Kulturë
Sami Sherifi: Jemi vëllezër e të ndarë
E premte, 20.06.2014, 06:19 PM
Sami Sherifi
BUZË SENËS ZBËRTHEVA NJË ENIGMË
Është
ditë qershori në
Me Jacques Prevert buzë Senës
Pi kafenë e mëngjesit
Një rreze dielli thyhet
E valëzon mbi dallgë
Edhe një biondinë pak më tej pi kafe
Ajo na vështron
Pinë kafenë e shkon
Tasi i kafesë ngeli mbi tavolinë
Bashkë me kuriozitetin tim
Sena në heshtje na vështron
Më fton t’i rrëfej diç
Për lumenjtë e rrëmbyeshëm
Që e ndajnë në dysh ëndrrën Ilirike
E dhembjen e bartur të Ali Podrimjes
Në kërkim të Lum Lumit.
Mu këtu dallga e lumit rruan enigmën
E vdekjes së Ali Podrimjes
Dhe dhembjen e përcjelle drejt
Oqeanit të trazuar të lotit...
DASMA PA
KRUSHQ NË PARIS
Një hënëz shëtit e veshur me fustan nusërie
Dhëndri e ndjek nga pas
S'po shoh krushq as makina të stolisura
As daulle e muzikë zhurmuese
Askush nuk hapë rrugën me mauzer mbi krah
As vasha me dajre të hypura në makina
Nuk shoh...
Është ditë e shtunë në Place de Concorde
Vetëm unë jam duke pritur e përcjellë
Me qindra dasmorë të imagjinuar
Pa flamur
Pa krisma automatikësh
Pa muzikë e duartrokitje vashash
Vetëm nusja e gëzuar
Dhëndri e ca turistë morën pjesë si dasmorë
Këtu në Place de Concorde a Paris.
(Paris, 14. 06. 2014)
TI SHKOVE E UNË NGELA I TRISHTUAR
Sot herët në mëngjes u zgjova
I zhveshur kam dalë nga shtëpia
Pa ngrenë e pa pi kafenë e mëngjesit
Vetëm që t’ju flas për trishtimin e përjetuar
Që tërë natën më trokiti në derë
E më la pa gjumë.
Në gjumë të thellë ankthi më rëndonte frymëmarrjen
E kur hapa sytë nga ëndrra m’u zhduk
Mes pagjumësisë më fshihej si hije e zbehtë...
Ishte natë e frikësuar e mbushur me hingëllimë ankthi
Ishte natë e mugët e plot thashethëna shqiptare
Në ëndërr e pashë edhe vehten time të lidhur me pranga
U zgjova e nga trishtimi e humba vetëdijen
Ankthi e ciklopi u bënë bashkë e u tretën si hije e pakodhuar
E u zhduke edhe ti mikesha ime
Ti shkove e mua më ngeli ëndrra e përgjysmuar
Një spektakël xixëllonjash promovova e agu morri flakë
Dhe lindi një ditë e re
Me siguri do t’na sjellë një thashethënë exklusive
Të presim e të shohim...
DASMA DARDANE DHE NUSJA ME DUVAK
Gjithë ato stinë lotësh ato vite të kaluara në robëri
Na i grumbulluan e na i lidhën me zinxhirë të ndryshkur Për qafe. Njëqind, dyqind apo treqind vjet. Thuani sa të Doni! Sa shekuj robërie bartëm duke ëndërruar lirinë...
Gjithë këto stinë nuk pamë diell Ilirie
Atdheun na e ndanë me gërsherë e horizontin
Mbi tokën Dardane e mbanin për gushe
As këto fusha e male e as këto shkrepa
Nuk thithnin ajër të freskët. Vetëm lot e gjak
Mbillej në ato ara e grunaje.
Erdhi dita e Dasmës së Madhe e pushkët u nxorrën
Nga hambarët e drithit. Loti u step
Dhe u shndërua në gurë xixëllues
Nga pragu i derës s’lëvizet dot thanë
S’ke ku shkon më larg portës së dinjitetit
Dhe morri flakë Dardania...
Ata kolonë që na robëruan me shekuj na folën për lirinë
E të drejtat që duhet t’i gëzojë i robëruari
Në thundërr barbarie na thyen djepin te dera
Duke na folë për tolerancë e vëllazerim bashkim
Për çdo ditë na vrisnin nga një pëllumb mbi kokë
E në mbrëmje na flisnin për distancim e irredentë.
Dhe ja durimi morri fund
Dallëndyshet morrën krahë e Dasma nisi
Pëllumbat e Lirisë erdhën me nga një karajfil të kuq
Kishin marrë me vete gjithë atë bagazh atdhedashurie
Me flamurin kuq e zi na erdhi edhe nusja me duvak
E hypur në kalë të bardhë
Ia solli lirinë e krenarinë Atdheut tim të përgjakur...
JEMI VËLLEZËR E TË NDARË
Jemi vëllezër e nuk flasim me një gjuhë
Kemi një nënë e një Atdhe
E s’e njohim njëri-tjetrin s’e duam
Gjuhën e djepit me shekuj urrejmë vetëvehten.
Ka do çaste kur dhimbja e mallëngjimi më flasin shqip
Një magmë loti më gufon si gurrë e më flet si varg i ndaluar
Si ëndërr kurbetqari më kumbon në vesh
Më thuaj sa vite e ëndërrove Atdheun atje larg në egzil
E s’e njohe alfabetin e ëndrrës stërgjyshrore.
Atdhe ku je? Ku të kam? A po më njeh?
E njoha gjysmën e botës e mbarë Europën e shkela më këmbë
Ty s’te gjeta, të ëndërrova për çdo natë si kopsht me lule
E nuk të mora erë
Edhe ti s’më njohe kur kalova andej rrugës Egnatia
Të kishin vënë zjarrin e festohej me krrisma tmerri.
Atdhe, edhe unë jam biri yt
Jam vëllau yt i mallëngjyer nga ndarja
Pasaportën e atdhedashurisë e dua, Shqipëri!
Atdhe ku je? Ku të kam?
Të thërras e të pres në tryezen e përbashkët të zemrës së lënduar
Se jemi vëllezër e s’flasim me njëri-tjetrin me një gjuhë
Vëllau yt jam e dua të kem pasaportë Shqipërie.
Unë do të vij drejt teje vëlla!
VARGU PA TITULL SI ATDHEU PA EMËR
Me shekuj jam këtu
Si mollë e ndarë e atdheut
Që më njeh e s’të njoh.
Jam edhe si vargu im pa titull
Si vendlindja ime pa emër
Në shtegetim ëndrre me shtrydhë një dhimbje shekulli
Ngarkuar mbi shpatulla e s’di ku të kam
Ku më fshihesh atdhe?
Jam në udhëkryq me një dilemë
Ku gjendem as vetë s’e dij
Në Europë apo në Azi?
Ëndrra ime pa titull, atdheu im pa emër.
Si ta nënshkruaj sonte këtë varg
Kur s´kam as emër, as mbiemër
Jam anonim e s´kam kartë identiteti?
Si të identifikohem me vendlindjen
E si t’i them atdheut At-Dhe apo Fyrom?
E pra miq, më lejoni t’ua them një t’vërtetë të madhe
Mos u futni n’Antikë e muze historie.
Erdhi koha t’ju flas shqip
Nga sot e tutje do t’ju flas vetëm shqip
Mu si rrjedhë lumi
Mu si rrjedha e Vardarit që flet shqip!
Europë, a më njeh, unë jam këtu
Shqipëri i thonë Atdheut tim,
Europë e kam emrin
E bota duhet të më njohë...
Europë, në Fyrom jam e kam fole
Babai më foli shqip e kam emër e mbiemër...