E merkure, 11.12.2024, 03:59 AM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Tomi Poreçi: Misteri i Tunguskës

E merkure, 08.07.2015, 05:55 PM


Misteri i Tunguskës, një nga misteret e pazgjidhura të shek. XX

Përgatiti: Tomi Poreçi

30.6.1908: Siberi, viti është 1908, mëngjes dhe ora sa ka kaluar 7-ën. Njerëzit kanë filluar të dalin nga shtëpitë për të parë punët e tyre të zakonshme të asaj jete monotone që përshkonte këto vise të largëta. Askush s’e mendonte se në ato çaste një shpërthim i fuqishëm do të verbonte qiellin, si një diell i dytë, dhe do të jepte një tronditje në tokë, duke shkatërruar pyjet V të tajgës siberiane, duke lënë pas masive pemësh të shembura në pak minuta, qiellin të ndriçuar natën, kafshë të vrara dhe mbi të gjitha njerëz të traumatizuar dhe të shokuar.

Papritur në qiellin V… qielli u nda më dysh, dhe lart, sipër pyjeve, tërë ana V e qiellit shihej e mbuluar nga zjarri… Në atë çast ndodhi një përplasje në qiell dhe më pas një shpërthim i fuqishëm… Shpërthimi u pasua nga një zhurmë si gurë që binin nga qielli, ose zjarr artilerie. Toka u trondit. Kjo ka qenë dëshmia e një banori të zonës për Leonid Kulik, drejtuesin e parë të ekspeditave kërkimore në vendin e shpërthimit.

Rreth orës lokale 7:17 në mëngjes, banorët vendas të zonave siberiane, evenkët dhe kolonë rusë në kodrat VP rreth liqenit Bajkal do të vinin re një fasho drite në të kaltërt që shndriste si diell, e cila lëvizi përmes qiellit. Gati 10 min më vonë, ndodhi një blic verbues pasuar nga një zhurmë si zjarr artilerie. Dëshmitarët dëshmuan që burimi i zhurmës erdhi me drejtim nga L – V. Zhurmat u shoqëruan nga një valë goditëse që njerëzit e ndjenë në këmbët e tyre dhe theu xhamat e dritareve qindra kilometra larg. Shumica e dëshmitarëve raportuan vetëm zhurma dhe tronditje, nuk vunë re ndonjë shpërthim.

Zhurma e shpërthimit u dëgjua në një rreze prej 300 km larg, ndërsa vala goditëse shembi 80 milionë pemë në një sipërfaqe 2150 km² dhe është llogaritur të ketë qenë 5 ballë sipas shkallës Richter. Shpërthimi masiv pasoi disa goditje, valët sizmike të të cilit ishin shokuese dhe u regjistruan mjaft larg. Retë e dendura të formuara mbi rajon në lartësi të mëdha pasqyronin dritën e diellit nga matanë horizontit. Qielli natën shndriste, dhe deponimet e marra nga banorët, të cilët jetonin në ato zona ishte se mund të lexonin gazetat jashtë pa dritë edhe gjatë natës. Qindra drerë, një burim jetese për barinjtë e zonës ishin vrarë, por për njerëz të vdekur s’pati të dhëna nga shpërthimi.

Gjithçka ndodhi në afërsi të lumit Tunguska Podkamenaja, në çfarë është tani rajoni federal rus Krasnojarsk Krai rreth orës 7:14 të datës 30 qershor 1908. Epiqendra e shpërthimit pati koordinatat gjeografike “60.886°N, 101.894°E” dhe pas studimesh të shumta në dhjetëvjeçarët pasues, mendohet të jetë shkaktuar nga shpërthimi ajror i një meteori gjigand apo mbeturine komete në një lartësi 5 – 10 km mbi tokë. Studimet kanë nxjerrë vlerësime të ndryshme mbi madhësinë e objektit, rreth ø 100 m. Vlerat e energjisë nga shpërthimi llogariten në 30 megatonë TNT, rreth 1000 herë më e fuqishme sesa bomba atomike e hedhur në Hiroshimë. Deri më sot ka mbetur si shpërthimi më i madh mbi apo pranë Tokës si ngjarje e dokumentuar. Numri i botimeve studimore mbi shpërthimin e Tunguskës është rreth 1000 (kryesisht në rusisht). Shumë shkencëtarë morën pjesë në studimet e Tunguskës, por më i njohuri do të mbetej Leonid Kulik, njeriu i parë që do të merrte guximin të çante moçaleve dhe lumenjve të izoluar të Azisë Qendrore për të treguar një nga misteret më të mëdha të shek. XX.

Megjithëse, sot jemi një shekull më vonë, shkencëtarë dhe studiues ende merren me misteret që e mbulojnë atë.

Përshkrim

Çfarë ndodhi në Siberinë L në këtë datë të vitit 1908? Fatkeqësisht, ekspedita e parë kërkimore në këtë zonë do të kryhej 13 vjet më vonë dhe pa arritur deri qendrën e tragjedisë. Shkaku ishte rajoni i izoluar i Tunguskës dhe në përgjithësi i Siberisë në atë fillim shek. XX, e cila tejçoi një kureshtje të paktë shkencore rreth ngjarjes. Gjithashtu vitet pasuese kaotike, Lufta I Botërore, Revolucioni i Tetorit dhe Lufta Civile do të kërkonin kohë derisa gjendja në Rusi të stabilizohej. Si rrjedhim, edhe sikur ndonjë ekspeditë para vitit 1921 të ketë pasur në vendin e shpërthimit, dokumentimi mund të ketë humbur në këto vite lufte dhe kaosi.

Kështu, ekspedita e parë do të kryhej në vitin 1921, nga inxhinieri i mineralogjisë Leonid Kulik. Më 1920-ën, ai kishte marrë një vend pune në Muzeun Mineralogjik të Shën Petërburgut. Këtu ai filloi të merrej me studimin e meteorëve. Një vit më vonë, Kulik-u u ngarkua me detyrën e lokalizimit dhe ekzaminimit të meteoritëve që kishin rënë brenda Bashkimit Sovjetik. Ndërsa po përgatiste itineraret për ekspedita, ai mori rastësisht një lajm mbi shpërthimin e Tunguskës, botuar nga një gazetë e vjetër, si vijon:

…një meteor i madh mendohet të ketë rënë në Tomsk pranë me linjën hekurudhore të Filimonovo. Rënia u shoqërua me një gjëmim të frikshëm dhe përplasje shurdhuese, të cilat u dëgjuan më shumë se 40 km larg. Pasagjerët e një treni në linjë ishin tronditur nga zhurma e pazakontë. Makinisti kishte ndaluar trenin dhe pasagjerët vërshuan jashtë të shihnin ç’kishte rënë, por nuk ishin në gjendje për asgjë pasi ishte shumë nxehtë…

1.   Kulik kurrë s’kishte dëgjuar për këtë ngjarje më përpara, por megjithëse mjaft kronika ishin të pasakta në pothuajse çdo detaj, kjo i mjaftoi atij të merrte një shtysë për të kërkuar informacione shtesë nëpër gazetat e vjetra. Kronikë pas kronike ai krijoi idenë se atje kishte ndodhur një ngjarje e madhe, e cila e bëri të ndihej i sigurtë se ishte rënia e një meteori, i cili duhet të ketë qenë gjigand nga përmasat. Kulik vendosi të shihte nëse mund ta identifikonte zonën gjatë udhëtimit të tij.

Gjatë ekspeditës së tij të parë më 1921, Kulik iu afrua vendeve të shkatërruara dhe arriti vetëm të kufizonte në hartë, sipërfaqen e përgjithshme të zonës së goditur, dhe jo ta vizitonte atë në brendësi. Kjo vinte edhe nga fakti që ky ishte një terren i panjohur, dhe kushtet e ashpra të relievit në thellësitë siberiane do ta pengonin skuadrën e tij të arrinte zonën e goditjes. Kështu që në këtë vit, ai dhe skuadra e tij u mjaftuan vetëm t’i hidhnin një sy terrenit, dhe me mbledhjen e shumë deponimeve dhe dëshmive nga banorët e zonës rreth ngjarjes. Por këtu do të shfaqej një vështirësi e dytë: hezitimi dhe ngurrimi i banorëve të zonës për t’i treguar Kulikut rreth ngjarjes. Ata besonin se shpërthimi ishte një vizitë prej perëndisë Ogdi, i cili kishte nëmur zonën e tyre, duke thyer pemët e vrarë kafshët. Ndërsa deponimet ishin të vështira të vileshin nga popullata, ishin me bollëk rreth e përqark, gjurmët e mbetura nga ngjarja e 1908-ës. Një sipërfaqe prej rreth 2072 km² ishte shkatërruar, bimësia kishte filluar të mbinte nga e para dhe rreth 80 milionë pemë gjendeshin të shtrira në një model radial.

Pavarësisht hezitimit që një pjesë e kolegëve të tij vinin në dyshim vlerën e kësaj ekspedite të bazuar mbi deponime të marra nga fshatarët e kësaj zone të largët të Siberisë, Kulik i përdori këto dëshmi dhe ia arriti të bindte Akademinë e Shkencave Sovjetike t’i financonte një ekspeditë të dytë.

Ekspedita e dytë

Në v. 1927 gjithçka ishte bërë gati për një ekspeditë të dytë, e cila u planifikua në pranverë. Synimi i Kulik ishte që skuadra të arrinte në vend para fillimit të verës, pasi toka kthehej në një moçalishte e molepsur nga mushkonjat dhe malaria. Një vështirësi tjetër, veç masave paraprake dhe udhëtimit të gjatë, i shtohej dhe fakti që skuadra e Kulik nuk e dinte me siguri se ku ndodhej zona e shpërthimit dhe hartat e asaj kohe kishin mjaft pasaktësi për Siberinë e largët.

Pjesa e parë e udhëtimit të tyre u krye me tren në bazë të linjës trans-siberiane. Kulik dhe skuadra e tij udhëtuan nga Leningradi te stacioni i largët i Taishetit. Që këtej ata përdorën karroca me kuaj për të vazhduar lart lumit Angara për të arritur në Keshma, një fshat i vogël ku ata blenë furnizime të tjera.

Nga këtej e në vazhdim, udhëtimi sa vinte e bëhej më i vështirë. Relievi ishte shumë i ashpër. Gryka të thella dhe shpate kodrinash të pjerrëta bllokonin kalimin e tyre. Edhe busullat ç’orientoheshin në lartësi të theksuara. Në fund të marsit, skuadra e rraskapitur kishte arritur në fshatin e vogël të Vanavarës, i ndodhur pranë lumit Tunguska. Vanavara ishte pika e fundit e banuar, para se ekspedita të hidhej në pyjet moçalore të paeksploruara, ku Kulik dhe skuadra e tij mendonte se meteori kishte rënë. Fshati banohej nga popullata vendase e evenkëve, të cilët në përgjithësi jetonin me gjueti, peshkim dhe blegtori.

Në fshat, Kulik u lidh me banorin Ilia Potapoviç si udhërrëfyes, dhe filloi të intervistonte njerëz të ndryshëm me çfarë ata mund të mbanin mend nga shpërthimi. Por përsëri ai pa që shumë nga banorët lokalë nuk donin ta kujtonin si ngjarje, në besim të bestytnisë, se lëmshi i zjarrtë që i kishte traumatizuar, ishte një vizitë e perëndisë Ogdi, për të mallkuar rajonin. Për më të tepër, askush s’i ishte afruar zonës së goditur që nga 1908, nga frika e mallkimit të Ogdit.

Këto histori nxitën më shumë interesin e Kulik-ut dhe bashkë me skuadrën dhe udhërrëfyesin e pajtuar Potapoviç, shpejt u nisën të gjenin qendrën e goditjes. Por, një stuhi dëbore e papritur bllokoi kalimin e tyre, dhe skuadra u detyrua të rikthehej prapa në fshat në pritje të përmirësimit të motit.

Më 18 prill ekspedita la fshatin sërish. Këtë herë, duke qenë se kishin parë vështirësitë e terrenit, skuadra ndoqi për lart rrjedhën e lumit. Atyre iu deshën tri ditë të arrinin në kasollen e Okhchen-it, një bari mikpritës në lumin Chamb’e. Por në këtë kohë Kulik dhe ndihmësi i tij po vuanin nga infeksionet dhe mungesa e një ushqimi të mirë. Vetëm besimi që tanimë s’u kishte mbetur dhe shumë rrugë për të arritur, i nxiti të vazhdonin.

Ata lanë kuajt te kasollja e Okhchen dhe i ngarkuan pajisjet dhe veglat në drerë për pjesën e fundit të udhëtimit. Pas dy ditësh, duke ndjekur bregoren e lumit Chamb’e për nga V, ata arritën lumin Makirta. Këtu do të shihnin me qartësi, provat e para të shpërthimit të Tunguskës. Breza pyjore tërësisht të shkatërruara e të dekompozuar me drejtim nga V, vende – vende të prera keq, të gjymtuara nga degët, ku mjaft fidanë të rinj kishin hedhur shtat nga toka. Sa më shumë që futeshin në thellësi të zonës, Kulik shihte se pemët ishin djegur nga lart – poshtë. Ai e kuptoi që ky proces ishte efekt i një shkreptime të papritur me nxehtësi të madhe, dhe jo thjesht një zjarr pylli, prandaj Kulik gabimisht u ngatërrua duke menduar se meteori “kishte shtyrë përpara me siguri një lëmsh gjigant zjarri nga atmosfera e tejnxehur, më e nxehtë se rryma e furrnaltës që ekzistonte nga njeriu e ndërtuar mbi Tokë..”. Ata vazhduan të avanconin përpara mes shkatërrimeve, derisa vendasit Potapoviç dhe Okhchen të frikësuar nga ndonjë ndëshkim i Ogdit refuzuan të shkonin më në thellësi. Përsëri Kulik u detyrua të rikthehej në Vanavara, për të gjetur një udhërrëfyes të ri.

Më 30 prill, Kuliku dhe udhërrëfyesit e rinj filluan përsëri marshimin drejt zonës së goditur. Gjatë kësaj kohe, skuadra e vetëdijshme për vështirësitë e marshimit mes pyjeve, ndërtoi trape për të ecur në lumenjtë e Chamb’e dhe Khushmo drejt destinimit të tyre. Rrjedhat e lumenjve ishin fryrë me shkrirjet e dëborës në pranverës, prandaj skuadra disa herë u rrezikua nga rrymat e fuqishme. Ekspedita vazhdoi të ngjitej lart sa mundi me anë të lumenjve; më pas u drejtua drejt V në këmbë, përfundimisht duke arritur në masivet pyjore të shkatërruara më 20 maj. Për një javë ata çanë me shumë vështirësi, mes rrëmujës së pemëve të rëna për të vazhduar drejt qendrës. Kulik vendosi kampin e tij pranë grykës së lumit Churgima duke menduar që krateri që ai po kërkonte duhet të ishte matanë vargut tjetër kodrinor, në një ujëmbajtës moçalor që vendasit e quanin Moçali Jugor.

Epiqendra e goditjes

Nga kampi i tij, Kulik kreu udhëtime ditore përqark pyjeve të vdekura derisa ai kufizoi tërësisht hapësirën e goditur. Nga vrojtimet e tij, ai mund të shihte që mbi çdo anë të kënetës, pemët shtriheshin me majat e tyre nga jashtë. Kjo i dha të kuptonte që qendra e kënetës ishte pika rënëse e meteoritit për të cilën ai po kërkonte. Por në vend të gjetjes së një krateri gjigant, Kulik pa një zonë pyjore të paprekur, ku pemët qëndronin drejt si shtylla telefoni, vetëm se ishin të thara, të përzhitura dhe të zhveshura nga degët. Ishte kjo skenë që habiti dhe hutoi skuadrën në zonën e shkretuar. Si surprizë e papritur, atyre s’u doli përpara asnjë krater. Në vendin që ata mendonin si epiqendër të goditjes ishte një zonë e gjerë (rreth 8 km gjatësi), ku pemët qëndronin drejt vetëm se ishin të thara, të përzhitura dhe të zhveshura nga degët, ndryshe nga të tjerat përreth tyre në largësi, që ishin pjesërisht të djegura por të shembura përtokë. Në qendër të pyllit, Kulik gjeti torfë kënetore nxjerrë dhe shpërndarë në një peizazh fantastik. “Toka e ngurtë”, do të shkruante Kulik, “e kishte nxjerrë jashtë me forcë nga këneta në fomë valësh gjigande, torfën si valët që shpërndahen në ujë”. Ai gjithashtu gjeti shumë “gropa të veçanta” në sipërfaqen e rrafshët. Madhësia e tyre shkonte nga ø 10 – 50 m. Secila ishte disa metra e thellë.

Leonid Kulik me kujdes dokumentoi dhe fotografoi zonën dhe vendosi të rikthehej për një ekspeditë tretë për të eksploruar gropat me mjete gërmimi dhe për të lokalizuar fragmentet e meteorit që ai mendonte se mund të fshiheshin në fundet e këtyre kënetave.

Duke e parë që asgjë më shumë s’mund të bëhej në këtë ekspeditë dhe për më tepër skuadrës s’i kishte mbetur, më shumë se 3-4 ditë ushqim, Kulik vendosi të largohej. Ky ishte një vendim i drejtë. Ardhja e verës shpejtoi shkrirjen e dëborës duke e bërë kthimin më të vështirë e të rrezikshëm. Ekspedita u përgatit dhe pas 9 ditësh marshim mbërritën në Vanavara, ku u furnizuan me mish rose, peshk dhe prodhime bujqësore të zonës. Ishin ditët e fundit të qershorit.

Kulik u rikthye në Akademi me dokumentim dhe fotografi të mjaftueshme për të bindur kolegët e tij skeptikë që diçka e jashtëzakonshme kishte ndodhur gjatë lumit Tunguska. Ai drejtoi tre ekspedita të tjera në atë zonë të Siberisë, njërën vetëm dy vjet më vonë, më 1929, më 1930 dhe më 1938. Duke qenë se ai kishte parë mjaft moçalishte, si gropa të vogla në formë ene, që i mendonte të hapura nga fragmentet e meteorit të shpërthyer, në ekspeditën e 1929 planifikoi tharjen e ndonjërës prej tyre. Puna u krye me shumë vështirësi nga skuadra e tij dhe fshatarët në një krater, që më vonë u quajt “krateri Suslov” (ø 32 m). Por në fundin e tij, ai gjeti trungje të vjetra e të dekompozuara, fakt që përjashtonte mundësinë që moçali të ishte një krater meteori.

Në 1938, Kulik rregulloi edhe një vrojtim ajror të zonës, i cili u dokumentua në mjaft fotografi. Vrojtimi, kryesisht mbuloi pjesën qendrore të pyllit me pemë të drejta (rreth 250 km²). Fatkeqësisht negativët e fotove (1500 copë, secila 18 × 18 cm) u dogjën më 1975, me shkakun se përbënin rrezik zjarri. Arkivat e qytetit të Tomskit ruajtën vetëm fotot pozitive për studimet e ardhshme.

Ekspeditat e v. 1950 – ‘60

Mbarimi i Luftës II Botërore dhe rindërtimi i Bashkimit Sovjetik krijoi kushtet për rifillimin e ekspeditave edhe në Tunguskë. Ndryshe nga v. ‘30, në qytetet kryesore siberiane ishin ndërtuar aeroporte të vegjël, të cilat shkurtonin shumë kohën e mbërritjes në stacionet përkatëse. Por pas fshatit Vanavara, ekspeditat përsëri vazhduan me trape, barka dhe kafshë deri në qendrën e shpërthimit. Studiuesit dhe specialistët pas gërmimeve të dhéut të situr, gjetën grimca sferike me përbërje silikatesh dhe magnetitesh. Përqendrimi i grimcave në pika të ndryshme të dheut shkonte në përputhje me shpërhapjen e supozuar të copërave nga shpërthimi dhe shpërbërja e meteorit që në atmosferë. Studime të mëvonshme mbi grimcat dhanë raporte të pazakonta mbi metale të tjera të shumta në lidhje me mjedisin përreth, të cilat u shpjeguan si një provë e mëtejshme e prejardhjes së tyre hapësinore.

Edhe analizat kimike të torfës moçalore treguan anomali të shumta, të cilat përsëri u shpjeguan si pasojë e një goditjeje. Shenjat e izotopeve të karbonit të qëndrueshëm, hidrogjenit dhe azotit në shtresat moçalore korrespondonin me v. 1908, anomali këto që nuk u gjetën në zonat moçalore jashtë sipërfaqes së shpërthimit. Edhe azoti ishte depozituar si shi acid, një proces që besohet të ketë ndodhur pas shpërthimit.

Efektet e shpërthimit mbi pyje, pranë epiqendrës së shpërthimit u replikua me prova bërthamore atmosferike në v. 1950 – ‘60 dhe u vunë re shumë ngjashmëri me efektet e valës goditëse, që e japin shpërthimet e mëdha. Pemët poshtë – pingul me shpërthimin vetëm sa rripeshin nga degët e gjethet, si pasojë e lëvizjes së valës goditëse me drejtim vertikalisht tatëpjetë, ndërsa pemët më të largëta janë goditur e shembur, pasi vala goditëse ka ardhur duke goditur tokën dhe më pas është shpërndarë horizontalisht duke shembur pemët me një forcë të madhe.

Eksperimentet sovjetike të kryera gjatë v. ‘60, me makete pyjesh (imituar me kunja shkrepëse mbi fije telash) dhe me masa eksplozivi të vogla që shkarkesën e rrëshqisnin poshtë në tela, dhanë në mënyrë të habitshme modelin e pyllit me pemë të drejta në trajtë fluture të mbetur në terren më 1908, nga vala goditëse. Sipërfaqja e pyllit pemë-drejtë e llogaritur më 1960, ishte rreth 2150 km², në formë fluture gjigande krahëhapur, ku skajet e dy krahëve ishin 70 km dhe gjatësia e trupit 55 km. Eksperimentet sugjeruan që objekti ishte afruar me një kënd përafërsisht 30° nga toka dhe 115° nga V, kur shpërtheu.

Si epilog: edhe sot ka mbetur një hipotezë e pavërtetuar, nëse kjo kataklizmë u shkaktua nga një asteroid apo mbetje të një komete. Gjithashtu, edhe suksesi i ekspeditave të Kulik nuk ishte thjesht për të zgjidhur misterin e shpërthimit siberian të 1908, por për të provuar në botë që objektet bien, dhe do të vazhdojnë të bien nga hapësira me rezultate shkatërrimtare në tokë. Kjo evidencë historike ka qenë një nxitje më shumë për shkencëtarët, për t’i studiuar më mirë këto impakte, si kanë ndikuar ato mbi jetën e planetit tonë dhe sesi mund t’i shpjegojmë mistere të tilla, si vdekja e dinosaurëve. Ngjarjet e llojit Tunguska, si shpërthim disa megatonësh janë shumë të rralla. Gjeologu amerikan Eugene Merle Shoemaker (1928 – 1997), i njohur për studimet e tij mbi shkencën planetare, llogariti që asteroidë të tillë mund të godasin tokën njëherë në 300 vjet.

Deponime të marra nga banorët dhe shtypi i kohës

Gazeta “Sibir” (2. 7.1908):

“Më 17 qershor (sipas kalendarit julian që përdor Rusia) rreth orës 9 të mëngjesit, ne vumë re një ngjarje të pazakontë në natyrë. Në veri të fshatit Karelinski, fshatarët panë në VP, sipër horizontit, disa shkrepje të çuditshme (e pamundur t’i shihje drejtpërdrejt me sy) të një mase të rëndë në ngjyrë të kaltër, i cili për 10 min lëvizi duke u afruar poshtë. Masa i përngjasonte një llulle me bisht. Qielli ishte i kthjellët dhe pa ré, moti i nxehtë dhe i thatë. Ndërsa masa afrohej me tokën, një shkrepje verbuese u duk në bisht, e cila u shndërrua në një ré gjigante tymi të zi dhe një zhurmë goditëse u dëgjua, si të binin gurë të mëdhenj, apo të kishte zjarr artilerie. Të gjitha ndërtesat u tronditën. Në të njëjtën kohë reja filloi të lëshonte flakë në trajta të paqarta. Të gjithë fshatarët i kishte zënë paniku dhe morën rrugët duke menduar se kishte ardhur fundi i botës, ndërsa gratë qanin. Autori i këtij përshkrimi ishte ndërkohë në pyll, rreth 6.4 km në V të Kirenskit dhe dëgjoi me drejtim VL disa batare zjarri si artileri që përsëriteshin në intervale 15 min të paktën 10 herë në numër. Në Kirensk, në faqet VL të ndërtesave, xhamat e dritareve u drodhën dhe u thyen”.

Dëshmia e vendasit Shushan, tribuja e Shaniagirëve, dokumentuar nga etnografi Innokentiy Mikhaylovich Suslov (1893 – 1972) më 1926:

“ne kishim një kasolle anës lumit bashkë me vëllanë tim Çekaren. Ne ishim duke fjetur. Papritur ne u zgjuam të dy njëherësh dhe dikush na shtyu. Ne dëgjuam fishkëllima dhe ndjemë një erë të fuqishme. Çekaren më tha: “Mund t’i dëgjosh këta zogj që fluturojnë mbi kokën tonë?” Ne ishim të dy në kasolle dhe s’mund të shihnim çfarë kishte ndodhur jashtë. Papritur, unë mora një të shtyrë përsëri, këtë herë ndjeva sikur po bija në zjarr. U frikësova. Edhe Çekaren gjithashtu. Ne filluam të bërtisnim për prindërit dhe vëllanë që i kishim jashtë, por s’morëm përgjigje. Dëgjoheshin zhurma matanë kasolles dhe pemët që shembeshin përtokë. Çekaren dhe unë vrapuam jashtë por shtangëm nga një gjëmim i fuqishëm. Ky ishte gjëmimi i parë. Toka filloi të lëvizte dhe u lëkund, stuhia goditi kasollen tonë duke e shembur. Edhe ne u flakëm përtokë. Më pas unë pashë një çudi: pemët po binin, degët ishin në zjarr, shkrepi një vetëtimë e ndritshme – nëse mund ta them kështu, si të ishte një diell i dytë që më vrau sytë. Dhe menjëherë, ndodhi një gjëmim i fuqishëm. Ky ishte gjëmimi i dytë. Mëngjesi ishte me diell dhe pa re; dielli ynë shkëlqente si zakonisht por papritur hyri një i dytë.

Çekaren dhe unë patëm vështirësi për të dalë jashtë mbeturinave të kasolles. Më pas ne pamë sipër, por në drejtime të ndryshme, pati një vetëtimë tjetër dhe një gjëmim i fuqishëm u dëgjua. Ky ishte i treti në radhë. Vala goditëse erdhi përsëri, goditi këmbët tona dhe fëshfëriu fuqishëm në pemët e rëna.

Ne shihnim pemët e rëna, vinim re që majat e pemëve thyheshin me zhurmë si dhe zjarre vende – vende. Papritur Çekaren bërtiti: “Shiko!” dhe drejtoi dorën, unë pashë në atë drejtim ku sakaq ndodhi një vetëtimë tjetër e cila u pasua nga një tjetër gjëmim, por si zhurmë më e ulët se përpara. Ky ishte gjëmimi i katërt, por si bubullimë normale.

Sot mua më kujtohet që kishte dhe një gjëmim tjetër, por ishte i vogël dhe larg, andej nga dielli shkon të flerë”.

Dëshmia e S. Semenov, regjistruar nga ekspedita e Kulik në 1930:

“në mëngjes unë isha ulur në kopshtin e shtëpisë sime në Vanavara (sipas llogaritjeve 65 km në J nga epiqendra e shpërthimit), me fytyrë nga V. Papritur pashë që drejt veriut, qielli u nda në dy pjesë dhe një lëmsh zjarri u shfaq lart duke u shtrirë mbi pyje. Ndarja në qiell sa vinte dhe zmadhohej më shumë derisa zjarri mbuloi tërësisht anën V. Në këtë çast u bë aq nxehtësi sa unë s’mund ta duroja, sikur këmisha ime të kishte marrë zjarr; nga ana V, andej nga ishte burimi i zjarrit, erdhi një nxehtësi e fortë. Doja ta shqyeja këmishën dhe ta hidhja. Në atë çast qielli u mbyll dhe një zhurmë goditjeje e fuqishme u dëgjua, ndërsa unë u flaka disa metra më tutje. Unë humba ndjenjat për një çast, por pastaj gruaja erdhi drejt meje, për të më marrë në shtëpi. Zhurma ishte e tillë sikur binin shkëmbinj, apo zjarr artilerie, toka tronditej, dhe kur unë isha përtokë, ndjeja presion nga sipër dhe frikë se mos vritesha nga shkëmbinjtë që mund të binin. Kur qielli u hap, një erë e nxehtë erdhi tërë vrull përmes shtëpive, si afsh topash artilerie, e cila la gjurmë në tokë si vija shtigjesh rurale duke dëmtuar të korrat. Më vonë ne pamë që shumë dritare ishin thyer e shkatërruar”.

Evenkët

Në të kaluarën njiheshin si popujt Tungus të Azisë V. Në Rusi, evenkët njihen si popullata vendase të Rusisë V, me një shifër prej 35 527 banorësh (census-i i 2002-it). Në Kinë, evenkët formojnë një nga 56 grupet etnike të njohura zyrtarisht prej Republikës Kineze, me një shifër prej 30 500 banorësh (census-i i 2000-it). Një numër shumë i vogël evenkësh jetojnë edhe në Mongoli.

Leonid Aleksejeviç Kulik (1883 – 1942) ishte gjeolog dhe mineralog rus, i cili u shqua për kërkimet e tij mbi meteorët.

Ai lindi në Tartu, Estoni dhe u arsimua në Institutin Mbretëror për Pyjet në Shën Petërburg dhe më pas në Universitetin e Kazanit. Shërbeu në ushtrinë ruse gjatë Luftës Ruso – Japoneze, si dhe u burgos për veprimtari politike revolucionare. Më pas shërbeu përsëri në ushtrinë ruse gjatë Luftës I Botërore. Më pas dha mësim për mineralogji në qytetin e Tomskit. Më 1920 ai mori një ofertë pune në Muzeun Mineralogjik në Shën Petërburg.

Më 1927, ai udhëhoqi ekspeditën e parë kërkimore për të hetuar ngjarjen e Tunguskës. Ai u njoh me rajonin dhe mblodhi deponimet e para prej banorëve lokalë. Ai kufizoi në hartë sipërfaqet e dëmtuara dhe dëshmoi që pemët e rëna ishin të gjitha të shembura, me rrënjët në drejtim të qendrës dhe majat nga jashtë. Kulik u rikthye në Akademi me dokumentim dhe fotografi të mjaftueshme për të bindur kolegët e tij skeptikë që diçka e jashtëzakonshme kishte ndodhur gjatë lumit Tunguska. Ai drejtoi tri ekspedita të tjera në atë zonë të Siberisë, njërën vetëm dy vjet më vonë, më 1929, më 1930, dhe 1938, por ai nuk arriti të zbulojë atë që besonte; ndonjë fragment meteori nga përplasja, duke mos qenë në gjendje të provonte që shkaku i shpërthimit gjigant të kishte qenë një meteor. Edhe sot shkaku i saktë i shpërthimit ka mbetur i panjohur.

Gjatë Luftës II Botërore, ai luftoi përsëri për vendin e tij, këtë herë në trupat para-ushtarake. I kapur rob nga ushtria naziste, vdiq nga sëmundja e tifos në një kamp të burgosurish lufte më 24.4.1942.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora