
Një vepër studimore e
intelektualit guximtar me shkrime shqetësuese socio-kulturore…
Nga Tefik Selimi
S’ka
vepër pa vlerë. Secila vepër e ka vlerën e saj. Ajo, vetëm si e shkruar, e ka
vlerën. Vlera e saj varet nga përmbajtja. Andaj, kësaj here e kemi në vështrim
veprën e Nuhi Ismajlit “Shqetësime socio-kulturore”. Një vepër e shqetësimeve
tona. Shqetësime që vrasin ndërgjegjën tonë. Ky shqetësim është për “gjendjen”
shqetësuese. Autor i veprës është Nuhi Ismajli, studjues, kritik e eseist...
Vepra e tij “Shqetësime socio-kulurore” reflekton dhe artikulon gjendje,
veprime e vendime pak më ndryshe nga të “tjerët”.
Viti i
botimit të veprës është 2014. E botoi “Rrjedha”. Faqe 197. Brenda në vepër ka
studime, shkrime, ka edhe polemika, analiza, reagime e sinteza e të tjera. Një
vepër me vlerë shkencore. Vepra ka “debat” të “nxehtë”. E tash, pas botimit të
veprës, shkrimtari nuk debaton. Ai pushon e mediton: Sa vepra i shpërndava?!
Kujt ia dhash. A do të reagojë ndokush, sepse, vepra e tij ka “prekur” iks
njerëz pushtetarë, intelektualë, antishqiptarë, studjues fals të historisë së
shqiptarëve, figurën e Skënderbeut apo edhe gjendjen e arsimit shqip tek ne?!
Autori Nuhi Ismajli shkon gjer tek “filozofët”, tek marrëzistët, tek
antishqiptarët, tek shërbëtorët e dikurshëm “shqiptarë”e tek shumë të tjerë që
janë “personazhe” të kësaj vepre studimore të tij, e cila, si tillë, ti
përkujton veprat e R. Qosjes “Morfologjia e një fushate” apo “Anatomia e
kulturës”. Autori i veprës ka një stil
polemizues. Ai, tash hesht, por heshtja e tij flet shumë. Flet, sepse, pas
kësaj vepre, vijnë “projektet” tjera krijuese. Autori i veprës “Shqetësime
socio-kulturore” është studjues që nuk rri kot së koti. Punon e s’ndalet. Ama
s’ndalet e shkruan. Kjo është detyra profesionale e tij. Për jetën “tjetër,
autori ngre zërin dhe reagon pa frikë. Zëri i tij është rebelues, polemik, i
zjarrtë, guximtar, madje edhe këmbëngulës dhe ngadhnjyes. Ai (autori) nuk
pajtohet me padrejtësitë e kësaj kohe. Reagon, reagon ashpër e guximshëm. Unë,
si lexues, fillovaj ti lexoj kaptinat e veprës. Meditoj. Sa vështirë ështe të
jesh zë i së vërtetës! E vërteta është një. Ajo s’ka dy faqe. E ka vetëm një
Faqe: të vërtetën! Ndalem te përmbajtja e veprës së autorit. Lexoj nga fillimi.
