Editorial » Mehmetaj
Mehmetaj: Dëbimi i predikimit shqip nga kishat
E merkure, 01.07.2015, 07:11 PM
Si u dëbua predikimi shqip nga kishat ortodokse?
Më tragjike ishte gjendja në Veri të Shqipërisë: në Dardaninë e Konstandinit të madh fjala shqipe u dëbua nga kishat ortodokse. Predikimi shqip u hoq edhe nga kisha ortodokse në tërë hapësirë gjeografike të Maqedonisë, të cilën e popullonin shqiptarët që nga Antika.
Nga Gani MEHMETAJ
Pas shumë
peripecive, pas shumë sakrificave të priftërinjve e besimtarëve shqiptarë
ortodoksë, Kisha Ortodokse foli shqip.
Për pavarësinë e saj nga tutela greke u bë luftë e guximshme e klerit shqiptar.
Por para kësaj fitoreje të pjesshme, priftërinjtë grekë e shkishëruan gjuhën
shqipe, i shkishëruan, apo vranë priftërinj shqiptarë, të cilët nuk e pranonin
gënjeshtrën greke se Zoti nuk di shqip. Papa Kristo Negovani është njëri nga
këta priftërinj martirë (pse nuk shpallet shenjtor ky prift patriot?!) Fitorja
e fjalës shqipe në kishat ortodokse që e pjesshme, sepse predikimi e lutjet u
thanë shqip vetëm brenda territorit administrativ të Shqipërisë së cunguar, apo
në SHBA, kurse në territoret etnike, ku jetonin shqiptarët ortodoksë, Zoti u
fliste serbisht ose greqisht.
Më tragjike ishte gjendja në Veri të Shqipërisë: në Dardaninë e Konstandinit të madh fjala shqipe u dëbua nga kishat ortodokse. Predikimi shqip u hoq edhe nga kisha ortodokse në tërë hapësirë gjeografike të Maqedonisë, të cilën e popullonin shqiptarët që nga Antika. Kjo fushatë shkombëtarizuese nisi pas Luftës së Parë Botërore, vazhdoi me intensitet pas vitit 1945. Zgjimi i vetëdijes shqiptare të besimtarëve ortodoksë në Maqedoni, ishte sinjal i mjaftueshëm për të mobilizuar organizimin e Kishës Autoqefale Shqiptare që t’u ndihmonte bashkëkombësve të organizonin predikimin në gjuhën e tyre. Mirëpo, pavarësisht ftesave të shumta që bënë besimtarët nga Reka e Keqe e Mavrova, Peshkopata e Tiranës nuk pati gatishmëri të dërgonte priftërinj shqiptarë.
A mund
t’i zgjojmë edhe ortodoksët shqiptarë në Dardani e në Krahinën e Nishit që e
kanë braktisur gjuhën e tyre para njëqind vjetëve?
Kisha
Ortodokse Shqiptare - legatë greke në shtetin shqiptar: Kristofor Kisi, martiri
që u vra në rrethana të dyshimta në kohën e regjimit komunist, ndërsa ishte
shkencëtar i shquar, thuhet se i dha shumë Kishës Ortodokse Shqiptare. Ai bëri
bisedime me Vatikanin për të krijuar një baraspeshë, sepse kishte presion nga
Patrikana që të pastronte Kishën Ortodokse Shqiptare nga rryma e Fan Nolit dhe
Visarion Xhuvanit. Presionet e Patrikanës e të kishës greke asnjëherë nuk
kanë pushuar. Herë- herë ke përshtypjen
sikur selia peshkopale e Tiranës është bërë përfaqësi politike e Athinës më shumë sesa qendër shpirtërore e shqiptarëve.
Për emërimin e Janullatosit bëri trysni të paparë qeveria greke, për caktimin e
shumë rregullave po ashtu bëri presion shteti grek mbi shtetin shqiptar.
Presionet vazhdojnë me rrezik greqizmi të këtij institucioni shpirtëror të
shqiptarëve ortodoksë. Prandaj, pse të
mos shihet mundësia nga elita kombëtare ortodokse që ashtu sikurse arbëreshët
në Kalabri e Sicili e pranuan Uniatin e Vatikanit, edhe ata të tërhiqen nga
Patrikana e Stambollit dhe të rreshtohen
me Vatikanin, pa ndryshuar asgjë nga ritualet e shërbesës fetare apo të
rregullave kanunore. Ose: pse të mos
bëhet një
Kisha Ortodokse Shqiptare, pas ardhjes së kryepeshkopit grek, sikur nuk është ajo e para, Kisha e himnizuar e Fan Nolit. Nga ngjyrimi kombëtar ka rrëshqitur në ngjyrimin politik, sepse atë nuk e ringjallën shqiptarët, por u ringjall me ndihmën e Greqisë. I pari i Kishës Shqiptare, greku Janullatos, e shkeli Kushtetutën e KOASH-it, sepse dihet fare mirë se kryepeshkopi duhet të jetë shtetas shqiptar. E dyta, depërtimi i frymës greke dhe ardhja e Janullatosit u bë me shantazhe ndaj kreut shtetëror të Tiranës, kështu që u bënë kompromise të dhimbshme me pasoja të paparashikueshme. Është e vërtetë se Zoti u fliste shqip besimtarëve, mirëpo me kohë nisi t’ia dridhte greqisht kryepeshkopi i saj në kryeqytetin e shqiptarëve, apo bëheshin veprime që s’kishin të bënin fare me fenë, po me politikën hegjemoniste greke. Godina e Kishës Ortodokse Shqiptare në qendër të Tiranës ka ngjyrat e flamurit kombëtar grek, në vend se të ketë ngjyrat e flamurit kombëtar shqiptar, sepse është ndërtuar në tokën shqiptare për besimtarët shqiptarë. Shumica e kishave ortodokse që u ndërtuan Shqipëri pas vitit 1992 bëhen sipas traditës greke, sepse ndërtohen me paratë e shtetit grek.
Pas këtij agresioni shpirtëror e politik sikur janë zyrtarizuar dy kisha ortodokse shqiptare: Kisha Ortodokse Shqiptare e Tiranës, me kryepeshkop Janullatosin dhe Kisha Ortodokse Shqiptare e Elbasanit me Atë Nikollë Markun në krye të saj, që e lufton greqizmin e shkombëtarizimin. Përderisa Kisha e Elbasanit me shumë kisha shqiptare në botë, duke nisur nga kishat arbëreshe në Kalabri e deri tek ato në Amerikën Latine kanë flamurin kombëtar e Gjergj Kastriotin, krahas kryqit si simbol të martirizimit, Kisha e Tiranës këto simbole i hoqi qysh nga ardhja e Janullatosit. Me agresionin e shprishjes kombëtare, po e shkretojnë altarin e Fan Nolit. Është për keqardhje, madje herë-herë të vjen pështirosje kur dëgjon apo shikon në videoxhirime një grup intelektualësh, disa prej të cilëve anëtarë të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Shqipërisë se si i bëjnë elozhe kryepeshkopit grek, si dikur i bënin elozhe diktatorit Enver Hoxha. Ndonjëherë më bëhej, kur i shikoja në FB sikur ishin të njëjtët. Në vend se të ngrenë zërin për vartësinë gjithnjë e më të madhe të një institucioni aq të rëndësishëm për një pjesë të shqiptarëve, ata përpiqen të fshehin diellin me shoshë dhe të mashtrojnë opinionin. Në polemikat që nisin herë pas here për (pa)vartësinë e kësaj kishe, prapë disa prej polemikëve “ortodoksë” përpiqen të heqin qafe kundërshtarët në stilin: ti nuk je ortodoks, po mysliman, s’ke pse përzihesh në çështjet tona të fesë! Kjo i bie sikur kur polemizohet për komunizmin, ndërsa komunistët të të thonë: ti nuk je komunist, s’ke pse përzihesh në debate të tilla.
Ortodoksia në Shqipëri nuk është pronë private e një grushti njerëzish, as tema të ndaluara. Sidomos institucionet shpirtërore kur instrumentalizohen nga një shtet tjetër, në këtë rast Greqia, nuk është vetëm çështje e një grushti njerëzish, kryesisht mercenarë, por çështje e të gjithë shqiptarëve.
Kisha me një vartësi të tillë shpejt mund të bëhet bombë me orë të kurdisur, ndërsa pasoja do të kemi të gjithë.
Fragmente nga libri: “A di Zoti shqip” i Gani Mehmetajt