Mendime
Halil Bregasi: Toka, dikasteret, mbjelljet
E diele, 30.04.2017, 09:09 AM
TOKA - DIKASTERET - MBJELLJET (PRODHIMI)
NGA HALIL BREGASI
Toka, kjo krijesë e evolucionit shpërthyes të miliona shekujve, ajo që neve edhe sot bëjmë përpjekje ta shfrytëzojmë, gjithmonë sipas interesave individuale apo grupindividëve, është elementi bazë i jetës, sigurisht pas ujit. Nëse nuk do të kishte tokë, edhe ne nuk do të kishim mundësi jetese, pra jeta nuk mund të imagjinohet.
Qysh kur njeriu u organizua në atë mënyrë, ku çdo gjë administrohej e kontrollohej nga një dikaster qendror që quhet Qeveri, kjo pasuri, pra toka, iu besua një nëndikasteri i emërtuar, përafërsisht në të gjitha vendet, “ Ministri e Bujqësisë”. Është ky dikaster që përgjigjet kudo, në çdo sistem shoqëror, për inventarizimin, administrimin, shfrytëzimin dhe prodhimtarinë e të mbjellave në të. Pra, kjo ministri, mund e duhet të dijë se çfarë mbillet në atë sipërfaqe toke, qoftë kjo: tokë arë, kullotë, pyllishte, qoftë edhe moçalishte, rendimentet dhe sasia e prodhimit që sigurohet, qoftë kjo në sipërfaqe të hapura apo sera (diellore ose me ngrohje), në taraca ose troje.
Është ky dikaster që administron edhe inventarin e blegtorisë, sasinë e prodhimit, por që varet përsëri nga sigurimi i bazës ushqimore në tokë, qoftë kullota natyrale, mbjellje e foragjereve, ose shfrytëzimi i mbetjeve nga kulturat bujqësore.
Në të mbjellat që mund të bëhen në këtë tokë, hyjnë dhe disa bimë si hashashi dhe kanabisi. Pra, janë, me dashje apo pa dashje, kultivarë të njohur tashmë në sipërfaqen e tokës, për të cilën, thamë se përgjigjet një dikastër i fuqishëm, siç është Ministria e Bujqësisë. Por ka edhe diçka tjetër: njihet mirë efekti i dëmshëm i disa të mbjellave në mjedis, sidomos kur ato bëhen duke shkatërruar bimësi të tjera, të cilat i ka sajdisur natyra ose njeriu, me qëllimin e mirë, për të siguruar një mjedis më të pastër. Dhe në këtë aspekt, qeveritë ngrenë edhe këtu një ministri tjetër, me plot personel, Ministria e Mjedisit.
Nëpërmjet medias së shkruar e sidomos asaj vizive, bëhet një luftë e fortë midis forcave politike të vendit tonë dhe, sipas dukjes time, “dobiçi” i ngelet gjithmonë një dikasteri krejt tjetër, pra, Ministrisë së Brendshme, sidomos Policisë së Shtetit dhe ministritë e mësipërme, pavarësisht detyrave për administrim të tokës e mjedisit nuk u dëgjohet gjëkundi emri, pavarësisht se edhe në këtë rast kemi të bëjmë për një prodhim të tokës, përfshi edhe kanabis sativa, e që duhet të japin llogari për sasinë e tokës që shfrytëzohet me këtë bimë, sa është rendimenti e sa prodhim merret, kjo më duket e thjeshtë për ta kuptuar.
Lind patjetër problemi i ligjshmërisë së mbjelljes, pra kjo mbjellje është e paligjshme e përbën shkelje ligjore të dënueshme. Mirë. Po ku është përgjegjësia e Ministrisë së Bujqësisë apo të asaj Mjedisore e ku fillon pëgjegjësia e Policisë së Shtetit? Janë të një qeverie dhe duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë në mënyrë të barabartë, të paktën kështu mendoj unë, që jam me origjinë nga fshati. Prandaj, debati midis përfaqësuesit të LSI dhe ish Ministrit të Brendshëm duken pa kuptim dhe s’kanë pse t’i fusin gishtin në sy njeri-tjetrit.
Po a është mbjellë kjo bimë edhe para vitit 2013? Po. Kanë qenë të deklaruar Lazarati i Gjirokastrës dhe “Lazaratet” e tjera, por dikasteret e asaj kohe, heshtnin, i linin të qeta këto “ndërmarrje jo publike” dhe kur kapeshin (në raste të rralla), mbuloheshin e nuk delnin në efir. Kështu që nuk merrej vesh asgjë nga kjo situatë.
Pas 2013, këtij problemi iu kundërvunë në mënyrë të hapur, duke e goditur dhe deklaruar, gjë që çoi në fenomenin e “krisjes” apo “ferrës”, të cilat sa më shumë t’i coptosh duke i prerë, aq më shumë shtohen. U shtua aq shumë sa që, ata të çadrës së rrugës, e kanë në gojë në çdo çjerrje të zërit të tyre, sikur ky është problem i një individi e jo edhe i atyre, sepse mbjellësit nuk janë me tesera partie, e nëse janë, janë nga të gjitha partitë.
Mendoj se kryetari i PD dhe disa të tjerë që dalin me fjalorin më banal, duke ofenduar kundërshtarët e tyre politikë, por jo armiqtë e tyre, në një farë mase kanë edhe të drejtë. Mendimi im është se, ata bëjnë luftë për jetën e tyre e të familjeve të tyre, mbasi nuk e kanë të sigurtë të ardhmen, sepse i dinë mirë zullumet që kanë bërë.
Ajo që më habit si dukuri, janë disa të moshuar, të cilët vijnë nga rrethet e duan patjtetër që të ushqehen, por, besoj se u është gjetur zgjidhja: ose të paguhen nga udhëheqësit shpirtërorë, ose të hanë drekë në mencat që ka hapur E. Veliaj, e pastaj të venë dhe rrinë në çadër.
Momenti më keqardhës është pjesëmarrja e disa të rinjve. Ata po edukohen me fjalorin banal, me të cilin as ata e as familjet e tyre, nuk mund ta përdorin, as në familje e as kundër vëllezërve të tyre, pavarësisht bindjeve. Kjo më duket më shqetësuesja, pa droje mund ta quaja “krim kombëtar”, sepse po shkatërrojmë të ardhmen e vendit. Do jenë këta të rinj që pas jo më shumë se një dekadë do drejtojnë Shqipërinë. Larg qoftë në se zbatohet teoria e Hitlerit, që merrte fëmijët dhe i përgatiste me egon e racës superoire, deri sa ata ishin në gjendje të vrisnin cilindo që nuk ishte gjerman. Po këta, tanët, cilët do vrasin, vëllezërit?
Ju lutemi që kjo gjendje duhet të ndryshojë sa nuk është tepër vonë.
Edhe për problemin e zgjedhjeve: me votim të rregullt janë ndarë: shumica e pakica, pozita e opozita. Nuk është parë kund që pakica të detyrojë shumicën për tekat e saj. Kështu edhe këtu tek ne. Kushdoqoftë, të bëjë përpjekje për të siguruar shumicën në zgjedhje që të dëgjohet më shumë, por duhej të rregullonin më parë kodin zgjedhor e pastaj ta shikojmë se si do venë numurat. Kjo, jo se e them unë, por është në logjikën e thjeshtë të kujtdo.