Mendime
Gëzim Hoxha: Shteti që do të doja!
E marte, 24.05.2016, 07:55 PM
Shteti
që do të doja!!!
Nga Gëzim Hoxha
Sapo u ktheva nga Italia. Nuk është hera e parë që shkoj atje por këtë radhë ishte ndryshe...
Në aeroportin e Peruxhas tek po prisja si shumë e shumë të tjerë, njoha një mjeke të re, shqiptare, e cila ishte sistemuar shumë mirë atje. Ajo punonte në urgjencën e spitalit të po atij qyteti dhe diçka më rrëfeu për vështirësinë e punës së saj. Nga gjithë ai tregim më ngeli në mendje shtimi i vetëvrasjeve dhe i aksidenteve. Po sidomos i vetëvrasjeve...
Edhe pse Italia ështe një nga shtetet më të forta në botë njerëzit vuajnë, vuajnë nga barra e madhe e taksave dhe e faturave. Me aq sa më linte të kuptoja, (italishtja ime është shumë e keqe) në një episod të titulluar TASSATI A MORIRE, në emisionin DALLA VOSTRE PARTE, njerëzit ankoheshin se nga të ardhurat e tyre në fund të muajit nuk u ngelej pothuajse asgjë. Në një tjetër episod një grumbull pensionistësh kishin adhur me biçikleta nga Milanoja në Romë për të protestuar në lidhje me një ligj që e kishte rritur edhe më moshën e daljes në pension dhe u kishte vënë taksa po ashtu edhe jua hiqte pensionet e bashkëshortëve të vdekur.
Dhe mendja më shkoi tek 1 Maji ynë të cilin ne e festojmë për çdo vit sikur çdo gjë të shkonte vaj. Të paktën këtë vit pamë në lajme një marshim të komunistëve, i cili mori formën e një proteste.
Mora vesh se në Zvicër u mbajt një referendum në të cilin pyetej populli nëse ishin dakord apo jo për dhënien e një shume prej 2500 frangash të barabartë me 2500 €, çdo personi (të rritur a të mitur) që punonte ose jo në administratën publike. E pra jemi në kohën e referendumeve. Një ere e re mesa duket po fryn. Nëpër botë e kanë kuptuar se ka ikur koha vendimeve të njëanshme. Një i tillë u mbajt edhe në Finlandë për caktimin e një kuote prej 800€ për shtresat në nevojë. Apo në Skoci ku skocezët u pyetën nëse dëshironin ende të mbeteshin nën ombrellën Britanike. Ata që merren me politikë e dinë më mirë se të gjithë neve se referendumi është forma më e pastër e ushtrimit të pushtetit nga sovrani.
Dua të ndalem pak te rasti i Zvicrës. Çfarë synohet përmes këtij referendumi? Interpretimet dhe kënvështrimet mund të jenë të ndryshme por ajo që unë kuptoj është SHPËRNDARJA E PASURISË KOMBËTARE. Çdo të thotë shpërndarje e drejtë e pasurisë? Do të thotë që në një shoqëri X të mbizotërojë shtresa e mesme. Me fjalë të tjera synohet që dy ekstremet e çdo shoqërie ajo e varfër dhe ajo e pasur të eleminohen apo më realisht numri i të pasurve dhe i atyre të varfërfe të zvogëlohen deri afër zeros. Kjo pak a shumë ngjan me limitin e një numri të caktuar, ai i afrohet atij po nuk mund ta arrijë atë. Dhe kjo gjë vlen edhe për kapitalizmin, pasi kapitali zmadhohet edhe pa bërë asgjë.
Po sa reale është kjo gjë??? Për vende si Zvicra kjo mund të realizohet fare lehtë. Dhe nëse ndodh në Zvicër efekti domino do e mundësoj të njëjtën gjë në të gjithë BE –në. Këtu vlen të theksohet sa të ndërgjegjësuar janë evropianët. Ose më mirë duhet thënë a iu ka ardhur në majë të hundës edhe atyre si italianëve?. Diçka tjetër vlen të theksohet a do i vejë mendja ndonjë politikani që t’ia ofrojë këtë ide evropianëve?.
Po tek ne, a mund të ndodh diçka e tillë? A mund të ndjekim edhe ne shembullin e Zvicrës? Sa e realizusheme mund të jetë kjo si ide në vetvete? Le t’i marrim me radhë.
Në Shqipëri janë mbajtur disa referendume. I pari pas viteve ‘90 ishte ai i vitit 1994 për amendimet kushtetuese, ndërsa i fundit u mbajt për anëtarësinë e PS. Pra një referendum mund të mbahet edhe tek ne për çdo lloj pështje. Ligji e lejon dhe nuk mund të shihet asnjë pengese nga pikëpamja ligjore, mjafton të mblidhen një numër i caktuar firmash dhe ja u bë.
