E enjte, 24.07.2025, 09:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Akropoli, arritja më e madhe e arkitekturës dhe skulpturës greke

E shtune, 30.08.2008, 10:06 PM


Nga Sadik Bejko

Kodra shkëmbore e Akropolit mund të shërbente si zgjidhja më e qëlluar mbi të cilën të shkonte mendja të ndërtoje një fortesë a një faltore. Ajo ngrihej rreth njëqind e pesë metra përmbi qytet. Atje mund të ngjiteshe vetëm nëpërmjet një shtegu të pjerrët dredha-dredha, se tri anët e tjera vinin thikë të rrëpirta dhe kështu ishte gati e pamundur që të zaptohej nga ndonjë sulm. Perikliut i dukej më se e natyrshme që faltoret e reja dhe më të bukurat e gjithë qytetit të Athinës nuk mund të ishin tjetërkund, veçse në Akropol. Projektuesi i tyre ishte Iktini, arkitekti më i mirë i kohës. Statuja madhështore prej ari dhe fildishi e Athinasë (Atena Paladës) ishte gdhendur nga Fidia, skulptori më i zoti. Për të siguruar harmoninë midis arkitekturës dhe zbukurimeve të tempullit, mbikqyrja e përgjithshme iu besua Fidias. Tempulli i Athinasë i quajtur Partenon, si për një çudi, përfundoi në harkun kohor të njëmbëdhjetë vjetëve. Më tej mjeshtrat filluan ndërtimin në shkëmb të hyrjes triumfuese, të quajtur Propileon, e cila krejtësisht përfundoi gjatë Luftës së Peloponezit, kur mjeshtrat iu kthyen punës për ngritjen e dy ndërtimeve të tjera mbi Akropol, tempullit si një gur i vogël i çmuar kushtuar Athina Nikesë dhe Erektionit, tempullit kushtuar Athinasë dhe Poseidonit. E gjithë puna për këto ndërtime mbaroi në vitin 395 P.K.

Akropoli ishte arritja më e madhe e arkitekturës dhe skulpturës greke si për krijimin e bukurisë urbane, por sidomos për atë harmonizim të pashoq të ndërtimeve me mjedisin natyror përreth tyre. Akropoli e arrin kulmin e bukurisë së vet në stinën e pranverës dhe të vjeshtës. Në ditët e para të vjeshtës, qielli është i mbushur me ngjyra pasteli, nuanca të zbërdhylëta të grisë, të kaltrës së çelur dhe me një trëndafili të ëmbël, përsipër retë që ngjajnë sikur fëshfërijnë nga era e lehtë, më tepër duken si atmosfera e një pikture të Korosë se sa si kubeja e verdhëme, e tunxhtë e qiellit mesdhetar. Duke pasur si sfond këtë bojatisje të zbehtë të qiellit, ndërtesat e Akropolit shfaqeshin në përzierjen e mahnitshme të nuancave të trëndafilit dhe të arit, duke bërë kontrast me ngjyrat e blerta dhe kafe të pishave dhe drurëve të aloes që gjendeshin më poshtë. Në kohën e Perikliut, kontrasti duhet të ketë qenë edhe më befasues, pasi mermerit i ishin dhënë penelata me ngjyra të gjalla dhe të shndritshme. Shpatet e ashpra shkëmbore e rrisnin vetvetiu efektin dramatik.

Për të shkuar në kompleksin e tempujve në platenë e Akropolit kalohej nga një shteg që gjarpëronte mbi shpatin perëndimor. Ishte e pamundur që ta shihje Partenonin, dhe po të ishje në afërsi të hyrjes, të Propileonit. Dy portikët e sheshit që gjendeshin në secilën anë të portës ishin të thjeshtë dhe pa zbukurime. Vetë hyrja nuk ishte më e gjerë se dy metra. Emocioni bëhej edhe më i madh kur afroheshe tek porta e ngushtë, duke e ditur se çfarë gjendej më tej, por ende nuk mund të shihje asgjë. Pas kalimit përmes hyrjes, me një stil të rënduar dorik, përballeshe me dy nga ndërtesat më të vjetra, me faltoren kushtuar perëndeshës Artemis, e cila mbronte lindjen e fëmijëve, me Kalkotekan, ku ndodheshin një numër statujash të bronzëta me vlerë, dhe ja: përmbi këto dy ndërtesa mund të shihje trekëndëshin ballor të pamjes kryesore të Partenonit. Por fasada e lavdishme që gjendej në perëndim të Partenonit mund të shihej me tonet e saj në ngjyrë të kaltër dhe trëndafili, vetëm kur Rruga e Panathinasë kthehej në të djathtë përreth një formacioni të lartë shkëmbor.

