Mendime
Ndue Dedaj: Një kurorë për luftën
E enjte, 10.07.2014, 07:37 PM
NJË KURORË PËR LUFTËN
NGA NDUE DEDAJ
1
70
vjetori i çlirimit të Shqipërisë ka ardhur me fillimin e vitit dhe kulmon me
nëntorin. Si qytetar i këtij vendi, që nderon historinë e kombit të vet, do të
vendos dhe unë një kurorë modeste. Nuk di saktësisht se ku, por sa herë kujtoj
Luftën me vijnë ndërmend sytë e butë të Qemal Stafës, fshehur pas syzeve,
idealiteti i tij rinor, freskia e moshës, qortimet e vjeshtës dhe besimi në një
Shqipëri tjetër, do të thosha europiane.
Kujtesa jonë është e mbushur me partizanë dhe mund të ketë qenë gjëja më e mirë që na ka ndodhur në fëmijëri. Kësaj here ajo nuk do të ndalet vetëm në rrëfimet, zjarret dhe shtegtimet partizane nga Konispoli në Vermosh (siç thuhej dje), por do të shkojë shumë më larg, atje ku për gjysmë shekulli nuk mund të shkoje me këmbë, por vetëm me shpirt, në Kosovën e partizanëve të 44-s, por dhe të luftëtarëve të 99-s, që na ngjan si një Luftë Nacionalçlirimtare e dytë, me Jasharajt e pavdekshëm. Ashtu si dhe në Çamërinë martire, ku luftonte batalioni partizan me emrin “Çamëria”. Një kurorë e ndritur për çamët, një popull të tërë legjendar, që pas gijotinës fashiste greke u dëbua nga trojet e veta me të madh e të vogël.
2
Inkursioni ynë do të hasë dhe në ca memoriale nacionalistësh që luftuan për lirinë njëlloj si partizanët, por që lavdia u shkoi vetëm këtyre të fundit. Do të kishim dashur të kishte ndonjë studim të mirëfilltë për këtë kontribut të nacionalistëve. Ka qenë vitit 1994 kur kam njohur Ndue Zef Ndocin, që kishte luftuar në Burrel në 44-n kundër pushtuesve nazistë dhe ndihej krenar për këtë, tjetër se prej regjimit komunist ishte detyruar të linte atdheun me gjithë vëlla dhe të përfundonte në Gjermani si emigrant politik. Kishte qenë shtëpi e parë, djali i bajraktarit të Spaçit, por as atij, as të tjerëve nacionalistë si ai nuk iu njoh merita e luftës antifashiste, ngaqë nuk ishin komunistë. Ata kishin luftuar për Shqipërinë dhe jo për partinë, që asokohe ishte ilegale. Nuk ka si të mos kujtohesh kësaj here për një kurorë të merituar dhe për një burrë tjetër të dëgjuar të maleve tona, Pashk Currin nga Fushë-Arrësi, që ishte ushtarak karriere i kohës së Monarkisë dhe poet i flamurit, që e kishte përgëzuar vetë Asdreni për vjershat të tij patriotike. Ky nacionalist trim udhëhoqi Çetën Pukë - Mirditë për disa vite, bashkëpunoi ngusht me partizanët, ishte një uragan i pandalshëm i lirisë, për çka i internojnë familjen, gruan dhe fëmijët. Por nuk bëhet komunist, pasi ishte nacionalist i bindur, ndaj asgjë nuk vlente, asnjë meritë nuk i njihet, as sakrificat e shumta dhe përfundon si gjithë të tjerët e serës së tij, në burgjet e regjimit komunist për gjithë jetën. Për paradoks, ishte dhe ky “çmimi” i lirisë për disa, ata që nuk vunë yllin e kuq në ballë dhe se ishin po aq atdhetarë sa të tjerët. Oficerët e misioneve britanike gjatë Luftës shkruajnë se shumë nga partizanët ishin nacionalistë, deri 25 përqind e tyre, po dhe shumë drejtues të formacioneve partizane, veçse këta kishin frikë të deklaroheshin hapur. Mundet që deri në fund mbeti vetëm njëri nga ata, Myslim Peza, si ikonë e nacionalizmit shqiptar, natyrisht me njëfarë “ngjizjeje” me komunizmin, pa të cilën nuk mund të mbijetohej. Por nostalgjikët dhe të indoktrinuarit nuk duan ta pranojnë këtë të vërtetë të historisë, si me thenë, nacionalizmin partizan, për ta gjithçka fillon me “fantazmën e kuqe” që shëtit nëpër kontinente...
Por, si mund të ishte Lufta edhe nacionalçlirimtare, edhe pa nacionalistët!?
3
Në të vërtetë sivjet janë dy përvjetorë luftërash, njëqindvjetori i Luftës së Parë Botërore dhe 70-vjetori i Luftës së Dytë, posaçërisht i çlirimit të vendit. Të dyja zgjatën afërsisht njësoj, të dyja me nga dy-tre pushtues radhazi njëri pas tjetrit, të dyja me dëshmorë, po ata të së Parës thuajse nuk njihen. Të dyja me veteranë të kohëve përkatëse, më shumë të vdekur se të gjallë. Me një brez njerëzor të ardhur në jetë mes dy luftërave, njëlloji “brezi i humbur”, që nënkuptonte dhe faktin që kush nuk kishte lindur ende në të Parën, mund të luftonte në të Dytën, siç kishte nga ata që kishin qenë luftëtarë në të dyja. (Në Qafë-Vorrëz është një pllakë e thjeshtë ku lexohet: “Prengë Zef Përdeda. Kaçinar. Rënë gjatë Luftës së Parë Botërore”.) Ato dy luftëra, sot me të vetmin ndryshim, e Para nuk ka të “mbartur” asnjë problem ideologjik, pasi nuk rrojnë më protagonistët e saj dhe kësisoj nuk i shërbejnë udhëheqësisë së sotme, kurse e Dyta është problemi vetë. Por vetëm i politikës. Jo i popullit.
Jemi nisur me kurorën tonë me mbishkrimin: “Dëshmorëve të Kombit (mbase togfalëshi më i shenjtëruar) pa dallim krahine, ideje, feje, kohe, kombësie.” Një kurorë nga një qytetar i thjeshtë, privatisht, në nder të Luftës, paçka protokollit zyrtar, qeveritar, bashkiak, paçka asaj nëse prapë do të sillemi rreth fabulës groteske politike 28 apo 29 nëntor? Por dhe t’iu themi nxënësve se ka patur këngë partizane dhe se është mirë t’i dish ato dhe nëse (padrejtësisht) nuk i kanë tekstet shkollore. Historia është histori dhe nuk mund t’i heqim asaj do copa këndej e do andej, as ta fashojmë e retushojmë si të jetë më e përshtatshme për pragmatizmin e sotëm politik. Të kesh qenë partizan është nder, të jesh sjellë pas Luftës si “bashibozuk” kjo është tjetër gjë. Lufta vërtet kishte dhe komunizëm brenda, por në themelin e saj ishte antifashizmi, një fushëbetejë dhe e shteteve jokomuniste të rruzullit. Aleanca kundër fashizmit e nazizmit ishte dhe amerikane, edhe angleze, edhe franceze, edhe austriake, siç ishte dhe ruse, shqiptare, jugosllave. Një kurorë për partizanët nuk do të thotë një “kurorë” dhe për diktaturën që u vendos më pas në emër të partizanëve dhe lavdisë së dëshmorëve. Një kurorë për Luftën do të thotë detyrim mirënjohës për idealistët e mëdhenj çlirimtarë, edhe ata që më pas që ndërtuan shkolla, uzina e hidrocentrale, por asesi jo për pashallarët e kuq që konstruktuan “Bllokun”, parajsën e lume për vete e ferrin politik të të tjerëve.
Nuk do të çojmë lule te dëshmorët këtë jubile të ndarë, nuk e kemi këtë të (pa)drejtë ne pasardhësit. Te ata mund të vemi vetëm bashkë, ose hiç. Nuk iu duhen atyre lulet e këtij lloj pluralizmi, ca të shtunën, ca të dielën, ca në pranverë, ca në vjeshtë. Na lypet t’i dëgjojmë e të mos i lëndojmë të paktën këtë herë!