Shtesë » Shoqëria
Frrok Vukaj: Stresi, mësuesit dhe nxënësit
E hene, 19.05.2014, 07:12 PM
Stresi dhe përballimi i tij nga mësuesit dhe nxënësit
Ekskluzive nga Frrok Vukaj - Akademia Pedagogjike e Tiranës
Stresi është një dukuri që na shoqëron gjithë jetën, i cili nuk njeh moshë, kombësi, seks, racë, profesion, hierarki apo shtrirje gjeografike. Një ide më të plotë na jep vetë kuptimi i kësaj fjale, që do të thotë një ngarkesë, forcë, tension, goditje, shtrëngim, gjendje e tensionuar.
Përcaktohet si një gjendje tensioni psikologjik dhe fiziologjik i shkaktuar nga nevojat për t’u përballuar me realitetin, për të ruajtur ekuilibrin fizik dhe shpirtëror, ekonomik dhe intelektual.
Ndryshimet historike, politike, shoqërore, ekonomike, fizike e kulturore ndikojnë shumë edhe në punën e mësuesve e nxënësve të cilët ndeshen çdo orë e minutë me realitetin e përditshëm. Përballja (apo përshtatja) me faktorët që e shkaktojnë stresin nuk është e lehtë. Është një proces i vështirë e i ndërlikuar. Shkolla është një institucion shumë i rëndësishëm, ku në mos e gjithë shoqëria, pjesa dërmuese e saj është e lidhur me të çdo ditë.
Mësuesi është figura qendrore nëpërmes të cilit sigurohet mësimi dhe edukimi i brezit të ri, garantohet apo rrezikohet e ardhmja e shoqërisë. Duke qenë në fokus, është e natyrshme se çdo mësues e nxënës, në çdo ditë, do të përjetojë, përveç kënaqësisë në punë, edhe strese.
Disa veprojnë më shumë tek mësuesi, e disa të tjera tek nxënësi e prindi. Përballimi këtyre streseve nuk mund të jetë efektiv pa njohur së pari edhe burimet kryesore që janë:
1. Niveli i ulët ekonomik i mësuesit dhe i prindit.
2. Kushtet jo të mira në mjedisin ku punon apo jeton.
3. Pakënaqësia me formimin e vete profesional krahasuar me kërkesat në rritje.
4. Niveli jo i kënaqshëm kulturor e pedagogjik i prindërve dhe interesimi i pakët për fëmijët.
5. Ndryshimet e shpeshta e të pamotivuara të sistemit arsimor, të planeve, programeve, teksteve e metodave në punë.
6. Mbingarkesa e pajustifikuar e teksteve e programeve dhe rritja e burokratizmit pedagogjik.
7. Psikologjia frenuese, opinionet e qëndrimet jo dashamirëse ndaj shkollës.
8. Mungesa e shembullit, apo modelit të duhur tek një pjesë e konsiderueshme e mësuesve, prindërve e nxënësve.
9. Ndërhyrjet e segmenteve të ndryshme të shoqërisë e shtetit, e partive politike e shoqatave, me gjykime jo objektive për emërimet, shkarkimet e vlerësimet e punës.
10. Konfliktet me drejtues e pushtetarë të paaftë, mungesa e etikës së tyre. Qëndrimi i gjatë e i pamerituar në poste drejtuese. Pasurimi nëpërmes korrupsionit.
11. Diskriminimi për motive të ulëta i një pjesë që punojnë me përkushtim, por nuk u shërbejnë e nuk bëhen pjesë e grupimeve krahinore, fetare, partiake a tarafeve të tjera.
12. Kërkesa e llogarisë e vlerësimi i punës me dy a më shumë standarde, favorizimi i të paaftëve dhe servilëve.
13. Problemet stresante të krijuara në familje, lagje e shoqëri.
14. Kur gjendja shëndetësore e personale e të afërmve nuk është e mirë.
15. Mungesa e statusit në punë; mungesa e rendit dhe e qetësisë.
16. Konfliktet shoqërore: midis individëve, mësues-nxënës, nxënës - nxënës mësues-mësues, mësues-drejtues, mësues-prind, prind - fëmijë.
17. Konfliktet e diskriminimet racore, fetare, hierarkike, fisnore, krahinore dhe të prejardhjes.
18. Konfliktet e bartura nga brezat e rrethi familjar, por edhe të lindura në vitet e fundit.
19. Konfliktet për arsye gjakmarrje dhe hakmarrje.
20. Konflikte për arsye jo vetëm të mos pajtueshmërisë në mes atyre që bartin e manifestojnë vlera morale e pozitive e atyre me kahe negative, por edhe për arsye pasurore, xhelozie, superioriteti, mendjemadhësie, të bukurisë fizike, të respektit që gëzon në shoqëri etj.
21. Konfliktet për shkak të karrierës e intelektit, të rrethit shoqëror, angazhimeve në parti e në shoqata, të arritjeve e mos arritjeve, të besimit fetar e mentaliteteve të ndryshme.
22. Konceptet e qëndrimet ndaj punës, mungesa e kushteve të duhura e bazës materiale mësimore. Mosshfrytëzimi, mungesa apo zvogëlimi i terreneve sportive dhe lulishteve.
23. Pengesat për një lidhje të natyrshme e të harmonishme të shkollës me jetën, të teorisë me praktiken.
24. Pengesat për afirmimin e vlerave pozitive, konkurrenca jo e ndershme dhe klasat e mbingarkuara me nxënës.
25. Vështirësitë e terrenit dhe të klimës, largësia e madhe e shkollës.
26. Mbingarkesa e teksteve, e programeve apo cilësia e dobët e tyre.
27. Mungesa e raporteve të duhura, pune e çlodhje, e kushteve për t’u marre me veprimtari shkencore, kulturore, sportive, argëtuese etj.
28. Përballja e progresit me të zakonshmen apo regresin, përparimtares me konservatoren, me bartësit e mendësive e metodave të vjetruara e joefektive. Problemi i ritmit dhe i rendimentit në punë.
29. Nga veçorie psikofiziologjike dhe gjenetike të individit.
30. Thurja e ëndrrave të pabazuara e “ndërtimi i kështjellave mbi rërë”. Zhgënjimi dhe mosnjohja e realitetit.
Unë nuk dua të mohoj ëndrrat e guximshme, por gjithmonë të ndërtuara mbi një bazë të shëndoshë, mbështetur në mundësitë intelektuale, fizike, monetare, në rrethanat konkrete e faktorët ekonomiko-shoqëror. Nuk duhet të stimulojmë nëpërmes internetit, filmave, telenovelave, fjalëve të bukura, për një jetë përrallore në mërgim, besimet e pabazuara tek të ashtuquajturit “të dijshëm” e fallxhor për pritshmëri nga ëndrrat e bukura, horoskopët e të tjera gjëra që na largojnë nga puna e gjallë e dobiprurëse e realiteti objektiv.
Georgi V (Mbret i Mbretërisë së Bashkuar 1910 -1936) në murin e bibliotekës, në Pallatin e Buckinghamit kishte shkruar: “Më mëso të mos kërkoj të pamundurën dhe të mos vuaj për atë që nuk përmirësohet” Zenel Orhan “Motivacioni”, fq.122. Panteon, Tirane 2000.
Shkalla e intensitetit të stresit varet nga burimi i tij, nga rëndësia e problemit e ngarkesat që bart për secilin rast. Mësuesi i aftë ka mundësi të zbusë apo të eliminojë disa burime e për rrjedhojë
të ulë e të minimizojnë edhe gjendjet stresante. Puna e pamjaftueshme ndikon negativisht në sjelljen dhe përparimin e fëmijëve, madje mund të bëhet shkak edhe për braktisjen e shkollës.
Shumë ngjarje sjellin intensitet të lartë stresi, madje edhe depresione. Gjakmarrja, kjo plagë e rëndë, sidomos në veriun e Shqipërisë, është ilustrimi më adekuat për sa thamë më sipër, por edhe i shfaqjes së traumave, e thënë më shqip, i tronditjeve të forta shpirtërore.
Për të
shëruar këtë plagë që është mahisur shumë vitet e fundit, masat duhet të jenë
të gjithanshme e nga persona të besueshëm e me reputacion, por edhe me
përgatitje të lartë psikopedagogjike e sociale. Pa mohuar arritjet mendoj se ka
edhe defekte serioze.
Format e veprimtaritë që përballojnë stresin, janë të shumta, në përshtatje me moshën e mundësitë intelektuale:
Punë individuale e frontale, me grupe mesatare e më të vogla, larushi nga më interesantet të punëve me shkrim, shembuj e modele të zgjedhura, teste, punë praktike e laboratorike, aktivizim e stërvitje me punë të pavarur dhe krijuese, me vrojtime e vëzhgime, me të mësuar problemor, kritikë e krijues, me debate e arsyetime logjike.
Një mësues i aftë krijon në klasë një mjedis të ngrohtë ku çdo nxënës e gjen dhe e ndjen mirë vetveten.
Mënjanimi i presioneve dhe përgatitja psikologjike e nxënësve janë të domosdoshme për çdo orë mësimi. E kundërta na sjell stresin e ankthet duke arritur deri në depresion. Mësuesit duhet të menaxhojnë gjendjet stresante e ankthet, sepse këto shërbejnë si shtysë për të plotësuar objektivat duke ngjallur tek nxënësit vetëbesimin dhe dëshirën për punë.
Dr. Zenel Orhan në librin “Motivacioni,” fq.183:
“Sa herë vihen re shenja të ankthit, të cilat mund të kapen përmes vetë raportimit, paaftësisë së nxënësve për t’u përqendruar në mësim përmes keqësimit të folurit, frikës, tensioneve e të tjera, mësuesi ndërhyn me takt për t’i çliruar ata prej gjendjeve të tilla emocionale dhe për t’i kapërcyer ato”.
Këshilla të tjera për të përballuar stresin janë: Angazhimi me punë, administrimi i kohës, rregulli e disiplina, ekuilibrimi i vetvetes, të shikuarit para dhe jo prapa, të pajtuarit me atë që nuk mund të ndryshojmë, mos harxhimi i energjive me kundërshtarë, kujtimi i të mirave e jo i të këqijave, angazhimi me veprimtari studimore, shkencore, sportive, kulturore, me ekskursione, shëtitje në natyre, me veprimtari të dobishme e të tjera gjëra që ndikojnë në zbutjen e harresën e stresit.
Nga një studim për mësuesit e ciklit të ulët, rezulton se afër 60% e tyre përjetojnë një stres të nivelit mesatar dhe një në 4 mësues përjetojnë një stres të nivelit të lartë.
Sipas po këtij studimi të publikuar në Revistën Pedagogjike numër një, viti 2009, autorja Stela Karaj rendit 3 faktorët që kanë ndikim më të madh në nivelin e stresit:
Drejtimi i shkollës, ngarkesa në punë dhe presioni i kohës si dhe komunikimi me mësuesit e tjerë.
Nga sondazhet që kam bërë, bashkëbisedimet dhe fletanketat, shumica janë të mendimit se mbizotërojnë më shumë këta dy faktorë që prodhojnë stresin.
1. Kërkesa dhe vlerësimi i punës me dy standarde, e thënë më shqip, padrejtësitë në punë.
2. Ndjenja e pasigurisë, frika nga lëvizjet e pamotivuara të mësuesve dhe mungesa e rendit dhe qetësisë.
Sigurisht, se çdo mësues e të gjithë së bashku, punojnë për zhvillimin e gjithanshëm e të harmonishëm të personalitetit të nxënësve. Në kushtet aktuale që po kalon vendi ynë, për mendimin tim, marrin përparësi imediate dy problem që lidhen e shkrihen në një:
1. Jo vetëm shkolla, por e gjithë shoqëria, në mënyrën më serioze, duhet të punojnë frontalisht për të ngulitur thellë në zemrën e çdo të riu dashurinë për punën e dijen, korrektësinë ndaj rregullit e ligjit, durimin e vullnetin për punë, i cili është zbehur shumë vitet e fundit.
2. I lidhur me këtë, e po kaq i rëndësishëm, është krijimi i bindjeve se gjithkush duhet të jetojë me djersën e tij, duke luftuar parazitët, mashtruesit, spekulantët, hajdutët e servilët e çdo fushe të jetës e të të gjitha niveleve.
Pësimet janë një mësim i mirë për reflektim. Shoqëria shqiptare sheh e përkrah më optimizëm përpjekjet për ndryshime pozitive.