E marte, 18.02.2025, 09:52 AM (GMT)

Kulturë

Safet Hyseni: Nëpër dallgët e jetës

E diele, 02.04.2017, 08:42 AM


Mirela Terziu poete vargu i së cilës noton bukur nëpër dallgët e jetës!

Nga Safet Hyseni

“Kështu është jeta, lot, ... dhembje dhe pak lumturi” - Mirela Terziu

Poezia është fjala e dal nga shpirti që të bart nëpër një botë të pafundme dashurie, dëshire, gëzimi,  kureshtjeje... për të jetuar çastet më të lumtura, për të përjetuar dyshimin, për të ndjerë dhimbjen, për tu bë njerëzor. Dashuria, lumturia, dhimbja, pikëllimi maten me peshën e fjalës dal nga fuqia e shpirtit... Poezia është jetë e jetuar, ashtu siç na e thotë dhe poetja Mirela Terziu e cila i ka mund komplekset e një femre dhe bukur noton nëpër dallgët e jetës. Në vargjet e saj ka jetë, jetë përplot ngjyra, e ngjyrat nuk shfaqin çdo herë lumturi, se dhe natyra di të mrrolet,  andaj ajo thotë: “Kështu është jeta, lot, ... dhembje dhe pak lumturi”. Poezia “Mbi trupin tënd”... ka një shëtitje të magjishme ndjenje, lojë deri në ekstazë, që nga puthja, parfumi i lëkurës e deri tek loti, vuajtja e dhimbja, që vijnë më pas. Të dehesh me frymën, me mendimin  mbi trupin e ëndërruar, sikur zbrazë gotën me të kuqen verë, është shumë më shumë se një përjetim dëshire, është dashuri, është hyjnore, është poezi. Kur njeriu nga ekstaza bartet në qiellin e shtatë ngujohet dhe aty përjeton lumturinë e vërtetë, më pas flet shpirti nga ku rrjedhin vargjet:

“Ti një marrëmendje,

Një dehje mbi dehje,

Ti, një mallkim i një dhëmbjeje

Një tufan i ëmbël me një erë të këndshme”.

Poetja me vargjet në vazhdim na e bënë vuajtjen por dhe dhimbjen ta duam ngase atë çast ajo donë ta vuaj, aty ku përjeton momentet më të lumtura. Ekstaza, çasti, që shëtiten lirshëm me fjalën e bukur duke bart ndjenjën nga thellësia e shpirtit krijojnë vargje që të bëjnë të lundrosh duke kërkuar një moment të tillë magjik, moment ku e tërë bota si një pikturë të takon ty.

“Aty më lër të lutem dhe pak të lutem,

Aty ku nuk ka vdekje veç rënkime qiejsh të hapur

Aty harroj çdo gjë, çdo livadh vuajtje

Ku të vuaj për ty më pëlqen të vuaj”.

Ajo pajtohet që të vuaj përjetimin e këndshëm, arsye është shumë e thjesht, e kuptueshme madje është dhe frymëzuese se të tillë na e sjell me një varg tejet artistik mandje dhe filozofik dhe shumë të  qëndrueshëm për të na bind se askush nuk i ka shpëtuar dhe nuk do t’i ik dhimbjes që krijon hyjnorja dashuri nga përjetimi i jetuar. Sa shkurt me sa art dhe sa ëmbël na e thotë:

“Kështu është jeta,

Lot dhe dhembje dhe pak lumturi,

Sa pak...”.

Poezia “Mbi trupin tënd” është një vargëzim ku ka një jetë të tërë, e ndërtuar bukur me shumë art, çiltërsi e emocion dhe është një dhuratë për gjininë e bukur, një mesazh jetësor për ta provuar, jetuar e përjetësuar. Origjinaliteti dhe stili i veçantë ku ruhet dramaciteti nga vargu në varg, poeten e nderojnë dhe e bëjnë të veçantë në artin që krijon.

 

Mbi trupin tënd

 

Mbi trupin tënd lundroj në mendime.

Një ekstazi verë e kuqe, më çorodit mëndjen

nga kënga e bukur e një dlirësi dashurie

Ti vallë ç’je?!

Njeri o perëndi që më ngujove në rrahje të djersitura epshi!

Nën lëkurë ndjej edhe lotin të thahet kur qan nga lumturia si ylberi mbas shiut

Ti një marrëmendje,

Një dehje mbi dehje,

Ti, një mallkim i një dhëmbjeje

Një tufan i ëmbël me një erë të këndshme,

Përkëdhelja më e bukur e një burri ku çon hyjninë e tij në lumturinë e përskajshme

Aty më lër të lutem dhe pak të lutem,

Aty ku nuk ka vdekje veç rënkime qiejsh të hapur

Aty harroj çdo gjë, çdo livadh vuajtje

Ku të vuaj për ty më pëlqen të vuaj

Aty jam unë dhe buzët e mija që flasin dashuri në trupin tënd,

të timin tani.

Duart që kërkojnë lumturi në këtë shtrat të urryer

ku dashuria xhelozon për të si një e marrë e humbur

Kështu është jeta,

Lot dhe dhembje dhe pak lumturi,

Sa pak...

Prandaj kur jam aty nuk mendoj gjë tjetër veç për veten time,

Në shpirtin e lirë të udhëtojë në ëndrra

Aty jam grua, aty ndjehem grua

Aty  fatlum je në krahët e mija me thirrje të ëmbla dhe rënkime zemre

 

Poezia “Gëzuar ditën e poezisë” është një perlë e veçantë, sa lirike aq edhe filozofike. Përse duhet ajo të thotë:

“Më duaj, po të kërkoj sot në fshehtësi

Se e natës të jem, asgjë, nuk mërzitem” ...

dhe atë në “Ditën e poezisë”? Poezia është fjala e bukur, është një derdhje e një ndjenje të thellë që shuan etjen, është art, është hyjnore si puthja, si dashuria. Burimi i dashurisë rrjedh nga thellësia e shpirtit, e poezia shpirtin ta bënë dhuratë me të gjitha ngjyrat, ta bënë dhuratë përmes fjalës së bukur, duke e nxjerrë jashtë si një kopsht me lule, ta ndjenjë edhe të tjerët, ta shijojnë, ta thithin.

“Më puth tej buzëve, duke mohuar shijen e tyre,

Duke dashur marrëzisht mosqenien”...

Çdo dashuri fillon nga buzët, ndërsa ajo kërkon shpirti ta shijoj mosqenien. Filozofia e vargut është se dashuria dhe dhimbja bashkudhëtojnë në mosqenie dhe moskezistencë, ashtu është edhe poezia në “Ditën e poezisë”. Metafora: “Thua ta dua kaq pak veten?” , është tejet e qëlluar që plotëson vargun “Duke mohuar çdo gjë dhe duke dashur të pavdekshmen”, se vetëm dashuria nuk vdes, e si mund të vdes poezia që vargëzon ndjenja hyjnore. Ajo jeton dhe jashtë ekzistencës dhe mosqenies tonë.

 

Gëzuar ditën e poezisë!

 

Më duaj, po të kërkoj sot në fshehtësi

Se e natës të jem, asgjë, nuk mërzitem

Më puth tej buzëve, duke mohuar shijen e tyre,

Duke dashur marrëzisht mosqenien

Dhe unë, mosekzistencen tënde do ta mbaj në shpirt,

Duke mohuar çdo gjë dhe duke dashur të pavdekshmen

Se në këta sy, kam gjithçka

Thua ta dua kaq pak veten?

 

Poezia “Jam grua” është një mrekulli e rrallë, mund të thuhet dhe Himn i gjinisë së bukur. Këto vargje të ndërtuara magjishëm e frymëzojnë të bukurën, përjetimit i japin shpirt e të bukurën, femrën e bëjnë të ndihet krenare.

“Jam grua, me mish të vrarë dhe dramë

Dhe kur sorrat ndjejnë fundin e kësaj tragjedie...

të uritura presin ripërtëritjen ...

Por unë marr frymë, le të shkojnë gjetiu.”

Këto vargje sa janë historike, të dhimbshme janë po aq kurajuese për stoicizëm duke i qëndruar dramës që luhej mbi të bukurën me të gjitha harbutërinë gjatë historisë njerëzore.

“Mbi pemën e djegur dhe të vdekur nga nata

Shpirti klithje lëshon,

dhe lulet ngrihen nga dheu me i dhanë erën e tyre.”

Këtu qëndron pesha e bukurisë së fjalës dhe madhështia e gjinisë, që nga dheu marrin erën... se ajo thotë: “Jam grua”. Sa e sa poet, shkrimtar, piktor... ia përshkruan bukurin... e sa harbut, kriminel, vrasës... u munduan ta nëpërkëmbin... dhe pas të gjitha këtyre ndodhive për gruan dhe rreth gruas ajo shprehet: “Fytyra ime bëhet më e bukur se thellë e di kush jam

dhe nga erdha.” Këto vargje nuk i përkasin vetëm gruas shqiptare por asaj të gjithanshmes, jo vetëm gjinisë femërore por emancipimit mbarënjerëzor. Mjeshtëria e poetes është se në varg nëpërmjet të nënës ka futur kulturën e lashtë e të stërlashtë shqiptare.

Nga vargu në varg kemi dramë, dramën e një gruaje, shpirtin e saj, dashurinë njerëzore, qëndresën dhe krenarinë, pikëllimin e dhimbjen... E nëna është ajo që të vije çdo herë me këshillat e saja, por tash si një nënë shqiptare:

"Je Grua"!... mos më tradhëto!... vazhdoje gjakun tim!

Mos u harro dhe kur ditën do ta braktisë nata.

Ti ecë... fluturo me melodinë tënde që i jep shpirtit dhe syve të shkruar.

Se unë t’i shkruajta për një qëllim.

Puthi buzët e dashurisë si di të puthë një Grua

Bëj dashuri si një e sëmurë për të.

Këndo bija ime dhe kur pak zë të kesh se jeta do të bëj të sajën.

Ti, recito me vehte zemrën tënde se kurrë nuk do të vdesësh.”

Bukur, e si mund të vdesë një grua si autorja e këtyre vargjeve të magjishme, që ka thurë këtë himn për gruan. Nuk është këtu modestia për është respekti dhe tradita ndaj ajo kërkon që gjithë shpirtin dhe dashurinë ndaj nënës, gruas, të nxjerr jashtë si testament të saj.

 

Jam grua

 

Jam grua, me mish të vrarë dhe dramë

Dhe kur sorrat ndjejnë fundin e kësaj tragjedie...

të uritura presin ripërtëritjen ...

Por unë marr frymë, le të shkojnë gjetiu.

Mbi pemën e djegur dhe të vdekur nga nata

Shpirti klithje lëshon,

dhe lulet ngrihen nga dheu me i dhanë erën e tyre.

Jam grua!

Dhe si e marrë e zhveshur,

bukurinë e trupit ja përshkruen qindra e qindra " Botticelli "

Ecë mbi rrugët që "njerëzimi" di të vrasë me kaq pasion ...

sikur të ish eksitim...

sikur të ish orgazmë.

Mendoj...

Fytyra ime bëhet më e bukur se thellë e di kush jam

dhe nga erdha.

Ah, flokët e mi të gjatë e të artë dikur u kryqëzuan me diellin

dhe gjigandi Zeus i bekoi me detrat më të fortë.

Kanë erën e gjakut flokët e mi

dhe loti i shndrit si vaji i Marokut.

Rërë është trupi im...

Hingëllima e kalorësve të Saharasë i bën mburojë

se aty jeton "La rosa del deserto "

"Dio sia con te" dëgjoj brënda vetes

hapa që ecin dhe mbajnë pishtarin e kësaj rruge të gjatë që kur u ndava nga ty nënë.

U ndjeva jetime por në ëndërr më the:

"Je Grua"!... mos më tradhëto!... vazhdoje gjakun tim!

Mos u harro dhe kur ditën do ta braktisë nata.

Ti ecë... fluturo me melodinë tënde që i jep shpirtit dhe syve të shkruar.

Se unë t’i shkruajta për një qëllim.

Puthi buzët e dashurisë si di të puthë një Grua

Bëj dashuri si një e sëmurë për të.

Këndo bija ime dhe kur pak zë të kesh se jeta do të bëj të sajën.

Ti, recito me vehte zemrën tënde se kurrë nuk do të vdesësh.

 

Poezia tjetër që e kam sjell këtu është “Shqipëria... fëmijëria ime”. Shumë poet gjatë historisë njerëzore për arsye të ndryshme kanë jetuar jashtë atdheut të tyre. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me shqiptarët, andaj edhe në këto vargje nuk ka patetizëm por një realitet të shpirtit të poetit, me këtë rast të poetes Mirela Terziu. Poetet si çdo njeri që ndodhet larg me mëndej udhëton në atdheun e tij, shpesh ndodh që atje ta ketë lënë edhe shpirtin. Përshkimi i jetës fëmijërore me thjeshtësinë e fjalës së bukur është shumë emocional për të përfunduar me identitetin e saj krenar që është shqiptare.

“Jam kënga e bukur e kësaj toke

me ndjenjën e kastriotes në shpirt

Fluturimin e shqiponjës njeh krenaria ime

Deri në fund kuq e zi”

 

Shqipëria...fëmijëria ime

 

Kur mendoj Shqipërinë kujtoj një ftua,

Ca tjegulla të mbuluara nga gjethet e kuqërremëta

dhe lozonjare që na mbanin shiun.

Loznim mes kushërinjsh symbyllurazi dhe

me frutat e rëna në tokë bënim një dyqan me peshore gurët e baçes.

Kujtoj hardhinë e rrushit tek gjyshërit e mi

fshehtas duke kërcyer këpusja kokrrat e papjekura.

Kujtoj dhe reçelin e fikut kur zihej gati në çdo shtëpi

me aromën e ëmbëlsisë në tërë rrugicën.

Sepse Shqipëria është fëmijëria ime,

jam unë çapkëne me flokë të artë e me naze.

Jam vajzë dhe nënë për herë të parë me të gjitha dyshimet e saj.

Jam qielli i atdheut tim

Vendëlindja ime zemra e tij.

Jam kënga e bukur e kësaj toke

me ndjenjën e kastriotes në shpirt

Fluturimin e shqiponjës njeh krenaria ime

Deri në fund kuq e zi

 

Poezia “Ma baj nji dhuratë nanë” që është sjell në dialektin gegë, ndoshta përse “Nëna” e ka folur është një poezi që lexohet, rilexohet për arsye se njeriu sado i moshuar që të jetë asaj dite që e humb më të dashurën “nënën” mbetet jetim. Dihet që dashuria për nënë ka një fillim, fillimi kur vije në jetë dhe i hap sytë, por nuk ka fund andaj poetja në vargun e fundit thotë: “Nana ime, e shtrejt sa fryma që marr.”

Poetja Mirela Terziu me artin që krijon, shpirtin që i jep vargut, peshën e mendimit, stilin e veçantë si dhe origjinaliteti, i bëjnë vend lart në letrat shqipe por dhe më gjerë. Të krijosh nuk është fillimi por përjetësia, të dëshmosh artin dhe kulturën tënde përtej kopshtit tënd është pasuria më e madhe e një shpirti të madh siç është, apo siç na e dëshmon në këto vargje poetja Mirela Terziu.

 

Ma baj nji dhuratë nanë

 

Nanë fol mos ke frikë

nuk jam me ai fëmiu,

që klithma e saj rënkonte me ç'vaj....

Nanë jam rrit' jam ba nanë edhe Unë

fëmijët e mi, shumë her' nuk me lan të shkruaj poezi,

për andrat e mia....

por buzëqeshja e tyre asht ma e bukur se Poezia,

Nanë!

Mos e dëgjo vajin tim

e mos ke frikë

asnjë qenie mos e mallko,

por zgjate dorën, jam afër teje

m'perkdhel flokun tim

dhe me ofro zemrën ta n'degjoj'..

Nana ime, e shtrejt sa fryma që marr.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora