E diele, 10.11.2024, 06:06 PM (GMT)

Kulturë

Namik Selmani: Shkrepëtimat sentimentale të Baki Ymerit

E marte, 18.08.2015, 06:55 PM


Shkrepëtimat sentimentale të Baki Ymerit

(Namik Selmani, Mjaltë shqiptarie në poezinë e Baki Ymerit, Amanda Edit, Bukuresht 2015)

Asnjë poet në botë nuk mund  të marrë statusin e një poeti lirik dashurie, po qe se nuk ka një të veçantë në rrëfimin e tij, përvojën e dashurisë dhe artin e të pakopjuarit nga të tjerët. Dialogun e tij me natyrën sdhe shpirtin  e ndjeshëm njerëzor. Konkretisht ne, shqiptarët, a nuk themi të gjithë njëzëri se poezia lasgushiane që u ngjiz në edhe në mjediset letrare rumune, edhe sot e kësaj dite mbetet MAJË nga të gjithë poetët e dashurisë.

Nga Namik Selmani

Ja një maratonomak i fjalës shqipe dhe sfida e fituar e një poezie ndjesore! Në këtë kontekst, po japim më tepër se një meditim për poezitë e komentuara në kuadrin e librit “Mjaltë shqiptarie në poezinë e Baki Ymerit”. Janë poezi të zgjedhura nga vëllimet poetike në vite “Kaltrina”, “Dardania”, “Zjarr i Shenjtë” që tashmë janë si pëllumbat e zemrës së Baki Ymerit të shpërndarë në të gjithë strehët e shpirtërave njerëzorë në botë, e ja tash ato po vijnë në një kurorë të freskët. Më aromë të këndshme, me një dizainj nga më të mirët e kopertinave dhe paskopertinave të bëra nga ai në vitet e fundit. Me këtë libër ai na bën si padashje një lloj autoportreti. Një sy i mençur mund ta shohë çdo poet në vargjet e tij. Ka lindur atëherë kur ka lindur Adami e do vdesë kur të humbi në jetë qoftë dhe një njeri në çdo gjuhë të botës që nuk do ta kujtojë simbolikën e madhe hyjnore të dashuriisë së Adamit përballë një Eve, sa anonime aq dhe të emërzuar të fytyrëzuar të trupëzuar.

Kam qenë para 12 vitesh në Shipkovicën që e ka përkundur atë në një djep. E lashë i vetmuar Tetovën pas krahëve dhe ai fshat edhe sot e kësaj dite më dukej si një prehër me mollë e me arra që vinin nga qielli dhe ishin shenjtëruar dhe shtruar në një sofër me njerëz hyjnorë. Bakiu nuk do të ishte kaq poet po të mos kishte në hartën e viteve si lajmëtar të jetës së tij atë fshat të qetë, të bukur në shpatijet e Sharrit. E atëherë mua m’u duhej që edhe unë të ngjitesha pak më lart dhe, si një tribun modern të flisja të recitoja një poezi (ndoshta duke imituar dhe Bakiun që aso kohe nuk  ishte aty) se isha bërë më poet se ç’isha. Nëse Shipkovica mungon disa herë në analet e poezisë së tij, ju betohem se është në çdo qelizë blerimi dhe fryme të saj.

Ka kohë që është bërë një lavërtar i palodhur, i ndjeshëm, i papërsëritshëm i shkronjës. Të shkronjave shqipe, të rikënduara edhe në disa gjuhë të huaja. Në përditshmërinë e  tij ai jep urime, stis mure të lartë të urimeve për miqtë dhe miket e panumërta në vende ku kufinjtë nuk duken si gardhije të thata, por si ura të shëndetshme që krijojnë afri, adhurim dhe dashuri. Më tej, dhe vetë bëhet lavërtari më i  mençur, më i zellshëm, më i papërtuar i një poezie të ndjeshme që jeton gjatë, shumë gjatë në kujtesën e poeteve fjalëmençur. As ata që erdhën, as ata që folën dhe as ata që shkuan, nuk ishin yje, por janë ëndërrimtarë që jetonin për ta përshkruar përrallën e dashurisë në yje.

Në historinë e artit shqiptar të fjalës dhe të ngjyrës, ka lënë gjurmë në sinorët e kombit tone, por shumë më tepër dhe në sinorët e kulturës evropiane. Kur hidhja i ngazëllyer hapat në vetrinat tërë dritë të Muzeut të Luvrit në Paris dhe në rrugët aq karakteristike të këtij qyteti, më erdhi sërish në mendje një pamje magjike e pikturës së Onufrit. Të atij piktori magjik që derdhte artin e tij të madh në atë kohë që punote dhe Mikelanxhelo. Brenda kësaj kujtese më erdhi dhe piktura e David Selenicasit me një simbolikë shumë hyjnore dhe universale. Me një titull të thjeshtë dhe kaq madhore: “Farëmbjellësi”.

Motivi i Farëmbjellësit na ka shoqëruar të gjithëve në jetë. Ashtu ëndërrimtarë për  ditët e pritshme, të gatshëm për të sakrifikuar të përgatitur për të sfiduar gjumin e shlodhjen, jemi e do të jemi  gjithmonë FARËMBJELLËS TË SË NESËRMES. Baki Ymeri e ka këtë kod poezie në të gjithë ditët, në të gjithë vargjet  që ai ka shkruar dhe që janë vlerësuar aq shumë nga poetë dhe kritikë, nga lexues dhe studiues. Kemi mbjellë hardhinë, grurin, misrin, pemën e qershisë dhe të arrës, por para farëmbjellësve të poezisë  përherë kanë nxjerrë nga kopështi i fjalëve urimet më të mira. Baki Ymeri shfaqet kohëve të fundit te “Asdreni” i Shkupit me një vëllim të bukur dhe shumë emocional: “Poezi dashurie”. Ka zgjedhur në këtë libër poezitë më të mira të jetës së tij. Jeton një ditë të ngarkuar shkronjore. Në tavolinën  e tij të punës ka autorë të ndryshëm, ka vepra të bashkëatdhetarëve të tij të të gjithë moshave nga Shqipëria, Rumania, Greqia,  Kosova, Maqedonia, Sllovenia, Presheva. Nga Kanadaja dhe Amerika, nga Suedia, Zvicra, Belgjika, Gjermania dhe Italia. O, sa e madhe dhe e gjërë është harta e poezive që boton dhe përkthen Baki Ymerit

Parimi tij krijues është: “Qëmto, qëmto dhe bashkëpuno!” Ai ka marrë me të drejtë moralisht dhe zyrtarisht mirënjohjen e shumë lexuesve, të njerëzve të letrave, por përballë kësaj pune kaq fisnike e kupton se duhet të të shfaqet një e nesërme ashtu si miellin që ti e merr pasi ke shkuar në mullirin më të afërt. Shumë autorë bashkëkohës do të kenë zili këto vlerësime të tilla, me një gjeografi kaq të madhe të të gjithë fushave shkronjore  si: poetë, gazetarë, studiues, etj. Po Baki Ymeri nuk dehet kurrsesi nga kjo VERË falenderimesh. Është e vërtetë se ai dhe ne jemi pak Khajamë brenda vetes, pse jo dhe mëkatarë të asaj virgjërie shpirtërore që rrallë e gjen tek  gjykatësit, pushtetarët, politikanët, tregtarët, etj.

Vera e vjetër në tavolinë e deh syrin dhe shpirtin  e poetit

Vera e kupave të zbrazura me atë dehje të ëmbël që të lë pas vetes, nuk ka gjuhë kombesh, nuk ka doganë, nuk ka gjuhë urrejtjeje. Nuk njeh muzg dhe agim. Po kështu dhe VERA E DASHURISË,  të cilin e ndjen në çdo varg të Baki Ymerit, është një poezi e bukur, ylberore, është si një pemë e lagur që një çast mrekullohet nga rrezet e diellit. Është një shpat i gjethuar në një ditë dëbore. Mbi këtë kurorë gjykimesh shpesh edhe të ekzaltuara nga goditja emocionale, ëmbëltore që të jep një poezi e bukur, do të veçoja dhe unë mendimin tim profesional, pse jo dhe emocional që shumë  herë nuk  është i shkëputur dhe nga gjykimi racional i një poezie .

Asnjë poet në botë nuk mund  të marrë statusin e një poeti lirik dashurie, po qe se nuk ka një të veçantë në rrëfimin e tij, përvojën e dashurisë dhe artin e të pakopjuarit nga të tjerët. Dialogun e tij me natyrën sdhe shpirtin  e ndjeshëm njerëzor. Konkretisht ne, shqiptarët, a nuk themi të gjithë njëzëri se poezia lasgushiane që u ngjiz në edhe në mjediset letrare rumune, edhe sot e kësaj dite mbetet MAJË nga të gjithë poetët e dashurisë. Në kohët që jetojmë ka shumë libra për dashurinë. Ka gati një garë nusërimi të pashpalur për të. Ka shumë poezi  në të gjithë gjuhët. Ka shumë poezi që përkthen sa në një gjuhë në tjetrën të vëna në tavolinë. Ose dhe në atë paradë të madhe poezish në ekranet internetike.

Botohen  e përkthehen këto poezi në Amerikë e në Kanada, në Kubën e serenatave dhe në Argjentinën e TANGOVE, në Afrikën e tamtameve dhe në Indinë e paganizmit, në Rusinë e tajgave e në Vienën e valseve, në Spanjën e toreadorëve apo në Anglinë e mbretërve, në Brazilin e karnavaleve e kudo ku shruajnë, poetët e dashurisë kërkojnë që të jenë vetvetja. Ky lloj hyjnizimi i Adamit dhe i Evës biblike apo dhe i Adamëve dhe Evave moderne, i trupit të derdhur, i magjisë së puthjeve, i përkëdheljeve, i përthyerjes së flokëve, i syve që garojnë me agimet më të bukur të botës e kanë orgjinalitetin më të spikatur dhe te poezia e Baki Ymerit: “Si e bëre kaq të ëmbël femrën/ O Zot/ Për ta puthur me mjaltën e shpirtit!”. Le të nisim dialogun magjik me një poezi të këtij vëllimi.

FQINJËT E DRITËS:  E dashur,/  Eja të bëhemi fqinjët e dritës!/ Ti as që e di/ Se përballë teje/ Gjenden rafte/ Bibliotekash të ndritura./ Eja, të pëshpërita,/ Hapi këto libra të lashta/ Dhe lermë/ Të ta përkëdhel trofenë! Baki Ymeri ka simbolikën e poezisë së vet. Është NJË POEZI-SHKREPËTIMË. Në një qëmtim të saj prej shumë vitesh, vetëm ky përcaktim më erdhi që në leximin e poezisë së tij të parë. Druhesha me vete se mos gaboja. Kujtoja me vete thënien e popullit:  “Për të provuar një vozë  me verë , mjafton që të pish një gotë prej saj.”  Ose më saktë: “Nëm një gotë verë, të të them se si është voza me verë!” Ah, sërish VERA!!! Ajo, e ëmbla, rrëzëllitësja, e shpirit ndezësja e ndjenjës, busulla drejt Himalajës së Dashurisë! Çelsi i mëkatit dhe i lumturisë!

Më vonë, pasi lexova sa e sa poezi të tij, më me vemendje (poezi të tilla kërkojnë dhe rikthim tek vetja) e pashë më qartë: Kalliri i këngës/Ndërmjet gjinjve të tu/Me erëtimë të trëndafiltë/Fshihet./E praruar me hijeshi/Qëndron posi një burbuqe (Je këngë)

Bukureshtari i Shipkovicës është real, original dhe sensual. Uragan ndjenjash dhe shpërthim sentimentesh. Ndjesia e POEZISË SHKREPËTIMË ishte goditja e parë që më dha poezia e Bakiut. Një dritëzim i festës si ai qiell i vrenjtur. A nuk është dhe dashuria një festë e përjetshme në jetë dhe në poezi apo dhe si një prozhektor që mund që të zbusë sadopak trishtimin e kohës që po jetojmë? E pastaj fytyra jonë bëhet e ndritshme, fëmijërore, e motërzuar me lumturinë. Vrapojmë pas saj si pas një xixëllonje që hap e mbyll ndjellazi dritën e saj të butë të kadifenjtë. Vrapojmë si pas një këpuce që na e ka marrë me vete një lumë i rrëmbyer jete e na ka lanë në dorë tjetrën pa e ditur se ç’mund të bëjmë me të ta hedhim apo ta mbajmë si relike të një dite të një vendi ku kemi qenë  me këmbë të baltosura. Te poezia e Bakut kjo gjë duket që në titujt që ai vë në fillim.

VARFËRIA E FJALËVE: O Zot, çfarë nate!/Ka aq varfëri për rreth/Saqë më kaplon trishtimi./O Zot, çfarë nate!/Ki kujdes,/Ki kujdes për shpirtin tënd!/Më pëshpërit çapkënja/Që ma sjell/Dritën e fjalëve pa hije. Jo, jo! Nuk ka nevojë që të shohësh emrat e inicialet e atyre që iu kushtohet një poezi e caktuar dashurie si ndodh shpesh dhe me Baki Ymerin. Shpesh dhe nuk janë të saktë përballë anonimatit që kërkon të mbjellë një poet. Poezi që janë ditar i shpirtit në kulmin e kënaqësisë, në kulmin e parajsës tokësore, po dhe në zhgënjimet e pafund, në lotët e derdhur që ia kalojnë lumenjve, në dritëhijet që të jep shumë herë dashuria si  realiet, si ëndërrim, si virtualitet, si peng i mbetur pas krahëve.

Poeti nuk është kronikan, nuk është historian, ndërtues stallash a pallatesh, nuk është shitës mollësh  e domatesh apo lakrash që me një peshore në dorë ka dëshirë që të tregojë se mollët e prodhimet e tij  janë më të mirat e tregut, Nuk është mjek që të jep recetën me ilaçe për të shëruar sëmundjen e trupit. Nuk është cicëron muzeshë që thotë gati përmendësh të gjithë të dhënat në gjuhë të ndryshme që ka pavioni. Tregon për vende, data, ngjarje. Nuk është aviatori i një avioni supersonic. Nuk është bankieri që firmos çeqe bankash. Është mbi të gjithë ata. Është më profesionist, më ëndërrimtar, më i sinqertë, më sqimatar.

Shumë herë SHKREPËTIMA–DASHURI e Baki Ymerit të bën të dialogosh me dashurinë që s’e ke përjetuar ende. Njëlloj si ai dialogu që ti bën me veten në një rrugëtim të gjatë jete me trishtime me gëzime, me mungesa, me dhimbje, drama apo dhe ditë të lumtura. Po bëj një pyetje shumë naive: “A na ka patur neve, lexuesve, poetëve, shokëve të llogores së shkronjave të çuditshme që zbulojnë dritën e nje njeriu, të një brezi.” Mos më bëni  mëkatar të them “po” ose ”Jo”, që kërkon një gjykatës me sytë e ftohtë apo me një Kod zyrtar civil ose penal, aty pranë në tavolinë.

DASHURI NË NJË QYTET TË PANJOHUR: Zhgënjimet  vijnë e shkojnë/Porsi femrat e reja./Ato janë yje pa dritë./Aq fjalë nuk thonë për to/As ujërat që kalojnë/Nën urat e shembura./Në natën e kaltërt/Mendoja se dashuria/Ka sy të zinj dhe flokun si mjalta./O, ata sy të kaltërt,/Për mua ishin nata më e zezë. Me të gjithë jemi palë në dashuri. Madje dhe ata që nuk kanë lexuar apo nuk kanë bërë asnjë varg. Për dashurinë  kur vrullohemi në dallgët e saj në dritëzat e saj.

Jemi të gjithë Safo, Odise për Penelopën. Romeo të pagjumë për Zhulietën, jemi Beatriçe moderne në krah të Danteve modernë, jemi lexues të Emineskut, jemi sulltanë që marrim me vete sa e sa mistere erotike. Jemi diktatorë të fuqishëm që janë bërë kolopuçë të vegjël para një joshjeje sysh, trupash. Jemi bërë zana shqiptare dhe kreshnikë bjeshkësh, Desdemona me një shami që hipin në limuzinat më të shtrenjta të botës aventurorre  që duam të puthemi dhe në thellësinë detare mbi 10 000 metra apo në majën e Everestit dhe të Ejfelit. Kjo është sfida! Kjo!!! Futuni brenda saj! Mos u trembni para saj nga fjala e pathënë! Kjo është shkrepëtima që duam të na marrë të tërë në hapësirat e saj! Baki Ymeri na ka marrë për dore në këtë udhëtim dhe na bën që të ecim me të, të ëndërrojmë me të. Ta duam femrën dhe të përjetojmë ardhmërinë e vargut me të!

FINALJA E MADHE: Kur Engjëllit do t'i përkasë Finalja e Madhe,/Fjalë s'do të ketë dhe s'do të ketë fjalë/Kush je ti, moj Mrekullia ime e gjallë?/Ti më gjykon, ti më trishton dhe më errëson/Pa qenë fajtor ti më qorton? Edhe kur hesht./Kush je ti, moj bukuri e rrallë,/Mos je ti vallë mrekullia ime e gjallë?

Në kuadrin e kësaj vepre vijnë vlerësimet për poezinë e tij. Janë një copëz e atij zinxhiri poetik, janë pjesa më e ndriçuar e një hambari urimesh, mbresash, emocionesh që ka dhënë poezia e tij kudo në të pesë kontinentet. Është pak e vështirë që të ndash dhe të gjykosh mbi këto vlerësime. Lirika e tij nuk ka tone deklarative, por sentimentale. Ky raport emocional është Kodi i ri i Kujtesës së një poeti. Lum ai që i jep jetës kaq shumë drita që duken si ujëvarat e bjeshkëve të Sharrit. Uroj që dhe në të ardhmen të jetë vlerësim për të gjithjë veprat e pashkruara.



(Vota: 19 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora