Kulturë
Guxim Alimani: Me Zotin dhe vendlindjen
E merkure, 18.02.2015, 06:14 PM

PA NDËRMJETËS ME ZOTIN DHE VENDLINDJEN!
(Në vend të një recensioni për monografinë studimore akademike"Tropoja e mrekullive shpirtnore"të autorit Skënder Haklaj)
Nga Guxim ALIMANI
E ke të njohur të vjetër apo dhe e sheh për të parën herë, Skënder Haklaj është gjithmonë mbresëlënës përpos të tjerash me veçantinë e portretit të tij! Ka diçka në paraqitjen e tij që të detyron pavullnetshem të ekranizosh në memorie karakteret mistike të personazheve që dominojnë Eposin e Kreshnikëve. E nëse e njeh vërtet Skënderin impresioni i veçantë të shumëfishohet...
Afër një gjysëm shekulli në skenë, ky princ i valles dhe i folkut të Alpeve ka emocionuar me mijëra ndjekës në atdhe e përtej kufijve. Deri në çlirimin e Kosovës unë levizjet epike të Skënderit, vargjet e Hamitit, zërin e Fatmires e Gëzim Nikës i kam pasë quajtur një "UÇK" më vehte. Duhet të jesh specialist të perifrazosh profesionalisht lëvizjet gati mitologjike të koreografisë e valles së Skënder Haklajt, por e përbashkëta që ndodh te cilido është emocioni, krenaria,karakteri i fortë e vendosmëria që prodhon e përçon për t’u inkorporuar ëmbël tek ti çdo lëvizje e tij.
Mirëpo të jesh artist i kompletuar në dimensionet e tij nuk mjafton talenti, puna e palodhur dhe vullneti! Aspak! Është diçka më e magjishme, më spirituale që lidh lëvizjet e Skënderit me botën e paeksploruar të mrekullive.
Për sa kohë e njoh jam munduar ta përkthej SKËNDERIN:E kam ndjekë në skenë e kam dashtë t'ja lexoj ëndrrën e tij të ngrime shprehur në rimën e poezive brilante. E ato kanë buajtur tek unë bash si një piskamë e këngëve majekrahu për të më zhurmuar heshtjen.
Por
prapëseprapë kuizi i heshtjes sime do ngelej i pazbuluar mirë nëse Skënderi nuk
do na ftonte ditë më parë të pinim ujë në gurrën e kroit magjik me të cilin ai
tash sa dekada, ndoshta sa vetë jeta ka mbytur etjen e tij! 
Kjo vepër është çertefikuar nga Akademia e Shkencave dhe komentet a komplimentet do të qenë repriza të pa vend por ajo që dua të theksoj se është ndërthurja organike e profesionalizmit me thjeshtësinë, argumentin e patrazuar me stilin mjaft modern të narracionit. Skënderi jo me sllogane por me fakte unike ka zgjedhur ta vërë vendlindjen në piedestalin që i takon por i mungon. Janë doket, zakonet, ritet, legjendat e baladat, folku unikal e i virgjër që i rikthejnë Tropojës piedestalin që nuk tundet e ndërrohet përjetë, bash aty në majën e Shkëlzenit me kapuç të bardhë mbi kokë përjetësisht. Me një gegnishte të pastër e të thjeshtë që secilin lexues nuk e lodh por e mrekullon Skënder Haklaj na jep një dhuratë pa çmim të cilën sidomos ne, tropojasit, do të mund ta përdorim si një kolateral plus të krenarisë sonë!

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










