Faleminderit
Meri Lalaj: Nderim për mësuesen Nedime Karapici (Zgjani)
E premte, 04.03.2016, 09:21 PM
Ajo ishte Zonjë në kohën kur të gjithave na thërrisnin “shoqe”
(Nderim për mësuesen e përkushtuar Nedime Karapici (Zgjani)
Nga Meri Lalaj
Unë isha mësuese fare e re dhe gjatë një viti mësimor punova në shkollën tetëvjeçare “Gjok Shqiptari” në Pogradec. Ishim një kolektiv i madh mësuesish me në krye drejtorin Kozma Basho, (një shkencëtar i vërtetë jo thjesht në fushën e tij të biologjisë, por edhe në pedagogji). Midis nesh jepte mësim edhe zonja Nedime Zgjani, mësuese në ciklin e ulët, ajo fliste me një zë të ëmbël engjëllor, ishte shumë serioze, plot dinjitet, shumë e dhënë pas punës mësimore, madje edhe nxënësit e klasës së saj ishin më të rregulltit dhe më të pastrit në shkollë. Pasi kam botuar librin “Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” marr vesh se zonja Nedime pati kryer këtë shkollë dhe tani e kuptoj përse ajo ishte aq e veçantë në krahasim me mësueset e tjera. Unë jepja lëndën e gjuhës angleze dhe zonja Nedime kurrë nuk rrëfeu se dinte anglisht sepse e tillë ishte koha kur ne të gjitha ishim “shoqe” të mbledhjeve të stërzgjatura, të zborit, të aksionit, të punës vullnetare të ditës së diel e të tjera.
Nedime Halil Karapici, u lind në vitin 1923, në një familje të vjetër tiranase. I ati i saj ishte financier, njeri arsimdashës dhe të dhjetë fëmijët e tij i shkolloi në gjimnazin e Tiranës dhe në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”, Nedimeja së bashku me dy motrat e saj Emine dhe Siare ndoqën mësimet në këtë Institut. Nedimeja u shqua për rezultate të mira në mësime dhe sjellje shembullore, ajo u diplomua në degën lice në vitin 1943.
Në Institutin “Nana Mbretneshë” u njoh me shumë shoqe si Musine Kokalari, Margarita Tutulani, Shpresa Hoxha, Naxhibe Taraku, Besa Theodhosi për të cilat gjithnjë fliste me shumë dashuri dhe respekt si vajza të thjeshta, të zgjuara e me kulturë.
Pas mbarimit të shkollës, Nedimeja u aktivizua me grupet e rinisë antifashiste shqiptare dhe u kualifikua në një kurs për infermiere për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve nga lufta. Gjatë kohës së luftës, meqenëse kishte mësuar anglisht më parë në Institut vijoi studimet në këtë gjuhë në një nivel më të lartë.Pas mbarimit të luftës filloi punë si llogaritare në ndërmarrjen e përbashkët të shtypshkronjave “Mihal Duri” në Tiranë.
Në vitin 1950, u martua në qytetin e Pogradecit me Eqrem Zenel Zgjani, arsimtar që kishte kryer Shkollën “Normale” në qytetin e Elbasanit.
Në qytetin e Pogradecit, Nedimeja dha ndihmesën e saj të vyer si arsimtare në ciklin e ulët në fshatrat Starovë, Rëmenj, Zërvaskë dhe më pas në qytet në shkollat “Koli Gusho”, “Muharrem Çollaku”, “Gjok Shqiptari” duke punuar me përkushtim dhe pa u lodhur për edukimin e brezit të ri deri në vitin 1974, kur doli në pension. Ndonëse ishte një mësuese e palodhur për shkak të sistemit në fuqi nuk u vlerësua kurrë me ndonjë medalje apo dekoratë, shpërblimi i saj i vetëm qenë respekti, fjalët e ngrohta, buzëqeshjet dhe mirënjohja pa kufi e nxënësve të saj që e donin fort dhe e respektuan pa masë deri në ditët e saj të fundit si Entela Gusho, Fillareta Dako e të tjerë.
Gjithashtu zonja Nedime ishte dhe një nënë shembullore që rriti dhe edukoi shumë mirë tre fëmijët e saj: Shkëndi, Pranvera dhe Qazim Zgjani. Në vitin 1996, u largua përgjithmonë nga Pogradeci për në qytetin e saj të lindjes në Tiranë me dhimbje për bashkëshortin larguar nga jeta në vitin 1978, si edhe për birin e vetëm Qazimin që u zhduk në ujërat e liqenit në vitin 1993. Nedime Zgjani ndërroi jetë më 3 janar 2011.
Nga e gjithë përvoja ime si mësuese mendoj se deri te brezi im dhe brezi i sime bije u arsimuam nën ndikimin e çmuar të këtyre mësueseve, që ishin diplomuar në “Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” sepse ato dhanë mësim në çdo cep të Shqipërisë dhe dijet e tyre me vetmohim i vunë në shërbim të brezit më të ri.