E diele, 28.04.2024, 03:06 PM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Hoxha: Ne dhe ata

E enjte, 01.12.2016, 09:09 PM


“Ne” dhe “ata”.

Nga Gëzim Hoxha

Një natë të vonë po ndiqja debatin për formimin e një kombi Kosovar në Kosovë tek OPINIONI. Kjo frymë po e pengon bashkimin e trojeve tona. Gjëra të tilla thuheshin atë natë. Po unë nuk dua të flas për gjëra të tilla dhe të bie në kurthin e një nacionalizmi që të ngop me lugën bosh edhe pse do të më pëlqente Shqipëria NATYRALE. Në një Shqipëri natyrale apo jo të tillë, njerëzit do të përballen akoma, ashtu si janë përballur deri më sot me një liri të mangët.

Kemi më shumë se 25 vjet apo një çerek shekulli që dëgjojmë gjëra të bukura për lirinë. Akoma veshët e mi arrijnë të dëgjojnë brohoritjet histerike ‘LIRI DEMOKRACI’ të turmave në fillim të viteve 90 – të, atëherë kur premtohej shumë e gënjehej akoma edhe më shumë për liri e demokraci.

Pas çdo dështimi fajsohej izolimi tejet i gjatë komunist dhe ilaçi i duhur ishin reformat në përgjithësi  dhe privatizimi në veçanti. Të etur për liri emigruam dhe u shpërndanë rrugëve të botës. Shpejt kush deshi ta kuptonte e kuptoi se nuk ishte gjithçka kjo liri.

Sa lloje lirish gëzojnë njerëzit vallë? Në një sistem demokratik, popujt  me ligj e gëzojnë lirinë e shprehjes. Po edhe këtu ka kufizime, ka gjëra për të cilat nuk mund të flasësh. Një tjetër liri që u jepet njerëzve është ajo politike. Nëse ti arrin të bindësh një grumbull njerëzish mund të formosh një parti apo një organizatë.

Liria fetare është në kulmin e saj. Me përjashtim të vendeve arabe ku njerëzit nuk mund të shprehet  për përkatësinë fetare apo për ateizmin e tij a të saj, si dhe të ndonjë shteti tjetër i cili është ende një diktaturë, njerëzit janë tejet të lirë të ndjekin apo të mos ndjekin ndonjë besim të caktuar.

Liria e lëvizjes është një tjetër liri e garantuar me ligj por sigurisht në perëndim ajo duhet të jetë e garantuar edhe nga “XHEPI”. Në shumë vende ajo nuk lejohet për shkak të krijimit të hapësirave të përbashkëta. Kështu lëvizja nga një  shtet në tjetrin për dikë mund të jetë e lehtë dhe për dikë tjetër mund të jetë thuajse e pamundur. Ca nga xhepi, ca nga kufijtë, apo edhe thjesht se nuk kanë kohë njerëzit ose kufizohen ose vetëkufizohen në ushtrimin e kësaj të drejte.

Për liri të tjera nuk ja vlen as të flitet se dihet që jo të gjithë mund t’i kenë. Marrim vetëm njërën prej tyre për ta kuptuar. Liria për ose e drejta për të punuar. Në Britani psh punët më të mira janë ende të dominuara me shumicë dërrmuese nga ata me prejardhje të pasur, me vetëm katër për qind të mjekëve, gjashtë për qind të avokatëve dhe 11% të gazetarëve që vijnë nga përkatësia e klasës punëtore.

Për mendimin tim liria kryesore që duhet të gëzojë një njeri është ajo ekonomike. Liria ekonomike është maja në piramidën e lirive. Prej kësaj lirie vijnë ose rrjedhin një sërë lirish të tjera apo të drejtash, edhe pse të sanksionuara në gjithfarë kartash e konventash nuk mund të vihen në zbatim pa gëzuar lirinë ekonomike. Pa të, ti nuk mund të kesh një strehë, nuk mund të organizohesh, nuk mund ta blesh të drejtën, shëndetin, sigurinë e një sërë të drejtash të tjera tejet të kushtueshme, nuk mund të studiosh, nuk mund të udhëtosh, nuk mund të vishesh e të vlerësohesh prej të tjerëve nga paraqitja e jashtme, nuk mund të komunikosh, nuk mund të lindësh, nuk mund të prindërosh, nuk mund të argëtohesh, nuk mund të pushosh, nuk mund të punosh….

Sa “TI NUK MUND TË…” paska, dhe kryesorja është se ka po aq “TI MUND TË…”dhe kjo vetvetiu i ndan njerzit kudo nëpër botë në dy lloje njerëzish. Kudo ka njerëz që munden dhe njerëz që nuk munden. Kudo ka njerëz që janë të lirë ekonomikisht dhe njerëz që nuk e gëzojnë këtë liri të tepër të vyer… LIRINË EKONOMIKE.

Ashtu si padashur brenda çdo kombi krijohen dy nënkombe. Njëri e ka emrin “NE” dhe tjetri e ka emrin “ATA”. Nuk ka rëndësi si e shikon. Nëse nisesh nga të pasurit, ata e përkufizojnë si “NE” kombin e tyre, pra ata që  e gëzojnë çdo liri për arsye se  ata mund të bëjnë çfarëdo që të kenë dëshirë. Kryesorja është se ata mund të vendosin edhe për fatin e të tjerëve, të atyre që grumbullohen në një komb tjetër me emrin “ATA”. E keni dëgjuar këngën “Nothing else matters”? Te ajo këngë keni një varg shumë domethënës: “Never care for games they play”.  Kombi “NE” është gjithmonë në minorancë dhe thuajse i padukshëm.

Kombin “ATA” e shohim përditë janë lypësit, endacakët, punëtorët e çdo lloji, hamallët, hajdutët, prostitutat, fermerët, shitësit, servilët, zyrtarët, mësuesit, policët, qeveritarët, prokurorët, ushtarakët, gazetarët, shkrimtarët….. . Janë  shumë nuk mund t’i përmendësh dot të gjithë. Po të gjithë këta duken për ditë, i shohim, i takojmë, i prekim, janë me ne e janë si ne.

Rezultatet e një studimi vjetor në lidhje me lëvizshmërinë e qytetarëve nga një klasë shoqërore në tjetrën – thuhet në një artikull të  MIRROR,- japin perspektiva më të këqia për fëmijët se prindërit e tyre, duke përfshirë edhe ata të klasës së mesme.

Dhe kjo paralajmëroi rritje të ndarjes mes atyre që jetojnë në zonat e pasura urbane dhe pjesës tjetër të vendit. Komisioni i cili ndërmorri studmin në fjalë tha se ndjenja në rritje e veçimit midis "nesh dhe atyre" kishte një ndikim të thellë 'shkatërrues' në vend. Kishte një lidhje të  'ngulitur në mendje dhe të pathyeshme " mes klasës sociale që mund t’i përkasë dikush dhe suksesit, -ky ishte një nga përfundimet e studimit.

Në verilindje, asnjë fëmijë që vazhdoi stdudimet në një shkollë me ushqim falas nuk shkoi në Oxford apo Cambridge University, pas largimit nga shkolla në vitin 2010. Një fëmijë që jeton në një nga zonat më të pafavorizuara të Anglisë ka 27 herë më shumë gjasa për të shkuar në një shkollë të papërshtatshme se një fëmijë në zonat më me avantazhe.

Raporti thotë: "Problemi nuk është vetëm ndarja shoqërore, por një ndarje gjeografike që  zgjerohet në mes të qyteteve të mëdha - Londrës sidomos - dhe shumë e shumë qytete dhe qarqeve në të gjithë vendin që po lënë pas ekonomikisht dhe po e lënë atë të rrënohet edhe nga ana sociale."

Një lexues i artikullit në fjalë ka bërë këtë koment: “Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve shkaktohet nga  globalizimi dhe vetëm do të bëhet më keq duke parë që qeveria jonë ndjek këtë kukurec global. Shifni rrëfimin mahnitës të James Wolfensohn (bankier i botës). Në të tregohet se si Perëndimi do të vazhdojë të bëhet më i varfër nën efektet e  globalizimit.”

Opozita britanike ia faturon qeverisë këtë ndarje dhe fomimin e dy kombeve brenda të njëjtit komb, atyre që janë me fat dhe që janë shumë të paktë në numër dhe një tjetri jo me fat që janë gjithnjë e më të shumtë në numër. Për shakak se ky artikull ka prekur një aspekt të qenësishëm të shumë familjeve britanike ai ka marrë 2.3 mln pëlqime në face book. Ndërsa sekretari britanik për arsimin thoshte se duhen marrë masa për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët.

Njëra prej arsyeve të pamundësisë për të punuar e rrjedhimisht të varfërisë në sistemin ku ne jetojmë është analfabetizmi, i cili është ulur këmbëkryq në mesin e fëmijëve në disa nga pjesët më të varfra të Afrikës. Në Kamboxhia, gjysma e nxënësve nuk e përfundojnë kurrë shkollën fillore. Prandaj mund të thuhet fare mirë se të luftosh këtë të keqe është njësoj si të luftosh varfërinë.

Një tjetër arsye ka të bëjë me tekat e klimës. Në  dy dekadat e fundit, 4.2 miliard njerëz janë prekur nga fatkeqësitë e motit të lidhura me fenomene të tilla si përmbytjet, thatësirat dhe stuhitë. Mungesa e investimeve në Afrikë bën që me miliona njerëz të vdesin jo vetëm nga uria por edhe nga etja. Edhe pse nëntoka e saj ka rezerva shumë të mëdha ujore, Afrika vuan nga etja. Kam parë një foto në TWITER,  një foto që më rrënqethi të tërin, një grua, e cila ujin me të cilin kishte larë rrobat e përdorte përsëri për të larë edhe fëmijën e saj. Edhe lufta ka ndikimin e vet.  Në kohë lufte të varfërit bëhen edhe më të varfër ndërsa të pasurit bëhen edhe më të pasur, pa përmendur këtu rritjen e numrin e të varfërve i cili vetëm rritet e rritet.

Një tjetër arsye shumë e rëndësishme është keq qeverisja. Për arsye nga më të ngushtat, pushtetarë të ndryshëm e ndajnë shtetin e tyre në zona ku kanë dhe ku nuk kanë përkrahës, në zona që i paguajnë dhe nuk i paguajnë taksat, në zona ku mund dhe nuk mund të qeverisin. Rrjedhojë e këtyre preferencave janë edhe milionat e investimeve.

Në internet gjeta axhendën 2030, një dokument të hartuar nga OKB për çrrënjosjen e varfësisë nga kjo botë. Iu thashë atyre të shtëpisë duke qeshur: “Dashkan me e çrrënjos varfërinë!”. Të gjithë qeshën, ndërkohë që gruaja ime tha: - po të duan e heqin varfërinë. Vetë e krijuan atë, vetë do ta heqin. Vetë e krijuan!, Vetë e krijuan!, Vetë e krijuan! Mu ngulitën thellë në mendje këto fjalë.

Një i varfër, një njeri që nuk ka se ç’të hajë, që i kërthasin zorrët ngaqë nuk kanë se çfarë të tresin komandohet lehtë, thjeshtë hidhi një kothere buke dhe e ke nën vete, e ke skllavëruar një herë e mirë. Varfëria mund  të jetë pjellë e ndonjë shpirti të varfër qënia e të cilit notonte në një det të pafund bollëku dhe kamjeje.

Po a mund  të çrrënjosjet varfëria? Ndër të gjitha të këqiat me të cilat përballet njerëzimi, për mendimin tim, kjo është e keqja më e madhe. Ajo është e trashëguar prej shekujsh e ndoshta edhe prej mijëvjeçarësh. OKB po punon në këtë drejtim. Ka një sërë programesh dhe organizatash të cilat shpërndajnë ndihma, mundësojnë arsimimin e fëmijëve të varfër etj etj. Por vetë fakti që këto organizata kanë ekzistuar dhe vazdojnë të punojnë me projekte dhe programe të ndryshme në këtë drejtim më thotë se këto përpjekje janë të pamjaftueshme.

Në axhendën 2030 gjen shumë fjalë të bukura. Për njerëzit thuhen gjëra të tilla si:”Ne jemi të vendosur për t'i dhënë fund varfërisë dhe urisë, në të gjitha format dhe dimensionet e tyre, dhe për të siguruar se të gjitha qeniet njerëzore mund të përmbushin potencialin e tyre me dinjitet dhe barazi dhe në një mjedis të shëndetshëm”.

Shumë mund të bëhet për të shuar varfërinë dhe etjen e kësaj bote, por vetë fakti që ka uri dhe etje në botë, do të thotë se nuk është faji i burimeve. Ato edhe pse në disa raste keq shfrytzohen, përsëri janë të mjaftueshme. E gjithë çështja është tek shpërndarja e tyre, tek mundësia për t’i siguruar ato.

Në të thuhet diçka edhe për planetin. Ne jemi të vendosur për të mbrojtur planetin nga degradimi, duke përfshirë konsumin dhe prodhimin e qëndrueshëm, në mënyrë të qëndrueshme menaxhimin e burimeve të veta natyrore dhe marrjen e masave urgjente për ndryshimet klimatike, në mënyrë që të mund të mbështesim nevojat e brezave të sotëm dhe të ardhshëm. Kjo gjë është e mirëmenduar sepse babëzia dhe lukunia po bën kërdinë.

Aty flitet edhe për mirëqenien, paqen dhe partneritetin ose për mënyrat e zbatimit të kësaj strategjie. Ja gjëra të tilla i gjeje me bollëk në këtë dokument me shumë faqe. Unë u deha nga bukuria e atyre fjalëve por përsëri nuk më hiqet nga mendja pyetja: “A mund të çrrënjoset me të vërtetë varfëria?”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora