Kulturë
Devis Xherahu, një Fame Story shqiptare
E shtune, 16.08.2008, 08:27 PM
Devis Xherahu |
Gjithë zotërinjve, kudo që janë – atyre që kryejnë krime dhe atyre që u japin imazhin e keq shqiptarëve në botë, dua t’u them vetëm një gjë: Fuck you all! Ishin këto fjalët e para pas “peshës mbi shpatulla”, që e bëri atë të famshëm në emisionin muzikor grek “Fame Story”. “Miqësia shqiptaro-greke e së shkuarës dhe urrejtja e së tashmes” do të ishte tema e hapur nga Devis Xherahu – diskutim, i cili vijoi për javë të tëra në televizione, por edhe në forumet virtuale në internet. “Devisi pati shkëlqimin e tij artistik në Greqi dhe vodhi zemrat e atyre që ushqenin racizmin kundrejt daljes së shqiptarëve si figura publike në televizione. Zëri i tij u pëlqye madje edhe nga këngëtarja greke Keti Garbi”, është një prej qindra komenteve që thuhen për të në një faqe virtuale greke. Ndërsa për të gjithë shqiptarët Devis Xherahu u bë akoma edhe më i njohur kur në Festivalin e Këngës (dhjetor 2007) interpretoi këngën “Endacaku”, e cila u rendit në listën përfundimtare në vendin e 17-të. “Sot dhe fjalët më mungojnë / Nata është e brishtë / Zbrazëtia më mundon / Çfarë kam bërë se di / Më kot lodhet bota të më ndalë / Është e varfër dhe asgjë s’më fal – është kjo një pjesëz nga kënga me tekst të Zhakut dhe orkestrim të Endri Sinës.
Karriera artistike
Devis Xherahu njihet nga të gjithë në qytetin e Korçës, së paku për më të vjetrit, që e njohin nga mbiemri i tij. Gjyshi i Devis-it, Vaskë Xherahu, ishte një nga themeluesit e grupit të famshëm “Lira”. Në një intervistë të dhënë për ONE, Devis Xherahu ka rikujtuar se në moshën 14-vjeçare kishte filluar të këndonte me gjyshin e tij serenata korçare, por edhe këngët greke, që i këndonin në bodrumin e shtëpisë. “Njëherë, madje, policia më kapi dhe më rrahu keqas”. Devisi studioi për 16 vjet muzikë klasike, derisa në vitin 1997 emigroi drejt shtetit helen. Selaniku ishte qyteti i parë ku ai filloi të këndonte në disa lokale nate dhe buzukë.
Fama e Devisit u zgjerua në Greqi ku, për herë të parë, u ftua të merrte pjesë në vitin 2004 në një emision për talente të rinj, transmetuar live nga TV Star. Drejtuesja e emisionit Xhesi Papuçi, në përfundim të spektaklit, e shpalli Devis Xherahun fitues me pikë maksimale mes 30 konkurrentëve të tjerë. Ndërsa në emisionin muzikal “Fame Story”, transmetuar nga TV ANT1, Devisi doli i katërti mes 20.000 konkurrentëve, pas një sfide disajavëshe. Por ky ishte vetëm fillimi i rrugës së artë të Devis Xherahut. Ai kontaktohet nga këngëtari i njohur grek Stamatis Gonidhis, i cili e fton Devis-in për një bashkëpunim 40-ditësh me këngëtarin e mirënjohur grek Jorgos Alkeos. Pas kësaj, daljet e tij në televizionet greke u bënë edhe më të shpeshta, duke filluar bashkëpunimet me këngëtarët Vasilis Karas dhe Anxhela Dhimitriu. Por kulmi i karrierës së tij artistike arrihet kur këngëtari grek Lefteris Pantazis bëhet producenti i albumit të parë të Devisit, ku midis 120 këngëve u përzgjodhën 11 e midis tyre edhe dueti “Picirika”. Albumi doli në treg edhe falë bashkëpunimit me artistë të tjerë grekë, si Nikos Karvelas apo Stamatis Gonidhis. Disku në fjalë u sponsorizua nga shtëpia diskografike greke “Venus”, ndërsa CD-ja mori emrin “Surpriza”. Për një kohë relativisht të gjatë, Devis Xherahu ka kënduar në buzukun “Opera” të Athinës. Ajo që tashmë pritet nga këngëtari është një koncert i madh këtë verë, në Shqipëri, së bashku me producentin e tij, këngëtarin e famshëm grek Lefteris Pantazis.
BOX
Debati që “zgjoi” Greqinë
Në debatin e zhvilluar në “Fame Story” – emision që e bëri të famshëm Devis Xherahun – prezantuesja e emisionit e ndërpret atë, në momentin kur fillon të thotë sesi grekët e kishin kritikuar për prejardhjen e tij shqiptare. Por Devisi vazhdon: “...ata kanë të drejtë, pasi shumë prej nesh janë mosmirënjohës, të këqij; erdhën këtu të hanin bukën greke dhe zgjodhën mënyrën më të keqe që ekziston...”. Më pas ai ka preferuar të shajë në anglisht para kamerave, por shpejt e kupton gabimin e bërë nga impulsiviteti, duke kërkuar disa herë falje para publikut.
Prezantuesja: (e kap prej dore): E kuptuam se çfarë do të thuash por ec këtu dhe qetësohu...
Devis Xherahu: Jam bërë edhe qilim që të më shkelni, por dua që të më respektoni si këngëtar dhe njeri që nuk e meriton të gjithë këtë.
Prezantuesja: Në rregull, në rregull të gjithë e kuptuam se çfarë do të thuash dhe si ndihesh, siç na i the, “për këtë barrë mbi shpatulla”. Ndihesh i dënuar nga atdheu yt dhe nga atdheu tjetër këtu... këtë doje të shprehje ti.
Profesori: Dhionis. Nuk ekzistojnë raca të këqija, por vetëm njerëz të këqij!
Devis Xherahu: Po zoti profesor, por janë ngatërruar gjërat dhe unë nuk dua që të paguaj...as unë dhe as shumë të tjerë.
Prezantuesja: Mjafton, mjafton. Ky nuk është një emision politik. Këtu jemi të gjithë njerëz, njerëz të thjeshtë. Këngëtari nuk ka kufij. Është për të gjithë popullin dhe këtë duhet ta kesh në mendje ti, ndërsa këtu nuk je për t’u arsyetuar asnjërin dhe as të mbrosh njeri. Në rregull?
Redaksia ONE