Problemi i vërtetë me ne shqipëtarët është ndërgjegja ose vetëdija e secilit e cila në një shumatore kolektive kthehet në syçelje apo vetëdije kombëtare. Këto janë budallalliqe me okë do të thotë ndonjëri prej jush, po jam i bindur se çdo gjë fillon e mbaron te ndërgjegjësimi. Dhe më së fundi a ka mundësi të gjendet ndonjë idealist ende këtu tek ne??? Para se kjo ide që mund të duket pak bajate dhe aspak reale, t’iu shtrohet si pyetje para popullit, duhet besuar nga dikush ose nga një grumbull personash. Në një shoqëri si kjo e jona ku pothuajse çdo gjë matet me para, idealizmit duket se i ka ikur koha. Ai, ajo ose ata që do e kërkonin një gjë të tillë do ngjasonin me DON KISHOTIN...
Erdhëm tek thembra e Akilit, tek realizueshmëria e saj. Në një intervistë të dhënë për një kanal televiz italian kryeministri ynë pyetjes se pse nuk rriten të ardhurat për shqiptarët iu përgjigj me një pyetje: Po pse të ardhurat e italianëve nuk rriten aq sa të suedezve? Dhe me të drejtë. Po mua më duket se asnjeri nuk kërkon rritje të ardhurash këtu tek ne. Ekonomia ka rregullat e veta dhe njëri prej tyre ai i 72-shit thotë se një vendi i duhet aq kohë të dyfishojë të ardhurat sa raporti i 72-shit me % e rritjes ekonomike. Shqipërisë me një rritje ekonomike prej 2,5% do t’i duhet të presë edhe afërsisht 29 vjet t’i dyfishojë të ardhurat e saj. A duhet të presim edhe 29 vjet të tjerë që të jetojmë më mirë???
Jo. Përgjigja është jo. Mjafton që ato të ardhura që mblidhen nga taksat të shpërndahen drejtësisht.
Është llogaritur dhe caktuar me ligj një pagë minimale prej 22000 lekësh në muaj. E mendoni se sa do të lehtësohej jeta e çdo shqiptari sikur çdonjërit prej tyre, të vogël apo të rritur, t’iu jepej nga 22000 lekë në muaj!!! Po ku do dalin gjithë këto para?,- do pyesin ata që e kanë në dorë këtë gjë. Përgjigja gjendet në një shkrim të botuar dje në gazetën TELEGRAF, i cili fliste për abuzimin me një shumë prej 325 mln lekë, e cila ishte përdorur për bileta dhe kolltuqe (gjithmonë nëse e marrim për të mirëqenë). Sikur këto para të jepeshin, do të lumturoheshin për një muaj rreth 1477 shqiptarë ose 369 familje me një numër mesatar prej 4 anëtarësh. Ja pra kaq e thjesht është. Thjesht mirë – administrim. Një përgjigje e njëjtë gjendet edhe në një shkrim të portalit BALLKAN WEB të rreth një viti më parë i cili tregon faturën e indeksimit të pagave të deputetëve si dhe koston oportune të saj, thënë më shkoqur për ata që nuk e dinë se çfarë është kostoja oportune, se çfarë mund të bëhej me atë shumë parash sikur të përdoreshin për diçka tjetër.
Po ndoshta duhet bërë diçka para se të arrihet tek ky hap. Po duhet bërë. Duhet zvogëluar pagat e administratës dhe të përgjysmohej koha e punës. Ndoshta jo 4 orë por le të bëhet 5 orë si në Suedi. 4 orëshi do të hapte disa dyzina vende pune në administratë, për të sigururar shërbimin prej 8 orësh të tanishëm. Kjo vlen sidomos për profesione të tilla si ai i mjekut, i policit apo ai i mësuesit e ndonjë tjetër. Kjo do ta bënte punën më të dëshirueshme. Kaq si fillim, se unë do të vazhdoja me pagat e funksionarëve të lartë më tej, që pushteti të mos shihej si mjet paurimi por thjesht si ofrimi i një shërbimi. Kjo do të ulte tej mase dhe dëshirën e njerëzve për tu marrë me politikë. Për më shumë do të shënonte fundin e një profesioni kaq të lakmuar nga të gjithë në Shqipëri, atë të politikanit. Por kjo është tejet e nxituar, tejet e guximshme, pasi kërkon ndërgjegjësim, ndërgjegjësim dhe jo fjalë.
Mbi të gjitha kjo ka të bëjë me projeksionin apo me perceptimin e atij shteti që ne dëshirojmë. A duam të vazhdojmë me një shtet, i cili këto 25 vjet ka mbajtur anën e të pasurve? A e duam vërtetë diçka të tillë? Apo do të donim që të mos e vrisnim shumë mendjen për shpenzimet e përditshme? Do e donin vallë shqiptarët një shtet social, ku të varfërit dhe të pasurit të numëroheshin me gishtat e dorës???
Unë e di, jam ëndërrimtar, ëndërroj shumë por shpresoj që të mos jem i vetmi person që ëndërron në këtë vend....