Fakti që Partenoni, ashtu si dhe tempujt e tjerë grekë, përbëhej vetëm nga një sallë e quajtur qelë (cella), në të cilën gjendej e vendosur statuja e perëndeshës, dhe një dhomë dytësore për të ruajtur thesaret e saj, jep përshtypjen e gabuar se arkitektura e saj është tepër e thjeshtë. Por pse arkitektët e konsiderojnë aëtë si “shembullin më të përsosur të arritur ndonjëherë në arkitekturën që e gjen plotësinë e saj në bukurinë fizike?” Përvetësimi qoftë edhe në shkallë të ulët i njohurive mbi detajet teknike të tempullit bën të mundur që të përftohet një ndjenjë gjithmonë e më e madhe për këtë arritje.

Shumë prej elementeve të tempullit klasik grek ishin shpikur shekuj më parë. Tempujt që përbëheshin nga pyllnaja kolonadash me gurë të stërmëdhenj të cilat shërbenin si strukturë mbrojtëse për statujat e mamuthore të faraonëve, ishin ndërtuar në Egjipt rreth shekullit XV P K. Planimetria e sheshit ishte përdorur edhe më parë në pallatet e mbretërve mikenas. Por në dy shekujt para ndërtimit të Partenonit, arkitektët grekë kishin arritur të shkonin shumë më tej këtyre ndërtesave të hershme. Duke përdorur lëndën drusore, ata e kishin transformuar edhe elementin më të thjeshtë të ndërtesave, arkitrari tashmë kalonte tej përtej radhës së kolonave dhe në pjesën e sipërme të gjithë kësaj strukture vinte friza dhe korniza, të gjitha të ndërtuara sipas stilit dorik. Për të mbrojtur muret e brishtë të tempullit të tyre të bërë me tulla, ata e kishin rrethuar atë me kolona dhe e kishin mbuluar me një çati të pjerrët, duke krijuar kësisoj një trekëndësh ballor në fasadën kryesore të ndërtesës, në të cilën mund të vendoseshin skulptura. Duke rritur përmasat e arkitrarit mbi kolonat, ata kishin lënë vend të lirë për alternativa zbukurimi ndërmjet hapësirave drejtkëndore (metopes) të mbushura me skulptura dhe blloqeve prej guri të zbukuruara vetëm me rruvija pingule, të quajturat triglife. Përfundimisht në shekullin VI P. K, ata ia kishin dalë të zotëronin këtë teknikë ndërtimi, por duke përdorur mermer dhe gurë gëlqerorë. Partenoni ishte shkalla më e fundit e përsosmërisë së këtij stili.

Themeli i Partenonit përbëhet nga tri shkallë. Në tempujt e ndërtuar sipas stilit dorik të tillë si Partenoni, kolonat janë të vendosura drejtpërdrejt mbi shkallën e sipërme. Vetë kolona përbëhet nga një numër blloqesh guri në formë cilindri të vendosura mbi njëra- tjetrën dhe të bashkuara në qendër nga një shtyllë e vogël druri në formë katrore. Në çdo kolonë nga lart deri poshtë janë gdhendur hullizuar me anë të mprehta. Kjo jep përshtypjen se ato janë më të brishta, më të holla. Në majë të kolonës vendosej një kapitel i thjeshtë në formë të rrumbullakët, mbi të vinte arkitrari, friza dhe një shtresë blloqesh guri të sheshtë që përbënin kornizën.

Në secilën anë të ndërtesës, mbi këtë strukturë qëndron trekëndëshi ballor. Tre shkallët mbi themel bëjnë të mundur që tempulli të mos mbështetet drejpërdrejt mbi tokë, po ndërkohë që ato pothuaj nuk bien fare në sy, të krijohet përshtypja sikur kolonat qëndrojnë në ajër.

Pas krijimit të një ndërtese të tillë me një harmoni kaq të plotë, arkitektët e Akropolit vazhduan të ngrejnë një numër ndërtesash që do të binin në kontrast të fortë me të. Tempulli i vogël kushtuar Athina Nikes u ndërtua sipas stilit të dytë klasik të grekëve, i njohur me emrin jonik, pasi ai mori hov nën ndikimin lindor që hasej në qytetet greke të krahinës së Jonisë në Azinë e Vogël. Stili jonik ishte më delikat dhe më elegant se ai dorik. Kolona vendosej mbi një themel në formë cilindri, ishte me më shumë hulliza dhe më e hollë se kolona sipas stilit dorik dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha, kapiteli ishte zbukuruar me dy shtjella spiralesh që ngjanin si pergamenë e mbështjellë. Këto zbukurime krijonin efekte zbutjeje dhe hijeshie, duke bërë kështu kontrast me vetë-sigurinë e fuqishme të kolonadës së ndërtuar sipas stilit dorik. Më në fund, nja ca metra larg mbi pjesën veriore të Akropolit ndodhej Erektioni, i vendosur në njëfarë këndi nga Partenoni, në mënyrë që ndërtesat ta kapnin dritën në kënde të ndryshme. Erektioni bie gjithashtu në kontrast me Partenonin për shkak të arkitekturës së tij sipas stilit jonik, që kuptohet, ishte më e hijshme dhe më e butë në karakter.

Skulptura e Akropolit

Veranda e Vashave që gjendet në Erektion na jep idenë e një shfaqjeje të çuditshme: një grup vajzash shërbejnë si kolona të një verande të projektuar. Sidoqoftë, vetëm po të ndalesh në trupat dhe në petkat e tyre të derdhura e aq të lirshme mund të arrish shkurt e shpejtë të karakteri aq i veçantë i skulpturës klasike greke. Duke synuar një përsosmëri teknike në trajtimin e veshjeve, janë përjashtuar qëllimisht të gjitha shenjat e individualitetit. Këto gra mund të përfaqësojnë të gjitha gratë e Greqisë. Sidoqë e gjithë kjo përbën një përsosmëri më vete, nuk mund të lihet pa u vënë re mungesa më themelore e asaj diçkaje që është tipike njerëzore. Ishte pikërisht vendosmëria për të përjashtuar aspektin emocional dhe individual, ajo që e bëri kritikun anglez të artit, Eric Neëton të ankohej se skulptura greke kishte gabuar në “përmbushjen e një qëllimi që ishte më se i arritshëm. Pasi u arrit në një pikë të caktuar, asnjë gjë tjetër nuk u bë për më tej. . . . . Kur ndodh që të shohim një statujë greke pa kokë, nuk e vrasim mendjen se si ishte koka: jemi të sigurt se kjo kokë nuk do të kishte ndonjë gjë për të thënë. Ajo nuk do të arrinte ta ndryshonte gjendjen shpirtërore të statujës, pasi edhe vetë statuja nuk e paraqet një gjë të tillë. Një statujë greke e perëndeshës Afërditë, së cilës i mungon njëri krah, në vetvete nuk është e paplotë; ajo nuk nxit kureshtje lidhur me faktin se ç’po bënte me krahët. E dimë me sigurinë më të madhe që në të vërtetë ajo nuk po bënte gjë me ta. Ajo ishte thjesht Afërdita – e paraqitur në mënyrën më të butë të mundshme”.

Me pak fjalë, sapo artistët grekë ia dolën të bëheshin mjeshtra të problemeve teknike në paraqitjen e anatomisë njerëzore dhe veshjeve në mënyrë sa më natyrore, ata ranë dakord në parim për të mos i paraqitur veçantitë e personit, (megjithëse ishin të aftë ta bënin këtë), por për ta idealizuar figurën e tij. Statuja madhështore prej bronzi e Diadumenit të Polikletit, e punuar në vitin 440 P K, shfaq si mjeshtërinë teknike ashtu edhe abstragimin e qëllimshëm. Në dukje fytyra ishte si ajo që shumë grekë do të donin ta kishin, por ishte dhe fytyra e të gjitha statujave e tjera që u skalitën në shekujt pasardhës. Ajo nuk paraqet ndonjë ngjyrim emocional, psh. vendosmëri apo ngazëllim, por thjesht cilësi të karakterit, të tilla si inteligjenca dhe vetëkontrolli. Është e vështirë të thuhet se përse grekët gjatë epokës klasike adoptuan pikërisht këtë metodë portretizimi – mbase për shkak se shumica e skulpturave u kushtohej zotave, ose ndoshta ngaqë pritej që individi t’i nënshtrohej grupit, shtetit, apo ligjeve të përjetshme të drejtësisë. Cilado qoftë asryeja, kur Fidia u përpoq të paraqiste në frizën e Partenonit, procesionin që shënonte dhe kulmin e festivalit madhështor Panathinas të Athinës, ai nuk zgjodhi vetëm njërin syresh, por të gjithë procesionet panathinase. Procesioni prej guri me një perimetër prej 160 metrash, sillej rrotull murit të jashtëm të sallës kryesore që ndodhej brenda tempullit – kalorës të koçive të luftës, kuaj që hidhen përpjetë, vajza të veshura si perëndesha, të rinj që kanë në duar kafshë për flijime, dhe të moshuar të ulur në frona e që vështrojnë të gjithë këtë shfaqje. Friza e tempullit përfaqësonte bashkimin e popullit athinas. Hapësirat pingule (metope) mbi arkitra paraqisnin luftimet mitike të grekëve me gjigandët, Amazonat dhe të huajt, si arritje të një populli të bashkuar. Trekëndëshat ballorë mbi hyrjen kryesore portretizonin lindjen e Athinasë dhe ndeshjen e saj me Poseidonin për zotërimin e Atikës, që ishte vetë simboli i qytetit. Në këtë mënyrë, arritjet e mëdha të skulpturës së Partenonit përmbushnin qëllimin e Perikliut për ta përqëndruar patriotizmin e qytetarëve athinas në dashurinë për perëndeshën e tyre dhe tempullin e saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx