E shtune, 05.10.2024, 11:54 PM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Pse jam “Charlie”…

E enjte, 15.01.2015, 08:57 PM


Pse jam “Charlie”…

Nga Alma Lama

E mërkura që shkoi ishte një ditë e zezë për lirinë. Redaksia e një gazete u sulmua, pothuajse të gjithë gazetarët u vranë; Parisi u mbyt në gjak. Franca sekulare, Franca e lirisë, u sulmua në zemër. Makthi kishte një emër: terroristët islamikë. Arsyeja më e paarsyeshme në botë: për shkak të disa karikaturave. Për ta më e papranueshme është një karikaturë sesa vrasja e njeriut. Për ta më e lehtë është t’i marrin jetën dikujt, sesa të pranojnë lirinë e shprehjes, humorin, sarkazmin.

Të gjithë e dimë ngjarjen. 17 viktima të një çmendurie që mbështetet në një ideologji që nuk ka asgjë të përbashkët me shekullin 21 ku jetojmë, që i përket të kaluarës përtej mesjetare. Kjo është një tronditje për qytetërimin tonë që nuk do të kalojë lehtë.

Në pamundësi për të qenë pjesë e marshit për lirinë dhe vlerat evropiane, të mbajtur në Paris të dielën, marsh të cilit iu bashkëngjitën qindra-mijëra qytetarë dhe disa liderë te botës, do të jap opinionin tim, mbi këtë tragjedi që rrezikon të na kthehet në një konflikt civilizimesh.

Janë dhënë me mijëra opinione këto ditë, anembanë botës në lidhje me çështje fondamentale që bota e qytetëruar e ka zgjidhur me vetveten, por si duket ende jo me të tjerët: lirinë e shprehjes.

Ndërsa shkruaj këto rreshta më kalojnë në mendje, Rusoi, Volteri, iluministët e shquar francezë që i dhanë botës shumë nga këto vlera të lirisë që gëzojmë sot.

A duhet Franca, Evropa, perëndimi të bëjë kompromise mbi lirinë e saj, për të cilën gjithashtu është derdhur shumë gjak, vetëm e vetëm sepse diku, ekzistojnë njerëz me ligje të tjera, me mentalitet tjetër, me ideologji të tjera, me dogma të cilat në themel kanë armiqësinë e thellë ndaj lirisë, që kanë nënshtrimin e njeriut?

Me një fjalë, qytetarët evropianë, a duhet të ndihen të lirë në vendin e tyre për të thënë atë që mendojnë, të kritikojnë, deri edhe të satirizojnë fenomenet apo personazhet e ndryshme, apo duhet t’i nënshtrohen botëkuptimeve të tjera, nëpër kultura të tjera?

Dikush mund të hidhet tani e të thotë se sulmi kishte të bënte me karikaturat e një personazhi jodosido, atij të Muhametit, të cilin bota myslimane e konsideron profet. Shumica e vendeve myslimane nuk e lejojnë pikturimin e tyre, edhe pse ky duket një mashtrim ideologjik, pasi vetëm një sekt e ka kthyer këtë ndalesë në urdhër vdekjeprurës, sunitët. Piktura të Muhamedit mund të gjesh plot në Iran apo Turqi, dhe shumë vende të tjera myslimane.

Studiuesit thonë se ndalesën, që është përcjellë si një dëshirë e Muhamedit kundër idhujtarisë së njeriut, nuk e gjen as në librin e Kuranit, as në Hadithe. Por si shumë manipulime të tjera të ekstremistëve, kjo tashmë është shndërruar në një blasfemi, për të cilën në shumë vende arabe mund të të ikë koka.

Problemi është që ajo çfarë është herezi në këto vende, nuk është në vendet e lira të cilat herezinë e kanë hedhur pas krahëve, disa shekuj më parë. Dhe një qytetar i vendeve të lira nuk mund t’i nënshtrohet diktatit të vendeve teokratike apo totalitare; një qytetar i vendeve të lira e demokratike, i nënshtrohet vetëm ligjeve të vendit të tij.

Një gazetar i vendeve të lira, ka liri të plotë të shprehjes; një karikaturist mund të bëjë humor me secilin personazh, tokësor apo hyjnor. Çfarëdo tejkalimi i kësaj lirie apo abuzimi sanksionohet me ligj, por kurrsesi me plumba. Personalisht besoj se ofendimi i profetit është vetëm pretekst pasi nuk ka njerëz që ofendojnë të tjerët më shumë se kategoria e këtyre njerëzve të indoktrinuar, kudo që janë nëpër botë. Fjalori i tyre është banal, skandaloz, i papranueshëm. Kushdo që e ka ngritur zërin kundër tyre e ka provuar sa perversë janë.

Për barbarët që mendjet ua ka errësuar ideologjia, karikaturat përfaqësojnë kriticizmin për ideologjinë e tyre dhe ata nuk e durojnë dot asnjë lloj kriticizmi sepse janë totalitarë. Ata nuk e durojnë dot lirinë, ata nuk e duan dritën. Në rast se për “Charlier Hebdo” na qenkan shkak karikaturat, si t’i shpjegojmë qindra-mijëra vrasjet që po bëjnë terroristët në vendet me besimtarë myslimanë? Po masakrojnë vëllezërit e motrat e tyre. Si ta shpjegojmë, Irakun, Pakistanin, Afganistanin, Jemenin, Nigerinë, qytetarët e të cilëve po vriten në mënyrë mizore nga grupet terroriste të mbarsur me ideologjinë islamike vahabiste. Ata përditë po vrasin njerëz të të njëjtit besim, dhe këtu iu jap plotësisht atyre myslimanëve që nuk duan kurrsesi të identifikohen me ta e që edhe këtë ditë dolën me sloganin domethënës “Jo në emrin tim”.

Tashmë edhe në videot e terroristëve që u publikuan, e thanë qartë se sulmi kishte të bënte me përfshirjen e Francës në bombardimet ndaj shteti terrorist ISIS. Terroristët duan pretekste pra, për të sulmuar perëndimin. Ata janë të mbarsur me ideologjinë e vdekjes, dhe nuk mund ta pranojnë askënd që është ndryshe prej tyre.

Terroristët janë pakicë, por jo aq pak sa për të mos shkaktuar dëme. Ata ushqehen nga krimet që kryejnë, dhe për fat të keq edhe nga mbështetja e milionave që i duartrokasin veprimet e tyre, siç pamë edhe këto ditë për krimet në Francë, mes tyre edhe disa shqiptarë fatkeqësisht.

Sulmi i Parisit, është sulm mbi gjithçka që Evropa dhe perëndimi ka arritur deri tani: liria, respektimi i të drejtave të njeriut, liria e shprehjes, sekularizmi, ndarja e fesë nga shteti, respektimi i diversitetit, demokracia. Terroristët përfaqësojnë një rrymë totalitare fashiste, që përfaqëson injorancën e thellë, mendjengushtësinë, errësirën. Fatkeqësia është se gjithmonë gjenden njerëz të frustruar dhe të padijshëm për t’u rekrutuar prej tyre, dhe për të bërë krime monstruoze.

Ja pse Parisi, në marshin e tij milionësh, ku morën pjesë njerëz nga të gjitha besimet e kombësitë, iu dha një mesazh të fuqishëm. Barbaria nuk mund të fitojë mbi civilizimin! Franca nuk mund të dorëzohet përballë fanatikëve, as Evropa!

As ne si shqiptarë nuk duhet të dorëzohemi!

Ja pse “je suis Charlie!”

(Autorja është deputete e LDK-së. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora