Mendime » Radovani
Fritz Radovani: A kishin mbetë burra...
E shtune, 29.04.2017, 02:00 PM
Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e XV
1967- A KISHIN MBETË BURRA QË E KUNDERSHTUEN
“REVOLUCIONIN IDEOLOGJIK E KULTURAL” ?
PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit...”
?Kishin mbetë edhe pak!..
Tirana zyrtare komuniste e “tipit të ri kinez” publikonte artikuj dhe thirrje të “rinisë revolucionare” per një vendosmeni të pashoqe per me çue deri në fund idetë e detyrat e “shokut” Enver... Dhe, kur u kthye nga Shkodra kamera e kinostudjos së Tiranës, dilnin detyra tjera urgjente nga podet e sallës së Institutit Pedagogjik, ku kishte ardhë me “zbatue” ata ide në Shkoder “hija e drejtuesit revolucionit” ose “dora vetë” Ramiz Alia.
?Aso kohe kishte “disa dr. Profesora” që kur ishin në Bulevardin e Tiranës në xhiro dhe, po të fillonte me cikrrue shi... Po të ishin pa mrrela, futeshin derisa të pushojnë shiu në Komitetin Qendror të PPSH, ose edhe në Kryeministri... Ndersa, po t’ ishin tek qendra pra, tek Xhamija, futeshin në ministrinë e mbrendshme jo per gja, po “pinin një kafe”!
?Këta “intelektualë” edhe sot vazhdojnë me thanë dhe me shkrue se: “Mbas vitit 1946 në Shqipëri nuk kishte më kundërshtarë të regjimit dhe as të PPSH, pas atyre që u vranë deri në 46 (dyzetegjashtën), pushteti popullor nuk kishte më asnjë pengesë kundershtare as në qytet dhe, as në fshat. Populli punonte për ndertimin e plotë të socializmit!...”
?Kjo thanje atëherë dhe sot ishte vetem dobsi që mbrohej nga injorantët me tituj. Shumë prej tyne e perforcuene këte “ide” kur filluene bashkpunimin me sigurimin e shtetit.
Në kjoftëse nder “demokraci popullore të Lindjes”, “me të vertetë në 1967 nuk kishte kundershtarë të qeverive atje”, Shqipnia vazhdonte me pasë ma shumë kundershtarë që e dishronin ose e kerkonin perditë permbysjen e pushtetit komunist, sesa e donin ate!
?Një nder Herojt ma të mëdhaj kundershtarë të sistemit komunist në Shqipni (e ndoshta në krejt Lindjen komuniste) asht kenë i Madhi At Pjeter Meshkalla...
?Pak ditë para arrestimit të dytë i ka tregue Nanës s’ime se do të arrestohet, sepse i kishte shkrue një letër kriminelit Mehmet Shehu për shka po ngjante me “Revolucionin Kultural” në Shqipni...Mbasandej, ...“Edhe ndonjë meshtar që ka pasë kenë në burg, ka vdekë, e asht e nevojshme me hy dikush prej nesh mbrendë, se aty ka shumë nevojë për meshtar, mbasi ndër burgje janë shumë të rijë dhe njerëz që janë dëshprue nga mërzia dhe vuejtjet e randa, që janë tue kalue tash sa vite. Asht e nevojshme prania jonë aty...”
Me daten 29 Prill 1967, ora 17.00 u organizue një mbledhje e madhe në auditorin e Institutit Pedagogjik, ku merrnin pjesë instruktorë partije, profesorë dhe intelektualë të “njohun” per kulturen e gjanë ateiste dhe antishqiptare, shumica agjenta sigurimi... Luigj Shala, i ngarkuem me drejtue mbledhjen i dha të drejtën e fjalës At Mëshkallës.
Ai porsa doli para auditorit dhe porsa iu afrue podit të konferencierit, tha këto fjalë:
“Ah, sa mirë që po më jepet rasa me folë njëherë para Popullit me altoparlanta!
Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue Popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qellimi em ka kenë gjithmonë i mirë...me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!.. Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një Zot, jemi të një gjaku, sepse, jemi të gjithë Shqiptarë... Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça dhe nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’ju durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e një ditë ka me ju hangër kryet... Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni...
Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës... Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij... Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi...
Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX...Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri feje e ndërgjegje...Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija... Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, a e dini se po bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!” (Teksti asht ruejtë nga z. Nikolin Muzhani).
U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” –Mëshkalla ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e po forcohet! Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e them si Shqiptar që jam, mbasi kur kam lindë kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se linda nga prind Shqiptarë. Mbasi u pagëzova me emnin Pjetër, më quejtën Katolik, pra, ma parë jam kenë Shqiptar, mandej kam marrë Sakramendet dhe u bana Ushtar i Krishtit dhe i Papës, Mëkambësit të Krishtit në tokë. Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nder, asht kenë emni Shqiptar e derisa të vdes do të jem SHQIPTAR! Unë i përkas Popullit tem, ai me njeh mirë dhe e di sa kam ba unë për té, por ai mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”...
?Filluen mbas At Mëshkallës diskutimet e zjarrta në sallë kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe At Mëshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu anadollaku Jup Kastrati, miku i Ramiz Alisë. Ky ishte i porsazgjedhuni “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet. Ishte koha e bashkpunimit me oficerin Rakip Beqja.
Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi, i cili u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por At Mëshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se as nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën Shefik Osmani, për fjalët e “bukra” që shprehi në drejtim të At Mëshkallës... Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kolë Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanë pranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue diskutimin Halit Isufi (atëherë drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues At Mëshkallën dhe nuk mund të flas kundër Tij, sepse nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër mësuesit tim”. Xhemal Dini, sekretar i Komitetit të PPSh, njoftoi per ata Degën e Mbrendshme, “Me pasë në kujdes qendrimin e tyre.”.
?Nga vendët e para u çue xhelati i njohtun i Sigurimit Xhevdet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e Mbrendëshme të Shkodrës), e tue u ngërdheshë i vuni prangat. Tue hy At Mëshkalla në gjips të Sigurimit, krimineli i ra me shqelm...
***
DOSJA 4191/1 Padër Pjetër Mëshkalla Dosja (Arkivi M. M. Tiranë, 1998)
Hetimet fillojnë me 30 prill 1967, ora 08.00. Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrestimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit. Hetimet u banë në disa seanca gjatë muejt qershor, me dt. 10, 15, 20, 24, 26.
Pyetjet fillojnë nga materiali i mbledhjës së zhvillueme në Institut... Përsa i përket veprimeve të Shtetit në drejtim të Fesë, ata për At Meshkallën janë të papranueshme: “Janë shkelje e të drejtave të njeriut, për të cilat vetë Qeveria Shqiptare asht angazhue se do t’i ruejë të paprekuna.”
?Nga një proçes-verbal rreth dy faqësh i mbajtun me 19 korrik, në orën 14.00, shënohet: “Mbas hetimëve të bëra ndaj armikut të popullit Padër Pjetër Mëshkalla, Gjykata e Rrethit të Shkodrës e përberë nga: Kryetar: Muhamet Tyli, anëtarë: Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror Kostaq Shandro dhe kryesekretari Ibrahim Stankaj, me vëndimin nr. 44, dënoi të pandehurin Pjetër Mëshkalla me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie dhe, me konfiskimin e pasurisë (së tundëshme dhe të patundëshme)”. Ai u dënue me masën maksimale se në gjyq deklaroi: -Se po të shprehin lirisht mendimët e tyne (njerëzit), ky Pushtet nuk ka për të zgjatë shumë.”(Marrë nga proçes-verbali i Gjykatës së Rrethit të Shkodrës). Duket se ajo copë letër nuk tregon asgja, por, jo!..Tregon ate që mohohet!
***
?Gjyqi u zhvillue po, pak kush dinte mbylljen e asaj ngjarje të madhe historike per të cilen vazhdon edhe sot heshtja... E kjo heshtje me siguri njëditë “do të shkrepin”!
Në fjalen e fundit në gjyq At Mëshkalla tha: “Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prap se prap do të dal, sepse, ju shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hangër, e aty asht fund i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!”
At Pjeter Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue ma parë. Ai pa me sy shka paralajmëroi. Diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe këtij nuk patën shka me i ba. Ai dhe Ideali i Tij FITOI !
***
Mbas Gjetsemanit, përsëri Kalvar,.... Kalvar i pafund ishte për Klerin Katolik Shqiptar rregjimi komunist! Çohej e rrëzohej, gjakosej, dërmishej e pështyhej, rrahej e torturohej, varrosej për së gjalli, mbytej e pushkatohej, tretej nëpër zallishta e shkurre me coftina. Fluturonin në qiellin e zymtë korba e sorra me copa mishi, zhguni e veladoni në skjep, e askush në Botë nuk mori një “leckë” me Ua fshi fëtyrën e pastër këtyne Martirëve kaq të mëdhaj, të këtij Populli kaq të “vogël”! Shikonte Europa... e bante sehir! Ndokush... edhe zgërdhihej!..Per me vertetue këte që kam shkrue do të Ju paraqes Letren që At Pjeter Mëshkalla S.J., i ka shkrue terroristit njohun të Spanjës, pra atij Kryeministrit që kur u ngjitej shkallave të Kryeministrisë, hapeshin dyertë “vetvetiu”... dhe, ja çka i thotë:
Kryetarit të Këshillit të Ministrave
Mehmet Shehu Tiranë
Shkëlqesë,
Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të ?
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Krytarit të Kësh. të Ministrave Me nderime
Mehmet Shehu Pjetër Mëshkalla
në Kryeministri – Tiranë meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.
5 Prill 1967.
?Shënim FR: Letra u kopjue nga origjinali në Arkivin e Ministrisë së Mbrendëshme në (1998).
***
1992 Shkova tek Don Mikel Koliqi per dekorimin e At Mëshkallës e u gëzue shumë. Mbasi firmoi peticionin, më tha: “Ai e meriton, mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrestimin, gja të cilën, na të tjerët nuk e kemi ba.”
2017 Prill: Po sot, a u kujtue kush per Veprat Heroike të At Pjeter Mëshkallës !?
?At Pjeter Mëshkalla S.J. nuk asht shpallë “I Lumnueshem!”. A duhet rishikue Lista?!
Vazhdon Pjesa e XVI.
Melbourne, 27 Prill 2017.