E merkure, 19.02.2025, 04:17 PM (GMT)

Kulturë

Robert Martiko: Kristaq Turtulli - Ati dhe Fati

E shtune, 01.04.2017, 06:40 AM


KUR JETA ËSHTË NJË SFIDË, NJË LUMTURI PËR TË MERITUAR, NJË AVENTURË PËR TË PROVUAR.

Dy fjalë rreth romanit ‘‘Ati dhe Fati’’ i shkrimtarit Kristaq Turtulli

Mbeta i mrekulluar gjatë gjithë leximit dhe veçanërisht në fund, kur mbarova së lexuari romanin ‘‘Ati dhe Fati’’, të shkrimtarit të mirënjohur Kristaq Turtulli. Stili i shkrimit, ndërtuar me fjali të shkurtra dhe në mënyrë të thjeshtë, si tipar thelbësor i një artit të kualifikuar, më bënë për vete qysh në rreshtat e para të librit.

Ndërsa peripecitë e heroit kryesor të romanit, Fredo Samarxhiut, nuk mund të mos konsiderohen si një simfoni e mrekullueshme, e luajtur më shumë në adaxhio, rreth jetës së njeriut të zakonshëm, të përjashtuar nga i ashtuquajturi Fat i Madh. Kjo do të thotë që në jetë, për shumicën, fati nuk është gjithmonë i bukur e ledhatar. Përkundrazi. Pikat e shumta të vdekura, që ndeshim në jetën tonë, na bëjnë pak a shumë të përngjashëm me heroin kryesor të romanit. Jo pak herë na ka rastisur të biem në duart e të panjohurës, madje edhe kur me mendjen tonë, e duke venë në përdorim gjithë shqisat tona, jemi përpjekur të evitojmë një të keqe të dyshuar, e cila, kur na ka gjetur, na ka shtyrë akoma më larg nga brigjet e Itakës sonë të ëndërruar.

Përderisa bëhet fjalë për udhëtime në toka të largëta, romani ‘‘Ati dhe Fati’’ të kujton padashur romanet me aventura, gjinia letrare e të cilave lindi në Evropë në shek. e XVIII. Megjithatë, dritarja e peripecive që autori hap me mjeshtëri për lexuesin, bën që të biem në kontakt jo vetëm me subjektin e romanit, të mbushur plot me të papritura, por edhe për të gjykuar kultura të ndryshme, të një bote të panjohur, ekzotike.

Një tjetër element që e bën romanin tërheqës është rënia në kontakt me botën arabe, diçka që të indukton në mendje peripecitë e panumërta të Simbad Detarit, të përrallave persiane ‘‘Njëmijenjë netët’’. Dhe e bukura është se, lexuesi i papërgjegjshëm, pa qenë detyrimisht mazoshist, kur heroi kryesor vuan duke shkuar në buzë të vdekjes, joshet nga romantizmi i aventurave, duke dëshiruar që këto të vijojnë pa fund. Marr guximin të shprehem në këtë mënyrë, përderisa dalloj një farë ironie artistike në rreshtat e autorit të romanit, në lidhje me jetën dhe të metat qesharake në karakterin e Fredo Samarxhiut.

Nuk mund të mos admirosh në libër ndjenjën e ngrohtë për vatrën familjare kur ndodhesh larg saj dhe, akoma më keq, kur ndodhesh në një gjendje tejet të munduar. Janë çaste kur e panjohura, në lidhje se çfarë do të sjellë dita e nesërme, të bën ndjehesh i pasigurt e në një gjendje pezullimi të vijueshëm, si pendë struci e vërvitur me forcë në qiell, në stinën e musoneve të forta arabe.

Kur bëjmë fjalë rreth aventurave të udhëtimeve, lexuesit i kujtohen mjaft personazhe të pavdekshëm të Letërsisë Botërore si Odiseu, Robinson Kruzoi, Guliveri, heronjtë e romaneve të Zhyl Vernit: ‘‘Udhëtim në qendër të tokës’’, ‘‘Njëzetmijë lega nën det’’, ‘‘Bijtë e kapitenit Grant’’, apo ‘‘Ishulli i thesarit’’ të Robert Luis Stivenson, ‘‘Aventurat e Tom Sojerit’’ të Mark Tuenit, ‘‘Mobi Dik’’ i Herman Melvilit, etj. Dhe nëse për Robinson Kryzoin, jetimin Tom Sojer, apo ndonjë nga heronjtë e mësipërm ndjenja e aventurës buron prej një ndjenje të brendshme, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për heroin tonë të shumëvuajtur, i cili hidhet në zjarrin e të panjohurës vetëm për hir të një ndjenje të ngrohtë prindërore: të gjejë shërim për vajzën e tij të sëmurë. Nuk ka plagë më të madhe shpirtërore për prindin se sa një fëmijë me probleme shëndetësore.

Më bie ndër mend një thënie e shkrimtarit francez, Zhan Rikardù, i cili thotë se një tregim i kësaj natyre, nuk është më shkrimi i një aventure, por aventura e një shkrimi. Kristaq Turtulli nuk nxitohet për të përfunduar odisenë e ngjarjeve që përshkruan me mjeshtëri të veçantë, ndonëse mund ta ndërpresë atë fare thjesht, me një aksident vdekjeprurës në dëm të heroit kryesor. Në këtë pikë meriton të lavdërohet, përveç të tjerave, edhe për faktin se një letërsie me vlera morale i bie për detyrë, të mësojë se njeriu duhet të përpiqet me çdo kusht, për të përballuar stuhitë e pafund të jetës. Ka çaste kur heroi i afrohet aq shumë vdekjes, saqë pothuajse shuhet edhe ai ankthi i madh, i famshëm, filozofik, ekzistencialist, për jetën, që aq shumë dallon qeniet njerëzore nga kafshët.

Në këtë mënyrë, pas një vargu të pambaruar aksidentesh, mundimesh e vonesash të padëshirueshme për heroin kryesor, vjen në fund goditja plot hir, e mrekullueshme, e fatit, që i lejon, për tu kthyer sërishmi në vendlindjen e tij, nga Egjipti në Shqipëri.

Nëse jeta tonë kalon në divanin e një jetese të qetë dhe na bie rasti të flasim për fatin, të paktën, le të përfytyrojmë se çfarë do të thotë vuajtje dhe peripeci për të tjerët, gjëra të padëshiruara sigurisht, të cilat i kërkojnë njeriut ti përballojë me forcën e vullnetit. Nënë Tereza mëson se jeta është një sfidë, një lumturi për të merituar, një aventurë për të provuar.

Këto pikërisht janë mesazhet kryesore që autori i talentuar, Kristaq Turtulli, ka dashur ti transmetojë lexuesit nëpërmjet romanit të tij të mrekullueshëm ‘‘Ati dhe Fati’’ . Nuk më mbetet veç ti uroj suksese të mëtejshme në karrierën e tij të gjatë si shkrimtar. Përveç kësaj më bëri përshtypje edhe parathënia e mençur e redaktorit Kosta Nake. Rrallë më rastis të dallojë intelektualë të mençur. Shumica përdorin në shkrimet e tyre fraza bombastike, të fandaksura e pa kurrfarë lidhje logjike, diçka si thënia e famshme e shkrimtarit spanjoll Migel Servantesit, për heroin e tij kryesor, Don Kishotin: ‘‘Arsyeja e mos arsyes qe i behet arsyes sime ma dobëson aq shumë arsyen sa me arsye vajtoj për bukurinë tende.’’

Lexim të mbarë për të gjithë...

Robert Martiko

shkrimtar



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora