E enjte, 01.05.2025, 08:56 PM (GMT+1)

Mendime

Buçpapaj: Opozitë e shpartalluar - qeveri e pakonturuar

E premte, 16.05.2014, 06:53 PM


NJË OPOZITË E SHPARTALLUAR KUNDËR NJË QEVERIE ENDE TË PAKONTURUAR

NGA SKËNDER BUÇPAPAJ

Pamë një përplasja të re midis opozitës dhe qeverisë, inskenuar në mënyrë të njëkohëshme në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku pritej të mbahej seanca plenare e radhës dhe jashtë Kuvendit, në sheshin pranë, ku mbahej protesta e opozitës. Ishte një pritë e organizuar nga njëra palë, së cilës tjetra palë nuk mund t'i shmangej duke ua ndërruar kohën apo vendin lëvizjeve të saj.

Kjo përplasje më kujtoi duelin në aktin III, skena IV të një prej komedive më dëfryese të Uilliam Shekspirit, "Nata e Dymbëdhjetë" (për ironi të rastit, autori i ka vendosur ngjarjet diku në brigjet e Ilirisë), të cilin e ruajmë gjatë në kujtesën tonë edhe falë realizimit të përkryer nga Roland Trebicka dhe Roza Anagnosti, respektivisht nën petkun e Sir Andrew Aguesheek dhe të Violës (alias Cesarios). Skena në fjalë është konsideruar nga kritika si një lojë brenda lojës, pra si një komedi brenda vetë komedisë.

I shtrënguar të tregojë burrërinë e tij, Sir Andrew i shpall duel Cesarios, të cilin e mendon si rival në dashurinë e tij të refuzuar ndaj Olivias, ndërsa Cesario (pra Viola), pré e pashmangshme e rrethanave, është e detyruar të përfshihet në rrengun e radhës.

Të dy kundërshtarët, në përplasjen e tyre, bëhen qesharakë ngaqë i druajnë njëri tjetrit - deri në panik - për të hyrë në duel. I pari ngaqë nuk e ka burrërinë e nevojshme, i dyti ngaqë nuk e ka përgatitjen e nevojshme. Kjo, në të vërtetë, është simbolika që mua më intereson në rastin e përplasjes midis opozitës dhe qeverisë në Tiranë, nga 14 shtatori e këndej.

Një opozitë e shpartalluar në radhët e saj, në moralin e saj, në motivet e saj u paraqit edhe në protestën e së enjtes së 15 majit. Partia kryesore opozitare, PD, e cila protestoi e vetmuar edhe kësaj radhe (nuk pamë asnjë parti tjetër opozitare përkrah saj) është praktikisht pa Këshill Kombëtar dhe pa Kryesi që nga kuvendi i saj i fundit zgjedhor, i mbajtur diku nga shtatori i vitit 2008. Gati një vit pas zgjedhjeve parlamentare, kjo parti nuk është në gjendje të organizojë zgjedhjet e strukturave të saj nga baza në qendër, sepse nuk është gati të analizojë qeverisjen e saj tetëvjeçare dhe shkaqet që çuan në humbjen e 23 qershorit. Dhe, mjerisht, sa më tepër largohemi në kohë, kjo humbje tingëllon më fatale për PD-në.

Prandaj një opozitë së cilës ia jep tonin një parti e tillë e paorganizuar, e pamotivuar, e pazonja, vjen në përplasjet e saj kundër qeverisë duke iu dridhur gjunjtë dhe duke iu dridhur zemra. Duke mos u përballur dot me të shkuarën e saj, kjo parti nuk mund të përballet realisht as me qeverinë. Dhe mbijetesën e kërkon tek pasiguria që manifeston qeveria në hapat e saj të parë, kundruall një trashëgimie mjaft jokomode nga paraardhësja e saj.

Pasiguria e qeverisë së re shpreh në vetvete kryesisht pasigurinë e partisë kryesore, pra Partisë Socialiste.

Aktualisht, PS përballet me një opozitë jashtë saj, Partinë Demokratike, me një opozitë brenda saj, konservatorët, e ashtuquajtura garda e vjetër, me një opozitë brenda koalicionit, LSI-a. Secila prej tyre ka mungesë të madhe skrupulli. E para ngaqë nuk e pranon ende de fakto daljen në opozitë. E dyta ngaqë nuk ndihet e shpërblyer dhe e kënaqur. E treta ngaqë ka ambicjet të zgjerojë terrenin e saj brenda koalicionit.

