Kulturë
Resmi Osmani: Nanë daija
E enjte, 23.10.2014, 06:41 PM
Nga cikli”Burrat shkojnë në luftë”
NANË DAIJA
Tregim nga Resmi Osmani
Janinë, shkurt 1913
Fushën e Filipiadhës e kishte mbuluar qefini i përhinjtë i mjegullës. Era që frynte nga bregdeti i Prevezës, bashkë me mjegullën sillte dhe athtësirën e tymit të barutit nga predhat e plasura të topave malorë dhe mortajave. Mbi shtresën e mjegullës dilnin majat e skeleteve të kavakëve që dukeshin të pezullt dhe dridheshin si të mërdhinin. Mbi ta qielli i murrëtyer, herë-herë çahej dhe dukej dielli i zverdhëremë , i zbehtë dhe i ftohtë si fytyrë meiti.
Kodra e Grebnicës, në Mullirin e Bardhë, një nga katër fortesat e frontit të Janinës, gjendej mes fushës së Filipiadhës si ta kishe ndërtuar me dorë. Nga çuka e saj zotërohej hapësira në të katër anët e horizontit. Princii Kostandin,që kishte marrë komandën e ushtrisë, kishte urdhëruar që Grebenica të merrej me çdo çmim, që të hapej rruga për në Pesë Puset dhe Bezhan. Artilieria e topave malorë e Ushtrisë Mbretërore greke, kishte rrahur për më shumë se dy orë kodrën. Forca e shpërthimeve kishte hapur gropa si ca plagë të stërmëdha në faqe të dheut. Shumë gjyle kishin rënë në llogore. Ciflat e çelikta kishin goditur në shenjë. Në radhët e vullnetarëve çamë dhe labëve nga Lumi i Vlorës kishte te vrarë e të plagosur.
Osmani me shokë i kishin tërhequr të vrarët dhe të plagosurit e i kishin shtrirë mbi batanije. Ca më tej, në faqen lindore po hapnin varret. Ishte llahtari: ushtarë pa një këmbë,pa një krah, të tjerë barkçarë e me rropulli të derdhura në baltë, gjymtyrë të dërmishura, eshtra të thërmuara e tërë cefla, rënkime të dhimbshme agonie të atyre që hiqnin e jepnin shpirt. Gjithandej pellgje gjaku. Nga duhma e rëndë e gjakut, Osmanit i merreshin mendtë dhe i vinte të përzier. Nga lodhja dhe tronditja,trupi i dridhej dhe ishte zbehur. Mezi mbante të vjellët. Duart i kishte të llangosura me gjak deri në brryla.
Pas kësaj batërdie të skëterrshme zjarri e çeliku, pritej sulmi i këmbësorisë.
Osmani dëgjoi që po e thërrisnin. Ishte kapedan Bastriu.Kur shkoi gjeti aty edhe Baxhulin.
-Urdhër, kapedan!
-Na ka ardhur një vullnetar i ri. E dërgon komandant Hamiti. Merreni në istikamin tuaj. Do kujdeset për të lavosurit.- Tha dhe nxitoi nëpër llogore ku po punonin për ndreqjen e ledheve.
Osmani i
hodhi një sy të sapoardhurit. U çudit. Ishte grua. Shtatmesatare, mbi të
pesëdhjetat. Fytyrëashpër, me rrudha të thella, si të gdhendur në dru. Sytë i
kishte të bukur: të kaltër të thellë si qielli.Ishin e vetmja gjë që shquhej në
fytyrën e saj. Buzët e holla të shtrënguara dhe me rrudhëza të holla te çipat e
tregonin te rrepte. Se ç’kishte një pikëllim e zëmëratë që buronte nga gjithë
qënia e saj. Në brez kishte ngjeshur gjerdanin me fishekë dhe revolverin, në
sup një pushkë manxerr. E mbathur me poture të shkurtëra deri nëngju, dhe
pulpët e mbështjella me dollakë, këpucë ushtari me qafa, ajo shëmbëllente me
burrë, po të mos ishte gërsheti i rëndë e i thinjur që e
-
-Lufta s’është vetëm për burrat- u përgjigj ajo, me zë të plotë e paksa si të ngjirrur.
-Si ta thonë emrin?
- Daije, por më thërrasin edhe Nanë Daije. Jam e shoqja e Mejdi Metos, motra e Serjan Sako Fetahut dhe e ëma e Qemal Mejdi Metos, nga Gardhiqii Paramithisë .
Osmani , nga ato që dëgjoi, ndjeu shtrëngesë në gjoks, por edhe keqardhje dhe dhimsuri. I kishte njohur të dy, nip e dajë. Qemali kishte qenë bashkluftëtari i tij. I kishte vdekur para syve dhe e kishte varrosur me duart e tij. Eh ç’djalë i bukur që ishte , me atë baluken e zezë të flokëve në ballë! Sa gazmor e i dashur! Edhe Serjani, po atë ditë, ishte vrare ne frontin e Mullirit të Bardhë, në Gliqi. Prandaj kjo grua dukej si ta kishte goditur vetëtima:dy mandata të kobshme në një ditë.
-Greku ma
dogji zemrën e ma thau shpirtin. E do për vete Çamërinë e Shqipërinë, po se ka
të lehtë. Do mbytet në gjakun e tij. Erdha të zë vendin e tyre, të luftoj për
Shqipërinë dhe tu marr hakën vëllait, djalit dhe dëshmorëve të tjerë.
- Osman Taipi, nga Mazreku. Ne na merr kazaja e Margëlliçit. Kapedan kemi Bastri Kollobonin. Ky shoku tjetër,është Baxhul Labi, nga Lumi i Vlorës.- pastaj ai e pyeti: - të mbetet hatri të të quajmë Nanë Daije?
- Ashtu më quani, se edhe djali im në moshë tuaj ishte. I martuar, je Osman?
-Kam edhe tre fëmijë di djelm e një bilë.
-Ti kesh me jetë e shëndet. Ke vëllezër të tjerë?
-Jo. Jam djalë i vetëm.
Të dy heshtën. Dëgjohej zhurma e mbytur e kazmave dhe lopatave që gërmonin llogoret.Ato llogore që mund të ishin shpëtimi apo varri i tyre. E gjithë kodra ishte gjymtuar e shëmtuar nga kafshimi i çelikut të predhave, gropat e pirgjet e dheut, të hapura nga forca e zjarrtë e shpërthimit, shiheshin gjithandej. Kjo luftë po vriste edhe tokën.
-Ruhu,Osman, se filli këputet atje ku është më i hollë,- I tha ajo si të vazhdonte bisedën e lënë përgjysëm. Zëri vinte i mekët e i përvajshëm, si të kishte një gulç në fyt.- Boll nana, motra e nuse kanë marrë mandatat për djelmtë, vëllezërit dhe burrat e vrarë. Boll fëmijë kanë mbetur jetimë!
Si i keni punët këtu?
-Vritemi e pritemi. As humbim as fitojmë.- Pastaj Osmani zgjati krahun në drejtim të kodrës. Aty valëvitej flamuri i kuq me shkabën dykrenore. Flamuri ishte leskëruar, kishte marrë plagë nga ciflat e predhave, ishte rrëzuar nga shpërthimet, por prapë e kishin ngritur, edhe pse me plagë, valëvitej e kuqëlonte mbi tokën shqiptare. Për luftëtarët ishte i shenjtë. Për ta, ai flamur ishte atdheu, për të cilin, po të lipsej edhe duhej vdekur!
-Kemi
flamurin tonë, atë që ngriti Skënderbeu në Krujë dhe Ismail beu në Vlorë. Kur e
sollën, qamë nga gëzimi dhe e kemi puthur.
-Eh, të kisha një duhan!-psherëtiu Baxhuli- urinë e duroj, bëj si bëj, po për duhan më çakërdiset mëndja!
-Janë shumë,- tha Osmani- ne kemi pak fishekë.
-Më mirë që janë shumë, se s’do na shkojnë huq plumbat- ja ktheu Baxhuli,-merni shenjë e qëlloni ata që presin telat. Ashtu bënë. Sulmuesit u shtrinë për tu mbrojtur prapa ledheve dhe gurëve. Artilieria e tyre nisi të godiste çerdhet e mitralozëve rrëzë kodrës. Kur mbaroi bombardimi, vala e sulmuesve bëri përpara, me bajoneta mbërthyer. Qëllohej vetëm nga një mitraloz, tjetri ishte dëmtuar e nxjerrë jashtë luftimi, apo ku ta dish, mitralierët ishin vrarë.
Një skuadër evzonësh, doli prapa nga ana veriore e pambrojtur dhe arriti në lartësi të kodrës. Synimi i tyre ishte krahmarrja dhe rrëmbimi i flamurit. Aty nisi përleshja. Kapedan Bastriu me një grusht burra u turr mbi ta. Përleshja ishte e egër, në afërsi, hynte në punë vetëm revolveri dhe bajoneta. Bastriu nxori nga milli shpatën dhe nisi egërsisht të korrte evzonët. Përball qëndresës së shqiptarëve evzonët u tërhoqën, por kapedan Bastriun e mori plumbi dhe ra i plagosur për vdekje pak larg flamurit.
-O Zot,mos!- bërtiti Daija-Kapedan Bastrinë na e vranë.
Brofi nga llogorja dhe turravrap, si vetëttimë, pa pyetur për plumbat që i vërshëllenin rreth kokës u sul drejt tij dhe flamurit.
-Mos! Shtrihu,shtrihu barkas. Barkas të them se do vritesh!- I bërtiti me sa i hante zëri Osmani.
Ajo e dëgjoi dhe nisi të zvarrisej shpejt. Nga krhu tjetër,përballë, evzonët,kur panë që të vrarët ishin bërë pirg, u kthyen, por të ndodhur nën qitjet e Osmanit e të Baxhulit dhe të tjerëve që ndiqnin përleshjen, zvarriteshin me kujdes duke qëlluar herë pas here. Synimi i tyre ishte trupi i kapedan Bastriut dhe flamuri. Daija ,me vështrimin mbi flamur, hiqej zvarrë. Brrylat,shputat e duarve dhe mjekra ju bënë gjak nga të çjerrët e ferrave dhe gjembave, por ajo nuk i ndjente, në zemër kishte guxim, urrejtje dhe tërbim, në sy kishte armikun, vrasësit e të birit dhe të vëllait, që edhe ai nxitonte të arrinte para saj.Të dy palët ishin përballë për jetë a vdekje. Guximi dhe trimëria e shtynin përpara. Flamuri dhe të plagosurit, trupi i kapedan Bastriut e thërrisnin. Ajo e ndjente zërin e tyre si një drithërimë në erë. Ja edhe pak, edhe pak dhe ajo do të arrinte. Plumbat i binin përanash. Arriti e para. Trupi i kapedan Bastriut ishte ende i vakët, por i pajetë. Shpata i kullonte ende gjak. Fytyra e tij burrërore ,ku spikasnin mustaqet e zeza ishte zbehur. Ajo ia mbylli sytë. Shtiza e flamurit ishte pjerrësuar dhe ment binte. Ajo e drejtoi dhe e përforcoi me popla gurësh. Evzonët, kur e panë që ishte e vetme, u turrën ta zinin të gjallë. Daija nxori revolverin,një dhjeçe turqie dhe mori në shënjë të parin që po afrohej: një egërsirë me mjekër, që e mbante thikën me dhëmbë!
-Na,-itha ajo,-këtë për tim bir Qemalin- dhe e shkrehu. Evzoni u plandos e ra përmbys. U afrua i dyti.-Këtë për tim vëlla, Serjanin- qëlloi në shënjë pa iu dridhur dora. Të tretit: - Për tërë djemtë e nënave që i latë qyqe, për nuset që i latë të veja, për fëmijët që i latë jetimë! Të katërtit: Për flamurin, për Çamërinë dhe Shqipërinë!
Pasi lanë
katër të vrarë,evzonët u tërhoqën. Daija , me vështirësi e hodhi në shpinë
trupin e të vrarit. Ishte i rëndë, por ajo me atë guxim e trimëri që
kishte,mund të mbante mbi shpatulla edhe peshën e një
-Mbahu,moj trime, se erdhëm!- dëgjoi ajo zënë bubullues të Osmanit.
Ai, bashkë me Baxhulin dhe shokë të tjerë kishin brofur nga llogorja dhe me bajoneta mbërthyer, duke qëlluar mbi armikun në ecjëe e sipër, u turrën ta shpëtonin. Daija ndjeu në kofshën e majtë një djegie si ta kishte goditur rrufeja, këmba iu mpi si të ishte dru, e therura i dhembi në shpirt. Mbeti. Nuk mund të lëvizte më tej. Shokët e morën trupin e kapedan Bastriut. Osmanin e trembi gjaku që rridhte nga kofsha e saj. E çau me thikë këmbën e pantallonës. Plumbi kishte hyrë e dalë pa prekur kockën. Ja lidhi mbi vendin e goditur që të priste gjakrrjedhjen, i fashoi plagën, e hodhi mbi shpinë dhe nxitoi për të dalë poshtë kodrës në llogore, jashtë rrezes së qitjes. Daijen e kishin mbuluar djersë të ftohta, por nuk nxirte zë.
Sulmi armik i asaj dite u thye. Osmani me Baxhulin e ngarkuan në barrelë Daijen, që përvëlohej nga zjarri i etheve dhe u nisën për në spitalin fushor për te mjekët.
Kur po ndaheshin me të,ajo u tha:
-S’më vjen keq edhe po të vdes. Gjakun e djalit dhe të vëllait e mora. Amanet flamurin!
Ata u ndanë me të dhe të përfshirë në luftime nuk morën më vesh se ç’u bë, veç kur një ditë dëgjuan një këngë që thoshte:
Daije moj vetëtimë,
edhe kur vranë Bastrinë,
ti s’le dushmanët ta mirrë.
Daije tu lumtë dora
sa plumba të shkrep revola
aq dushmanë rrokullon
dhe vatanin na nderon