Ato trajtesa shkrimore janë aktuale, por në to ka zemrim, urrejtje, reagim me
vend, ku autori proteston kundër disa lëshimeve jo aq të vogla. Autori flet për
“Filozofët e tjetërsimit”, “Shqiptarët dhe “shqiptarët”, “Tradhtarët – figura
të shquara shqiptare”, “Heshtja e urtisë kombëtare”, “Paraqitje e tmerrshme e
shqiptarëve!”, “Shpirti i robit në fron!”, “Identiteti kombëtar shqiptar pa
mbrojtjen institucionale!”, “Mjerimi i historisë!”, “Dy histori te shqiptarët
të Kosovës”, Mjerimi ynë intelektual!”, “Debati i mashtrimeve”, “Arsimi me
dinjitetin e përdhosur!”, “Skënderbeu sipas pikëpamjeve antishqiptare”, “Pse
mohohet e kaluara kombëtare?!”, “Pushtetarët – elita e shoqërisë?!”, “Mos
shantazho intelektualët!”, “Diktatori shpëblen intelektualët!”, “Shkrimtari pa
urti” etj., etj. Ndalem. A ka tema të tjera? Ka, pse jo? Këto analiza, polemika
e trajtesa nuk janë si në veprat tjera të këtij autori. Andaj, pyet autori:
kush janë këta që atë e shqetësojnë?! Kush?! Për të cilët flet autori i veprës? Ata janë të
shumtë, si: njerëz servilë, sorollatës, “filozofët e tjetërsimit”, marrëzitë,
pseudokrijuesit minorë etj. Me një fjalë, janë argatë që i shërbejnë dikujt
(!). E, këto “shkrimet e kësaj vepre, me ndonjë përjashtim, janë shkruar brenda
tri viteve të fundit dhe janë botuar në disa gazeta të ndryshme, si në
“Shekulli”, “Kosova sot”, “Zëri”, “Koha ditore”, “Gazeta ekspress” etj., që
domethënë se ato kanë pasur jetën dhe receptimin e tyre”. Mandej, autori shton
për ata që kanë vesh e sy njeriu, kur thotë: “Objekti i shkrimeve (të veprës në
fjalë), janë çështje e rëndësishme jetësore, njerëzore, shoqërore e kombëtare
shqiptare. Në këtë rast, janë vënë në dukje, në radhë të parë, dukuri absurde,
si: shkollat, teoritë e pikëpamjet antishqiptare, pseudovlerat e identitetet e
rrejshme, dukuria e mohimit dhe e kompromitimit të vlerave të së kaluarës
shqiptare, apologjia dhe lartësimi i së keqes e jovlerës. Një interesim të
posaçëm të shkrimeve përbëjnë raportet absurde të pushtetarëve, politikanëve,
intelektualëve dhe të krijuesve ndaj njeriut, shoqërisë, kombit, realitetit,
vlerave dhe jovlerave. Baza e motivimit të shkrimeve ka qenë gjithnjë
shqetësimi i thellë dhe përpjekja e autorit për një zë protestues kundër
cenimit të vlerave jetësore, njerëzore, shoqërore e kombëtare shqiptare. Habia
dhe shqetësimi i autorit, të zgjuara nga cenimi brutal i vlerave jetësore,
njerëzore, shoqërore e kombëtare shqiptare, përveçse si një dëshmi për kohën,
përmes këtyre shkrimeve, synon të jetë edhe një nxitje për habinë dhe
shqetësimin e përhershëm të lexuesve, shton N. Ismajli, profesor e studjues gjilanas”.
A dëshironi ta njihni se kush është ky shkrimtar e studjues? Pse jo? Nëse nuk e
dini, ja po ua zbuloj: Ky është Nuhi Ismajli: historian i letërsisë, kritik
letrar, eseist, polemist e gjuhëtar; madje është krijues i veçantë, i
gjithanshëm dhe mjaft produktiv. Kjo (vepra), që po e përfolim në këtë rast,
është vepra: “Shqetësime socio-kulturore” e tij. Për herë të parë ky autor
është paraqitur me shkrime në vitin 1983, për të vazhduar pastaj me shkrime të
tjera për çështje të ndryshme gjuhësore, letrare etj. Ai me shkrime studimore
është marrë nga viti 1990 e këndej. Herë pas herë paraqitet me tregime dhe
shkrime tjera letrare në shtypin ditor etj.
Kjo është pesha e veprimtarisë së tij krijuese. S’ka peshë, pa art
letrar. Pse jo? Me art, shkrimtari bëhet roja e popullit dhe vlerave të tij.
Ai, me këtë rast, rebelohet dhe lapsi i tij shkon gjer në kulm, duke i luftuar
e protestuar kundër dukurive negative që po ndodhin tek ne. Reagon për
ndërrimin e teksteve shkollore, të cilat bëhen, si shton autori, “sipas
kërkesave turke”(f.7). Ai këtë temë e shoshit disa herë. Autori këtë reagim e
bën me qëllim që ta kuptojnë realitetin e së vërtetës, sepse, punë që po bëjnë
këta nga njerëz, ai i quan “filozofë”, të cilët, sipas autorit janë të “marrë
të marrzistë”. Sepse, “Thirrja antinjerëzore dhe antishqiptare, që shqiptarët
të integrohen me turqit, që strategjia e shqiptarëve të jetë strategji turke
etj., është një marrëzi aq e dukshme, sa, për një njeri normal, as që duhet një
shpjegim i posaçëm”(f.11). A duhet shpjegim tjetër?! Mandej, autori flet e
reagon në shkrimet e tij për shqiptarët dhe “shqiptarët”, të cilët “krenohen si
shqiptarë, po vetëquhen vëllezër të turqve” (f.13). A ka më keq?!!! Po ashtu, në studimin e tij
“Vlerësime të padenja për kulturën shqiptare”, N. Ismajli, shton: “Populli shqiptar kurrë
nuk e konsideroi mik pushtuesin turk, as robërinë e tij liri”(f.18). Kështu,
autori i veprës “Shqetësime....” shton: “As Naimi, as Samiu, si dhe asnjë
krijues tjetër i madh shqiptar, nuk shkruan vepra në shërbim të pushtuesit turk
e robërisë turke”(f.21). Duke shkruar për tradhtarët – figura të shquara
shqiptare, ai thotë se “Tradhtarët shqiptarë – shërbëtorët të pushtuesit e të
robërisë turke, harruan popullin e vendin e vet”(f.25). Autori shkon përtej dhe
shkruan në veprën në fjalë për heshtjen e urtisë kombëtare. Ata intelektualë që
do të duhej të reagonin për vlerat e mirat e të vërteta të kombit, ata, sipas
autorit, heshtin dhe nuk e prishin kolltukun në pushtet. Autori, shton: “Në
kohën tonë jemi në një situatë paradoksale. Urtia kombëtare nuk ndihet e
gjallë. Veç tek-tuk, aty-këtu ndonjë intelektual, ngrit zërin sa për të
shprehur habinë për rrezikimin e identitetit kombëtar shqiptar...”(f.30). Pyet
autori: a ka më injoruese se të rrezikohet identiteti kombëtar? Natyrisht, jo!
Mandej, autori flet e reagon për paraqitjet e tmerrshme të shqiptarëve. Ja si
shton autori në veprën e tij: “Ministria e Arsimit e Kosovës, pas kërkesës së
ministri turk të Arsimit për ndryshimin e teksteve të historisë, aty ku flitet
për kohën e pushtimit osman, pa fije turpi u përkul dhe vendosi t’i ndryshojë
tekstet e historisë, në të cilat, tani e tutje, P. Osmane nuk do të quhet me
emrin e vërtetë pushtues, por mike e çlirimtare e shqiptarëve, kurse robëria
osmane pesëshekullore, që rëndoi më shumë se te çdo popull tjetër, në vend se
robëri, që solli shkretëtirën e përgjithshme, pasojat e së cilës ende nuk
mënjanohen përfundimisht, do të quhen liri!”(f.33). Kjo s’do fjalë. Reaguesi e
kritiku i letrave tona, N. Ismajli, shkruan për shpirtin e robit në fron. Ai,
shton: “Ky shpirt i robit të sotëm, trashëgimtar i robit të djeshëm turk, në
vend të Shqipërisë e kombit shqiptar dhe interesave të ryre, sheh e ëndërron
veten në kuadër të një perandorie, si një kryevezir, një pasha..., duke
robëruar e shkatërruar të tjerët e edhe vetë vendin dhe popullin e origjinës së
tij”! (f.39). Më tutje, shtohet: “Nëse historia shkruhet për t’iu shërbyer
synimeve të tilla, absurde, ky është mjerim – mjerimi i historisë dhe bashkë me
të edhe mjerim i shoqërisë njerëzore, pra edhe i shqiptarëve”(f.49). Sepse, “e
kaluara, kujtesa e popullit është një vlerë e shenjtë, një element përbërës i
identitetit kombëtar që nuk këmbehet për asnjë çmim!”(f.56). Autori, N. Ismajli, në veprën e tij, “Shqetësime
socio-kulturore” nuk ndalet dhe flet për dy histori për shqiptarët e Kosovës.
Kjo tmerron. Tmerron dhe autori, nga kjo “dukuri” e kësaj kohe, revoltohet dhe
ngrit zërin e protestës se kjo çështje”shkon në dëm të shqiptarëve e kombit”.
Ai (autori) del me shkrimin: “Mjerimi ynë
intelektual!” Dhe, pyet: ç’po ndodh me intelektualët shqiptarë? Ku janë ata?
Ç’bëjnë?!” etj. Autori i veprës, shton: “Ata nuk dinë se tekstet e historisë,
si çdo tekst tjetër, nuk janë tekste të denja për njerëzimin, kur hartohen nën
diktatin e pushtetit e, aq më tepër, kur hartohen nën diktatin e pushtetit të
një vendi tjetër” (f.65). Apo: “Ata nuk janë të vetëdijshëm se me aktin e krijimit të
teksteve të historisë, sipas diktatit të qeverisë turke, po i fusin shqiptarët
në një robëri të re, në robërinë neootomane”(f.65). Andaj, autori Nuhi Ismajli, studjues, e merr si referencë
poezinë e Çajupit, i cila e arsyeton gjendjen: “...Shqipëtar, mos rri, po duku
shqipëtar!”(f.67). Mandej, pas kësaj, u debatua për këtë çështje. Çka u prit
nga ky debat? Asgjë! Se, komisioni i cili ka debatuar, si shton autori, “...e
bën një gënjeshtër të madhe dhe këtë gënjeshtër të madhe do ta fusë në tekstet
e arsimit shqip të Kosovës, kur nga tekstet do të heqë fjalët dhunë dhe vrasje
dhe të përdorë në vend të tyre fjalët pushtues e burgosje!”(f.73). Autori e
quan debat të mashtrimeve. Nga kjo “problematikë” jona, autori i veprës, thotë
se, “...Komisioni për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip të Kosovës, do të
sjellin pasoja tepër të mëdha për popullin shqiptar dhe për të vërtetën
shkencore”f.77). Mandej, duke parë gjendjen jo të kënaqshme të arsimit në
Kosovë, autori reagon në veprën e tij “Shqetësime...”, shkruan kryetitullin:
“Arsimi me dinjitetin e përdhosur! Ai (autori) ndalet tek pushtetarët e kësaj
kohe, të cilët, në vend udhëheqëse nëpër shkolla emëron drejtorë me pak
shkollë. Këtë e bën politika ditore, të cilët, sipas autorit të veprës, janë
militantë e partisë. Në veprën e Nuhi Ismajli “Shqetësime socio- kulturore”
fltet edhe për figurën e madhe të heroit të kombit, Skënderbeut. Ai shkruan se,
disa nga “studjuesit” tanë e injorojnë figurën e madhe të kombit, sa ata nuk ia
dinë historinë e tij madhështore që ka bërë për kombin shqiptar. Shkrimi i
autorit “Skënderbeu sipas pikëpamjeve antishqiptare”, flet për studjuesit shqiptarë, të cilët e fyejnë
këtë figurë të madhe të kombit. Ata dalin me disa pikëpamje antishqiptare, të
cilët e injorojnë heroin tonë, Skënderbeun, ndonëse ai ishte e mbeti figura më
e adhuruar e kombit shqiptar. I pari që e injoroi këtë hero është K.
Trebeshina, shkrimtar, i cili në veprën e tij “Mekami”, figurën e Skënderbeut e paraqet si “shembullin e
shqiptarit më të keq”. Por, kështu mendojnë edhe disa të tjerë, si B. Latifi e
ndonjë tjetër. Nuhi Ismajli, autor, reagon edhe në shkrimin e tij “Pushtetarët
– elita e shoqërisë!”. Autori flet për pushtetin që është i lidhur me
psoudokrijuesit, të cilët punojnë për pushtetarin dhe ai i shpërblen. Autori
thotë se këta krijues janë brenda pushtetit. Ata kanë hyrë në zemrën të
pushtetit dhe janë bërë pushtetarë! Në vepër janë edhe disa nga shkrimet
(reagime ose analiza...), si “Mos shantazho intelektualin!”, “Diktatori
shpërblen shkrimtarin”, “Shkrimtari pa urti”, ”Shqiptarët dhe Nobeli për
Letërsi”, “Poeti e mbron vepra e tij”, “Fillimet e hershme të arsimit kombëtar shqip” e ndonjë tjetër. Nuhi
Ismajli, jo vetëm sot, por edhe më herët, ka shkruar për këto “fenomene” të jetës sonë, të cilat jo vetëm që e
brengosin shoqërinë tonë, por ato edhe habisin pjesën e intelektualëve të
dijshëm, të cilët do të duhej të reagonin me kohë e me vend. Ky autor, me këso
shkrimesh e veprash, po tregohet intelektual i guximshëm që po reflekton maturi
dhe përkushtim me anë të reagimeve e kritikave letrare pak më ndryshe se të
tjerët.