Këta tre faktorë nuk lejojnë që qeveria e re të hyjë plotësisht në rolin e saj. Nuk lejojnë që të ndërmarrë apo të prijë reformat aq jetike për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, të demokracisë, të shtetit. Një opozitë konstruktive do të kishte qenë e interesuar dhe e përkushtuar për ta vënë në punë sa më shpejt dhe me kapacitet sa më të plotë qeverinë pasardhëse, do të kishte qenë e interesuar të dëshmonte shembullin e një opozite në reformim e sipër, në reflektim e sipër duke i dhënë qeverisë pasardhëse mbështetjen e plotë në kryerjen e reformave, nëse jo me votat e saj, gjithsesi me pjesëmarrjen e saj, me konsensusin e saj për kryerjen e reformave me shpejtësinë e duhur dhe me vendosmërinë e duhur.

Përballë një opozite që nuk është ende në vete pas humbjes shembullore të 23 qershorit, do të ishte jetike një qeveri e vendosur, e sigurtë në hapat e saj, e mobilizuar në mënyrë konstruktive, krijuese dhe pozitive brenda radhëve të saj, brenda vetë koalicionit dhe me një përkrahje sa më të gjerë të opinionit. Numri i votave të 23 qershorit është një bastun që dobësohet sa më tepër që largohemi nga kjo datë. Kjo e vë në pikëpyetje përherë e më shumë kryerjen e reformave dhe suksesin e zbatimit të tyre, mëkëmbjen e ekonomisë, gjallërimin e jetës së vendit, zhvillimin e demokracisë, konsolidimin dhe rritjen e institucioneve të saj, pa të cilat nuk kemi të sotme as të ardhme.

Opozita, alla Sir Andrew Aguesheek, pati në protestën e së entjes parulla kryesore "Shqipëria - Kolumbia e Evropës" dhe "Drejt Evropës, jo drejt Kolumbisë". Edhe sikur ta pranojmë si qind për qind realitet, në tetë muaj qeverisjeje, edhe sikur qeveria të kishte marrë masat më rrënjësore dhe më energjike për këtë qëllim, Shqipëria nuk do të ishte bërë dot në kaq pak kohë Kolumbi. Për këtë do të ishin dashur dhjetëra vite. Dhe, natyrisht, tetë vitet e qeverisjes së kaluar do të kishin qenë vendimtare.

Lazarati, për shembull, është një realitet që përcillet nga njëra qeverisje në tjetrën, një realitet të cilin nuk e ka sjellë kjo qeveri, por që e ka gjetur në mesin e realitetit shqiptar. Duke u shndërruar në tabu, Lazarati tashmë rrezaton gjithandej Shqipërisë. Dhe autorësinë e kësaj tabuje nuk e ka qeveria aktuale. Nëse opozita do të ishte e përgjegjshme në rolin e saj, atëherë do të kërkonte të vihej në krye të një fronti popullor përkrah qeverisë së re për të çrrënjosur trafikimin e drogës nga Shqipëria dhe nga imazhi i saj.

Në këtë kontekst, edhe avionët e drogës, qoftë ai që mbeti në baltë, qoftë të tjerët, që nuk mbeten në baltë, qoftë si inskenim, qoftë si të vërtetë, janë një barok që nuk i shton gjë realitetit të mirëfilltë. Ata mund të kenë ekzistuar edhe në tetë vitet e shkuara, në kushtet e moratoriumit ndaj skafeve, çka i bën rudiment në periudhën pas heqjes së moratoriumit. Dhe tingëllon se ish qeveritarët ndihen tashmë të cënuar e të kërcënuar në interesat e tyre, pikërisht në infrastrukturën e përdorur për interesat e tyre.

Përveçse qesharakë në përplasjet e vazhdueshme, opozita dhe qeveria në Tiranë dita ditës bëhen të dëmshëm për fatet e vendit. Sa më shumë të merren me veten e tyre dhe sa më shumë të jenë në rolin e tyre të mirëfilltë, për të cilin janë votuar më 23 qershor, aq më shumë vota e 23 qershorit do të jetë shpërblyese për shqiptarët, do të jetë e merituar për vetë këto dy grupime politike. Papërgjegjshmëria ndaj kësaj vote, mosmirënjohja ndaj kësaj vote, moskuptimi i saj, do ta largonte nga karriket e pushtetit qeverinë e sotme, por gjithashtu do ta fshinte, do ta qëronte nga politika opozitën e sotme.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx