E hene, 29.04.2024, 06:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Margaritari i lëngshëm

E merkure, 13.08.2008, 07:42 PM


Mehmetali Rexhepi
MARGARITARI I LËNGSHËM

Mehmetali REXHEPI

Shikimeve të Ngazëllimit iu ishte futur vezullimi. A ishin vezulluese mijëra pasqyrëza lozonjare të liqenit, a fije nervash të lëvizshme nga miliarda sosh mbjellur hullive të lëngshme të trurit?
Ngazëllimit dhe Agzonit iu gufuan ujëvara të ngazëllimit, derdhur shikimeve të tyre për aq sa u rroknin ato.
 Zhytur kaherë në një liqe mbresash metaforike, tashmë përball kishte liqenin e lëngshëm.
        Ngazëllimi joshej mes dy liqeve ... 
Liqeni drithërues thurur prej fijeve të tëholluara, fjalëzave dendësuese, figurinave tejbartëse hiresh, hijesuese afshesh,flladesh pas firesh farfuritëse kurorash kopshteve të fshehta të kureshtjeve, lypur gjatë, gjatë dhe gjatë me erën; latuar stërlatueshëm, trajtësuar trajtësueshëm gjatë, gjatë, gjatë gjithnjë lëngshëm edhe ku nuk u fut dritëza e mendjeshpresës,  hynte një dritëz kumti fshehur për tu gjetur deri te hyjnorja, në afri a gjithësi të yllit perënduar në liqenin e letrës.

* *  *

Një erë peshku të fërguar e kishte joshur Agzonin:

-Ngazëllim të hamë peshk të fërguar. Pasi më ka kapluar uria do të ma kënda.
Udhës qindvjeçare me ndjenja shtruar, vetveten harruar ia la peng Magut të muzave. Ta shpinte vetëm Ai kah të donte, të hynte e të dilte vrimave  të shpirtit, t’i zgjidhte e t’i lidhte nyjat e tij dhe tej me përmasën e liqenit. Kaltërsia verdhpërhimur e liqenit është gjiri lëngor i maleve. Përmasa e shtrirjes së liqenit sakaq, iu përmbyll nga koka e dikurshme djaloshare e një flokëgjati. Koka përshkueshëm mbi liqe pa litar e gur të varur në qafë. Liqeni, koka vigane e flokëgjatit si një pararendës i bitëllsve. Liqeni, koka mbi liqe të tharë! Dhe liqeni fëshfërinë, koka diç lëpin ... Koka, koka që shikueshëm përpinë e i zë hapësirën liqenit. Por frymëmarrja e lëngshmërisë gllabëroi atë kokë, kokën që hijesonte liqenit...
Koka dhe liqeni të njëjtësuar...
- Një kurdisje për soditjen time ! -I shkrepi kësisoj qarku rrotullues i mozaikëve
 të mëdyshjes.
Ndryshim përmasash dhe soditje në log të kundërshtive. Mëtonte diç tjetër, duke shfletuar kujtesën ta shihte pikërisht ashtu, jo kështu. Ta ndjente ndryshe të ndjeshmen e brumosur, ta piqte e të mos e digjte të papjekur, të ngjizur në thellësi të ca shqisave. Ndaj mëtonte, mëtonte dhe mëtonte t’i përputhte ato ndjesi  e fije kumti të letrës, t’i ndjente, t’i bartte dehshëm, befshëm, papërshkrueshëm, përshkueshëm si sytë e relievi i ri i Rit Mikes të zemrës së Atij.
Por mjerisht nuk ndjeheshin, as dukeshin, as përputheshin, as përshkonin dot këto si kur e kur ato; ajo botë e virgjërisë së magjikes, me këtë botë të fshehjes së lotëve të saj nga përdhunimi ...
Rreshtave e, mes tyre edhe kundërmimi i grafikës, i shtresohej avullimit të shkronjave. Ato vinin njëra pas tjetrës, në një masë dhe korale, as më gjatë, as më shkurt kodra tingujsh, rrafshe mençurish, puthje stërkalash të ftohta a të vala,  enigma thesari në ca fije të brishta...
-Bukuria krijesë a shëmbëllesë çastesh? -Ia pëshpëriti vetes Uni i Ngazëllimit.
Vala valën e shtyn skeletit të detit. Vala valën e fton dhe dëbon dhe, mes valësh shpërthen oshtima e trazimit:
-Mos më josh Bukuri sa të më shpiesh, si Ai, në llahtari!
Bel për beli me krahët tmerrësisht magjikë të gravitetit luhet “Vallja e Yjve” në dasmën e yllësisë. Yjtë rrotull e rrotull hedhin vallen e tejkohshme të gjithësisë.
Flokëgjati me mikeshën Intuitë ishte futur në atë valle që në  djalëri.

*  *  *
Në të vërtetë, më parë i kishte ikur mikesha Intuitë, pastaj, pastaj edhe Ai pas saj. Ç’ i mbetej tjetër Atij? Pa të Ai nuk e përjetësonte dot hirësinë e jetës. Ajo iku me pigmentin e zi të leshrave. Atij ia la thinjat e borës në kokë.    
 Botë o botë!                                                                 
Ndaj vajqeshur do ta përbuzte: ç’më ike Bukuri, moj e paudhë! Më kot e ngas atë aventurë, ajo po i qasej flokëgjatit:
-Dhe ti, Ngazëllim lëpiju me arusha!
Më tej liqenit një mal i zhveshur, zvetënim i heshtur, grithje shikimesh. Ai të gjitha pamënitë nuk i mori për vete.
Dhe i piku një grishje jo si një mollë e krimbur prej dege:
-Shpalo letrat e padjegura dhe do t’ia ndiesh kundërmimet edhe sazet unikate liqenit, si Ai.
Duket, ngase as atëbotë, nuk e veshi dot atë mal të thatë, me butësinë e shikimputhjeve afshore që t’i fisnikërohej shtati. I thatë se i thatë, Mali i Thatë. Përcëllimë veriu e kafshime rrebeshesh malit pa orakuj, një kanosje e të lëngshmes. Vetëm të lëngshmit dhe e lëngshmja japin dhe marrin shije. Ëndja  josh shijen si buzët e eshkëta të beqares së malit, që ia njomnin tetë sylynjarët e kroit të fshatit.
Rrathët koncentrikë të mallit të mendimit, kllapkllupçimat dhe enigma e së bukurës, që vajti me Intuitën, asaj dhe Atij nuk ua dhanë dot lamtumirën e amshimit e madhërishmja e pasosur.

*  *  *

- Agzon po shoh shumëçka që nuk e ndjej me shqisën iritimit.
- Si po e ndien pra, kur nuk po e sheh zhgënjimin që na ndjek fshehur në ne?
Në këtë trinomi pickueshëm, nga rasti në rast, hidhej të futej riçra e zhgënjimit:
- Nuk ta gjetëm të fildishtën kullë, as kopjen e shtatit muzeor, as shtratin, së paku një nënkresë ku kishin kalëruar ëndrrat e muzave, or Mallëngjim!
Flokëgjati kokërrumbullakët, ballëlëvruari Plakush, që nën lavrat e tij i dritësonin zbehtë dy liqenëth të zi, liqeni edhe sekush e sekush, përfillnin praninë e butë të mikut Zhgënjim si një rëndomtësi jete. Por Zhgënjimi të ndiqte pas nga çasti në çast, si shkujë a vorbull e kurdisur deri në çastet e shpërfilljes. Dhe doemos ia mbyllje hyrjen si një miku të rremë.
- Më duket se këtij liqeni po i munguakan edhe disa ngjyra pos të kaltrës!
- Ç’ farë do: pohimin a mohimin tim ?
- Zoti po i fsheh a Ai, Poeti Plakush? -Tha pyetpërgjegjshëm, disi çthurthurshëm Agzoni.

*  *  *
 
         Sytë, sytë me dashje a padashje rrëshqasin, futen çfarësive përciptazi vjedhshëm, mëkatërisht lëpijshëm lartë-poshtë, poshtë- lart relievit epshor rrjedhshëm.
Mes gjinjve tambëlcakë kryqi, ç’ profanosje hejdi? Sytë fërkueshëm shuajnë epshet e topitura mashkullore të bredharakëve. Metafora e zhveshjes së thesarit vashëror u çmetaforizua!
-Agzon, do të të lusja të mos hapërosh rutinës epsheshuarëse me zbritje 
sezonale.
- Sisisi ?
- Po po, ashtu. – Jargët buzëve tua dëftojnë .
- Puthlëpirjet e lezbejkave do të të bëhen një art i zbrazjes... 
- Vallë, zbritja sezonale e epsheve a do ta ketë edhe ngritjen sezonale?
Ngritje- zbritje epshesh, drithërimash, tundimesh dhe, reumë morale dhe lypje e barit dhe pak a shumë kënaqje e lavirshme dhe më tej pakëz Voskopojë dhe, lakim drejtqëndrimi nga përplasja e Zhgënjimit mbi kokë.
- Hiqmu koke ore marroq! – Nuk e duroj dot peshën tënde kundërmuese !
*  *  *
Margaritari i lëngshëm qytezës përkëdhelshëm ia lanë gjymtyrët. Dhe nuk fle. Po të flinte do t’ i humbte margaritarët e fshehur, që do t’ia helmonte nepërka heshtje.
Një anatemë ortodokse fundin ta ndjell:
- Pije shurrën e smirës sime përderisa të tkurresh në verdhësinë e ngurtë të saj !
- Ngurtësi, ngurtësi, ngurtësi vetëm andej të këtejshmes së lëngshme!
Sfondit të kreshtave, luginave dhe çative rrotull, fanitje të vetëtimta të një grushti vigan. Vëngëri sogjetuese. Fletërrufe. E djegura djegëse ndoshta sogjeton ndërdijshëm.
- Xhaxhi,  xhaxhi e keni njohur fqiun tuaj që këndonte në kartë?
Mbetur në këmbë vetëm mbi eshtra, me lopatë në duar, plakushi me kasketë seç u tremb:
-Ku di unë, nuk jam i kënduar. Ëhë po, po, por Lazi nuk di në jetonte këtu.
- Iku, vajti për të kënduar.
- Lazoja ishte njeri i kënduar në Evropë.
- Ay ishte kokë më vete.
- Atij ia hiqnin kapelën.
*  *  *
E gjakuara e përngjasimit, e prekjeve të ndërsjella nga faqe të paluara letre në faqe të shpaluara jete, mbetet diku në ajër, në ujë, në mal, në një shqisë truri që ua jep shkëlqimin ngjyrave sipas diellit të vet.
Ëndja e thellë e krijoi gruan dhe liqenin drithërues. Sa përciptas përmbushen ëndjet njerëzore dhe lënë dromca pangopshmërie mbresash, andaj assesi nuk doja të stërkeqej ajo fisnikëri. E shtrydh mendjen për të rrjedhur aso lëngshmërie, që Ai kishte vjelur, vjelur, vjelur dhe vjelur nën Zogun Grabitqar dhe nën Grushtin e Hekurt.   Edhe...
Assesi nuk kapet e gjakuara e rrjedhshme, pse është e rrëshqitshme si koha. Pos pusia e pafjetur e çastit do ta ribënte kopje të zbehtë  mbrese.     Fije – fije mbushllimë. Dhe , çfarë do të më sillte mbushllima: të pritshmen e një tharmi që thau, shteri e shpërfytyroi globalizmi dhe sherri.
Ai ndriçon pse kishte frymën e këngës me gaz të shenjtëruar, që i dha kurajë Sizifi ta ngriste kullën e Bukurisë pjerrtësive mbi hone.
Druhem nga pjerrtësitë, por nuk di: a më ftoi a iu vardisa prore asaj ngjitjeje pingule?...   Di se i lypja jetës më tepër se sa jeta vetë: një kullë, vetëm një kullë artdehjeje, një kulm të tillë mbi kokë, ndonëse do të ishte lehtësisht e rrënueshme pa lejen e idhujve të shpifur. Por e gjakoja. Ishte e  pakuptimtë të gjakosh diç që është frymë e dehjes njerëzore dhe, të mos gjakosh paranë. Mes iluzionistit e të marrit nuk ka perde. Ndoshta matanë perdes të të marrit jam por, por mund të mos jem, i shtyrë nga gënjeshtarët e mençur të kësaj bote.
Malli, malli, malli i mbjellë nga ajo dorë merrte trajtë të një gjakimi për gjetje çelësash dhe hapje drynash...
Nuk ia dija kahen grishjes, asaj grishjeje që më grishte dhe më grishte në tokë, det e qiell të lundronim, të fluturonim me anijen e kureshtjes. Kah do ta shpinte ajo anije kureshtjen trime?  Në ndonjë ishull pa gjemba sherri, a në një yll pa ferra mallëngjimi ndoshta, ndoshta, ndoshta në një torzo ?

*  * *
 
 Nositi notuaka vetëm, fillikat i vetëm kah makutëria pa zogjtë e tij! Zot o zot, mëshirëplotë! Nëse Darvini nuk e njohu mëshirën, mëshiroje kullin tënd në det e tokë !
*  *  *
Kalimtari anonim :
- Këtu vinte Prirësi, i Grusht- Hekurti dhe, gjashtëdhjetë ushtarë që nuk shikonin anëlindjen e liqenit, ruanin pushuesin e një qetësie të trishtë.
*  *  *
Atë e kishte ndjekur pengu. Edhe mua po më ndiqte pengu: pengu i  pengut të pengut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora