E shtune, 20.04.2024, 05:38 AM (GMT+1)

Mendime

Jon Leka: Politika e “tokës së djegur”

E enjte, 15.01.2015, 08:33 PM


Politika e “tokës së djegur”

Nga Jon LEKA

Ata erdhën, sunduan, grabitën çka mundën, dogjën dhe ikën – ka gjasa që ky të jetë konstatimi më i shpeshtë i historianëve të nesërm mbi pushtetet shqiptare të 25 viteve të fundit.

Gjatë e pas çdo sezoni elektoral kontinentalëve perëndimit iu dridhen gjunjët nga frika se ç’do të ndodhë kësaj radhe tokave të kryemëdhenjve me plis? Do demolohen depot e armëve si dikur? Do t’ia mësyjë opozita shesheve e kabineteve për të marrë pushtetin me dhunë ngase humbi zgjedhjet? Do t’i burgosin pushtetarët e rinj paraardhësit e tyre?

Kronika e ndërrimit të pushteteve në periudhën passocialiste shqiptare na trashë tezën që thotë se partitë politikë shqiptare funksionojnë sipas mentalitetit të ngritur mbi taktikën politiko-luftarake të «tokës së djegur».

Origjina

Si praktikë luftarake, historikisht «djegia e tokës» iu atribuohet keltëve, të cilët në luftë me ushtrinë romake në frankosferë, para se të kapitullojnë apo largohen digjnin grurin, misrin dhe kulturat tjera agrare për të dëmtuar ekzistencën jo vetëm të ushtrive pasuese, por edhe të vetë banorëve autoktonë. E njëjta taktikë lulëzon – si strategji postluftarake – gjatë mesjetës.

Para çdo deplacimi të legjioneve, një divizion i caktuar ushtarësh të specializuar kanë kryer helmimin e puseve, djegien e rezervave në drithë, kanë shkatërruar hapësirat agrare dhe gjithçka që i ka shërbyer «ekonomisë elementare» të rajonit për mbijetesë. Ose më së voni njihen asgjësimet brutale të duos tiranokriminele të Luftës së Dytë Botërore Stalinit dhe Hitlerit.

Dy javë para marshit të nazistëve gjermanë Stalini urdhëron armatën e kuqe që të hedh në erë ura, fabrika e punëtori, të digjen rezervat dhe të helmohen të gjitha burimet e ujit në lindjen e Bashkimit Sovjetik. Të njëjtën metodë e urdhëron edhe Hitleri gjatë humbjes së betejës rreth Stalingradit me ç’rast urdhëron jo vetëm djegien e të mirave materiale, por edhe deportimin e të gjithë të moshës 15-65 dhe vënien zjarrit të fshatrave, qyteteve dhe çdo elementi tjetër infrastrukturor.

Shembujt aktualë

Këto shembuj të historisë i kanë shërbyer politologjisë që ta identifikojë një metodë, e cila për nga «materializimi e finalizimi« nuk ndodhin si në mesjetë apo si në epokën stalino-hitleriane, por që si doktrinë dhe efekt (madje edhe me një potencial edhe më perfid) vazhdon të përdoret jo vetëm nga shtetet ekspansioniste por edhe nga kontrahentë politikë brenda një sistemi.

Rëndom vendeve të Afrikës, Azisë, atyre të Lindjes së Mesme (Libia, Egjipti janë rastet më të freskëta) asnjëri regjim nuk ia del të zëvendësohet nga tjetri pa ia vënë flakën vendit dhe pa burgosur apo ekzekutuar klasën paraprake qeveritare.

Etnologu i njohur austriak Karl Kaser (Pushteti dhe trashëgimia: 2000) mbetjen e një mentaliteti të tillë në pasmodernë e lidh me kontinuitetin ose ngecjen e shoqërive parademokratike në organizimin strukturor tribal, patri- ose matrilinear.

Ndoshta studiuesi austriak ia lehtëson vetes hulumtimin duke gjetur paragjykimin më prominent që përdoret gjatë përshkrimit të shoqërive ballkanase e më gjerë se pse ato edhe deri sot kanë mbetur peng e një mizërie të tillë johumane siç është kjo e «tokës së djegur», argumentet e tij – që janë fajësim i traditës, ritualeve dhe miteve aktuale por me data mesjete – mirëpo ulërijnë nga kontradiktat sapo të vëmë në përdorim origjinën e metodës dhe praktikimin e saj historik.

Në këtë e sipër ndeshemi jo me tradita e mentalitete arkaike por më shumë me një mendësi primitive që nga kohët e lashta mirëpo që si doktrinë dhe sistem e hasim herë denoncueshëm e herë favorizueshëm tek Erazmus-i, Morus-i, Machiaveli, Botero, Bodin-i, La Bowtie e shumë filozofë themeltarë të mendimit kontinental. E këta të gjithë e deri tek pak filozofë të sotëm mbijetimin e taktikës së «tokës së djegur» e lidhin me karakterin e korruptuar dhe klanokratik të shtresave në pushtet, çka është edhe shumë më logjike sepse po të ishte ashtu siç thotë Kaser atëherë do t’i binte sikur shqiptarët nga dëshira dhe mendësia do të donin që t’i qeverisin pushtetet që ecin edhe mbi kufoma për ta ruajtur pushtetin. Apo është kështu?

Shqiptarët e “trurit të djegur”

Është rëndë të argumentohet nëse Sali Berisha (Lufta civile), Fatos Nano, Edi Rama (Protestat me viktima) kanë qenë vetëdijshëm të prirë nga kjo mendësi e shtet-djegies sa herë që kanë fituar pushtetin, mirëpo nga rezultatet dhe nga situata ku gjendet shteti shqiptar, i cili nuk lëviz nga vendi në drejtimet më të domosdoshme të konsolidimit të tij, mësojmë se qeveritë janë Hadi i saj, respektivisht ikja demolueshëm nga pushteti dhe ardhja demonizueshëm e sanksionueshëm në pushtet.

Të njëjtën situatë tash e kemi edhe me qeverinë në ikje të Kosovës. PDK fitoi zgjedhjet, mirëpo për shkak se shumica parlamentare (legjitime) u krijua nga të gjithë relevantet të tjerë dhe pa të eksponentë të saj filluan publikisht të thyejnë nofka e dhëmbë me «luftë civile», konflikte e të ngjashme kështu duke kërcënuar drejtpërdrejte shtetin dhe demokracinë ende të njomë kosovare.

Dhe atë për çka: për pushtet! Për asgjë tjetër. Duke njohur biografitë e plotë eksponentëve të kësaj partie gjatë dy legjislaturave të fundit dhe duke pasur parasysh qeverisjen në dy mandate të drejtë teorizuese argumenti që thotë se motivi i «tokë-djegësve» politikë është klanokratik dhe antidemokratik e jo për arsye të mendësisë apo shkaqeve tjera.

Nëse partitë kosovare – pa përjashtim – vazhdojnë me këtë taktikë morbide, atëherë do të kemi Kosovën edhe pas 30 viteve po në këtë stad ku gjendet Shqipëria – me medaljen e varur në qafë si vendi më i varfër dhe më i prapambetur i rajonit.

Ose të dyja bashkë do të konsiderohen si muzeu kontinental i trurit dhe jo vetëm tokës së djegur!



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora