E diele, 28.04.2024, 10:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Hasan Kaleshi: Në Qindvjetorin e Faik Konicës 1876 –1976 (III)

E diele, 31.08.2008, 08:00 PM


Faik Konica
Në Qindvjetorin e Faik Konicës 1876 –1976

FAIK KONICA DHE MARRËDHËNIET ME AUSTRO-HUNGARINË

Pjesa III

Mirëpo le ta themi edhe një mendim ekstrem: edhe sikur kjo pasqyrë të na dilte me disa njolla, madje edhe krejt negative, ashtu sikurse duan ta paraqitin dogmatikët e Shqipërisë dhe mjerisht, nën ndikimin e tyre, edhe disa në Kosovë, prap se prapë nuk do të kishte të drejtë që ta hjekim Konicën nga Lëvizja e jonë kombëtare, nga historia e jonë e kulturës dhe e letërsisë. Sepse, duke e hjekur Konicën nga këto, ne s’bëjmë tjetër veçse varfërojmë kulturën tonë dhe jo aqë të pasur dhe, si pasojë, varfërojmë edhe vetvehten!

Nga Prof. Dr. Hasan Kaleshi

Tashti e tutje, korrespondenca midis Konicës dhe Goluchowskit do të rrjedhë në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme. Konica do t’a informojë rregullisht mbi çdo numër të revistës, por në vend që t’ia përkthejë të gjithë materialin, ai ia dërgon vetëm përmbajtjen e gjërë të çdo artilulli në gjuhën frëngjishte. Njëkohësisht ai e informon mbi veprimet që duan ndërmarrë, mbi lajmet nga Shqipëria dhe nga kolonitë shqiptare, mbi njerëzit e ndryshëm me ndikesë, atdhetarë apo që shiten për patriotë, mbi çështjet e ndryshme gjuhësore, letrare, shkencore, e të tjera. Për çdo numër dhe për çdo botim që nxjerr në dritë Konica (Almanaku i Maleve), ai ia dërgon llogaritë se sa kushtojnë. Në bazë të disa letrave, ne mund të shohim pikë për pikë se ku shpërndahej gazeta, cilët ishin bashkëpuntorët, madje edhe cilët ishin pajtimtarët – gjë që është me rëndësi shumë të madhe për historinë e kulturës sone.
Më 2 Mars 1898, i shkruan Goluchowskit, që flet mbi orientimin e ri të gazetës dhe që na duket gjithashtu mjaft instruktivet (këtë letër po e riprodhojmë në original në faqen 45, ashtu siç ishte shkruar nga dora e Faik Konicës – Ed.)
“Zotri Baron,
I falem nderit Shkëlqesisë Suaj për studimin interesant të gjuhësisë shqiptare, që patët mirësinë të urdhëroni që të hartohet dhe të ma dërgoni.
Numërat 8 dhe 9 të “Albania” kanë arritur – nga një apo më shumë ekzemplarë, disa drejt për drejt, e disa në mënyrë të tërthortë – në këto qytete: Delvinë; Dibër, Durrës, Korçë, Mat, Manastir, Prevezë, Sentori dhe në disa lolkalitete si Starovë, Tiranë, Zagorie. Ne kemi dërguar në nja njëzet vise të tjera, mirëpo disa janë kthyer prapë; për të tjerat nuk dimë nëse kanë arritur. Unë nuk flas për territorin e vetë Turqisë, që ka një rëndësi të dorës së dytë, ndonëse atje kemi dërguar një numër mjaft të madh gazetash.
Me anë të Bukureshtit kemi marrë një letër nga Elbasani ku, pasi që kanë kërkuar t’ua dërgojmë revistën “Albania”, na njoftojnë se një bej elbasanas – Shukri Sulçebeu – që ka vdekur para disa muajsh, ka lënë me testament një shtëpi të madhe që ta përdorin si ndërtesë shkolle shqipe.
I kam shkruar një letër Tahir Pashës kryetarit të Rojës mbretënore. Ai është me origjinë nga Shqipëria e Veriut, bisedon çdo ditë me Sulltanin dhe gëzon një besim të pakufishëm tek ai. Duke e shtruar për herë të parë në praktikë idenë e Shkëlqesisë Suaj, unë i kam shkruar shqip (gegërisht), dhe i kam thënë se është në iteresin e Madhërisë së Tij Sulltanit të jape autorizimin për themelimin e shkollave shqipe – sepse atëhere do t’ishte i lehtë çarmatimi i popullsisë së tij, etj, e tjera. Ndoshta do t’i thotë ndonjë fjalë sovranit të tij, në mos nga intelegjenca të paktën nga sedra e tij.
Mirëpo, duke qënë se gjithë këto përpjekje mund të mbeten të shterpa, unë e kam gjithnjë parasysh [në mendje] hapjen e shkollave në Dibër dhe në vise të tjera si Dibra, në mënyrën që më këshillonte një korrespondent nga Stambolli. Për fat të keq Shqiptarët, kanë një ide krejt të mjegullt se çdo të thotë një korrespondencë e rregullt dhe një punë metodike dhe e shpejtë; ata me gjithë qejf lexojnë letra dhe botime e përfitojnë nga to, mirëpo nuk ndjenjë nevojën që të nguten. Unë kam shkëmbyer katër letra me një nga profesorët tanë gegë, mirëpo akoma nuk i kemi cekur të gjitha anët e problemit. Pra, unë do t’i flas Shkëlqesisë Suaj për shkollat vetëm atëherë kur do të ketë mundësi që të kemi ndonjë përfundim defenitiv.
Në vend të thirrjes që donin të shpërndanin ata të Manastirit, unë kam hartuar një tjetër, përkthimin frëngjisht të të cilit kam nderin t’ia dërgojë Shkëlqesisë Suaj. Unë besoj se ai nuk përmban kurgjë që të shtynte Qeverinë turke të marri masa. Nëse Shkëlqesia Juaj e pranon ashtu si është e pa ndryshuar, unë do ta shumëzoja thirrjen tonë në njëmijë ekzemplar–turqisht dhe shqip. Si e kuptoj unë, nga ajo që mund të përmblidhet, ç’duhet bërë për zgjimin e ndnjenjave kombëtare shqiptare, do të ishte mirë që së paku të arrijë një ekzemplar në çdo qytet ose lokalitet shqiptar, ku mund të jetë qoftë edhe vetëm një person që din të lexojë. Duke dërguar nga tridhjetë për çdo javë, në xarfa të vulosura, do të arrinim deri në përfundimin e dëshiruar.
I lutem Shkëlqesisë Suaj, Zotri Baron, që të keni mirësinë të pranoni homazhet e ndjenjave të mija të respektit dhe të besnikërisë.
Bruksel, më 2 Mars, 11898 – Faïk bej Konitza

Zgjimi dhe vetëdija kombëtare – ngritja kulturore shqyptare

Vetëm këto pak letra të Faikut që i paraqitëm këtu në mënyrë kronologjike por pa kurrfarë selekcionimi, pa dyshim kërkojmë shpjegime dhe komentime – gjë që nuk mund të bëjmë me këtë rast se nuk na lejon as koha as vëndi. Megjithatë, duket se duhet të vejmë në pah të paktën disa çështje:
Pikësëpari, fakti që “Albania” qé subvencionuar (përkrahur) nga Austrohungaria për ne nuk ka ndonjë rëndësi të madhe; sepse, sikurse e thamë, ajo ka pas subvencionuar edhe shumë gazeta dhe revista të tjera, të cilat në asnjë mënyrë nuk kanë luajtur një rol si “Albania” e Konicës. Nga ana tjetër, dihet mirë se edhe Rusia ka pas subvencionuar poetin më të madh malazias, Njegoshin; Rusia ka pas përkrahur e financuar edhe themeluesin e gjuhës dhe kulturës sërbe, Vuk Karaxhiqin dhe kërkush nuk e merr si ndonjë gjë të madhe.
Është e vërtetë se, siç shihet nga këto letra, Konica bën njëlloj kthese në pikëpamjet e veta ndaj politikës që duhej ndjekur ndaj Turqisë. Shikuar nga prizma e sotme – né mjerisht shumë ngjarje i shikojmë nga prizma e sotme dhe nuk jemi në gjendje të depërtojmë dhe të thellohemi në kushtet e atëherëshme – këto pikëpamje të Konicës mund të duken regresive. Mirëpo, n’atë kohë kjo ishte e vetmja politikë realiste që mund të ndiqej. Konica e kishte mëse të qartë, ndoshta jo në fillim por më vonë, se Shqipëria e asaj kohe (mendojmë në nocionin gjeografik dhe jo shtetënor), e rrethuar nga Sërbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi, të cilat kishin aspirata tokësore ndaj territoreve shqiptare, nuk kishte mundësira të mëdhaja të fitojë pavarësinë; madje, edhe nëse e fitonte, do ta kishte vështirë ta ruajë, pa u mbështetur në ndonjë shtet të madh. Dhe në kushtet e atëhershme, një mbështetje nga Austria ishte gjëja më reale. Në fund të fundit, këtë e provoi edhe realiteti i mëvonshëm.
Konica e dinte se kushti kryesor që një popull të fitojë lirinë dhe pavarësinë e vet, ishte që ai popull të ketë një vetëdije kombëtare, të cilën, n’atë kohë, nuk e gjemë në turmat popullore shqiptare. Prandaj, për Konicën gjëja më kryesore është ngritja kulturore, zgjimi i ndjenjave kombëtare, diferencimi midis fesë dhe kombësisë, që akoma dominonte sidomos midis turmave muslimane, krijimi i një bashkimi kombëtar, i një kulture kombëtare. Duke njohur psikologjinë e Shqiptarëvet, sado që në fillim mendon të krijojë një parti, nën ndikimin e Goluchowskit, ai hjek dorë nga kjo ide dhe bëhet idhtar i një bashkimi të të gjithë Shqiptarëvre, pa kurrfarë dallimi ndërmjet tyre. Për t’ia arritur këti qëllimi, ai boton artikuj dhe trakte shqip edhe me alfabetin arab. Gjëja kryesore për te ishte që njerëzit ta lexojnë fjalën shqipe, të inspirohen me idetë kombëtare; kurse alfabeti është vetëm një mjet në këtë! politikë afatgjatë dhe largpamëse. Siç shihet nga dokumentet, Konica është i pari, midis ideologëve të Rilindjes, që me mëndjehollësinë e tij të pashoqe, vëren dhe bindet se fuqia kryesore e popullit nuk janë kolonitë shqiptare përjashta, nuk janë mërgimtarët shqiptarë, por Shqiptarët e vëndit, drejt të cilëvet duhet të orientohet e gjithë propaganda; ata duhet ta mbajnë mbi shpatullat e tyre barrën e shlirimit, ata do të vendosin për të pritmen e vëndit. Ai, me plot të drejtë, vëzhgon se Kolonia e Bukureshtit në shumicën dërmuese është filogreke (nga korespondenca e më vonshme shihet se Faiku mban marrëdhëniet më të ngushta me Nikolla Nacon, i cili është me të vërtet patrioti më i flaktë dhe më i kulluar i kësaj kolonie); ajo e Sofjes është filosllave dhe se Italo-shqiptarët janë në shërbim të politikës imperialiste italiane. Prandaj, zgjidhja e çështjes shqiptare do të mvaret kryesisht nga qëndrimi i pjesës muslimane të vëndit, e cila përmban pjesën dërmuese të  popullit. Kjo pjesë duhet të ndahet nga ideologjia turke dhe të pushojë së identifikuari me turqit; sepse të krishterët janë se janë kundër turqve. Mirërpo, e gjithë kjo punë duhet kryer në mënyrë sistematike, pa e ngacmuar Portën. Si rrallë kush, Konica e ka përpunuar taktikën dhe strategjinë që duhen ndjekur ndaj Qeverisë turke. Ai nuk është për një luftë të hapët kundër saj, po është njëkohësisht edhe kundër elozheve: lufta nuk ka kurrfarë mundësije për sukses, ndërsa elozhet mund t’i shtyjnë Shqiptarët muslimanë të lidhen më tepër me Turqinë. Përkundrazi, që të mund të përhapet revista dhe bashkë me të edhe idetë ilimuniste, që të përhapet gjuha dhe shkrimi dhe që të hapen shkolla duhet treguar një kujdes i posçëm në mënyrë që të vehet në gjurmë Qeveria turke. Ai e sheh qartë se për Shqiptarët e ndarë nga pikëpamja fetare është tejet me rëndësi përfshirja e prijsave fetarë në lëvizjen kombëtare dhe hyrja e tyre në gjirin e turmave të popullit me qëllim që të krijohet një gjendje tolerante. Prandaj kjo është edhe një pikë në programin e tij. Ai shkon aq larg, me siguri shumë përpara Fan Nolit, dhe mendon për asgjësimin e ndikimit të huaj me anë të fesë.
Këto janë vetëm disa ide që shihen qartë nga letrat që i botuam këtu. E nëse do të botohej e tërë korrespondenca e tij, vepra e tij e mbetur në dorëshkrim në Arkivin e Vjenës. “Trajtesa mbi Lëvizjen Kombëtare shqiptare” në gjuhën frëngjishte dhe raportet e konsujve austriakë në lidhje me Konicën, do të shihnim patjetër sa i madh është repertori i ideve të Konicës, sa i gjërë është diapazoni i mendimeve të tij, sa lidhje të ngushta ka patur ky njeri me gjithë krerët e jetës politike, fetare dhe kulturore të asaj kohe. Njëkohësisht do të shifej qartë se sa më lart ka qëndruar Konica në krahasim me gjithë bashkëkohorët e tij.
Pra, po e përsërisim edhe njëherë, vetëm pas botimit të të gjitha materialeve do të kishim një pasqyrë të plotë dhe të drejtë mbi Faik Konicën.
Mirëpo le ta themi edhe një mendim ekstrem: edhe sikur kjo pasqyrë të na dilte me disa njolla, madje edhe krejt negative, ashtu sikurse duan ta paraqitin dogmatikët e Shqipërisë dhe mjerisht, nën ndikimin e tyre, edhe disa në Kosovë, prap se prapë nuk do të kishte të drejtë që ta hjekim Konicën nga Lëvizja e jonë kombëtare, nga historia e jonë e kulturës dhe e letërsisë. Sepse, duke e hjekur Konicën nga këto, ne s’bëjmë tjetër veçse varfërojmë kulturën tonë dhe jo aqë të pasur dhe, si pasojë, varfërojmë edhe vetvehten!

P.S. Një “Monografi” e pambaruar e Dr. Hasan Kaleshit; vdiq në Prishtinë (1976), ndërsa po festonim qindvjetorin e F. Konicës. [Fund]



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora