Mendime
Tahiri: Përballja e parë frontale e UÇK-së
E diele, 27.11.2016, 11:44 AM
PËRVJETOR
PËRBALLJA E PARË FRONTALE E UÇK- së
NGA BEDRI TAHIRI
Agu i së mërkurës së 26 Nëntorit të 1997 u gdhi fare i zymtë. Natyra hijerëndë sikur parandiente diç të pazakontë. Qielli i mërrolur veçsa s’lotonte. Dielli nuk po dukej gjëkundi. Po hezitonte të hidhte dritë mbi horizont. Retë e harlisura kalëronin çmendurisht në qiellin e trazuar.
Drenica ende përkundej në djepin e praruar të ëndrrave liridashëse, E, drejt saj, që me natë, ishte nisur nga Mitrovica kolona e zezë mortore. Bishat e shfrenuara nga Karpatet, tërë tërfëllimë e ulërimë, ngarendnin e ngarendnin çmendurisht. Ditë më parë, më 25 nëntor 1997, një ekspeditë serbe kishte tentuar të hynte në lagjen Binakaj të Vojnikut, por Abedin Sokol Rexha (Sandokani) me shokë i ktheu mbrapsht. Ata, të turpëruar e të fyer, në të kthyer plagosin rëndë fëmijën 11-vjeçar Baki Krasniqi.
Të dehur e të vërbuar nga egoizmi mashtrues e të zhytur në batakun e mitit të rremë të pathyeshmërisë, futeshin, fare çlirshëm, thellë e më thellë në zemër të saj.
Papritmas, te lugina midis Llaushës, Rezallës së Re dhe Rakinicës dheu u trand si nga tërmeti shumëshkallësh. Thellë, nga gjiri i tokës mëmë fuqishëm shpërtheu amaneti i brezave. Nga hiri i vet, si feniksi, u ringjallën: Millesh Kopiliqi, Ahmet Delia, Shaqir Smaka, Shota e Azem Galica, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica e Tahir Meha. Të bërë tok sikur folën përnjëherësh: Mjaft më barbarë të ndyrë! S’ka ngelur shkret kjo tokë, jo, që ta përdhunoni pamëshirshëm. Bijtë e saj ende janë gjallë që t’i dalin zot!...
Njëzet e një kreshnikë në krye me komandantin Adem Jashari ia kishin prerë rrugën lubisë shumëkrerëshe.
Lugjet përreth oshëtinë llahtarshëm duke e përcjellë kushtrimin larg e më larg. Kodra-kodrës ia zgjati dorën. Malet u përqafuan vëllazërisht duke u lidhur në besa-besë. Shqipet krahhapura fluturonin krenarisht maje kreshtash. Poshtë në rrugë rrëmujë katandisëse. Tanket e autoblindat gjëmonin si bishat e plagosura kur japin shpirt. Nuk bënin dot më tutje as një çap. Asfalti u skuq fare. I tërë arsenali ushtarak shkapërderdhur nëpër tokë. Edhe kokën e kishin harruar horrat e djallit. As për t’u kthyer s’ktheheshin dot. E kishin humbur torruan fare dhe s’u punonin duar as këmbë...
Një tufë rrezesh, në kryqëzim reshë, u lëshuan mbi shkollën “Përparimi” të Llaushës. Në mësonjëtore drita mundi errësirën. Mësuesi i palodhur, Halit Gecaj, ishte para filizave njomëzakë, që përpiqeshin ta përpijnë çdo fjalë të tij. U fliste për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Atë ditë të shënuar, u thoshte ai, plaku i urtë vlonjat, Ismail Qemali, bashkë me atdhetarë të tjerë, arriti ta bëjë një Shqipëri të pavarur, por fare të vogël, pa Kosovën martire dhe pa Çamërinë fatkeqe. Nesër, kur t’ia bashkojmë këto, do ta bëjmë të tërën Shqipërinë...
Një breshëri predhash e mbuloi shkollën. Na e vranë mësuesin! - bërtitën vogëlushët e lemeritur. Gjaku pikoi në ditar. Ai u kalamend, por e mbajti veten. Duke i ngrënë buzët me dhëmbë, mezi arriti t’u drejtohet nxënësve: Mësoni dhe punoni për lirinë e Kosovës!
Korbat e zinj, me krrokamën e tyre makabre, u zbrapsën zhurmshëm. Tek ikin në theqafje, feçkëthyer e tërë inat, zunë të shfryejnë në të pafajshimit. Nuk kursenin asgjë. Qëllonin kudo e këdo: shkollën, xhaminë, shtëpitë, fëmijët dhe bagëtinë e gjorë. Dielli i hutuar fare nga kjo barbari e paparë harroi të ecte e zogjtë ndaluan këngën.
Llaushë, 28 Nëntor 1997. Lumenj të pafund njerëzish vërshuan drejt saj. Të gjithë tok i bashkonte flamuri kuqezi. Jo për ta kremtuar Ditën e Tij, por për ta prëcjellë mësuesin në amshueshmëri. Ah, sa bukur qëndronte mbi trupin e tij të pajetë. Flamur i lashtë, flamur lavdie. Mbi pesë shekuj jetë e rezistencë. Denbabaden kemi ecur bashkë. Kudo të pandarë: në dasma, në festa, në beteja e në vdekje. Fare pranë nxënësit e tij supërlotur. Ata përjetë do ta përkujtojnë orën e fundit, që mësuesi i tyre i paepur ua mbajti nën zhurmën e makinerisë serbe e nëpër flakën e mitralozëve.
Lumi i njerëzve s’kishte të ndalur. E tërë Kosova po vinte aty për ta ndarë dhembjen e pikëllimin. Ishte kjo një dhembje krenare, sepse po hapej një faqe e re e historisë sonë. Flamuri ynë fare pranë aspiratave shekullore, pranë Nëntorit të Tretë. Kjo shihej qartë në fytyrat e gjithë pjesëmarrësve dhe në zemrat e bëra NJË.
Sakaq, tri shqipe zbritën nga kreshtat. Masa mbajti frymë. Njerëzit e nemitur fërkonin sytë me mosbesim. Iu bë vend ballë binës improviziese. Sa bukur u shkonin uniformat ushtarake. Pas fjalimit të zjarrtë të atij që mbante maskën, turma mori zjarr.
Brohoritjet: UÇK, UÇK... i zhgurgulluan malet përreth. Edhe mësuesi në arkivol do të ketë luajtur vendit.
Tej, në një qoshe, kishte zënë vend një plak i mbetur. Mbështetur mbi kërrutën prej thane e i futur në gunën e arnosur, që i shkonte deri në tokë, mërmëriste më vete: U lumtë ore djema, u lumtë! Ju dhe vetëm ju do t’ia sillni Kosovës dritën. Edhe ne patëm luftuar mjaft, por ju keni edhe shkollë e nuk ju mashtrojnë lehtë. Kur jeni të bashkuar, si një grusht i vetëm, s’ka çka ju bën askush... Ah, mësues, mësues!- vazhdoi ai duke përcjellë ata që e mbulonin me dhe, juve ju ka prirë shorti i zi që nga fillimi. Çdo pushtues u pati halë në sy, por ato shkronja të arta, të lara në gjak, më s’kanë frikë nga plumbat. Tre muaj ishe kur çetnikët ta vranë babanë... dhe lotët iu lidhën në grykë. Ulur galuç zuri t’i fshijë me shaminë e rrudhosur, pa i vënë re të tjerët përreth.
-Ishim ëndërr apo na bënë sytë?- pëshpërsinin ca zëra,
duke u shpërndarë pas varrimit, të mahnitur nga e papritura.
-Si ore tutkuna, ende nuk po besoni?!- ua priti tjetri gjaknxehtë e i xhindosur. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është realitet dhe sot e tutje do të veprojë haptas.
Ashtu ishte me të vërtetë. Çdo epokë i ka heronjtë e vet, është thënë që në antikë. Atyre herë herë fati u ngarkon barrë të rëndë. Forca mbrojtëse dhe çlirimtare e Kosovës duhej dalë haptas para publikut. Koha s’priste më. Dhe, kësaj herë, kjo detyrë e ky nder u takoi:Rexhep Selimit (“Dhjetëshit”), Mujë Krasniqit (“Kapuçit”) dhe Daut Haradinajnt (“Davidit”)...
Kosova po i hapte rrugë lirisë e 28 Nëntorit iu shtua edhe një festë e re: DITËLINDJA E UÇK-së.