë tonë tre vëllëzër që quheshin Lazar. Flisnin një gjuhë që ne s’e kuptonim, i veshëm me rroba fshati, punonim dhe ushqeheshim bashkë, si anëtarë familje. Policia lokale e dinte, por nuk trazoi njeri. Në dhjetor të vitit 1944 u larguan, u nisën për në Prishtinë, të cilët i ndihmoi një nipi ynë që ishte partizan”. Më 4 tetor 1992, Yad Vashem e vlerësoi Destan Ballen dhe bashkëshorten e tij, Lime Balla, me çmimin: “Fisnik mes Kombeve”. Raste te tilla ishin të shumta në Shqipëri, në Kosovë e gjithandej në trojet shqiptare.
Nuk dimë sa hebrejë ka sot në Shqipëri, por në Kosovë janë të regjistruar nja 56 hebrejë që jetojnë në Prizren, e mund të ketë edhe nëpër qytete tjera, dhe ekziston një Shoqatë e Miqësisë Shqiptaro-Hebreje, me seli në Prizren. Në Prishtinë janë të njohura, të rrethuara e të ruajtura varrezat e hebrejve, ndërsa në oborrin midis ndërtesës së Parlamentit e të Qeverisë, në vendin ku deri në vitin 1963 ka qenë sinagoga, është ngritur një pllakë përkujtimore (2013), në të cilën është shkruar (shqip, anglisht, hebraisht dhe serbisht): “Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë”. Ai Memorial ruhet aq shumë, sa që nuk më lejuan ta fotografoja për këtë shkrim, prandaj po ia bashkangjes një fotografi të varrezave.
Serbët dhe Hebrejtë
Hebrejtë kanë ardhur në Serbi, atëherë kur kanë ardhur edhe në vendet tjera të Ballkanit, më së shumti në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, dhe janë marrë kryesisht me tregti e zejtari. Atëherë nuk kanë pasur problem me vendasit. Problemi për Hebrejtë dhe për Shqiptarët është paraqitur kur Serbia ka fituar pavarësinë (1878, në Kongresin e Berlinit). Atëherë është shfaqur ideja e krijimit të shtetit të pastër nacional ortodoks serb, pa minoritete të përkatësive tjera kombëtare e fetare. Elitat intelektuale dhe ajo kishtare zhvilluan dhe përhapën politikën e urrejtjes nacionale kundër kombësive e feve tjera, e në këtë kontekst edhe antisemitizmin dhe urrejtjen kundër Hebrejve. Me propagandën e tyre antisemite, i fajsonin Hebrejtë për të gjitha të këqiat që iu kanë ndodhur popullit serb. Kështu, me terma të ndryshme që ua mveshnin Hebrejve: masoneria, kapitalizmi, demokracia, pacifikimi, komunizmi, etj, përhapnin defetizëm, frikë, urrejtje e mostolerancë ndaj supremacisë intelektuale dhe ekonomike të Hebrejve. Kisha Ortodokse Serbe, nga ana e saj, Herbejtë i quante njerëz të pa fe, pa etikë e pa moral, “opozitë e Zotit”, dhe trup i huaj në kombin serb, që duhet të menjanohet (politikani Dimitrije Lotiq, peshkopi Nikollaj Velimiroviq, e shumë të tjerë). Këta e të tjerë, në prag të Luftës së Dytë Botërore (1938), thoshin se Hebrejtë meritojnë ndëshkimin. Botonin libra e gazeta, në gjuhën gjermane e serbe, me të cilat nxitnin urrejtje e mostolerancë të hapur dhe agresive kundër hebrejve (“Erwache” – Zgjohu; “Angrif” – Sulm; “Novi put” – Rrugë e Re; “Nash put” – Rruga jonë, etj). Këtë tendencë e pranoi pushteti i atëhershëm, prandaj nuk ishte i rastësishëm holokausti që pësuan Hebrejtë në Serbi gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Menjëherë pas okupimit gjerman të Jugosllavisë (prill 1941), pushteti kuisling i Millan Nediqit, që ishte bashkëpunuesi më i afërt me Rajhun e Tretë, publikoi Urdhëresën e Komandës Ushtarake të Gjermanisë (maj 1941), që brënda afatit prej dy javësh, të gjithë hebrejtë të lajmërohen në stacionet e policisë serbe (për t’i regjistruar) dhe detyrimisht të bartin në dorën e majtë shenjën dalluese – shiritin e verdhë me mbishkrimin: “Hebre”. Sipas urdhëresës, të gjithë hebrejtë e punësuar në administratën apo në institucionet publike, menjëherë duhet të pushohen prej pune. Hebrejtë nuk mund të kryejnë as punë private profesionale: të avokatit, mjekut, dentistit, farmacistit, veterinerit. Në paragrafin 18 të Urdhëresës, trajtim i njëjtë sikurse për Hebrejtë, ishte caktuar edhe për Romët, të cilët gjithashtu duhet të mbanin shiritin me mbishkrimin “Rom”. Komesari për Administratën e Brendshme të Serbisë (Millan Aqimoviq), publikoi një Deklaratë (16 maj 1941), në të cilën, ndër të tjera thuhet:”Kemi dhënë fjalën në emrin tonë dhe të popullit tonë, se ashtu do të veprojmë. Jemi falënderues për qëndrimin korrekt të ushtrisë gjermane ndaj popullit tonë, dhe besoj se një premtim të tillë e mbanë edhe tërë populli”.
Pas kryerjes së regjistrimit, vazhodi aksioni intensiv i arrestimit dhe dërgimit nëpër kampet e përqëndrimit: në Sajmishte e Banjicë të Beogradit, në Shabac e Nish, por edhe në kampet e shteteve tjera të Europës (Aushvic, Dahau, Bergen-Belsen, etj). Kampet e përqëndrimit për Hebrejtë në Serbi janë instalua para atyre në Poloni. Kështu, nga 33577 Hebrejë që ishin në Serbi e Vojvodinë në vitin 1941, mezi kishin shpëtuar të gjallë 6533 sish në mbarim të luftës, të cilët ose kishin arritur të ikin jashtë Serbisë (në Kosovë, në Shqipëri apo gjetkë), ose u ishin bashkuar çetave partizane. Në periudhën mars-maj 1942, 6280 fëmijë, gra e pleqë hebrejë në Kampin “Sajmishte”, janë ngulfatë në kamionat special me karbon-monoksid, dhe pastaj janë hudhë në varrezë kolektive në Jajince. Pushteti kuisling serb dhe Rajhu gjerman lavdëroheshin se Beogradi ishte kryeqyteti i parë në Europë “që kishte zgjidhur çështjen hebreje”. Pas luftës, ata hebrejë që kishin shpëtuar gjallë, nëse donin të shpërnguleshin në shtete tjera, detyroheshin të nënshkruanin deklaratë, se heqin dorë nga shtetësia serbe dhe nga pasuria e tyre, në favor të shtetit të Serbisë. Kështu, me pasurinë e konfiskuar hebrejve gjatë luftës, dhe me mbajtjen e pasurisë së atyre që u shpërngulën pas luftës, Serbia kishte arritur përfitime materiale marramendëse nga pronat e tyre. Kuvendi i Serbisë, më 12.02.2016, ka miratuar Ligjin për Restituimin e Pasurisë së Hebrejve, ashtu që në 25 vjetët e ardhshme (2017-2041), t’ia paguajë Lidhjes së Komunave Hebreje në Serbi nga 950.000 euro në vit. Kështu, Serbia ka marrë përgjegjësinë për krimet që regjimi i mëparshëm ua ka bërë Hebrejve. Se a është ky kompensim adekuat, është çështje tjetër, por heret a vonë kështu Serbia duhet t’ua kompenzojë dëmin të cilin regjimet e mëparshme serbe u kanë shkaktuar edhe Shqiptarëve.
Grekët dhe Hebrejtë
Në tokën e Greqisë së sotme, konkretisht në qytetin e Selanikut, po edhe në qytete tjera, Hebrejtë kanë ardhur prej dy rrymave: Ashkenazët kanë ardhur në vitin 1376, ndërsa Sefardët në vitin 1492 kur janë përndjekur nga Spanja dhe Portugalia. Selaniku atëherë ka qenë qyteti i dytë përkah rëndësia i Perandorisë Osmane. Ardhja e Hebrejve është mirëpritur. Asokohe koncentrimi më i madh i Hebrejve ishte bërë në Selanik dhe në Stamboll. Në Selanik jetonin pjesëtarë të kombeve të ndryshme: Turqë, Shqiptarë, Herbejë, Maqedonë, Vllahë, e më së paku kishte Grekë. Komuniteti Hebrait ishte më i forti, që me punën e vet kishte përcaktuar jetën ekonomike e kulturore të qytetit, por edhe pasurinë e Perandorisë Osmane. Prandaj, gjuha hebreje dominonte në qytet. Hebrejtë kishin një kuart të tërë të vetin në qytetin e Selanikut. Historiani grek, Jorgos Margaritis, profesor në Universitetin “Aristotel” të Athinës, në librin e tij: “Bashkëatdhetarët e padëshiruar” (2010), trajton fatet e komunitetit të hebrejve prej fillimit të pavarësisë së Greqisë (1821), pastaj në vitin 1891 dhe 1931. Autori paraqet fakte tronditëse të shkatërrimit të komunitetit hebraik në Greqi, që arriti kulmin gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1944).
Gjatë Luftës Ballkanike (1912), kur ushtria greke hyri në Selanik, për popujt jogrek erdhën ditë të zeza, veçmas për Turqit, Shqiptarët dhe Hebrejtë. Pastaj Selaniku u mbush me ardhacakë grekë, sidomos pas Marrëveshjes së Lozanës (1923) për shkëmbimin e popullsisë midis Turqisë e Greqisë. Kështu, Selaniku u dominua plotësisht nga elementi grek, dhe u acaruan marrëdhëniet me komunitetet e tjera, për shkak të mostolerancës fetare e kombëtare. Në prag të Luftës së Dytë Botërore, në Selanik kisht 60 000 deri 70 000 Hebrejë. Pas pushtimit gjerman të Greqisë, qeveria kuislinge dhe forcat e gjeneralit Napoelon Zerva bashkëpunuan ngusht me trupat gjermane SS dhe arritën t’i deportojnë Hebrejtë e Selanikut, Janinës, Volos e Korfuzit, dhe Shqiptarët e Çamërisë. Derisa ndaj shqiptarëve bënë masakra e gjenocid, duke vra, pre e djegë rreth 5000 veta, e përzënë nga pronat e tyre më se 25000 veta, që ikën dhe u vendosën në Shqipëri,- hebrejtë i grumbulluan dhe deportuan në kampet naciste Auschwitz Birkenau. Sipas të dhënave gjermane, nga Selaniku për në kampet e zhdukjes janë deportuar 43850 hebrejë, me 19 kompozicione hekurudhore (www.portalnovosti.com). Ndërkaq, sipas shënimeve tjera, nga Greqia janë zhdukur 57000 deri 60000 hebrejë (Wikipedia, broj zidovskih zrtava/numri i viktimave hebreje). Greqia me shumë dëshirë i ndihmoi nacistët në identifikimin, arrestimin dhe deportimin e hebrejve, ndaj të cilëve kishte zili dhe urrejtje, për shkak se hebrejtë ishin shtresa më e pasur, të cilët zotëronin ekonominë, veçmas tregtinë dhe financat, dhe se ishin komuniteti më i madh, më kompakt dhe e më i fortë hebraik në Ballkan. Po, hebrejtë në Greqi edhe sot janë të rrezikuar, në dy aspekte. Në aspektin ekonomik janë nën presion të madh, për shkak të krizës financiare të shtetit grek. Dhe në aspektin e sigurisë, për shkak të mostolerancës fetare e kombëtare, antisemitizmit dhe ekstremizmit agresiv të organizatës “Agimi i Artë”, pjesëtarët e së cilës edhe sot e kësaj dite përndetën si nacistët, ndërsa Kisha Otodokse Greke nuk toleron asnjë fe tjetër në Greqi.
Edhepse shteti grek është anëtar i BE-së, NATO-s dhe të gjitha organizmave ndërkombëtare, nuk e ka sanksionuar mohimin e holokaustit, kurse deputeti i Parlamentit grek, përfaqësues i “Agimit të Artë”, haptas e mohon holokaustin dhe numrin e viktimave të hebrejve.
Në Greqi praktikisht u luajt “tragjedia antike greke” kundër Hebrejve dhe Shqiptarëve!
Poshtë: Varrezat e Hebrejve në Prishtinë, dhe pllaka mbi një varr, me shkronja hebraite.