E shtune, 27.04.2024, 06:36 PM (GMT+1)

Kulturë

I dënuari përjetë, ekspozitë pikture

E diele, 10.08.2008, 02:22 PM


Pikturë nga Arsen Boçaj
Nga Anila Peçi

NJË HISTORI DRAMATIKE / Arseni, 33- vjeçari vlonjat i dënuar në Itali, arrin të hapë një ekspozitë pikture në qytetin e lindjes. Lotët e nënës: “Nuk vdes pa e takuar...”
Vuan dënimin me burgim të përjetshëm, por ka gjetur forcat që të sfidojë fatin e jetës nëpërmjet pikturës. Historia e rrallë i përket një 33- vjeçari nga Vlora, Arsen Boçaj, i cili ka gjetur mënyrën të komunikojë me ambientet nga jashtë burgut nëpërmjet pikturës. Asnjë shkollë nuk ka Boçaj për vizatimin, por një pasion të hershëm që siç na thonë familjarët, e ka aplikuar edhe më parë.

Nga drejtoria e burgjeve 33-vjeçarit i është dhënë leja e pikturimit brenda ambienteve të burgut. Kjo i ka dhënë mundësi të fusë në qeli ngjyrat, penelat, e gjithë infrastrukturën e duhur për realizimin e tablove.

Dhe nuk është nga ata që bën një pikturë dhe kaq. 33-vjeçari ka mundur të nxjerrë prej ambienteve të burgut tablotë me piktura, të cilat i ka sjellë në qytetin e tij të lindjes. Ekspozita me pikturat e tij është aktualisht e hapur në Vlorë. Ajo është një mënyrë e 33-vjeçarit për të ndihmuar familjen e tij këtu në Shqipëri, por jo vetëm.

Piktori Ilmi Bani, njëkohësisht kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Vlorë, pohon se ai është një piktor i talentuar. “Vërej se di të punojë me ngjyrat dhe të jetë delikat në zgjedhjen e tyre. Edhe pse nuk ka shkollimin profesional për këtë, por amator, ai është mjaft i talentuar...”

Pikturat janë kryesisht peizazhe dhe tablo me motiv historik (disa paraqesin figurën e Skënderbeut). “Ka tre motive që mund të dallosh në pikturën e tij, ai i natyrës e bukuritë e saj që ravijëzohen në peizazhe, motivi i folklorit, ku gjen gruan labe e të tjera figura, por edhe motivin historik, ku ngjarjet që i kanë bërë më shumë përshtypje janë ato të kohës së heroit tonë kombëtar - thotë Bani

Dy muaj më parë ai i ka dërguar një letër autoriteteve të burgut ku ndodhet Arseni. “...Kam parë vetëm anën e artit tregon ai dhe është vërtet amator, por shumë i talentuar. Nuk ka atë që do e dallonte një profesionist, por ka diçka të brendshme, e cila e bën mjaft interesante pikturën e tij...”

Historia e pikturave të Arsenit nisi pas vitit 2005. Prej asaj kohe 33-vjeçari i dënuar përjetësisht ka dërguar në Shqipëri 57 piktura. 34 prej tyre janë tashmë në ambientet e një galerie në Vlorë, ku gjithmonë gjen nënën e tij. Ndër to shikon pamje nga bregdeti i Vlorës, Llogoraja, një tablo që pasqyron një nga luftërat e Skënderbeut, në një tjetër duken kostumet popullore shqiptare, diku Venezia, e motive të tjera, natyrë e qetë, peizazh.

“Njerëzit janë interesuar për pikturat, ndërsa vetë djali ka pasur gjithmonë një lidhje të brendshme me të. Qëkur ka qenë fëmijë, vizatonte, - tregon nëna e tij Drita, -Nuk bëri shkollë, por si duket lidhja me pikturën e mposhti këtë vështirësi.”

Nëna e Arsenit, Drita është 60 vjeç. Ndërsa na tregon historinë e tij, sytë i mbushen:“...Iku 20 vjeç që këtu, ka 13 vjet andej. U sistemua në Perugia, kishte dokumentet dhe të gjitha lehtësirat e tjera që mund të ketë një emigrant. Bënte një jetë të thjeshtë, punonte në ndërtim. 9 vjet më parë u martua, erdhi bëri dasmën. Një vit pas kësaj mori edhe nusen.25 ditë më pas ndodhi ajo që do ta shkëpuste nga jeta e lirë...

Një mbrëmje i shkon djali i xhaxhait të nuses dhe i merr makinën. Rreth një orë më pas kthehet dhe merr edhe Arsenin.Ky i afërm i nuses kishte lidhje me një femër moldave. Atë natë ajo u vra. Pas vrasjes ai u kthye në Shqipëri. Im bir ndenji atje, pasi nuk kishte pse fshihej. Një javë më pas kapet makina dhe marrin djalin brenda. Gjithçka e kam dëgjuar në gjyqin që iu bë.

E ka dhënë RAI 3 dhe i bënë ndoshta një gjyq shembull.E kemi incizuar në kasetë dhe e kemi parë tërësisht aty. Djali shpjegoi se nuk kishte gisht në vrasje. Madje këtë e citoi edhe analiza. Por janë tre pika që e implikuan. Makina ishte e tij, mosdenoncimi i krimit dhe u vlerësua bashkëpunëtor. I dhanë burgim të përjetshëm. Personi tjetër u shpall në kërkim dhe iu dha po dënim të tillë, por ai vijon të jetë i lirë. Unë jam dakord me fajet që ka, që nuk ka denoncuar. Por drejtësia le tëtregohet e drejtë me të gjithë...”

Drita flet në telefon me djalin një herë në javë. Çdo të hënë. Arsen Boçaj do ta kalojë pjesën e mbetur të jetës, në burgun e Sicilisë. Ai punon në lavanderi dhe njëkohësisht pikturon. Në vitin 2005 drejtësia italiane i dha një licencë që ai të mund të pikturonte brenda burgut.

Ëndrra e Dritës 60 -vjeçare është të mund ta takojë sikur edhe njëherë të vetme të birin. Thotë se nuk do të mund të mbyllë sytë pa e takuar:

“Im shoq dy vjet më parë vdiq. E mbyti marazi. Unë do bëhem e fortë. I kam dhënë detyrë vetes të bëhem e fortë. Më ka thënë dhe djali: Dua të të takoj, ndaj jeto për mua. Ndoshta zoti është i madh dhe shikon...”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora