E hene, 29.04.2024, 04:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Zbulohet vila romake nën tokën e patateve

E diele, 31.08.2008, 01:43 PM


Shkruan: Kristi Pinderi

Arkeologët shqiptarë dhe anglezë që punojnë në Butrint kanë mundur të kuptojnë këtë vit se ky qytet i jashtëzakonshëm u ka mbijetuar sulmeve barbare dhe ka mundur të jetojë edhe në antikitetin e vonë. Gërmimet e këtij viti në fushën e Vrinës kanë zbuluar gjithcka nga rrënojat e një vile romake, e cila për nga përmasat duket se është vila më e madhe romake e zbuluar ndonjëherë në territorin shqiptar.
Matthew Logue, një arkeolog irlandez shpjegon për revistën MAPO se siti i gërmimit në fushën e Vrinës ka treguar se pas një tkurrjeje si pasojë e një periudhe të paqëndrueshme në antikitetin e vonë, popullsia vendase vazhdoi të zhvillojë jetën e saj në Butrint. Këtë e tregon më së miri vila romake në Vrinë, e cila rreth shekujve të 7 dhe të 8 u shndërrua në një stacion shërbimi për të gjithë udhëtarët që kalonin në të.
Pak metra larg rrethimit të vilës janë zbuluar gjurmët e një rruge strategjike ngjitur me akuadoktin romak. Rrënojat e kësaj vile shtrihen në një territor shumë të madh aq sa të duket jashtëzakonisht impresionues. Dhe të mendosh që e gjithë kjo pasuri ka qenë e mbuluar pak kohë më parë nga dheu dhe e gjithë fusha ka qenë e përdorur për të kultivuar kulturën e patates...
Përbri kanalit të Vivarit sot shikon vetëm disa peshkatarë të moshuar që hapin apo mbyllin për efekt peshkimi portën që lidh kanalin e Vivarit me liqenin e Butrintit, por shekuj më parë, kjo zonë ishte një prej qendrave kryesore të Butrintit, ku gjallonte jeta e ku një familje shumë e pasur vendase zotëronte këtë vilë, që më vonë e transformoi në një stacion shërbimi për udhëtarët.
Pak kohë më parë arkeologët zbuluan ngjitur me këtë vilë një strukturë që u ngjasoi me një tempull. Por këtë vit ata kuptuan se ajo strukturë, nuk ishte në fakt një tempull, por një mazoleum ku preheshin eshtrat e familjes së pasur që e zotëronte këtë pronë impresionuese. Matthew Logue, arkeologu irlandez që dy vitet e fundit është përqëndruar në disa kulla perëndimore të qytetit të Butrintit, sqaron se gërmimet në fushën e Vrinës kanë lidhje pikërisht me këto kulla që ai po studion.

Koleksioni që përballoi zjarrin

Logue vazhdoi edhe këtë verë gërmimet në këto dy kulla të Butrintit, që cilësohet si pjesa më e dukshme e një sistemi mbrojtës të vendosur në pjesën perëndimore të murit të qytetit. Njëra prej Kullës është një prej monumenteve të para që të shfaqet para syve teksa ke hyrë në qytetin e lashtë. Gërmimet e para në të nisën në vitin 2004 nga Instituti i Monumenteve.
Rreth shekullit të shtatë një popullsi e vogël e Butrintit ishte vendosur pikërisht rreth kësaj kulle. Në shekujt e 8 dhe të 9-të pas Krishtit, ajo u pushtua nga qeveritarët e qytetit, derisa në një moment, u shkatërrua nga një zjarr. Të ndërgjegjshëm se zjarri nuk do të kishte lënë asgjë të vlefshme në rrënojat e kullës, arkeologët e vazhduan punën pa ndonjë entuziasëm të dukshëm.
Por ajo që nuk e kishin menduar ndodhi kur, në një shtresë të poshtme të dyshemesë së dikurshme të kullës, zbuluan një koleksion të plotë me objekte prej qeramike, të cilat, sipas specialistëve të Fondacionit Butrinti, që po i studiojnë, janë unikale dhe të pa hasura në vende të tjera. Veç qeramikës, arkeologët zbuluan dhe objekte të tjera gjithashtu unikale, prej qelqi dhe metali.
“Qeramika e zbuluar na konfirmoi se Butrinti ka jetuar në një traditë të pasur të prodhimit të qeramikës, ndërsa objektet prej qelqi vërtetojnë se ky qytet, ndonëse nuk jetonte më në ditët e tij më të mira, vazhdonte të bënte tregti me qytetet italiane kryesisht”, thotë Logue, i cili përmes këtij gërmimi në Butrint, pret të marrë doktoraturën në Irlandë.
Zjarri e detyroi popullsinë elitare të Butrintit, të zhvendosej përfundimisht në atë periudhë në fushën e Vrinës, që ndodhet në anën tjetër të Kanalit të Vivarit, pikërisht përballë qytetit antik. Ishte pikërisht kjo zhvendosje që bëri që të riorganizohej qyteti, tashmë mesjetar i Butrintit, e madje të lulëzonte si një forcë e dukshme. Në rrënojat e vilës së dikurshme romake, tani shtrihen rrënojat edhe të një bazilike përsosmërisht të ngjashme me bazilikat e hershme të ndërtuara në territorin e Shqipërisë. Ishte pikërisht familja e pasur që zotëronte vilën ajo që ndërtoi edhe bazilikën, sipas një rregulli që familje të tilla me mirëqenie të kishin në pronën e tyre edhe një objekt kulti.
Kjo bazilikë është shumë e ngjashme me një bazilikë tjetër të zbuluar në Diaporit, një lagje kjo periferike e Butrintit. Në fillim të shekullit të 9-të një qeveritar i Kostandinopojës u vendos në Butrint. Ai zgjodhi si rezidencë të tij pikërisht qendrën e zbuluar në fushën e Vrinës. Logue shpjegon se ai “guvernator” ishte një prej njerëzve më të rëndësishëm të Kostandinopojës së atëhershme dhe fakti që pikërisht ai u vendos në Butrint tregon së për Kostandinopojën kjo qendër kishte një rëndësi të madhe strategjike, ndaj ajo duhej zotëruar me cdo kusht.
Komuniteti vendas, pas vendosjes së qeveritarit të Kostandinopojës nisi të mos kishte më frikë nga paqëdnrueshmëritë dhe sulmet e vazhdueshme të kohës dhe dalëngadalë qyteti e rimori shkëlqimin e dikurshëm dhe jeta nisi të zhvillohej normalisht. Ata vazhduan shkëmbimet tregtare dhe rinisën të prodhojnë qeramikë dhe objekte të tjera vendase.
Këto zbulime dhe e gjithë seria e gërmimeve të fundit në Butrint duket se janë epilogu i një studimi të hollësishëm të kësaj qendre të UNESCO-s që sot thith numrin më të madh të turistëve të huaj dhe vendas në territorin shqiptar. Politika e re e Fondacionit Butrinti dhe e gjithë strukturave shqiptare të trashëgimisë kulturore duket se do të fokusohet në vitet e ardhshme jo më tek gërmimet, por te restaurimi dhe konservimi. Eshtë koha që zbulimet e reja në Butrint të konservohen, të ruhen sa më mirë e të fillojnë të vizitohen ashtu si dhe rrënojat kryesore të tij.
Por kur shkon në Diaporit, apo dhe në fushën e Vrinës, trishtohesh kur shikon se ka fare pak sistem mbrojtës të këtyre rrënojave që me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe të dimrit mund të dëmtohen. Në Diaporit, arkeologët kanë mbuluar një pjesë të madhe të bazilikës (me tipare të një manastiri), apo të banjës romake pjesë e vilës që ishte ndërtuar në atë zonë. Ama, edhe tani mund të shikosh që pjesë të ndryshme të rrënojave janë prishur nga bagëtitë e shumta që kullosin atje. I njëjti problem mund të jetë edhe me fushën e Vrinës dhe me vilën më të madhe romake të zbuluar në Shqipëri. E gjithë kjo pasuri ka nevojë të ngutshme për mbrojtje, konservim e padiskutim edhe për promovim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora