E marte, 10.12.2024, 11:24 PM (GMT)

Mendime

Elida Buçpapaj: ''Je suis Charlie'' (1)

E marte, 20.01.2015, 07:44 PM


Cikli i shkrimeve « Je suis Charlie » -

1.PËRSE NUK E MBROJTI SHTETI FRANCEZ CHARLIE HEBDO

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Publikimi i dytë që po shitet masivisht në Francë pas nr. 1178 të Charlie Hebdo është vepra e Voltaire Traité sur la tolérance – Traktat mbi tolerancën. Voltaire ka definuar domosdoshmërinë e lirisë së fjalës përmes thënies së tij universale „Unë nuk jam dakord me atë që ti thua, por unë do ta mbroj deri në vdekje të drejtën që ti ta thuash“.

Me këtë definicion të Voltaire identifikohet vetë republika franceze. Franca volteriane është djepi i demokracisë Perëndimore, djepi i kulturës dhe i tolerancës. Voltaire është njëri prej atyre titanëve që e ka krijuar fondamentin e Francës moderne dhe Evropës moderne. Është detyrë e shtetit, bazuar në kushtetutën franceze, të garantojë sovranitetin, lirinë e fjalës dhe rendin e sigurinë e të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim.

Kush më përgjigjet a është e garantuar sot liria e fjalës në Francë?

Unë them jo, për deri sa shteti nuk ishte në lartësinë e duhur ndaj aktit terrorist kundër gazetarëve të Charlie Hebdo. Në atë masë sa nuk e kreu detyrimin ndaj shtetasve të tij. Ata miliona që protestuan në Paris, Francë, Europë dhe botë u solidarizuan me gazetarët e vrarë në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe lirive të tyre dhe assesi jo në mbështetje të atyre që nuk treguan aftësi për të ndaluar aktin terrorist. Sepse thelbi i Francës është Voltaire. Jo Holland.

Kur nuk është e garantuar liria e fjalës në Francë, mendoni si mund të jetë në Ballkan, për shembull! Ku agresiviteti i pushtetit politik ushtron vetëm censurë duke detyruar autocensurën. Prej 1999 në Kosovë janë vrarë disa gazetarë dhe dosjet e tyre janë të mbuluar nga pluhuri, ndërsa dhjetëra të tjerë janë të kërcënuar ose mbetur pa punë rrugëve në mëshirë të fatit.

Shteti francez në fillim e kishte marrë në mbrojtje me sukses Charlie Hebdo, kur kjo revistë javore kishte publikuar në vitin 2006 disa nga karikaturat e të përditshmes daneze Jyllands-Posten për Profetin Muhamet, të cilat më pas shkaktuan një valë protestash në botën islame. Prej tyre mori shkak edhe reagimi i dymbëdhjetë firmave të shquara, midis tyre Bernard-Henri Lévy, Salman Rushdie që të botonin në marsin e 2006 po në Charlie Hebdo një apel të njohur me emrin si Manifesti i të Dymbëdhjetëve, ku islami konsiderohej sistemi i ri totalitarist pas stalinizmit, fashizmit dhe nazizmit.

Nuk jam dakord me këtë apel dhe nuk jam assesi dakord që feja islame është totalitarizëm, por çdo kush që vret në emër të fesë është terrorist dhe përbën rrezik që duhet të ndalet. Nuk diskutohet që Kalifati i ISIS është një shtet terrorist dhe përbën rrezik për gjithë botën, por ai u krijua nën hundët e Perëndimit, sepse Perëndimi nuk ndërhyu për ta ndalur.

Po të shohësh edhe viktimat e ISIS, ato janë gazetarët, të cilëve ua presin kokën në sytë e gjithë botës, sepse ata janë të parët që u kanë rënë kambanave të alarmit duke i denoncuar.

Ata që vrasin në emër të fesë janë të rrezikshëm për vendet ku jetojnë, por duke përfituar nga globalizmi i botës, tani ata rrezikojnë Europën e vlerave.

Tani të gjithë pyesin si mund të shmanget ky lloj terrori. Demokracitë Perëndimore e dinë më mirë se të gjithë të tjerët se si. Sepse Europa ka provuar inkuizicionin, absolutizmin, nazizmin dhe stalinizmin.

Së pari, duke dhënë ndihmën dhe mbështetjen për të demokratizuar vendet ku e ka burimin terrorizmi me pretekst fetar, ku kusht i parë në çdo demokraci apo shtet është laiciteti e sekularizmi. Feja është pushtet shpirtëror, assesi jo pushtet politik. Gazetarët kanë „armë“ lapsin, feja ka „armë“ lutjen dhe kurrësesi jo kallashnikovët dhe thikat.

Së dyti, duke neutralizuar diferencat në vendet europiane ku jetojnë myslimanët dhe popullsitë me rrënjë nga emigracioni, ashtu si thuhet de jure edhe në çdo Kushtetutë të vendeve Perëndimore. Ekskomunikimi, izolimi, banlieue-të, periferitë krijojnë lagera, diferanca dhe revoltë. Rrezik për njerëzimin nuk është islami, por mungesa e demokracisë. Varfëria, mjerimi dhe kaosi prodhojnë profiterë dhe viktima.

Së treti, burim për terrorizmin janë edhe vendet në Ballkan, të cilat drejtohen nga regjime të korruptuara. Është e papranushme që shqiptarët, pa marrë parasysh se janë populli me tolerancë fetare kampion në gjithë botën, të futen në shenjestër si popull mysliman dhe të demonizohen si të tillë, ndërsa, nga ana tjetër, Europa mbyll sytë dhe toleron korrupsionin dhe mafien e regjimeve në këto vende, të cilët, si tha Papa Francesku, meritojnë vetëm një shqelm bythëve.

Detyra kryesore e Francës dhe Europës është që, për hir të rrezikut të terrorizmit, të mos të heqë dorë nga vlerat e saj, përkundrazi t’i mbrojë ato. Liria e fjalës është vlerë e Perëndimit, që Evropa dhe Franca duhet ta mbrojë. Gjë që nuk e bëri me Charlie Hebdon. Franca nuk e mbrojti Charlie Hebdon.

Për Charlie Hebdon kishim dëgjuar që në 2006. U gjendëm në Paris në nëntorin e vitit 2011, disa ditë më vonë pasi selia e revistës ishte sulmuar me bombë dhe një kolegu ynë shqiptar na tregonte me indinjatë rreth asaj ngjarjeje. Por karikaturat e Charlie Hebdos i pashë vetëm pas sulmit terrorist. Mund të mos jem dakord me disa prej tyre, por unë e kam kredo thënien e Voltairit. Ata profesionistë të shkëlqyer dhe artistë guximtarë i kanë thyer tabutë dhe kanë kritikuar atje ku pushteti të ndalon. Por kjo është barrierë që pushtetarët e ngrenë duke shpërdorur pushtetin e tyre. Sepse detyra e gazetarit është të tregojë gjithçka që ai e mendon se nuk është si duhet, të kritikojë, të denoncojë. Një gazetë që thur lëvdata është llustraxhie këpucësh.

Prandaj Franca duhej ta merrte në mbrojtje Charlie Hebdon. Ashtu si kishte vepruar edhe pas bombës së vendosur në nëntorin e 2011 në selinë e gazetës. Po të kërkosh në google foto të asaj kohe, do të shohësh se pranë selisë të Charlie Hebdos qëndronte një makinë e xhandarmërisë franceze, e cila po të ishte aty në 7 janarin e vitit 2015 do ta kishte shmangur tragjedinë kombëtare të Francës dhe të gjithë botës.

Përse nuk ishte ai furgon i policisë franceze aty më 7 janar? Ishte aq e lehtë të ishte. Që shteti të merrte në mbrojtje një territor aq të vogël të Francës, sa ishte selia e Charlie Hebdos dhe ekipi i saj.

Dhe për çudi, askush nuk dha dorëheqjen në Francë pas këtij akti terrorist. U fajësuan vetëm dy vëllezërit që kryen aktin terrorist dhe u anatemuan gazetarët që blasfemokan, por shteti nuk mori asnjë përgjegjshmëri.

Në numrin e ri të Charlie Hebdo u shkruajt se gazetarët që botojnë atë revistë janë të papërgjegjshëm, por në fakt ata janë njerëzit më të përgjegjshëm. Sepse ata heqin dorë nga konformimi me vesin. Dhe kur them gazetarë nuk e kam fjalën për ata tipa që mbulojnë partitë dhe gazetat e mëdha të financuara nga gurutë e partive politike, por e kam fjalën për gazetarinë e pavarur, atë të cilën e mbron Voltaire, njëri prej Etërve të Francës dhe demokracisë Perëndimore.

Kredoja dhe filozofia e Voltaire përkon vërtetë me „Je suis Charlie“ që e kanë shqiptuar miliona e miliona francezë, europianë dhe qytetarë të globit që duan lirinë e fjalës dhe demokracinë. Ndërsa ata që dështuan dhe nuk e mbrojtën pjesën më të madhe të ekipit të Charlie Hebdos tingëllojnë hipokritë, sepse i kishin të gjitha mundësitë që Cabu, Charb, Tignous, Wolinski, Honore dhe të 17 viktimat sot të ishin gjallë midis nesh, duke mprehur lapsat dhe duke u frymëzuar nga ky realitet gri.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora